Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në kremtim të muajit të Shenjtë të Ramazanit, Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama shtruan një darkë iftari në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, duke rikthyer kështu traditën e shkëputur prej dy vitesh pandemie.

Tryeza e iftarit bëri bashkë politikanë, ministra, artistë, mjekë, mësues e pedagogë, gazetarë, përfaqësues të bizneseve të mëdha dhe të vogla, përfaqësues të komunitetit mysliman, si dhe të komuniteteve të tjera fetare, atij katolik, ortodoks, bektashi dhe ungjillor, drejtues të institucioneve qendrore, kryetarë të bashkive, etj.

Në nisje të darkës, Kryeministri Edi Rama përshëndeti të ftuarit duke thënë se ishte shumë i lumtur që pas dy vite ndarjesh dhe kufizimesh, pasojë e një sulmi të paprecedentë pandemik, u rigjendën rreth tryezës së iftarit.

‘’Më ka munguar ky takim sepse prej vitesh tryeza e iftarit ka lënë tek unë një shije të posaçme njerzillëku duke ushqyer një ndjesi të mirëseardhur paqeje.

Mirë se keni ardhur dhe shumë faleminderit për praninë tuaj, edhe në emër të Lindës, gjysmës gjithmonë më të mirë timen’’- tha Rama.

‘’Thelbi i kësaj tryezë është islami pa dyshim, por nga ana tjetër islami është përveç se një fe e përqafuar ethshëm nga besimtarët myslimanë edhe një dhuratë pa kushte për mbarë njerëzimin. Një dhuratë që është gjynah ta refuzosh në mos si një burim besimi tek Zoti, si një burimi më shumë besimi tek njeriu, tek vetja, tek ai që jo thjesht duhet por mund të jesh.

Kjo tryezë, jo vetëm nuk është tepërt, e dalë boje, e tejkaluar në botën që njohim sot, por është në vendin e saj, në kohën e saj, në të drejtën e saj të qytetarisë, në këtë botë ku progresi, teknologjia, inteligjenca artificiale, jo vetëm që nuk e kanë bërë më pak të nevojshëm besimin, por përkundrazi. Nuk ka si të jetë ndryshe në fakt, derisa feja është një nga aspektet më të rëndësishme të historisë shpirtërore të njeriut dhe një nga pjesët më të pazëvendësueshme të anatomisë, të kulturës njerëzore në tërësi.

Nëpërmjet urës së feve, njerëzit e kapërcejnë dimensionin e tyre kafshëror dhe hyjnë në një dimension shpirtëror ku e vërteta dhe sekreti janë të lidhura pazgjidhshmërisht dhe ku merr formë një marrëdhënie e brendshme me një qenie të përtejme.

Fe e të barabartëve e kanë cilësuar Islamin. Ne sot jemi këtu myslimanë e të krishterë, besimtarë dhe jo, pikërisht si njerëz të barabartë në tryezën e një feje të barabartësh, e cila nuk na kërkon asnjë nënshtrim tjetër përveç respektin për sho-shoqin, bashkimin në mirësi, vetëpërmbajtjes me mendje të hapur në dëgjimin e tjetrit. Rreshtimit krah për krah pa asnjë epërsi. Mu si vetë profeti i gjunjëzuar krah ndjekësit më të fundit në luftën e të barabartëve drejtuar zotit të tyre.

Besimi dhe qytetërimi islam, përkundër gjithë dezinformimit sistematik mbështetur sa në thjeshtëzimin vulgar dhe deri vrastar të fondamentalizmit lindor aq edhe në falsifikimin propagandistik dhe deri dhe racist të fondamentalizmit perëndimor, kanë gjalluar përmes një zbulese që lirisë së ndërgjegjes, sovranitetit dhe dijes dhe zgjedhjes së lirë individuale janë bërë kurorë qysh në zanafillë.

Të gjithë vëllezërve dhe motrave të besimit islam këtu dhe kudo që ndodhen iu uroj agjërim të lehtë dhe lutje të pranuara!

Ndërsa ne të tjerët, uroj qe përtej besimeve të ndryshme dhe mosbesimeve të larmishme të gjejmë me shumë forcë për vetëpërmbajtje dhe arsye për mirëkuptim brenda kufijve të ekzistencës sonë, gjithsesi shumë të përkohshme.

Zoti qoftë me ne, me familjet tuaja, me Shqipërinë dhe me shqiptarët!

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.