Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me mësues kontributorë në kanalin e dedikuar “RTSH shkollë”, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor:
Në radhë të parë dëshiroj që sinqerisht, me gjithë zemër t’ju falenderoj juve që jeni këtu, mësueset që u përzgjodhën për të kaluar mësimin nga klasa në ekran. U përzgjodhët mes mësuesve dhe mësueseve më të mira të Shqipërisë. Nuk është, besoj, koincidencë që jeni të gjitha gra, nëna, vajza. Më vjen jashtëzakonisht mirë që sot, ne e kemi përmbyllur këtë përpjekje të madhe, të përbashkët, po tuajën në radhë të pare dhe jemi në gjendje që të ofrojmë një rrugë alternative mësimi për të gjitha nxënësit, por sidomos në kushtet e sotme kur procesi arsimor është i sfiduar nga domosdoshmëria për të mbrojtur njëkohësisht edhe shëndetin e fëmijëve, edhe shëndetin e familjeve. Kjo është më e lehtë ta thuash sesa ta bësh, pasi e dimë shumë mirë që me hapjen e shkollave rritet në mënyrë të konsiderueshme mundësia e transmetimit dhe patjetër që është një sfidë më vete.
Nga ana tjetër, duke vlerësuar mirë nga të gjitha aspektet këtë vendim e duke parë dhe çfarë kanë bërë të tjerët, sigurisht që opsioni i mbylljes së mëtejshme të shkollave ishte opsion më i keq dhe patjetër që do të shkaktonte një kosto tjetër, sidomos psikologjike për fëmijët dhe me pasoja që ne nuk jemi në gjendje t’i llogarisim dot deri në fund, por që të gjithë vendet i kanë marrë në konsideratë dhe i kanë vlerësuar si të papranueshme në raport me rrezikun që ka në vetvete hapja e shkollave.
Për t’u kthyer tek kanali “RTSH Shkolla”, mendoj që ka një vlerë të madhe, jo thjesht për shkak të kësaj situate, e cila edhe pse nuk e dimë kur do mbarojë, – patjetër që do mbarojë, – por ka një vlerë të madhe për të gjithë në dy aspekte të tjera.
Njëri aspekt është mundësia që i jepet çdo nxënësi, kudo që ndodhet në Shqipëri, që të bëjë një verifikim të dyfishtë të mësimit që ka marrë e të mund ta dëgjojë mësimin, ta ndjekë mësimin edhe me një mësuese që nuk e njeh, që nuk e ka mësuese në klasën e vet, por që është një nga mësueset më të mira në Shqipëri e të plotësojë, po themi, bindjen e vetë për atë lëndë e mësim të veçantë.
Kjo patjetër që do të sfidojë pozitivisht e do të vërë në një presion pozitiv mësuesit e tjerë, të cilët në shkollat e vendit japin lëndët që jepni ju dhe që do të kenë parasysh faktin se të njëjtin mësim që ata po japin, nxënësit do të mund ta shohin në versionin e një mësueseje e kalibrit më të lartë që ne kemi. Kjo sigurisht që do të shtojë shumë një mundësi, deri dje jo të madhe, që sistemi është përpjekur ta kompensojë përmes trajnimeve, përmes aktualizimit të metodave të mësimdhënies, sepse dhe vetë mësuesit e tjerë, me siguri që do të shtyhen të shohin se si ju jepni mësim e do të shtyhen të bëjnë krahasimin e tyre mes si ata e dhanë apo e japin lëndën e tyre dhe si lënda e tyre transmetohet përmes këtij kanali ku është sintetizuar eksperienca, talenti dhe njohuria e mësuesve më të mirë të Shqipërisë.
Ky është drejtimi i parë ku mendoj që kanali do të sjellë dobi të madhe.
Ka edhe një drejtim tjetër, që me këtë kanal, ne do të lehtësojmë jashtëzakonisht shumë barrën e familjeve e të fëmijëve në zona më të thella, aty ku për 1001 arsye prej shumë vitesh është trashëguar sistemi i klasave kolektive, të cilat ne po i reduktojmë vijimësisht, për t’i çuar deri në mbyllje. E kështu, vetë sistemi, nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit, do të fillojë të adaptohet duke ndarë mësimin e lëndëve të caktuara në televizion dhe aktivitete të tjera në shkollë, sepse besoj që asnjëherë, e tha dhe Besa, televizioni, ekrani i kompjuterit apo i celularit nuk e zëvendëson dot marrëdhënien e mësimdhënies dhe të mësimnxënies në realitetin e prekshëm me mësuesin pranë, sepse ka edhe elementë të tjerë plot procesi, që kanë të bëjnë me komunikimin dhe me edukimin, jo thjesht me transmetimin e një njohurie për një masë telespektatorësh.
Në këtë aspekt, ne arrijmë që me këtë kanal t’ju ofrojmë të gjithëve në të gjithë Shqipërinë, cilësinë më të lartë të mësimdhënies në Shqipëri. Mga ana tjetër t’ju japim mundësi fëmijëve që janë në shkolla apo në zona më të thella e që sidomos kanë imponimin e rrethanave që çojnë në klasa kolektive, që të bëjnë në mjedisin e shkollës përkatëse aktivitete kolektive të natyrës së ndryshme nga aktiviteti intelektual i marrjes dhe dhënies së mësimit në një lëndë specifike. Kjo nuk është diçka që e bëjmë thjesht ne.
Besoj që gjatë kësaj kohe, ju jeni informuar për këtë përpjekje që është e njëjtë me vende të tjera, Gjermani, Francë, Itali, për të përmendur disa, por shumica e vendeve kanë hyrë në këtë rrugë dhe kanë shtuar shumë forcat për të mundur ta ofrojnë mësimin jo vetëm online, por edhe nëpërmjet televizorit.
Është një risi e bukur, e krijuar si në rrethana të papritura, por që ne na jep një frymëmarrje të re në procesin e mësimdhënies. Nga ana tjetër do të jetë një vlerë e shtuar edhe për komunikimin me fëmijët jashtë vendit. Do të mund të ndjekin mësimet të gjithë fëmijët, apo prindërit që janë të interesuar që fëmijët të ndjekin mësimet në gjuhën shqipe të niveleve të caktuara, do të mund t’i ndjekin në ekran, pavarësisht se në çfarë gjeografie gjenden e në çfarë kontinenti janë.
Sigurisht besoj se ka arsye e mundësi për ta zhvilluar më tutje këtë kanal, për ta plotësuar më tutje me aktivitet të ndërmjetëm e jo thjesht me dhënien e mësimit specifikisht, por dhe me kontribute të mësuesve, me hapësira ku mësuesit ju përgjigjen pyetjeve të caktuara, qoftë të kolegëve, qoftë të fëmijëve, që mund të jenë emisione të posatshme për të shpjeguar. Me siguri që do të mundemi edhe nëpërmjet institucioneve të arsimit në territor që të arrijmë të kuptojmë shpejt se kush janë pyetjet që lindin nga ky proces, cilat janë nevojat që mund të konstatohen si të plotësueshme përmes këtij procesi, për të vazhduar që të bëjmë një shërbim sa më cilësor edhe përmes televizorit dhe për ta shfrytëzuar sa të mundemi eksperiencën dhe talentin tuaj në këtë fushë.
Është një sfidë e tmerrshme, kjo që sistemi ka pas 14 shtatorit. Është një sfidë e tmerrshme, sepse, kur kemi parasysh moshat e kur kemi parasysh që fëmijëve më të vegjël do duhet t’ju imponojmë komplet të kundërtën e asaj që i mësojmë në shtëpi, ose asaj që u kemi mësuar deri dje në shkollë, jepi dorën shokut, përqafoje shokun, luaj me shokun, kapu përdore, hidh valle e të tjera, tani ju e keni parasysh më mirë se unë sa e komplikuar është nga pikëpamja pedagogjike dhe nga pikëpamja psikologjike që t’ju thuash që të gjitha këto që ty të kemi thënë, janë pikërisht gjëra që nuk duhet t’i bësh. Sigurisht, unë përdora fjalën imponim, por këtu bëhet fjalë pikërisht për të arritur të realizohet kjo, pa u imponuar si më i madhi që ngre dhe zërin, sepse kjo do krijonte një keqkuptim të madh e një ngatërresë të madhe në mendjen e tyre se çfarë ndodh.
Nga ana tjetër parafytyroni se çfarë ngarkese e shtuar do jetë për ju në klasë e në shkollë, për të gjithë mësuesit, që, edhe pa këtë kanë sfidën e vazhdueshme, të mos e humbasin durimin përballë lloj-lloj shfaqjesh të natyrave të ndryshme të padurimit, apo të mosbindjes, apo të karaktereve të ndryshme të fëmijëve. E të mos humbasësh durimin në këtë proces, do të thotë të jesh edhe shumë më tepër prind sesa je zakonisht si mësues, por, prapë, edhe si prind duhet të jesh një lloj prindi shumë i veçantë, se edhe prindi e humb durimin në momente të caktuara dhe vendos urdhrin përpara se të presë që fëmija ta kuptojë në pafundësi se çfarë duhet të bëjë.
Kjo është edhe një sfidë e madhe psikologjike për mësuesit vetë, që mund të ezaurohen nga rezistenca nervore, sepse kjo nuk është eksperiment njëjavor, as dyjavor, as një muaj, por është një mënyrë e re të jetuari në hapësirën e shkollës, një mënyrë e re të komunikuari në hapësirën e shkollës dhe nevoja që mësuesit të jenë ata që duhet ta implementojnë këtë mënyrë të re, konflikton natyrshëm me nevojën e mësuesve që mund të kenë hapësirën e tyre për të marrë frymë. Do duhet në radhë të pare, mësuesit të jenë të super duruar, të super disiplinuar, që të mos shkelin ata vetë këto rregulla, sepse janë në sy të të gjithëve, sepse shembulli i mësuesit është vetvetiu një arsye për t’u imituar, ose për t’u përqeshur, kur flas këtu për shembullin e thyerjes së rregullit që predikon. Kur bëhet fjalë për shembullin pozitiv, ky shembull do shumë kohë që të mund të merret dhe të imitohet. Kurse shembulli negativ imitohet në sekondë, sepse promovon pikërisht thyerjen e rregullit dhe promovon lirinë për ta shkelur rregullin. Se rregulli patjetër që është i mërzitshëm, sidomos për fëmijet dhe për ata që janë në moshë adoleshence.
Gjithsesi, arsyeja që jam këtu është për t’ju falenderuar dhe për t’ju shprehur shumë sinqerisht mirënjohjen, sepse keni dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.
E di shumë mirë që, sidomos për mësuesit e kalibrit tuaj, kontributi që ju jepni përditë është më i madh sesa mbështetja që keni në të gjitha aspektet, por edhe ju duhet ta dini që unë dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm për këtë dhe do të bëjmë çmos ta rrisim mbështetjen, edhe pse kushtet nuk janë më optimalet për të menduar për këtë.
Ne, për mjekët dhe për mësuesit mendojmë që duhet të bëjmë një sforco të madhe. Për mjekët, radhë të parë, për arsye të situatës së jashtëzakonahme në të cilën ndodhen dhe për punën e jashtëzakonshmje që po bëjnë. Por nuk diskutohet që paralelisht me ta, edhe për mësuesit. Kështu që shumë shpejt, ne do të konkludojmë lidhur me këtë.
Ne jemi duke menduar një sistem të vlerësimit të meritës së mësuesve, gjë që po e analizojmë dhe më shumë gjasë, nga sezoni i ardhshëm shkollor do të mund të jemi gati të themi se si do të funksionojë ky sistem, ku mësuesit më të mirë, mësuesit si ju do të duhet të vlerësohen edhe financiarisht ndryshe nga të tjerët në bazë kriteresh strikte dhe rezultatesh që janë të matshme.
Kjo do të bëjë që nga një anë, mësuesit më të mirë të vlerësohen dhe ana ana tjetër, konkurrenca të motivohet më shumë dhe forca e shembullit të promovohet më shumë.
Sidoqoftë, për të gjithë mësuesit, ne duam të bëjmë ashtu si dhe për mjekët, një rritje të re të pagave dhe besojmë që kjo do të behet shumë shpejt, me buxhetin e ri, Nesojmë se është më shumë se e merituar për të gjithë në tërësi. Ndërsa ju në veçanti meritoni më shumë se kaq dhe ne do të bëjmë çmos të bëjmë më shumë sesa për tërësinë. E kur them “ju”, nuk kam parasysh vetëm ju që jeni në këtë sallë, por për kalibrin e parë të mësuesve të republikës, që fatmirësisht nuk janë pak, edhe pse, siç ndodh me të gjitha kategoritë, për shkak të disa shembujve të këqij futen të gjithë në një thes dhe figura kyçe e mjekut e mësuesit, e policit, e nëpunësit, e politikanit kthehet në një steriotip ku të gjithë janë njësoj, të gjithë në një thes, gjë që është e pavërtetë, por edhe e padrejtë për faktin se shumica dërrmuese janë ndryshe, absolutisht ndryshe. E po të marrësh parasysh kushtet në të cilat kanë ushtruar profesionin për vite e vite të tëra janë shumë ndryshe.
Dua të nënvizoj edhe një aspekt tjetër që besoj ju e keni parasysh. Ne po bëjmë një proces të rëndësishëm në implementimin e punës dhe programit të Shkollës së Drejtorëve, për të rritur nivelin e drejtimit nëpër shkolla, për të krijuar një tjetër profil dhe një tjetër qasje në aspektin e drejtimit të shkollës, që është diçka shumë komplekse sesa duket në pamje të parë, apo sesa jemi mësuar. Shkolla e Drejtorëve ka filluar të funksionojë, kanë filluar kualifikimet e para. Ne kemi shumë besim, tek ai proces. Më vjen shumë mirë që sidoqoftë, – bezoj se këtë gjë mund ta konfirmojnë vetë mësuesit masivisht, – që kemi arritur ta heqim mësuesin, të paktën, nga kthetrat e politikës së promovimit klientelist të mësuesve. Kemi garantuar që mësuesit nuk hiqen kështu siç fryn era. Nuk mund të merren dhe të hidhen nga një zonë në tjetrën dhe nga një shkollë në tjetrën, sipas erës politike, tarafeve apo rryshfeteve. Portali është tashmë i konsoliduar dhe na jep garanci të madhe që rekrutimi dhe promovimi i mësuesve bëhet mbi baza shumë objektive. Natyrisht, e mira nuk ka fund dhe duhet përsosur më tutje, por është shumë e rëndësishme për mua, që në këto vite është arritur që të mbyllet një plagë shumë e madhe, që ishte plaga e politizimit ekstrem të pollitkës së kuadrit mësimdhënës dhe të frenohen pasojat e kësaj, binin mbi gra, mbi nëna, mbi baballarë, që papritur e pakujtuar e gjenin veten të hedhur nga vendi i punës. Apo edhe mbi mësuesit e kalibrit si ju që detyroheshin papritur e pakujtuar të gjendeshin krah për krah me një koleg dhe një kolege që s’kishte lidhje fare me atë punë, por kishte ardhur thjesht si rezultat i punësimit përmes asaj rruge të mbrapshtë të punësimit të mësuesve.
Shumë faleminderit për këtë mundësi, që të mund t’jua shprehja këtë falenderim dhe njëkohësisht t’i ndaja këto mendime modestisht me ju.
Ju jemi shumë mirënjohës për punën që keni bërë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Unë kam parë disa nga ato xhirimet tuaja në ato dhomat e Ministrisë së Arsimit dhe realisht jam impresionuar shumë. Duhet një pasion dhe një durim i madh, për të bërë gjithë këtë volum pune që keni bërë.
Shumë respekte!
E padiskutim po mendoja se sido që të vijë, – sepse, kur po hyja këtu, pashë atë pjesën që kemi bërë për Nënë Terezen, – nëse ka një botë tjetër, ju aty do të keni vendin më të mirë. Kjo nuk diskutohet, e keni të garantuar, nuk do ju kërkojë njeri asnjë llogari, kur të paraqiteni atje.
Shumë faleminderit!