Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Presidentin e Parlamentit Europian, David Sassoli:
Kryeministrit Edi Rama: Mirëdita të gjithëve!
Sot jam këtu, sëbashku me Presidentin e Parlamentit Europian, David Sassoli, i cili, përveçse një ndër figurat më të rëndësishme të skenës politike në Bruksel, mund ta them me plot gojën se është edhe një mik i kahershëm i Shqipërisë dhe i shqiptarëve dhe një mbështetës i palëkundur i procesit të zgjerimit, që do të thotë edhe i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Dua ta theksoj se Presidenti ka qenë edhe për disa vite, kryetar i grupit të Miqve të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe ka dhënë një kontribut shumë të vyer në përpjekjen për të formësuar një imazh të vërtetë të Shqipërisë, duke u munduar në një luftë të vazhdueshme me paragjykimet, me stereotipet, me ato çka ne jemi mësuar për vite e vite me radhë, si fjalë dhe si koncepte të përsëritura në vijimësi nga njerëz, nga grupe që nuk e njohin Shqipërinë dhe që nuk është se e kanë me Shqipërinë, por e përdorin Shqipërinë, hera-herës, për agjendat e tyre politike.
Edhe Samiti i fundit kryetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kroacisë dhe Parlamentit Europian, nën kujdesin e Presidentit Sassoli, vetëm pak ditë më parë, në Bruksel është një tjetër shembull domethënës i arsyes pse jemi posaçërisht të nderuar nga prania e tij sot, në Tiranë. Kemi diskutuar hapur. Është një mik i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, por nuk është një mik symbyllur dhe si mik i vërtetë ka shprehur opinionet e tij pozitive apo kritike për çka kemi bërë dhe për çka duhet të vazhdojmë të bëjmë këtu në Shqipëri dhe sëbashku.
Natyrisht kemi pasur në qendër të diskutimit procesin e integrimit, datat e reja në të cilat do vazhdojë të diskutohet ky proces, edhe në raport me çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe në funksion të këtij diskutimi kemi folur në mënyrë shteruese për nismën e re të qeverisë, ligjin special dhe atë që quhet paketa kundër KÇK-së. Më vjen shumë mirë, që vizita e Presidentit sot në Kryeministri përkon me operacionin e parë në terren të Forcës së Ligjit. Ia shpjegova Presidentit të gjithë skemën e organizimit dhe të gjithë programin e operacionit, që besoj shumë, më herët se vonë do të përçojë një mesazh shumë të qartë, shumë të fortë dhe shumë bindës, me fakte dhe jo me fjalë, në opinionin publik shqiptar, por dhe në opinionin ndërkombëtar mbi sa seriozë dhe sa të vendosur jemi ne për ta ndryshuar rrënjësisht këtë vend.
E kemi treguar këtë me Reformën në Drejtësi, me procesin e vettingut dhe do ta tregojmë përsëri, edhe me këtë operacion që ka një sukses të garantuar për faktin se është në vazhdën e Reformës në Drejtësi dhe për faktin se është produkt i një bashkëpunimi të ngushtë me një ndër strukturat më të shumëpritura dhe më të mirëpritura nga kjo reformë, Prokurorinë Speciale, SPAK-un dhe me Gjykatën Speciale, që janë produkt i Reformës në Drejtësi.
Nuk dua të zgjatem më shumë, natyrisht folëm për një gamë çështjesh dhe duke ia lënë fjalën Presidentit Sassoli dhe duke e falënderuar edhe njëherë për të gjithë mbështetjen, për të gjithë interesimin, për të gjithë vëmendjen dhe për angazhimin e tij për të vazhduar të bëjë çmos që ne të jemi të mbrojtur nga avokatë të ndershëm dhe të sinqertë, kur flitet për Shqipërinë, po ia jap me shumë kënaqësi fjalën!
* Presidenti i PE-së, David Sassoli: Faleminderit i dashur mik! Faleminderit për këtë mikpritje Zoti Kryeministër! Do doja të vija më parë në Shqipëri, por kemi pasur kundërkohë. Jam shumë i lumtur jo vetëm për përparimin që vendi po bën, por ne duhet të falënderojmë shqiptarët, sepse kemi kuptuar zhgënjimin e tyre, por kemi parë edhe një shoqëri shqiptare që vazhdon të shohë me besim drejt Bashkimi Europian. Ky për ne është një motiv shumë i rëndësishëm për të investuar për të ardhmen.
Ndodhi një ngadalësim përpara fundit të vitit, por procesi i anëtarësimit duhet të fillojë. Është i bindur për këtë Parlamenti, është i bindur Komisioni Europian, janë të bindur shumë vende anëtare, jam i bindur dhe unë që kjo është vetëm një vonesë, por që po mbushet nga nisma të mëdha e të rëndësishme nga ana e qeverisë; lufta kundër kriminalitetit të organizuar, rikuperimi, rimarrja e kapitaleve, çështje që kanë të bëjnë me vënien në siguri, sigurisht të hapësirës shqiptare. Janë nisma këto që jo vetëm i shikojmë me favor dhe i mbështesim, por janë objektivisht të domosdoshme. Kemi parë me këtë vendosmëri sesi është rimarrë, ka rifilluar dialogu në përpjekje brenda afateve të shkurtra, për të pasur konsensusin e nevojshëm për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Ju e dini, zhgënjimin që ndjetë, që ka ndjerë shoqëria civile shqiptare, të njëjtën që kemi ndjerë edhe ne, por tani duhet ta kapërcejmë, duhet të kapërcejmë disa pyetje që i janë bërë Shqipërisë dhe sigurisht kemi kohën e duhur, hapësirën për t’i bërë të gjitha këto, në mënyrë që përgjigjet të jenë pozitive dhe t’i bindim të gjithë për atë rrugë që duhet domosdoshmërisht ta bëjmë sëbashku, sepse kemi një fat të përbashkët dhe një të ardhme të përbashkët.
Në të gjithë këtë, sigurisht ka ende shumë përshtatje ende për të kryer. Folëm me Zotin Kryeministër edhe për sistemin bankar, sigurimet bankare, të përpiqemi të kemi rregulla gjithmonë e më homogjene, të cilat të bëjnë të mundur edhe në hapësirën e Bashkimin Europian, pra, të përshtaten dhe të bëjnë të mundur kryerjen e kontrolleve që mund të jenë të dobishme për lançimin e ekonomisë.
Sigurisht flasim në këtë moment edhe për çështjet e sigurisë tonë. Janë çështje të përbashkëta, të cilat vlejnë për vendet e Ballkanit Perëndimor, por vlejnë edhe për Bashkimin Europian. Kemi nevojë që t’i vëmë ekonomitë tona në kushtet të punojnë sëbashku për zhvillimin tonë, për rritjen tonë.
Në këtë moment, natyrisht, mendimi iu drejtohet të gjithë atyre, të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë pësuar plagë të rënda për shkak të tërmetit. Bashkimi Europian është treguar për aq sa mundi i gatshëm edhe me ndihmat, por tani duhet të fillohet një fazë e re, në të cilën nuk duam të tërhiqemi mbrapa, por duam të jemi një pikë referimi, por edhe për t’u përpjekur që të kemi fonde të mjaftueshme për të rregulluar sërish territoret e goditura nga tërmeti. E dimë që do të jetë e vështirë që të shërojmë plagët e njerëzve, por përsa i përket anës materiale do punojmë me shumë vendosmëri dhe kurajo.
E përsëris, kemi një të ardhme drejt të cilës duhet të shohim sëbashku dhe për këtë PE-ja e ka shumë për zemër. Është shumë e rëndësishme për Parlamentin të ketë vëmendje ndaj Shqipërisë, institucioneve, pra, është një vend që është i rëndësishëm për ne, jo vetëm sepse laget nga deti Adriatik, por është në zemrën e Ballkanit Perëndimor dhe është duke kryer një punë të çmuar.
Javën e kaluar u ndjeva shumë i kënaqur që arrita të kisha një takim me të gjithë kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nënshkruam sëbashku një deklaratë të përbashkët. Ua themi edhe institucioneve të tjera europiane, të gjithë të bëjnë rolin e tyre, pjesën e tyre. Natyrisht, ne nuk duam të tërhiqemi përballë rolit tonë si Parlament Europian, ndaj dialogut. Dialogu me parlamentet e tjera do të jetë gjithmonë i hapur. Ka një sfidë, madje dy sfida të përbashkëta që kemi dhe mbi këtë sigurisht nuk do resht kurrë të kërkoj jo vetëm bashkëpunim, por dhe përqendrim. Europa ka filluar dhe i ka vënë vetes një objektiv ambicioz me Green Deal-in europian, pra, marrëveshjen e gjelbër. Procesi i anëtarësimit, apo jo, por është shumë e rëndësishme edhe kjo dhe të gjitha agjendat janë duke u drejtuar rreth kësaj agjende, për ta futur atë brenda 2050-ës dhe të ndikojmë për ndryshimet klimatike dhe kjo besoj se është një temë shumë e rëndësishme, sepse është për të gjithë vendet tona. Çështja e dytë ka të bëjë me çështjet e solidaritetit dhe të sigurisë mbi të cilat nuk duhet të heqim vëmendjen tonë dhe mbi të cilat sigurisht shoqëritë tona me të drejtë u kërkojnë institucioneve vigjilencë dhe nisma, iniciativa dhe besoj se, bashkëpunimi edhe në këtë fushë është i domosdoshëm dhe duhet inkurajuar gjithmonë e më shumë. Ju falënderoj!
Nuk e di nëse jeni njohur apo jo me një deklaratë në një të përditshmeje gjermane të një prej këshilltarëve kryesorë të Presidentit Macron. Ai deklaron se, nëse të gjithë vendet anëtare të Unionit do të kenë dakordësi për mekanizmin e ri që do të prezantojë Komisioni Europian, atëherë Franca do të hiqte dorë nga qëndrimi i saj që më parë të ketë një reformim brenda Unionit dhe më pas të vijohet me zgjerimin. Si ju duket kjo deklaratë?
Një pyetje specifike për zotin President. Siç ju thatë, Kryeministri ju ka njohur me nismën më të re për të luftuar krimin e organizuar. Duke qenë se ju vini nga Italia që është një vend që ka bërë një luftë të madhe me krimin e organizuar dhe me mafian, si e vlerësoni këtë nismë, a mund të jetë efikase kjo?
*Presidenti i PE-së, David Sassoli: E kemi lexuar me kënaqësi të madhe këtë deklaratë të publikuar nga gazeta gjermane. Por ne e dimë që pozicioni i disa qeverive ishte që të rishikohej metodologjia e proceseve të anëtarësimit. Para disa ditësh, unë takova qoftë kryetarin e Komisionit, qoftë edhe kryetarin e Këshillit dhe më konfirmuan se ditët e ardhshme do të kemi një propozim për ndryshimet. Për Parlamentin Europian, kjo na bën të shpresojmë, pra, kemi shpresa të mira, sepse, pasi të jenë kapërcyer disa çështje, të cilat kanë të bëjnë me metodologjinë, procesi i anëtarësimit mund të fillojë të niset edhe me shpejtësi. Sigurisht ne jemi të bindur që paketa duhet të shkojë sëbashku, të ecë njëkohësisht dhe në këtë rast ka të bëjë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe sigurisht jemi të bindur që, pasi të jenë rishikuar disa mekanizma të metodologjisë, e gjithë kjo dhe vërejtjet do kapërcehen.
Pse është e rëndësishme reforma që në fund të javës së shkuar u miratua nga qeveria shqiptare? Është shumë e rëndësishme, sepse disa vërejtjeje kishin të bënin me aspekte specifike të luftës kundër kriminalitetit të organizuar dhe sigurisht të përshtaten të gjitha standardet e të përqendrohemi me vendosmëri në luftën kundër kriminalitetit të organizuar. Kjo do të shtojë jo vetëm sigurinë për Shqipërinë, por edhe aftësinë e saj për të bashkëpunuar me vendet e BE-së. Jam i kënaqur edhe për faktin se sigurisht, mbi këtë reformë ka edhe pak frymë italiane. Ne prej 10-vjeçarësh tashmë jemi gjendur dhe gjendemi në kushtet e luftës, pra, na është dashur të luftojmë kriminalitetin e organizuar në shumë vende të Italisë dhe kjo përvojë mund të jetë e dobishme sigurisht edhe për të tjerët. Do të shtojmë aftësinë tonë për të qenë sëbashku në kuadrin e luftës kundër kapitaleve të paligjshme, bandave kriminale dhe aftësinë e rikuperimit të pasurive të paligjshme, sepse masa që është marrë të premten a të shtunën, për rikuperimin e pasurive të paligjshme, është pika e fortë e tij, ku jam i sigurt që do të ketë një rezultat të madh, të rëndësishëm.
Ne duhet të arrijmë të hapim, të çelim procesin e anëtarësimit dhe pastaj, procesi i anëtarësimit do të thotë të vazhdojmë të bëjmë reforma për të përshtatur standardet, jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë vendeve që marrin pjesë në proceset e anëtarësimit, me standardet europiane. Ja pse unë më përpara thashë se duhet të kemi vëmendje edhe ndaj atyre që sot tregohen si përparësi, që BE-ja i tregon si përparësi, sepse në shumë sektorë, ne do të kemi nevojë për reforma për t’u përshtatur me objektivat e përbashkët. Për shembull, një gjë që është një pikë e fortë e Shqipërisë është legjislacioni mbi energjinë, mbi çështjet që kanë të bëjnë me politikat energjetike. Unë mendoj që kjo është një mënyrë sot për Shqipërinë, një mënyrë për t’u përshtatur më mirë me objektivat e Green Deal, pra, Marrëveshjes së Gjelbër që Komisioni dhe Parlamenti Europian e kanë treguar, e kanë përhapur që në fund të vitit të shkuar dhe kjo që do të na shoqërojë gjithë këtë legjislacion.
Kryeministri Edi Rama: Deklarata apo komenti i bërë nga një ndër këshilltarët e afërt të Presidentit të Francës, në këndvështrimin tim është konfirmimi i asaj që unë kam thënë në mënyrë të përsëritur, nuk e kanë me ne, e kanë me nevojën për të ndryshuar Bashkimin Europian e për të ndryshuar mekanizmat që sipas tyre duhet të funksionojnë më mirë. E për hir të vërtetës, propozimi në metodologjinë e re ka një sërë aspektesh shumë interesante dhe debati brenda BE-së vazhdon. Shpresojmë që të ketë një dakordësi dhe pastaj me dakordësinë për metodologjinë çlirohet edhe pozicioni i ngrirë i Maqedonisë së Veriut dhe i Shqipërisë, në raport me Francën.
Edhe një gjë tjetër që dua ta shtoj, operacioni forca e ligjit dhe paketa anti KÇK është prova e sigurt e faktit që pavarësisht se negociatat nuk u hapën në tetorin e vitit të kaluar, edhe pse ne meritonim hapjen e tyre, puna jonë vazhdon njësoj sikur negociatat të ishin hapur, sepse është një punë që nuk bëhet se na e kërkojnë në Bruksel, në Paris apo në Berlin, por sepse na e kërkon domosdoshmëria për të kthyer Shqipërinë në një shtet me të gjitha standardet e Bashkimit Europian. Njerëzit është e rëndësishme që të kuptojnë se përtej faktit që me të drejtë nuk kanë durim, pasi kanë shumë vite që presin, ashtu siç ndodhi me Reformën në Drejtësi e siç po ndodh që po bëhet pastrimi i pallatit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, ashtu do të ndodhë dhe me këtë iniciativë. Qoftë vettingu, qoftë kjo iniciativë janë siç themi ne, dardha që e ka bishtin mbrapa, sepse nuk mbaron me kaq. Nëse vettingu të përjashton nga sistemi i drejtësisë, nuk ka mbaruar me kaq, pasi krijon kushtet për të ndërtuar institucionet e reja me njerëz me integritet dhe ato institucione të reja, me njerëz dhe integritet siç është SPAK-u, do të thërrasin mbrapsht ata, të cilët janë përjashtuar se nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre.
Po kështu rasti i paketës. Nëse zotërinjtë që do të thirren për të vërtetuar burimin e pasurisë së tyre, nuk do të vërtetojnë që pasuria e tyre, shtëpia, hoteli, biznesi, tokat, makinat, motorët, nuk buron nga puna, por buron nga krimi, jo vetëm do të humbasin pasurinë e këtë pasuria do ta marri mbrapsht populli shqiptar, por do të hyjnë në ciklin tjetër, hetimi për pastrim të produkteve kriminale. Por të gjitha këto duan kohën e tyre dhe duan durim, sepse shumëkush mund të thotë, pse nuk u bë kjo përpara? Sepse përpara nuk mund të bëhej dot, se nuk e kishim përpara SPAK-un dhe nuk mundet që të krijonim Operacionin Forca e Ligjit e pastaj t’jua çonim dosjet atyre të KÇK-së, gjykatësve dhe prokurorëve e korruptuar. Kujt do ia çonim? Prokurorëve që janë për të ikur? Apo gjykatësve që janë për të ikur? Siç ishte rasti i fundit, apo siç ka pasur plot raste flagrante. Kështu që tani jemi në kushtet që kemi mekanizmat e para të Reformës në Drejtësi.
Zoti Kryeministër, çfarë mendoni përsa i përket Maqedonisë së Veriut? Ju nuk druani, nuk keni frikë se mund të vonohet vendi juaj në krahasim me Maqedoninë e Veriut ?
Pyetje për Presidentin Sasoli, javën e kaluar, kaluat kohë me këta dy presidentë të tjerë, me kryetarë. Jeni i mendimit që procesi i anëtarësimit duhet të reformohet dhe në çfarë mënyrë duhet të reformohet?
*Kryeministri Edi Rama: Mbi të gjitha dua t’ju kujtoj që pikërisht teksa jemi duke folur dhe është 15 vjetori i pritjes së Maqedonisë së Veriut, një pritjeje në derën e Këshillit Europian, në mënyrë që të fillojë procesi i negociatave. Marrëveshja e Prespës ka treguar qartësisht që Maqedonia e Veriut e meritonte këtë kalim, gjë që nuk do të thotë se Maqedonia e Veriut nuk duhet pastaj të përballet me sfidat e tjera dhe të bëjë reforma. Ndërsa sa na përket neve, ne jemi duke bërë reforma që vendet që janë duke bërë tani negociata apo që kanë hyrë dje në Europë, nuk i kanë bërë këto reforma që ne jemi duke bërë, përpara se të hapnin negociatat. Dhe nuk është e mjaftueshme, pse? Jo për ne, por për diskutimet e brendshme të Bashkimit Europian, pra, diskutimeve të brendshme për të ardhmen e Europës, për si mund të shkonte më mirë Europa, për faktin sesi do vazhdojmë të procedojmë me metodologjinë e negociatave. Nuk varet nga ne. Sigurisht, ne e dimë si funksionojnë gjërat. Nganjëherë ka ndonjë “kokë turku” siç thuhet, që do e pësojë. Ka nevojë për argumentime. Ne në fakt, po t’i referohemi metodologjisë së sotme, asaj që na është kërkuar, që na kërkohet e asaj që kemi bërë, nuk po them se do duhet të kishim pasur çeljen e negociatave vitin e shkuar, por para dy vitesh. Ndërkohë na u desh të prisnim një herë për zgjedhjet. Domethënë, kështu shkuan punët, na pëlqen apo jo. Unë nuk mund ta fsheh të vërtetën, duhet ta them. Unë besoj që është e ligjshme që ata të bëjnë këtë gjë, sikurse në fund janë ata të zotët e shtëpisë ku duam të futemi. Ata e dinë më mirë. Ne jemi duke u përpjekur vetëm të hyjmë në këtë shtëpi, të hyjmë në këtë familje. Kështu që duhet të bëjmë punën tonë, ndërkohë do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë.
Duke përfunduar do doja të thoja qartë një gjë. Po, Shqipëria ka probleme për të zgjidhur me drejtësinë, me shtetin e së drejtës, kriminalitetin, korrupsionin, çfarë të doni, por pikërisht se Shqipëria ka këto probleme, ne nuk po kërkojmë të bëhemi anëtar të BE-së sot. Përse ne kërkojmë me çdo kusht që të çelen negociatat? Sepse, për ne, negociatat janë një transferim i njohurive nga Europa tek ne, një hartë e udhës që duhet të kryejmë, pra, mund të kemi një itinerar të saktë. Kjo gjë do të na bëjë dhe më të fortë, do të kemi udhëzime, si të thuash, terapeutike. Vërtetë që ka disa miq që nuk e duan Europën kështu siç është. Ata e themeluan dhe ata duan ta reformojnë dhe kanë të drejtën ta bëjnë. Diçka më e mirë do të dali nga kjo, por e vërteta është që nuk ka asnjë vend, mbi bazën e dokumenteve të Komisionit, asnjë vend nuk ka bërë më shumë se ne përpara se të çelte negociatat. Asnjë vend. Disa prej tyre madje kanë bërë reforma kur ishin anëtarësuar, kur ishin bërë anëtarë. Por, në fund të fundit, reformat bëhen këtu, sepse kemi nevojë për reformat, për të ardhmen tonë, për fëmijët tanë, jo sepse Kryetari Sassoli, apo Kancelaria Gjermane, apo Presidenti Francez na kërkon t’i bëjmë. Ne këto i bëjmë për veten tonë, sepse është e drejtë për ne. Duam të çelim negociatat sepse kjo na ndihmon të bëjmë gjëra mbi bazën e një metode dhe një harte, po themi, referimesh, që është pa asnjë dyshim për ne pa asnjë alternativë tjetër.
*Presidenti i PE-së, David Sassoli: Jam shumë i bindur që ne do të ecim drejt një hapjeje të procesit, çelje të procesit. Ne duam që kjo të kryhet në kohë sa më të shpejtë dhe me disa vërejtje, do të kemi përgjigje pozitive. Përsa i përket metodologjisë është e qartë që të gjithë do të donin që metodologjia të ishte e qartë në momentin kur duhet të bëhen detyrat. Në këtë rast, disa vërejtje nuk janë pengesë, pra, mund të lejojnë, mund të shkaktojnë vetëm ndonjë vonesë, këtë e pamë me zhgënjim, që është i njëjti zhgënjim që qytetarët shqiptarë asistuan këtë vendim për të shtyrë çeljen e negociatave, por në këto çaste Shqipëria është duke bërë një punë shumë të rëndësishme që sigurisht do të vazhdojë edhe pasi të jetë hapur procesi i çeljes së anëtarësimit. Tha mirë Kryeministri, gjithçka që bëhet, është e dobishme për vendet tona. Nuk është e dobishme thjesht për një ide abstrakte. Është e dobishme konkretisht për jetën e qytetarëve tanë dhe sigurisht për Shqipërinë që të ketë më shumë transparence, luftë kundër korrupsionit, kundër kapitaleve të paligjshme, luftë kundër kriminalitetit të organizuar, do të ndihmojë për të jetuar më mirë. Ne kemi vetëm një objektiv, kemi theksuar e do doja që ky të ishte dhe më i qartë, që vlen për Shqipërinë kjo, ashtu sikurse vlen dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të pajtohet hapësira gjeografike me atë politike. Kjo është ideja që ne kemi për një perspektivë për të cilën procesi i anëtarësimit të Shqipërisë është me të vërtetë i rëndësishëm dhe strategjik dhe është i dobishëm dhe është i domosdoshëm, ashtu sikurse gjithë proceset e tjera të anëtarësimit që kanë të bëjnë me vendet e Ballkanit Perëndimor, pra, të pajtohet hapësira gjeografikë me hapësirën politike për të qenë më të sigurt, për t’u rritur sëbashku, për të pasur më shumë mundësi, për të integruar më mirë shoqëritë tonë, për t’i bërë të mundur të rinjve tanë të jetojnë në paqe e në miqësi. E besoj se kjo, në botën ku ne sot jetojmë mund vetëm t’i garantojmë këto gjëra. Është ky misioni që ne duhet t’i vëmë vetes, që kemi. Ja pra, pse në muajt e ardhshëm, në javët e ardhshme do të ndjekim me vendosmëri të madhe. Ju kujtoj këtu që Parlamenti Europian ishte në nëntor, Komisioni ishte për të filluar në nëntor gjithashtu, 25 shtete anëtare ishin për çeljen në nëntor. Nuk është një ide e çuditshme, është ideja e shumicës dërrmuese të institucioneve europiane dhe shteteve anëtare. Ja pra, u bënë disa vërejtje, besoj se këtyre vërejtjeve, Shqipëria është duke i dhënë një përgjigje pozitive me reformat që është duke zhvilluar, që po kryen dhe Europa është duke dhënë një përgjigje në përpjekje që ky proces anëtarësimi të fillojë sa më shpejtë dhe ne e urojmë.
*Përkthim simultan