Kalaja e Beratit, një atraksion i rëndësishëm turistik, do të lehtësojë aksesin për turistët, pas ndërtimit të rrugës së re Kalasë, e cila do të mundësojë arritshmëri të lehtë për makinat nga faqja e kodrës dhe do të çlirojë përfundimisht prej makinave rrugën e brendshme këmbësore drejt Kalasë.
“Është investim strategjik për qytetin e Beratit”, shprehet kryetari I Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, gjatë inspektimit të Kryeministri Edi Rama përgjatë rrugës së re. “Tashmë ka filluar edhe konsolidimi i veprave të artit për shkak se rruga zgjerohet. Në të gjithë gjatësinë e rrugës është duke u punuar, përfshirë edhe segmentin ku është duke u trajtuar me kalldrëmin që është një pjesë e rrugës që shkon drejt kishës.”
Për shkak të pozicionit të veçantë, rruga parashikohet të ofrojë edhe një panoramë të mrekullueshme përgjatë këtij aksi. Por vlera më e rëndësishme e saj do të jetë lirshmëria që siguron për kalimin e mjeteve të transportit që në pikun e sezonit hasnin vështirësi të mëdha. “Ka për të dalë spektakolare sepse vetë rruga është panoramike dhe parashikon trotuare, ndriçim. Përveçse do të përdoret nga mjetet që do të vizitojnë kalanë, por dhe vetë këmbësorët kanë një rrugë që mund ta përdorin gjithë kohës. Ka qenë një nga ato problemet kryesore që ne kemi hasur me operatorët turistike, sepse këtu ka qenë shumë e vështirë të shkëmbeheshin dy autobusa. Në pikun e sezonit turistik kemi patur probleme shumë me autobuzat që vinin të organizuar, për t’u shkëmbyer dhe aq më shumë për të gjetur parkim në zonën e sipërme të kalasë”, – vijon kryebashkiaku Demo.
Kryeministri Rama kërkoi gjithashtu përgatitjen e terrenit për ndërtimin e sheshit aty pranë. “Duhet të fillojmë punën për sheshin e madh poshtë. Është koha për ta hequr atë karakatinën e vjetër aty, të hapet sheshi dhe ajo do të jetë një gravitet i ri për Beratin”, – shprehet Kryeministri.
Ndërkohë bashkia është duke punuar edhe për ndërtimin e një parkimi publik pranë rrethrrotullimit në hyrje të kalasë.