Rruga e Arbërit po merr formën e shumëpritur. Edhe pse për shkak të pandemisë, ka patur ndalesa të punës gjatë muajit mars dhe vonesa në furnizimin me bazën materiale, po punohet intensivisht për të mos shtyrë afatin e hapjes së rrugës vitin e ardhshëm.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Urën e Vashës, më e larta në rajon, 152 metra, pjesë e rëndësishme e projektit, tashmë thuajse e përfunduar, ndërkohë që janë hapur edhe 5 nga 6 tunelet dhe po punohet në tunelin kryesor të Murrizit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke shpjeguar ecurinë e punimeve aktuale për urat dhe tunelet, tha se ato mbeten edhe pjesa më e vështirë e kësaj vepre madhore.
“Këtu jemi në tunelin e 5 dhe të 6. Ura e Vashës është tashmë e përfunduar. Ura më e lartë në Ballkan. Mund ta konkurrojë vetëm ura e fshatit Fshat që është prapë pjesë e rrugës së Arbërit . Ura ka 6 harqe. Gjatësia e urës është 316 metra është pothuajse e gjitha e përfunduar. Punëtorët janë duke mbyllur detajet e fundit, siç janë gjithashtu edhe dy tunelet. Nga 6 tunele janë përfunduar 5 nga këto tunele dhe më shumë se 54 kilometra tashmë janë të përshkueshme. Jemi në fazën e hedhjes së asfaltit gjatë muajit maj, për gjithë pjesën ku është hedhur traseja dhe janë mbyllur të gjitha detajet. Pavarësisht që ndodhemi në muajin e njëzetedytë, pra, jemi fiks në mes të kontratës, – kontrata parashikon 44 muaj punime, – megjithatë kanë ecur dhe janë shumë të avancuara edhe përtej grafikut të parashikuar që kemi patur. Është bërë një punë shumë e mire. Kemi patur pak vonesë në javët e marsit, duke qenë se na është dashur ta ndalonim punën edhe në kantiere. Më pas, me të gjitha masat që janë marrë, punëtorët janë të pajisur edhe me maskë, me syze, me doreza, distancat janë më të lehta për t’u respektuar pasi punohet në hapësira të mëdha,”- u shpreh ministrja Balluku.
Aktualisht po punohet në tunelin kryesor të Murrizit, për të cilin ministra Balluku, kontraktuesi i veprës dhe grupi i inxhinierëve shpjeguan se për shkak të formacioneve gjeologjike do të ecet paralelisht me një By-pass panoramik.
“Jemi duke diskutuar për një zgjidhje tjetër teknike të tunelit të Murrizit se ai është tuneli i fundit dhe më pas të 6 tunelet përfundojnë. Kështu që zgjidhja teknike do të jetë shumë shpejt, ndoshta edhe me një By pass-in në një pjesë të tunelit, duke dalë edhe jashtë. Megjithatë jemi në rrugë të mire, jemi duke përfunduar dhe ka qenë pjesa më komplekse e gjithë rrugës së Arbrit, e cila na ka kushtuar kohë për të ecur përpara dhe ndoshta edhe do marrë më shumë deri në fillim të dimrit, për t’u mbyllur tuneli, pasi kontrata është në mes të saj,” – u shpreh ministrja Balluku.
Kontraktori i veprës u shpreh se është gjetur një mënyrë e përshtatshme për t’u qëndruar afateve, por edhe që fshati të përfitojë nga lehtësitë e infrastrukturës. “Kemi folur me ministren për të bërë një zgjidhje nga e cila përfiton shumë fshati. Do bëjmë 9 km rrugë me asfalt në hyrje të tunelit, dhe 9 në dalje”, duke iu përshtatur kështu edhe formacioneve gjeologjike.”
Inxhinierja e objektit u shpreh se edhe By-passi do të lehtësojë infrastrukturën e zonës dhe do të sjellë një impakt pozitiv në përditshmërinë e banorëve. “Kjo ndihmon zonën sigurisht dhe na jep ne kohë që Rruga e Arbërit të përshkruhet në kohë brenda kontratës në të gjithë gjatësinë e saj, përveç impaktit të mirë social që i krijon gjithë zonës. Mendojmë se do të arrijmë ta përfundojmë brenda kontratës ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Sigurisht ky është një terren i vështirë malor, por që kontraktori po punon duke implementuar zgjidhjet me të mira inxhinierike.”
Ministrja Balluku tha se puna puna për veprën në tërësi ka patur ritme të kënaqshme me përjashtim të vonesave në furnizimin me bazën materiale, i cili me lehtësimin gradual të situatës do t’i rikthehet normalitetit.
Rruga e Arbrit është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturores rrugore të vendit. Ajo do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme lidhjen e Dibrës me Tiranën, duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e zonave në të cilën kalon.