Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikim i përjavshëm i Kryeministrit Edi Rama, ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj me gazetarët për ekonominë:

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Faleminderit për mundimin për të ardhur deri këtu.

Sot kemi komunikim e javës për ekonominë dhe më vjen shumë mirë që sot jemi në kushtet kur mund ta japim zyrtarisht lajmin për rritjen e pagave për të gjithë bluzat e bardha dhe për arsimtarët.

Janë dy kategori që meritojnë gjithmonë më shumë dhe që në këto kushte, pavarësisht të gjithë shtrëngesave të krijuara nga dy goditjet e mëdha njëra pas tjetrës, tërmeti dhe COVID, kemi detyrimin t’ju japim sot, një mbështetje të fortë për të shpërblyer mundin, profesionalizmin, angazhimin me dy kategori shoqërore, një kategori e lëvizshme shoqërore fatmirësisht, që është kategoria e njerëzve që kanë nevojë për shërbim shëndetësor dhe kategoria e palëvizshme shoqërore, që janë fëmijët. Nga ana tjetër, për të nxitur më tutje motivimin dhe edhe përmes motivimit, një cilësi në rritje të këtyre dy shërbimeve absolutisht jetike për të sotmen dhe të ardhmen.

Pagat për bluzat e bardha do  të rriten 40%. Padyshim rritja më e madhe historike e pagave për bluzave të bardha.

Pagat për arsimtarët do të rriten me 15%.

E dyta shifër që do t’ju jap, është që me një numër punonjësish në sektorin publik, që është më i vogël sesa numri i punonjësve në sektorin publik në vitin 2013, – por le ta marrim njësoj dhe të mos hyjnë në këtë detaj, – fondi i përgjithshëm i pagave është rritur nga 450 milionë dollarë në 2013-ën në 710 milionë dollarë, duke përfshirë edhe rritjen e sotme. Që do të thotë që dy mandate qeverisëse të atyre që nuk e di ku e gjejnë kurajën që kërkojnë të rikthehen dhe në dy mandate qeverisëse tonat është thuajse dyfish fondi i pagave në sektorin publik, në pikëpamje të shumës me të njëjtin numër punonjësish, pavarësisht se numri i punonjësve është pak më i vogël sot.

Shifra e tretë, për të gjithë ata që ngatërrojnë pagesat me taksat, për ata që ngatërrojnë atë që duhet të paguajnë për konsumin e energjisë, ujit, me taksat, por dhe për të gjithë ata që insistojnë jashtë realitetit të fakteve se ne paskemi rritur taksat, kursimi nga taksimi i ndershëm në Shqipëri është 21 milionë dollarë në vit dhe 166 milionë dollarë në këto vite. Pra, 166 milionë dollarë, të cilat ata ia u merrnin njerëzve dhe ne jua kemi lënë njerëzve në arkën e familjeve të tyre vetëm nga kursimi i asaj takse famëkeqe të sheshtë, që ne e shembëm dhe e kthyem në taksë të ndershme, kush fiton më pak paguan më pak dhe kush fiton më shumë paguan më shumë dhe që ata duan ta rikthejnë,

për të bërë përsëri që infermierët, arsimtarët, punonjësit e shtetit me një pagë mesatare të paguajnë më shumë sesa “oligarkët” ose të pasurit e këtij vendi.

Gjyshja ime thoshte, “të gabosh është njerëzore, të insistosh në gabim është djallëzore”. Këta mirë që gabuam njëherë, por insistojnë në gabimin e tyre dhe gabimet e tyre duan t’ua shesin shqiptarëve si virtyte.

Kap ça të kapësh, kush ta hajë, ta haje e pastaj shihemi.

Javën e ardhme do të komunikojmë edhe ndryshime të tjera që lidhen me taksimin e ndershëm, në funksion të lehtësimit të asaj pjese të shtresës së mesme që është në piramidën e taksimit për të ardhurat personale dhe për pagën minimale që do të hyjë në fuqi në 1 janar.

Ndërkohë që ne e kemi përfunduar tanimë planin tonë për buxhetin. Më vjen shumë mirë që, pavarësisht nevojave për përballimin e dy goditjeve, të cilat po i përballojmë dhe do të vazhdojmë t’i përballojmë më dinjitet, kemi një seri investimesh, jo vetëm sepse rindërtimin e kemi kthyer në një motor të shtuar të rimëkëmbjes ekonomike, por edhe sepse tanimë po finalizojmë disa procese të rëndësishme që do të sjellin në 3-4 vitet e ardhme, në Shqipëri, fluksin më të madh të parasë së injektuar në ekonomi nga investime të brendshme dhe investime të huaja.

Faleminderit! Fjala për ministren e Financave!

Ministrja Anila Denaj: Qeveria shqiptare miraton këtë javë një rritje të konsiderueshme të pagave në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë duke filluar me efektivitetin në janar 2021. Konkretisht, rritja e pagave për sektorin e shëndetësisë është 40% mbi pagën e funksionit për mjekët, infermierët, laborantët e shërbimeve parësore e dytësore të shëndetit publik dhe do të jetë 15% për mësuesit e sistemit parauniversitar.

Në sistemin shëndetësor do të përfitojnë 18.415 punonjës, prej të cilëve 4.650 mjekë dhe 13.765 infermierë, sikurse 35.883 punonjës të sistemit parauniversitar të arsimit.

Është e rëndësishme të theksojmë se gjithë kjo ka një kosto në buxhetin e shtetit, e cila në tonalitet në 2020-2021 llogaritet në shumën e 8 miliardë lekë, një kosto më e lartë seç e kishim parashikuar në projekt buxhetin afatmesëm, kjo për t’i dhënë një vlerë të shtuar të gjithë punës që bëhet në këto dy sektorë.

Shumat konkretisht për secilën kategori: Në sistemin shëndetësor pagat për funksion në nivel mesatar, sot është 57.000 lekë, me një rritje 40%  në 2021-in shkon 79.800 lekë.

Paga për funksionin e infermierëve dhe laborantëve, sot është 37.000 me rritjen në 40% shkon në vitin 2021, 51.810. Paga mesatare bruto e mjekëve në 2020-ta, së bashku me rritjen shkon nga 37.753 në 110.553 lekë. Paga mesatare bruto e infermierëve nga 50.890 shkon 65.700 lekë.

Në sistemin arsimor, në vitin 2020 kemi një pagë mesatare 65.800 lekë që së bashku me rritjen shkon në 72.000 lekë në 2021-in. Paga mesatare bruto e mësuesve nga 68.800 shkon në 75.550 në 2021-in.

Në kontekst të rritjes, jo vetëm në vlerë absolute, por edhe në përqindje, duke filluar me një krahasim nga viti 2013 deri  në vitin 2021, me këtë pagë, të cilën prezantojmë sot, ne kemi një rritje të konsiderueshme me gati 56.8% më shumë se në vitin 2013, sikurse edhe grafiku në monitor e konfirmon. Kjo, për të gjithë mjekët në shërbimin parësor, të cilët e përfitojnë këtë  rritje.

Përsa i përket mjekëve në shërbimin spitalor,  rritja është në nivelin e 61.6% nga viti 2013 në vitin 2021.

Persa i përket pagave të infermierëve, rritja është në nivelin e 68.3% nga viti 2013 në vitin 2021 dhe infermierët në shërbimin spitalor përfitojnë një rritje  prej 63.4% në  bazë krahasueshmërie vitin 2013 dhe vitin 2021.

Pagat e mësuesve nga viti 2013 në vitin 2021 janë rritur në nivel 21.6%  dhe ato të shkollave të mesme me një nivel rritjeje në 21.3%.

Është me vlerë të vlerësojmë dhe të krahasojmë me vende të tjera të rajonit dhe për këtë kemi marrë për bazë Maqedoninë e Veriut. Po të krahasojmë të dy sektorët si arsimi, ashtu edhe shëndetësia, flasim për një diferencë shumë të vogël me rritjen e realizuar në vitin 2021, ku diferenca të paktën për Shqipërinë është pozitive me një rrogë në arsim 60.758 në krahasim me  Maqedoninë e Veriut 54.676 lekë dhe një diferencë shumë e vogël në krahasim me Maqedoninë e Veriut përsa i përket mjekëve.

Edhe një herë theksojmë se kjo është një qasje  proaktive, për të vlerësuar punën e të dy grupeve, si në shëndetësi dhe arsim. Por më herët do të më lejoni të kthehem pak në investimet që janë fakt, në të gjithë vitet e qeverisjes Rama, ato të cilat në vlerë absolute nga viti 2013 me një vlerë mesatare 35.4 miliardë në vit, shkojnë sot në 2020-ën me 57.7 miliardë lekë në vit dhe këtu vlen të përmendim dhe investimet në infrastrukturë, përmirësimet e qendrave shëndetësore, të sistemit të ambulancave, apo në arsim, ku investimet në infrastrukturë  përfshijnë të paktën rikonstruksionin e 274 shkollave, përtej rritjes së mëparshme të pagave, ku sigurisht vlen për të përmendur se nuk është hera e parë që ndodh.

Mendojmë se këtë javë kemi të konkluduar dhe vendimet në mbledhjen e qeverisë, kështu që ky do jetë një fakt për t’u komunikuar edhe me aktet juridike të nevojshme.

Kryeministri Edi Rama: Dua të theksoj një element tjetër, që do ta shtjellojmë në ditët në vijim. Këtu bëhet fjalë thjeshtë e vetëm për pagën neto, ndërkohë që janë një sërë elementësh të tjerë financiarë, që sot janë ndryshe nga ç’ishin më parë, për mjekët, që kanë të bëjnë pagesat për orët ekstra, për rojet, për bonusin që është një pagë plus për të gjithë mjekët që shërbejnë jashtë zonës së tyre të banimit dhe të tjerë elementë që ne do t’i detajojmë në ditët në vijim, për të pasur thjeshtë e vetëm një raport korrekt me opinionin publik, në aspektin e marrjes në dijeni për faktet, për viktimat më të mëdha të kohës tonë, faktet, qoftë për sektorin e shëndetësisë, qoftë për sektorin e arsimit.

Ministri i Rindërtimit do të bëjë një pasqyrë plotësuese, përpara se ju të merrni fjalën për të bërë pyetjet tuaja.

Ministri Arben Ahmetaj: Faleminderit Kryeministër,

Besoj që është e rëndësishme që ta ndajmë me gazetarët por edhe me qytetarët, që politika e pagave nuk është thjeshtë politikë financiare, por është e shoqëruar me këndvështrimin social, me konkurrueshmërine e mbi të gjitha me çfarë taksimi i vendos fondit të pagave apo pagës, qoftë pagave minimale, qoftë pagave të pjesës të lartë të shpërblimeve, qoftë në sektorin privat, qoftë në sektorin shtetëror.

Jo më kot kemi sjellë edhe krahasimet e taksës progresive; Për një sekond do desha modestisht të tërhiqja vëmendjen tuaj, taksa progresive nuk është një virtualitet në xhepin e qytetarëve shqiptarë, është një fakt i rëndësishëm që i lë në xhep, në tryezën e ditës, të bukës apo të financimit të shkollave të fëmijëve, apo të shëndetësisë, i lë një shumë të konsiderueshme.

Ajo që thotë Kryeministri, viktima është fakti. Në fakt dua që këtë shumë ta marrim që këtu dhe ta vërtetojmë për çdo qytetar, nëse doni me emër dhe mbiemër dhe me vend pune.

Kryeministri iu referua fondit të pagave, kur vjen ajo boloria e fjalëve në tregun e asgjësë dhe pastaj në tregun e deformuar politik, ku shkuan paratë, ku shkuan paratë.

Shikojini ku kanë shkuar paratë, tek pagat e administratës. 71 miliardë, pra gati i dyfishuar, ky është gjithë sektori publik, përjashtuar kompanitë shtetërore.

Ndërkohë do desha të shikonit diferencën midis 2 periudhave, periudhës para 2013 dhe periudha Rama 1, Rama 2, pra të dy mandatet. 18.2 miliardë është fondi që qeveria Rama ka shtuar në rritjet e vazhdueshme të pagave, në shëndetësi, arsim dhe në administrim publik, pra përtej çdo lloj debati që boloria politike i merr me vete dhe i shpëlan si kështjellat në rërë, ja ku i keni faktet, certifikojini nëse sigurisht këto grafikë nuk iu mbushin mendjen, janë në thesar, janë në llogaritë e shtetit, ja ku i keni përfshin edhe rritjen që do bëjmë për vitin 2021.

Nderkohe, për të materializuar efektin e taksës progresive do t’iu lutesha që të fokusohemi tek slide tjetër shumë interesant për qytetarët. Po ta shikoni me ngjyrë të kuqe dhe siç iu referuam më përpara, është fondi që kemi shtuar në rritjet e pagave te vazhdueshme, që është 18.2 miliardë, 182 milionë dollar nëse do ta marrim një me një. Shikoni ngjyrën e verdhe, është 16.635 miliardë, është vetëm për administratën publike, pra për ta futur në narrativen qytetare, këto paga dikur ngeleshin në buxhet dhe lehtësohej biznesi i madh dhe të pasurit, para 2014.

Pra gjithë ai flamuri jonë i drejtë qytetar në funksion të politikave sociale tona, të taksave progresive, lehtëson shtresën e mesme, shtresën në nevoje. Ato 16.6 merreshin nga qytetarët me pagë të ulët, me pagë të mesme dhe iu hiqeshin nga xhepi, nga tryeza dhe kalonin në xhepat e atyre që janë më të pasurit e kësaj shoqërie legjitimisht, por politika jonë bën diferencën, prandaj është e majtë në themel dhe sociale në themel dhe do dua që së bashku në ditët që vijnë t’iu tregojmë një shifër tjetër, me emra dhe me mbiemra.

Taksa progresive në 8 vitet e qeverisjes Rama ka çuar shtesë në xhepat e shqiptarëve dhe ka hequr nga buxheti i shtetit 960 milionë dollarë. Doni ta vërtetojmë, hajde ta bëjmë një ushtrim  politik, financiar, social. C ‘dua të them me këtë ?

Taksa progresive  çdo vit, që në vitin e parë të ushtrimit te vet, çoi nga buxheti i shtetit, në xhepat e qytetarëve, pra të të gjithë të punësuarve 90 milionë dollarë. Janë 960 milionë dollar, të cilat kanë shkuar ne xhepat e shqiptarëve, nuk janë  shifra që janë fakte virtuale dhe  të pambështetura janë para në xhepat e shqiptarëve. Ku i çuat paratë? 960 milionë dollar nuk erdhën në buxhet për të shkuar nëse do ishte ajo politikë e taksës famëkeqe të sheshtë, tek ata që kanë më pak nevojë të pasurit e kësaj shoqërie, por shkuan tek ata për të cilët ne mbajtëm flamurin e taksës progresive dhe erdhëm në pushtet, me idenë dhe qëllimin që do kujdeseshim siç po kujdesemi, kujdesja s’ka fund sigurisht. Në slide tjetër thjesht për të treguar pagat, pagat, pagat një fakt se si ka ecur paga minimale zyrtare . Në krahun e majtë timin 18.18 % është rritja mesatare e pagës minimale bruto ne krahasim me 2014, po ti futësh i efektet e taksës progresive të atyre parave që shkonin në buxhet, por jo, nëpërmjet taksës progresive  shkuan në xhepat e tryezat e shqiptarëve, paga minimale zyrtare është rritur e gjithë 31.31% dhe referohuni premtimit, premtim  i mbajtur, referohuni premtimit që ka dhënë Kryeministri në ditën 1, ja ku është i mbajtur. Këto janë fakte, pastaj boloria sigurisht bën të vetën. Në të njëjtën kohë kemi bërë edhe një krahasim më pas me sektorin shtetëror dhe me sektorin privat për të treguar që dhe konkurueshmëria ka ecur në të njëjtin logjik, që tregon të njëjtin efekt të taksës progresive, pra është rritja mesatare mujore bruto dhe pastaj efekti i taksës progresive .  Iu kam sjellë një slide, iu referua Kryeministri  me nominalisht, është efekti i kursimit vjetor të pagës nga taksimi progresiv për administratën, vetëm për administratën, jo për të gjithë të punësuarit, pra për mjekët për infermierët, për policët, për mësuesit, pra të gjithë ata qytetarë që paguhen nga buxheti i shtetit, siç iu referuam kanë 166 milionë dollarë vetëm nga taksa progresive, më shumë në xhepat e tyre, përveç 18.2 miliardshit, që është 182 milionë dollar, që Rama 1, Rama 2 ka shtuar pagat në favor të tyre. Këto janë fakte hajde ti debatojmë në fund numrat që do konkludojmë, sepse janë numra thesari dhe janë numra të certifikuar në buxhet të shtetit. Paga mesatare në sektorin shtetëror, e fundit sigurisht, që për shumëkënd mund të mos ketë vlerë, por për ata që punojnë në sektorin shtetëror ka. Ja dhe diferenca midis asaj që është paga mesatare bruto dhe efekti i taksës progresive për të treguar suksesin e taksës progresive. Kjo është edhe arsyeja pse qeveria Rama dhe mazhoranca e ka vijë ndarëse taksën progresive, prandaj edhe herën e kaluar që ndamë që mënyra se si kërkojnë të taksojnë ata që vijnë për herë të tretë në pushtet, pra me taksën e sheshtë famëkeqe dhe të bëjnë të njëjtin gjë, të njëjtën mashtrim, praktikisht me një të rënë të lapsit marrin 46 milionë dollar, ia marrin atyre në nevojë, ia marrin mësuesve, policëve dhe ia çojnë rreth 8% të popullsisë, ndërsa ne e kemi ndryshe, e kemi taksën progresive si vijë ndarëse dhe si flamur në vazhdim, përveç politikave që iu referuam. Këto ishin ato që desha të ndaja me ju, nëse do ketë ndonjë pyetje jam në dispozicion.

– Sot një qytetar shqiptar, për të lëvizur në vendet e BE-së, mjafton të marrin një biletë treni, avioni etj. dhe brenda afateve mund të lëvizin pa asnjë problem. Ndërkohë BE-ja ka hapur një procedurë të re, e cila do të hyjë në fuqi në një afat të shkurtët. A jeni njoftuar ju si Kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe a është ky kthim pas, me këtë vështirësi që i jepet qytetarëve shqiptarë?

Kryeministri Edi Rama: Punët e BE-së besoj që keni filluar t’i mësoni dhe ju, përveç meje. Ka që në 2016-ën që flitej se do bëhej në 2020-ën, tani flitet që do të bëhet në 2023-in.

Por gjithsesi nuk bëhet fjalë fare për ndonjë kthim pas. Bëhet fjalë për një sistem sigurie të BE-së për të gjitha shtetet jo anëtare të BE-së, qytetarët e të cilëve duan të hyjnë në Bashkimin Europian dhe që nuk kanë nevojë për vizë. Jemi në një shoqëri që besoj nuk ka të sharë, me amerikanët, zviceranët, britanikët, japonezët, që sipas sistemit ETIAS do të duhet që përpara se të nisën në vendet e BE-së të bëjnë një aplikim online, pak minuta dhe aplikimi nuk është për vizë. Thjesht t’i bën aplikimin, aplikimi yt futet në sistemin dhe t’i merr konfirmimin po online, në një kohë shumë të shkurtër, nëse je apo s’je i lejuar të hysh në Bashkimin Europian në bazë të kartelës kriminale. S’ka lidhje fare kjo me qytetarët që nuk kanë fare kartelë kriminale të regjistruar si person i lidhur me terrorizmin, apo me krimin e organizuar. Është e gjitha për shtetet që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në BE e nuk është kthim mbrapa tek viza, siç me siguri do të predikohet nga gjithë ata që duan të përhapin erën e pusetës digjitale në Gjirin e Lalëzit. Është një masë që në radhë të parë, prite se kur do të bëhet, e dyta, kur të bëhet. P.sh, Turqia ka nevojë për vizë për të hyrë në BE dhe nuk ka fare nevojë për këtë. Rusia ka nevojë për vizë, po ashtu e s’ka nevojë për këtë. Kjo është për ata që nuk kanë nevojë për vizë. Është thjesht një filtër në funksion të politikës së sigurisë së BE-së kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

– Me rritjen e pagave të mjekëve dhe arsimtarëve, a do të dëmtohen sektorë të tjerë të ekonomisë? Së dyti; me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, qeveria ndalohet të rrisë pagat 4 muaj para zgjedhjeve. Ju përmendët se në 1 janar 2021 do të nisë edhe rritja e pagave për këto kategori, ndërkohë 4 muaj përpara zgjedhjeve nis nga data 25 dhjetor. Ndërsa prezantuat rritjen e pagave për këto dy kategori, nga ana tjetër, prej më shumë se një jave, naftëtarët në Ballsh janë në grevë urie. A keni menduar një paketë ndihme për ta?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, nuk e kuptova pyetjen e parë, si do dëmtohen të tjerët se do ju rriten pagat mjekëve dhe arsimtarëve. Nuk ka asnjë shqetësim, nuk do të ketë ndonjë dëmtim të tillë. Unë e di që në Shqipëri ka një raport problematik me gjënë e tjetrit, d.m.th, kur tjetri merr diçka, apo ka diçka më shumë, fiton diçka më shumë, apo bën sukses më shumë, është problem. Ky në rastin më të keq është një dëm psikologjik, nuk është dëm financiar, që i shkaktohet atij që e sheh me zili tjetrin. Por nuk besoj se do të ketë shqiptar që i sheh me zili mjekët e arsimtarët, të cilët meritojnë shumë më tepër.

Përsa i përket 4 muaj para zgjedhjeve, ky është buxheti i shtetit. Ligji flet në kuptim të masave që merren ekstra, jo të buxhetit të shtetit. Ne po bëjmë buxhetin e shtetit dhe pagesat fillojnë në 1 janar. Ashtu sikundër pagesat do të vazhdojë edhe në vijim, pavarësisht që ka fushatë. Unë e di që mund të ketë aktorë politikë, që mund të duan të ndalojmë edhe pagesat fare 4 muaj, por kjo nuk mund të ndodhë.

Përsa i përket naftëtarëve, është një kompani private, e privatizuar në mënyrë kriminale dhe janë pasojat e një procesi privatizimi kriminal, ku ne dhe unë personalisht jemi përfshirë në mënyrë të vazhdueshme për të lehtësuar, ndihmuar dhe mbështetur pikërisht ata njerëz që janë aty, duke bërë lloj-lloj akrobacish e lutjesh nga më të habitshmet, – do të shkruaj një libër më vetë për çfarë kemi bërë dhe çfarë kam bërë personalisht në gjithë këto vite – që ajo ndërmarrje të mund të vazhdojë normalisht. Jo më larg se pak javë më parë kam vajtur enkas të takoj Presidentin e Azerbajxhanit për të folur për këtë. Edhe dje e sot pasdite do të marr informacion për çfarë të reja ka në këtë drejtim me kompaninë që presupozohej, pasi fitoi një garë për të marrë krudin, do të hynte në procesin e ndezjes së rafinerisë. Në këtë pikë, çfarë kemi ndihmuar, sa kemi mundur. Për të na fajësuar e për të na thënë se ne jemi përgjegjës për këtë, është e tepërt. Kemi e bërë e do të bëjmë çmos, por është një ndërmarrje, e cila që në krye të herës, nëse kishte një arsye për ta privatizuar, ishte për ta rimëkëmbur përmes investimeve. Privatizimi ishte kriminal dhe në atë ndërmarrje asnjëherë nuk u bënë investime serioze që do mund ta ripërtërinin të gjithë strukturën. Thjeshtë, ajo rafineri është keqshfrytëzuar.

Unë jam shumë i shqetësuar, por padiskutim e rëndësishme është të bëjmë diçka, jo të themi se për të thënë, mund të themi shumë. Jam shumë i shqetësuar, më vjen shumë keq për njerëzit atje, pa pikë dyshimi. Jam gjatë gjithë kohës i informuar, por nuk mendoj që ka nevojë për greva urie për të më sensibilizuar mua, se jam ultra i sensibilizuar për atë rafineri. Grevat e urisë bëhen kur nuk të dëgjon njeri. Ne jo vetëm që i dëgjojmë, po i kemi ndjekur në vijimësi, kontaktet me ta anë qenë të vazhdueshme. Kemi bërë disa herë ndërhyrje, duke u mundur që të sistemojmë procesin. Problemi i asaj rafineri është në thelb. E thelbi është i kalbur. Ajo rafineri do një investim të madh për t’u rimëkëmbur dhe për të funksionuar në afat të gjatë, ose do pastaj një politike tjetër, për të cilën ne po punojmë me BE-në, që është politikë për të mbajtur një ekuilibër në kohë, në sensin e amortizimit social me punonjësit, ndërkohë që rafineria mbyllet përfundimisht. Por ne nuk jemi në këtë fazë, në opsionin e mbylljes, por jemi në këtë fazë në kërkim të opsionit të zgjidhjes dhe po ju them që jemi në komunikim të vazhdueshëm me ato pika ku mund të gjejmë zgjidhjen.

– BE-ja ka komunikuar një fond prej 20 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor për procesin e rimëkëmbjes. Sa prej këtyre financimeve pritet të përthithë Shqipëria dhe ku do t’i orientoni ju ato.

Për ministrin Ahmetaj; Paga minimale pritet të shkojë rreth 30 mijë lekë të reja, ndërkohë që shoqatat e biznesit kanë rezerva për këtë rritje page, duke patur që ajo do të prodhojë efekte financiare për to. Jeni në komunikim me shoqatat e biznesit?

Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të marrë kompetencat e adresës ku drejtuat pyetjen. Me siguri, edhe ministri mund t’ju japë një opinion dhe ministrja po ashtu. Por dua t’u them atyre që ngrenë zërin për këtë, që duhet të falënderojnë qeverinë që po ju jep mundësinë me ligj që të bëjnë atë që, në fakt, shumëkush prej tyre duhet ta bënte vetë dhe jo të bënte të kundërtën. Ata punonjës janë në fund të fundit, themeli i fitimit dhe suksesit të çdo kompanie dhe pagë nën 30 mijë lekë sot është vërtetë e tepërt dhe të pretendosh që kjo do të ketë efekte financiare, patjetër që do të ketë efekte financiare, por nuk janë efektet financiare në lëkurën e pronarëve dhe të familjeve të pronarëve, por janë efekte, pa të cilat digjet lëkura e punëtorëve. Quhet pagë minimale dhe është minimumi që pronarët mund, duhet dhe do të bëjnë duke ju dhënë punonjësve 30 mijë lekëshin. Ka edhe një “dhe” tjetër të madhe, që ne kemi fakte që një pjesë e madhe e punonjësve i marrin paratë në të zezë, që një pjesë e madhe e këtyre efekteve, në fakt  nuk janë efekte në arkën  e pronarëve, sepse janë paga që jepen nën dorë. Kjo është e tepërt si diskutim.

Sigurisht që ministrja e Financave do të bëjë edhe një proces komunikimi, dëgjimi. Ne nuk e kemi këtë kundër kompanive. Por ama, kompanitë nuk mundet dot që me lëkurën e punonjësve të qepin pardesy. Kjo nuk mundet, është e tepërt.

Përsa i përket 20 miliardave, me këto miliarda të BE-së do t’ju sugjeroja që ju dhe të gjithë të jeni pak më skeptikë. Miliardat e BE-së dhe miliardat e botës, nga e thëna në të bërë, kanë në mes 7 dete të tërë. Kështu që mirë se të vijnë miliardat. Unë nesër do të pres Komisionerin për Zgjerimin me shumë padurim, sepse ai është nxitësi kryesor i kësaj pakete për Ballkanin Perëndimor dhe do të dëgjoj në detaje se për çfarë bëhet fjalë, se njëherë vjen një 6 miliardë, pastaj vjen një 9. Tani u bë 20. Deri nesër mund të shkojë 27. Por konkretisht të shikojmë. Ama, njerëzve t’u them një gjë, kur dëgjoni këto miliarda, duhet të keni parasysh se midis nesh dhe tyre ka 7 dete. Mjafton t’u ilustroj 1.2 miliardët e Konferencës së Donatorëve. Patjetër që janë, por kanë procese nga më të ndryshmet.

Ne mbarojmë shkollat me buxhetin e shtetit, me paratë tona, me kursimet tona. Për të adresuar një problem që nuk e kishim dhe nuk e krijuam ne. Po të mos kishim rindërtimin, do të kishim patur më shumë edhe për anti COVID-in, do të kishim patur më shumë edhe për gjëra të tjera, por ja që na erdhi përpara një situatë ku kemi 15 mijë familje, mesatarisht, për të futur në shtëpi. Në po mbarojmë shkollat. BE-ja po fillon shkollat, sepse kanë procedura të tjera. Këto miliardat më vjen mirë shumë që janë miliarda, sepse janë miliarda që lidhen me gojën që më ra mua gjithë këto vite, “Shengeni Rajonal” dhe po të lexoni tekstin paraprak, janë miliarda pikërisht sepse është hapur një horizont i ri me vizonin e Shengenit Rajonal. Mos harroni që në çdo gjë që dëgjoni, ka diçka që mund ta kapni dhe ta kini parasysh. Nuk e kam me ju, e kam në përgjithësi se faktikisht është Shengeni Rajonal, ai që hap këtë perspektivë sot.

Do flasim konkretisht, por e bëra këtë shpjegim, jo për të nënvlerësuar apo për të relativizuar një ndihmë të BE-s-së, që është mëse e mirëpritur, por sepse e di shumë mirë që sot, ti nxore një 20 miliardë nga goja, unë  jam i bindur që po të hymë tani në komentet në FB, ka nga ata  nga ata që thonë “ku i çove 20 miliardë”. Kështu që të jemi të qartë, paratë që jep bota nuk vijnë këtu me thes, as me valixhe, as me kanoe. Paratë që jep bota vijnë me procedura që i bëjnë vetë nga “A” tek “Zh”. I bëjnë vetë studimet, i bëjnë vetë projektet, i bëjnë vetë tenderët, i caktojnë vetë kompanitë, i supervizionojnë vetë dhe në fund del produkti. Kohën për këtë nuk  e kemi ne në dorë, e kanë ata.

Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj: Një koment për pyetjen tuaj sepse Kryeministri iu referua, ka dy korsi në faktikisht për pagën minimale. Është paga minimale që i referohet zyrtarisht për arsye të pagesës në teren dhe të sigurimeve shoqërore dhe nga ana tjetër është dinjitet për atë që shkon në punë dhe ka një nivel të caktuar reference page nën të cilën nuk mund të paguhet. Çfarë ka ndodhur në këtë qeveri që nga dita që kjo mazhorancë ky Kryeministër është në zyrat e punës, nga 22 mijë lekë po shkon në 30 mijë lekë. Dhe me njërën korsi po u bëj një aritmetikë  të shpejtë dhe të thjeshtë. Kush pretendon për koston mund të ketë një të drejtë distante, pse? E para njëherë që zyrtarisht mund të ketë punonjës që paguajnë 260 mijë lekë të vjetra, praktikisht ky numër është shumë i vogël krahasimisht me listë pagesën zyrtare e para , e dyta numri i kompanive që paguajnë nën 300 mijë lekë është shumë i vogël dhe në qoftë se do ti referoheshim percent ndonjë sektori, ai sektor ka maksimumi 35 deri 40 mijë punonjës që është gati për të mos thënë 5% por diku tek 6.5 % e të gjithë numrit të punonjësve dhe nëse do ti bëj aritmetikë kostoje, është kosto e kësaj  grupi të vogël kompanish, do rritej teorikisht jo praktikisht 1.2 %, pra nëse do ishin të gjitha të vërteta, ndërkohë në anën tjetër nëpërmjet  30 mijë lekëshit është dinjitet i shtuar i pamjaftueshëm, nuk diskutohet se rritja e pagës minimale do vazhdojë dinjitet i shtuar për ata punonjës që shkojnë atje dhe duken në listat zyrtare sikur marrin 260 mijë lekë. Dhe e fundit fare paga minimale ka të bëjë me konkurueshmërinë, a po themi që po shkojmë në një situate tjetër vlere në ekonominë shqiptare, me çfarë do mburremi? Do mburremi me pagën minimale të ulët, jo, do mburremi nëse do konkurrojmë me ato aftësi qoftë në aspektin teknik, qoftë në aspektin digital, qoftë në aspektin faktoral.

– Duke qenë se do të ketë një rritje pagash për bluzat e bardha, dua ta ndalem në dy pyetje që lidhen me sektorin e shëndetësisë. Ju, Zoti Kryeministër, në ceremoninë e diplomimit të 1600 studentëve të Universitetit të Mjekësisë,  më 20 shkurt deklaroni se në Shqipëri nuk ka mungesë mjekësh, ishte një fatkeqësi e trashëguar nga ndalimi i pashpjegueshëm për 4 vite i specializimeve, ajo që krijoi këtë boshllëk të madh.  Sipas OBSH-së, Shqipëria është vendi me numrin e mjekëve më të ulët, në raport me popullsinë, 12 mjekë për 10 mijë banorë. Kemi më shumë mjekë se Afrika, por më pak se Pakistani. A jeni ju i shqetësuar për këtë mungesë të mjekëve në Shqipëri dhe a mendoni ju se, nëse pagat e tyre do ishin rritur më shpejt, pjesa më e madhe e tyre nuk do të ishin larguar jashtë vendit?

Në 5 vitet e fundit, deri në muajin maj të vitit 2020, buxheti i shtetit ka paguar rreth 100 milionë euro për kontratat e partneritetit publik, privat. Do të paguajnë edhe 270 milionë euro të tjera në vitet në vijim. Dua t’u pyes sa eficent ka qenë orientimi i investimeve në shëndetësi në këto projekte dhe sa të vlefshme ishin ato, në momentin që vendi u përball me pasojat e pandemisë COVID 19.

Kryeministri Edi Rama: Pjesa më e madhe e mjekëve nuk ka ikur nga Shqipëria, doni apo s’doni ju, sepse shifrat janë aty dhe janë shumë kokëforta. E dyta, ne nuk kemi mungesë mjekësh në sistemin tonë shëndetësor, sot që flasim, doni apo s’doni ju.  Mos ngatërroi gjëra që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Doni apo s’doni ju, sot, Shqipëria ka një sistem shëndetësor, i cili ka patjetër probleme, i cili ka nevoja të mëdha akoma, por është një sistem shëndetësor dhe këtë e thonë të gjithë ata që gjykojnë për sistemin tonë shëndetësor, përfshi edhe OBSH-në. Ndërkohë që para 7 viteve, Shqipëria nuk kishte sistem shëndetësor. Shqipëria kishte mjekë që luftonin nga mëngjesi deri në darkë si në kohën e luftës, kishte infermierë që nuk dinin ku do i zinte e nesërmja se bluzat e infermiereve i mbanin partitë dhe ishte një parti sidomos, që ishte bërë si fason bluzash infermierësh, që i shpërndante me një tesër bardhë e kuq në xhep. Në spitalin “Nënë Tereza” – po ju kujtoj se janë të gjitha në arkivat tuaja – hyje dhe nuk e ndaje dot, a ishte në një pazar fruta-perimesh, a ishe në një treg rrobash të përdorura, a ishe në një parkim makinash, se vetëm spital nuk çoje nëpër mend, kur hyje. Pastaj hyje në godinë dhe nuk dalloje dot kush ishte i sëmuri, kush ishte mjeku, kush ishte familjari e kush ishte infermieri, se as uniforma nuk kishin. E në gardhet e spitalit rrinin njerëzit duke ulëritur para kamerave tuaja me receta në dorë, që duhet të shkonin të vraponin për të gjetur ilaçe bazike se nuk kishte ilaçe spitali. Nuk është histori e Luftës Nacional Çlirimtare, por është historia e para 7 viteve, kur në spital merrnin çarçafët, batanijet e ngrohëset me vete.

Kështu që kur flasim për shëndetësinë, i gatshëm t’ju shpjegoj sa shumë halle kemi edhe përtej atyre që mund të thoni ju, por kemi sistem shëndetësor sot. Largqoftë të kishte rënë COVID-i shtatë vjet përpara, ose të ishim ne si shtatë vite përpara e atëherë do ishte Shqipëria lajm botëror.

Përsa i përket partneriteteve publike, private, unë ju ftoj ta kuptoni se ato janë investime të privatëve që shlyhen pjesë-pjesë nga shteti, nuk janë para të shtetit që u jepen privatëve. Kuptojeni këtë se është shumë e rëndësishme. Janë investime të kompanive private në shërbime që shlyhen pjesë-pjesë nga shteti.

Nëse nuk do të kishim këto investime, nuk do t’i jepnim dot ato shërbime, është shumë e thjeshtë dhe sot, do të kishim përsëri një situatë si dje, ku lindjet e nënave të reja do vazhdonin të bëheshin me pinca të kohës së dashurisë shqiptaro-kineze, ku sterilizimi do ishte thjesht një fjalë boshe dhe infeksionet post operatore, për shkak të mungesës së sterilizimit do vazhdonin të ishin më të lartat në Europë, gjë që sot nuk është më. D.m.th. kemi kaluar nga kushte kafshërie, në kushte njerëzie. Natyrisht pastaj ka më të lehta, ka më të vështira, ka spitale që sot janë siç është Kirurgjia e re, spital europian nga A-ja tek ZH-ja, me të gjitha dhe ka spitale që kanë akoma nevojë për ndryshim. Ka nevojë për spitale të reja, por për herë të parë po bëhen spitale të reja në Shqipëri.

Më tregoni dot një spital të ri që është ndërtuar në 30 vjet? Kërkojeni.

Për herë të parë po bëhen spitale të reja në Shqipëri.

Kështu që për sa i përket shëndetësisë, ne kemi bërë në 7 vjet, çfarë nuk është bërë në pikëpamje të infrastrukturës dhe të aparaturave në 30, 40, 50, 100, sa të doni! Me fakte.

Sot, në Spitalin “Nënë Tereza” ka një depo barnash që është e standardeve ndërkombëtare. Deri dje nuk kishte barna fare. Edhe ato që bliheshin sipas klientëve të ministrave të asaj partisë me teser bardh e kuq bliheshin dhe rrinin stoqe se nuk duheshin për t’u përdorur fare. Rrinin nëpër ca magazina aty, bashkë me rrobat e përdorura dhe bashkë me dërrasat e kalbura të viteve e viteve. Kështu që, tek shëndetësia, unë them mos të hymë për të kërkuar keq, se aty çdo ditë kurohet e keqja në trupin e njerëzve, kurohet e keqja dhe në sistem. Shkoni dhe pyetini mjekët, se jua thonë vetë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj: Dua të jap disa fakte. E fillojmë me specializimet afatgjata në mjekësi. Në vitet 2005-2013 kemi pasur dy cikle. Në total 627 kuota, nëse flasim për atë që historia na ka dhënë. Për të hyrë në 2013, deri në 2020 janë 6 cikle me 1420 kuota. Së dyti, në vitin 2013 600 mijë vetë të pasiguruar duhet ta paguanin nga xhepi i tyre çdo nevojë të kujdesit shëndetësor. Nuk është e njëjta situatë. Për të shkuar pastaj tek radhët e për të dhënë disa shifra që i kemi të marra nga sistemi. 6 muaj pritje për onkografi koronare. 3 muaj pritje për rezonance manjetike, e kështu me rradhë. Këto radhë janë shkurtuar.

Për të vazhduar tek rrogat. Rritja e rrogave sot nuk është rritja e parë e rrogave që ndodh në këto vite qeverisje. Për mjekët rritja e rrogave prej 21% dhe për infermierët 26% para disa viteve dhe për arsimin, në 2017 me 10% dhe në 2019 me 7%. Këto janë fakte.

– Zoti Kryeministër, u përmend pak më parë një shifër prej 46 milionë dollarësh që ishin nga shtresat më në nevojë, që shkojnë me qeverinë e kaluar, pra, me taksën e sheshtë tek 8% e popullsisë, pra, tek të pasurit. Atëherë pse me këtë taksë që ju thoni që ishin dhe ju ja dhatë shtresave më në nevojë, duhet të ketë një rishikim të taksës progresive? Pra, pse duhet të ketë një rishikim sikurse ju e keni thënë dhe më herët dhe në konferencën e kaluar?

Së dyti, për pensionistët, a do ketë rritje të pensioneve, meqë jemi tek rritjet e pagesave?

E së treti, nëse më lejoni, ka qenë raporti i Komisionit Europian, i dalë vetëm pak orë më parë, ku ndër të tjera ka konfirmuar se Shqipëria nuk e ka gati Gjykatën Kushtetuese, ka pasur kritika për paketën tuaj për anti-shpifjen, përsa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar, por dhe për tensionet politike në vend. Kur do t’i jepet fund tensioneve politike, ndërkohë që jo më larg se sa dje, Presidenti Ilir Meta ju ka thënë se do të përballet me ju shesh më shesh në gjithë Shqipërinë, nëse do të preket Marrëveshja e 5 qershorit, që faktikisht u votua dje e tashmë është ligj. Faleminderit!

Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj:  Ndoshta ju i bëtë dy gjëra bashkë, taksën progresive dhe 9% tek tatim-fitimi. 46 milionë dollarësh është ajo që pretendohet që nëpërmjet 9% të taksës famëkeqe të sheshtë që shkatërron qytetarin e thjeshtë dhe biznesin e vogël dhe biznesin e mesëm, praktikisht favorizohet biznesi i madh, duke i ulur nga 15% në 9%. Vetëm me këtë lëvizje ju falen 46 milionë dollarë. 46 milionë dollarë për dijeninë tuaj, por ne në buxhet do ta shtojmë tani dhe në vazhdimësi do shtohet. Aq shkojnë për ndihmën ekonomike, që do të thotë që me ndihmën ekonomike, me atë 9% famëkeq ia merr ndihmën ekonomike dhe ia jep një përqindje të vogël të biznesit të madh. Gjë që është vijë ndarëse për ne. Ndërsa si shifër konkrete për qytetarët, të punësuarit që është korsi tjetër, taksa progresive në vit për të gjithë të punësuarit, nëse do ishte taksë e sheshtë do t’u merrte 120 milionë dollarë nga xhepi dhe do i bënte rrush e kumbulla, ndërsa taksa progresive ia kthen në xhep e në tryezë, në familje, atë 120 milionë dollarë në vit. Ndërsa rishikimi është një orientim i Kryeministrit për të riparë fashën e klasës së mesme. Pse? Sepse me zhvillimet ekonomike të 8 viteve, klasa e mesme është zgjeruar, zmadhuar dhe masa e konsiderimit të të ardhurave si klasë e mesme është përshkallëzuar për lart, kështu që do duhet të korrektojmë në lehtësim taksën progresive.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj: Një koment në raport me pensionet. Ne kemi realizuar një reformë pensionesh, e cila në thelb ka një parim. Kush kontribuon më shumë, përfiton më shumë dhe kjo edhe për ta lidhur me pagën minimale, por dhe për të ulur sa më shumë informalitetin në tregun e punës, është një thirrje për ta konsideruar në mënyrë të qenësishme.

Kryeministri Edi Rama: Po, 26 milionë dollarë plus do jenë për pensionet vitin e ardhshëm.

Përsa i përket raportit të Komisionit Europian nuk e kam parë. Komisioneri vjen nesër, flasim nesër.

Ndërkohë, përsa i përket Ilir Metës nuk lidhet me asnjë çështje të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Mund të trajtohet si një problem për ekonominë e vendit, por jo si një element i paketës tonë fiskale.

– Keni nënshkruar javën e kaluar një marrëveshje shumë të rëndësishme me Departamentin Amerikan të Energjisë për hidrocentralin e Skavicës, por dhe për një memorandum për nxitjen ekonomike, për bashkëpunim ekonomik. Cilat do të jenë opsionet e financimit për HEC-in e Skavisë dhe afatet kohore?

E dyta ka të bëjë me një parashikim që ka nxjerrë BERZH-i, ku më parë rritja ekonomike parashikohej për Shqipërinë, për 2021-in, 12% dhe është ulur në 4.5%. Si do të ndërtohet buxheti, për ta ushqyer ekonominë në disa pika që mund t’i sqarojmë dhe për publikun?

Kryeministri Edi Rama: Për fat të mirë mund t’ju them që nga eksperienca e këtyre viteve, parashikimet e bëra në kushte shtëpie, pra, brenda qeverisë për rritjen ekonomike janë ato që janë më afër realitetit dhe përgjithësisht unë besoj tek ky trend. Ne nuk kemi thënë ndonjëherë që do rritemi 12% vitin e ardhshëm. As nuk e di nga ka dalë kjo dhe mendoj që ne do të jemi rrotull 6-s vitin e ardhshëm. 6% plus.

Përsa i përket buxhetit, buxheti do të jetë publik në ditët në vijim, sepse ka marrë formë përfundimtare dhe javën e ardhshme kalon në qeveri. Pastaj do të shkojë në Parlament e aty do të kemi kohë të diskutojmë.

Lidhur me Skavicën, opsionet e financimit janë çështja me të cilën po merremi tani dhe kur t’i kemi konkluzionet, do të kemi opsionin final të financimit. Patjetër që ju do të jeni të parët që do ta merrni vesh sepse, siç e thoni dhe ju, lajmi kalon më parë nga ju.

– Zoti Kryeministër, a po  e mban peng politika shqiptare ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, duke çuar emra në KED pa i plotësuar kriteret?

Pas mbledhjes së përbashkët të dy qeveria Shqipëri-Kosovë, ka pasur deklarata të forta në Serbi, duke nisur nga ministri i Mbrojtjes serb, ministri i Jashtëm, Presidenti Vuçiç ndaj deklaratave tuaja që mini Shendgeni Rajonal është e vetmja formulë ku Kosova mund të njihet në mënyrë diplomatike nga ana e Serbisë.

Kryeministri Edi Rama: Politika nuk çon emra në KED. Nuk e di nga del kjo.

Ndërkohë që përsa i përket fatkeqësisë natyrore që zbulova se gjendet në kushtet e veprimit permanent në qeverinë e Serbisë, në trajtën e një ministri, mund të them që unë vazhdoj pres që Presidenti i Serbisë të kërkojë në emër të Republikës së Serbisë ndjesë për atë fatkeqësi natyrore. E mirëkuptoj që mund të mos ketë fuqi mbi atë fatkeqësi, por atë fatkeqësi le ta mbajë për vete dhe për Serbinë. Ndërkohë që ministria jonë e Jashtme ka vazhduar më tutje me procesin dhe ambasadori i Serbisë është thirrur, apo do të thirret për t’i bërë me notë verbale vënien në dijeni shtetit serb se asnjë gojë e shthurur në qeverinë e Serbisë nuk mund të lëndojë qeverinë e Shqipërisë, apo figurën e një ministri apo të Kryeministrit të Shqipërisë, se po qe puna për Edi Ramën, ju e dini që këto lloj fatkeqësish natyrore mua më stimulojnë dellin e polemikës dhe nuk i kam problem, por më mjaftojnë fatkeqësitë natyrore që kemi këtu brenda vendit, në kushte virulence permanente, në trajta presidentësh e në trajta ish presidentësh. Kështu që këta edhe i mbaj, por një fatkeqësi natyrore nga qeveria e Serbisë nuk e mbaj dot. Ta mbajë ai që e ka atje dhe t’i kërkojë ndjesë Shqipërisë.

Përsa i përket Kosovës, më vjen shumë mirë që Kosova është pjesë e Shengenit Rajonal dhe koha do të tregojë edhe më shumë, edhe në drejtim të konfirmimit të mëtejshëm të Kosovës dhe jo vetëm në aspektin ekonomik, se kush kishte të drejtë kur fliste për Shengenin Rajonal dhe batërdisej nga lloj-lloj gojësh të shthurura dhe nga një tërësi fatkeqësish natyrore, qoftë në Prishtinë, qoftë në Beograd. Për mua, është certifikata më e besueshme e këtij vizioni dhe kësaj bindjeje, që njëri nga Beogradi thotë që po luftoj për Shqipërinë e madhe, një tjetër nga Prishtina thotë po luftoj për Serbinë e madhe dhe të dy janë “bir Selman i nënës, kë të qaj më parë”. Por të paktën të qajmë këta tanët, se ata andej nuk na merr malli t’i qajmë.

– Zoti Kryeministër, a do ta zgjidhë rritja e pagave problemin e rishpërndarjes së mjekëve në spitalet e rretheve? I referohem rastit kur u dha bonusi për mjekët dhe mjekët refuzuan ta marrin bonusin prej mbi 1 milionë lekë të vjetra, për të shkuar në spitalet e rretheve sepse nuk ka infrastrukturë. Do ta zgjidhë kjo çështje faktin që një mjek në Tiranë punon në spital privat, punon në klinikë private dhe nuk shkon në rrethe?

Dhe pyetja e dytë, çfarë do të bëni me kontratat koncensionare të cilat pavarësisht se kanë marrë paratë nga buxheti i shteti nuk kanë kryer volumin e punëve të vendosura në kontratë? I referohem rastit të inceneratorit të Tiranës ku për vitin 2018 dhe 2019, në secilin vit nga buxheti anë marrë 977 milionë lekë, ndërkohë që volumi i punëve për të dy vitet, vitin e parë ka qenë 10% dhe në vitin e dytë 20%. Çfarë do  bëhet me këto kontrata? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Nuk e di ku e keni nxjerrë ju konkluzionin që mjekët nuk shkojnë në rrethe.

– Ishte bilanci. Vetëm 3 mjekë preferuan të shkonin për të marrë bonusin dhe për të vajtur në rrethe. Mjafton të shkojmë në Rrëshen, nuk ka pasur mjek gjinekolog deri para pak kohësh dhe vazhdon të mos ketë. Shkon një herë në disa javë.

Kryeministri Edi Rama: Zonjë, e keni informacionin e gabuar.

– Shpresoj të jem unë gabim.

Kryeministri Edi Rama: Shpresa vdes e fundit, por në këtë rast mos rri me shpresë, merre nga unë konfirmimin dhe shpreso gjëra të tjera që unë nuk i di si janë, por këtë e keni gabim sepse bonusi ka funksionuar dhe e vërteta është që ne kemi një sistem komplet tjetër sot specializantesh në funksion të spitaleve rajonale. Kemi specializantët me bonusin, i cili do të vazhdojë të mbetet në fuqi, pra faktikisht me rritjen e pagës dhe me bonusin, çdo mjek do të marrë në dorë direkt atë që i mbetet kur është me fat dhe kur është në ndonjë pozicion goxha të konsoliduar, pasi paguan taksat në Gjermani.

Kemi dhe sistemin e asistimit nga specializantët në ditë të caktuara të spitaleve rajonale kështu që nuk ka në spitalet rajonale mungesë për mjek specializantë në shërbim të qytetarëve sepse qoftë janë mjekët që janë aty me bonus ose që janë aty nga vendi, qoftë janë mjekët që shkojnë me data të caktuara. Në spitalet rajonale kemi të tjera probleme e me ato probleme po merremi, por jo këtë.

Për sa i përket pastaj asaj që thatë në pyetjen e dytë, kjo nuk është pyetje për mua. Këto janë çështje të institucioneve, institucionet i bëjnë vlerësimet dhe bëjnë të gjitha proceset ligjore sipas vlerësimeve, por ajo që unë vë re në mënyrë të vazhdueshme është që edhe ju, jo ju personalisht, por dhe ju si ndërmjetës me publikun mbyteni shpesh në atë lugën e ujit të aktereve politik që e kanë bërë fjalën “koncesion” si shfaqje të huaj dhe nuk jam i sigurtë që e keni kuptuar të gjithë që partneritetet publike, private janë investime. Janë thjeshtë investime që ti i merr sot nga privati sepse ti nuk i ke paratë t’i bësh po sot, vetë, nga buxheti dhe i shlyen në kohë dhe përveç kësaj, merr edhe shërbimin.

Pra ne nuk e kishim të mundur që të bënim gjithë transformimin historik të materialeve dhe instrumenteve mjekësorë që përdoreshin në spitalet tona, duke kaluar nga gërshërët e kohës së martesës shqiptaro – kineze tek instrumentet moderne që vijnë nga Gjermania, që sterilizohen me teknologji gjermane dhe që ju vjen në dispozicion mjekëve, njësoj si në Gjermani, nuk e kishim. Ama ajo që është e rëndësishme është që për këtë shërbim të transformuar cilësisht, njësoj si për shërbimin e dializës, njësoj si për laboratorët më pas, njësoj si për rrugën e Arbrit dhe njësoj si për check-up, njësoj si për mbetjet, qytetarët nuk paguajnë asnjë kokërr leku më shumë.

Në rastin e mbetjeve ato varen nga bashkitë, por për këto shërbime nuk i themi ne qytetarëve meqë është bërë ky investim, ti do paguash më shumë. Siç ndodhi me skanerin e doganave, që ai është koncesioni tipik për t’u urryer si metodë kur shteti kishte nevojë të kontrollonte mallin, jo qytetarët, jo eksportuesit, jo improtuesin, nuk ishte nevoja e tyre që të kontrolloheshin, ishte nevoja e shtetit, shteti vuri skanera dhe jua rrasi faturën kompanive.

Ky është koncesion malinj, kurse koncesionet tona janë në funksion të njerëzve, janë për shërbimet. Pse duhet të presim ne edhe 20 vjet të tjera apo dhe 10 vjet të tjera apo qoftë dhe 1 vit tjetër që të bëjmë shërbimin e duhur për njerëzit kur duhet të bëjnë dializën?

Dializa që ishte një ferr në tokë për njerëzit që duhet të vinin të shoqëruar me një tjetër se nuk e bëjnë dot vetëm e të rrinin me tre turne, të prisnin në Tiranë, pse?  E bëjnë sot si njerëz të respektuar, në kushte optimale dhe nuk paguajnë asnjë kokërr leku më shumë se sa paguanin më parë për atë shërbim. Këto janë partneritetet tona publike private.

Më bën përshtypje që me transformimin kolosal që po i bëhet marrëdhënies së Shqipërisë me mjedisin, falë investimeve tek fushat gangrenoze në Sharrë, në Elbasan në Porto Romano në Durrës, në Fier, bëhet një ofensivë plehu. Plehu i vërtetë është gojët e atyre që bëjnë një ofensivë të tillë për inceneratorët, ndërkohë që e vërteta në realitet atje është që kemi shpëtuar fëmijët në radhë të parë të gjithë këtyre zonave nga sëmundjet që i kanë ndjekur nga pas si hije dhe kemi vënë digën e mbrojtjes së mjedisit atje, të mjedisit të këtij vendi dhe helmimin e ujërave dhe 1001 të zeza që vijnë nga ato fusha gangrenoze. E këta që jetojnë me plehrat në harmoni të plotë, që jetojnë me shëmtinë në harmoni të plotë, se ky është problemi, nuk është thjeshtë çështja që nuk ju bën përshtypje, është çështja që u pëlqen Shqipëria e pistë, u pëlqen Shqipëria e rrëmujshme, u pëlqen Shqipëria ku kujt i teket ndërton pa leje, u pëlqen Shqipëria kap çfarë të kapësh, futja kujt t’ia fusësh dhe dil matanë dhe shpall revolucionin e radhës për popullin. Ja kjo është e gjitha.

– Keni konfirmuar heqjen e tatim fitimin dhe TVSH-së për bizneset e vogla nga janari i vitit të ardhshëm. Keni bërë një përllogaritje cili do të jetë impakti për arkën e shtetit? Dhe një pyetje të dytë lidhur me garancinë sovrane. Ka mbaruar afati për atë të parë dhe të dytë por efektet e pandemisë vijojnë të jenë ende prezentë. Po shikoni mundësinë për një garanci të tretë sovrane? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Të dyja garancitë sovrane po funksionojnë më së miri. Kjo është gjëja e parë. Së dyti, efektet, pandemia mund të zgjasë nuk e di, askush nuk e di, por sot askush nuk është i penguar të punojë, askush nuk është i penguar të zhvillojë aktivitetin tij dhe të gjejë rrugët e tij për të bërë më të mirën. Është shumë e rëndësishme që sot të gjithë kujdesen që të mos detyrohemi të kthehemi larg qoftë në shtëpi për çfarëdo kohe sepse edhe një javë do të ishte shkatërruese për ne. E për sa i përket biznesit të vogël kjo është diçka që është e ligjëruar tanimë, nuk pret këtë që po bëjmë tani. E kemi ligjëruar në korrik dhe efekti në buxhet është i konsiderueshëm, por ne besojmë shumë fort që efekti në punësim dhe në ekonominë familjare do të jetë edhe më i konsiderueshëm kështu që shteti merr përsipër atë shtrëngimin e vetë në buxhet dhe biznesi i vogël merr një hov më shumë në punën e vetë.  Ministrja mund të të thotë më shumë, por është afro 40 milionë dollarë, afro, mund të variojë por është afro 40 milionë dollarë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj: Dhe e kompensuar nëpërmjet të gjithë politikave të mirëadministrimit fiskal, që sigurisht jemi duke i ndjekur në bazë sistemesh dhe jo vetëm me njerëzit.

Diçka në raport me garancinë sovrane. Ne kemi shtyrë afatin e garancisë së parë sovrane dhe mendojmë që duke përfunduar analizat tona, nëse nuk do të ketë kërkesa do ta lëmë të tillë sepse garancia e parë sovrane ishte e lidhur me pagat, do të shtymë në bazë të kërkesave dhe afatin për garancinë e dytë sovrane, nuk kemi një limitim në këtë aspekt, por garancia e dytë sovrane do më tepër kohë sepse është për investime dhe bizneset sigurisht marrin kohë për të projektuar investimet. Ne jemi të hapur dhe po punojmë me sektorin bankar, për çdo kërkesë që vjen nga biznesi. Pastaj do flasim në ditët në vijim për gjithë nevojë të tretë apo të katërt.

Ministri i Rindërtimit Arben Ahemtaj: Shifrat ekzakte janë 500 milionë tatim-fitimi dhe 3.3 miliardë TVSH-ja.

Kryeministri Edi Rama: Ne besojmë shumë që çlirimi i biznesit të vogël nga barra e tatimeve dhe e TVSH-së deri në 100 milionë do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë formalizmin e pjesës tjetër, do ta heqë biznesin e vogël nga barra e lojës me të mëdhenjtë, për t’u përdorur nga të mëdhenjtë për të fshehur para.

Ashtu sikundër, me procesin e fiskalizimit, pra, dixhitalizimit të transaksioneve që do fillojë në fillim të vitit të ardhshëm, ne besojmë shumë që do kemi jo 40 milionë, por do kemi më tepër se 40 milionë mbrapsht nga të mëdhenjtë.

Besojmë shumë në këtë skemë. Të shohim.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.