Komunikim publik i Kryeministrit Edi Rama lidhur me situatën e COVID-19:
Miq, ju e dini që unë ju ndjek, ju lexoj dhe jam këtu m vëmendje, sidomos në këtë kohë kaq të vështirë ku e kam pasur bindje që në krye të herës se vetëm sëbashku mund t’ia dalim me kokën lartë një sfide kaq mbarë botërore që ka vënë në vështirësi shtete të mëdha e të fuqishme.
Lexoj shqetësime reale, përpiqem e përpiqemi t’i adresojmë por edhe jo pak dokrra, sharje e mallkime që burojnë nga padituria e thellë, padurimi në rritje ose të dyja bashkë. Nuk kam asnjë problem personal me to. Fyerjet dhe akuzat personale e kam ditur që në ditën e parë që do të shtohen sepse e tillë është kjo luftë e ju kam thënë, më bini mua sa të doni por mos luani me zjarrin që mund t’ju djegë ju, njerëzit tuaj më të dashur dhe vetë Shqipërinë, siç dogji e po djeg nga ato vende të cilat janë pakrahasimisht më të forta se ne.
Ndërkohë që ne po hapemi, çdo javë e më shumë, është sidoqoftë shqetësuese që flitet pa lidhje, deri në pikën që duket sikur flitet nga hëna. Jo nga ky planet ku mirë nuk do ta besosh qeverinë, mirë nuk do ta shohësh me sy kryeministrin, po mjafton të shohësh çfarë bëhet rreth e rrotull nëpër botë për të mos folur mbrapsht. E keni me mua, nuk ka asnjë problem, vazhdoni, por ka a mundësi të më thoni, ku lidhen gjithë ato fjalë pa lidhje, me rezultatet që kemi arritur deri këtu?
Vendi me numrin më të ulet të vdekjeve për 1 milionë banorë në rajon e madje edhe në Europë: Shqipëria! Vendi me numrin më të ulët të shtretërve të zënë në spitalet Covid: Shqipëria! Vendi me numrin më të ulët të përdorimit te respiratorëve: Shqipëria! Tani si mendoni ju qe shani e mallkoni papushim, s’kanë lidhje këto rezultate me gjithçka kemi bërë, pikërisht me këto masa që kemi marrë e me hapat e hedhur deri këtu, në kohën e duhur dhe me gjatësinë e duhur, pa shkelur në asnjë moment në dërrasë të kalbur?! Apo mendoni se Covidi i ka marrë me të mirë shqiptarët ose kushedi, i ka frikë se janë trima e ta japin në lule të ballit po u dole përpara?
Jo mor miq, janë pikërisht masat që kemi marrë, është pikërisht strategjia e kësaj lute dhe taktika e veprimeve të çdo jave që kemi ndërmarrë që na kanë sjellë deri këtu – falë natyrisht shumicës dërrmuese të njerëzve të këtij vendi, që sytë i përdorin për të parë, veshët i përdorin për të dëgjuar, mendjen e kanë në punë jo në hava dhe e kanë mbështetur plotësisht strategjinë me sjelljen e tyre super të përgjegjshme, super qytetare. Jo po pse oraret kështu dhe jo ashtu? Jo po pse pensionistët nuk dalin, pastaj po pse pensionistët po dalin? Jo po pse gratë me fëmijët mos të dalin, pastaj po pse duhet të dalin gratë me fëmijët pa burrat? Jo po pse e shtuna mbyllur, pastaj jo po pse e shtuna hapur! Hip se të vrava, zbrit se të vrava!
Po kur thonë disa, pse na informon me fejsbuk, si mund të drejtohet shteti me fejsbuk, ç’është ky komunizëm me fejsbuk, etj., etj., a thua se i ka futur njeri me zor në faqen time në facebook dhe a thua se këtë faqe e kam për sytë e mi të bukur, e jo vetëm e vetëm për t’ju informuar, sqaruar, ndihmuar dhe komunikuar drejtpërdrejtë me ju, hapur, pa dorashka!
Jo po pse nuk përgjigjesh o komunist, jo po pse kështu o sulltan, jo po o legen pa din e iman që tallesh me popullin, se populli po vdes, se populli është dele, se populli këtej e populli andej, po mirë e ka ky popull, po me këtë popull që e gjete… Ore jeni në vete apo jo? Jeni në vete apo i keni lëshuar pëllumbat përfundimisht? Flasin disa populli, populli, populli por lidhje s’kanë as me popullin as me atë për të cilën flasin, po prap flasin e nuk pushojnë. Mendjen po, e kanë pushim.
Miq! Ne nuk kemi ardhur kot deri këtu dhe nëse i kemi shumë mirë tre rezultatet kryesore të kësaj lufte, numrin e vdekjeve për 1 milionë banorë, numrin e shtretërve të zënë dhe numrin e pacientëve të intubuar mes jetës e vdekjes, kjo s’duhet të na bëjë të harrojmë se armiku i padukshëm nuk është fantazmë e nuk ka ikur! Virusi është këtu, është prapa derës e është matanë dritares së shtëpisë, është rrotull nesh sa nxjerrim kokën nga shtëpia.
E dini që e kemi hapur aktivitetin ekonomik më shumë se sa shumë vende të tjera?! E dini që vetëm një pjesë e vogël e njerëzve sot nuk e kanë ende të mundur të shkojnë në vendin e tyre të punës?! E dini që në Itali nuk lëvizet ende nga një komunë në një tjetër? Po që në Greqi, tani që do fillojë faza 2, nuk lëvizet dot nga një prefekturë në tjetrën e dini? S’po shkoj më larg, por ju pyes sepse lexoj e dëgjoj shume që flasin, jo tërë bota u hap, jo vetëm ne kemi mbetur mbyllur, jo komunizmi këtej, diktatura andej. Jo mor jo, nuk është e vërtetë fare! Po fare! Kam folur sot me kryeministren e Danimarkës, gjerë e gjatë, e prapë se prapë, njësoj si në të tëra bisedat me miq e kolegët e mi kryeministra nëpër Evropë, e njëjta gjë! Të njëjtat dilema! Dhe e njëjta vështirësi në raport me vendimmarrjen, sepse në fund të ditës, nëse lufta merr për keq, përgjegjësinë e mbajmë ne, liderët, sepse këtë detyrë kemi, nuk e mban askush nga ata qe nuk duan të kuptojnë, po vetëm të fantazojnë e të mallkojnë duke folur përçart!
Ministrja e Shëndetësisë ju informoi për masat e reja lehtësuese, për zgjerimin e zonave të gjelbërta, për hapjen e aktiviteteve të tjera, në 4, 11 dhe 18 maj! Për lehtësimin e mëtejshëm të riatdhesimit e me radhe. Do t’i sqarojmë e ri sqarojmë në vijim, por ju lutem të gjithëve, këtu nuk luhet dot me zjarrin, këtu nuk vihen dot baste, këtu nuk bëhet me hajt hape të dali ku të dali! Këtu nuk mjaftojnë as ligjet, as Kodi Penal, as policia e as kontrollet, as ushtria po të doni, nëse nuk jeni ju, te gjithë ju, roje te shëndetit tuaj e të familjes suaj!
Në thelb dënglat e dokrrat e shumëkujt këtu, më shqetësojnë për një arsye. Kam frike nga papërgjegjshmëria dhe injoranca, qe mund të marrë në qafë të paditurit dhe familjet e tyre, po edhe njerëz të tjerë të pafajshëm! Ju lutem mos e diskutoni më faktin kryesor: Ky armik është real, është mes nesh dhe ky vret! Deri kur të dale vaksina ky virus do të jete vërdallë dhe ne, e gjithë bota, do duhet të ndryshojmë të gjithë, pa përjashtim qasje, sjellje, mënyre të menduari e të organizuari të jetës sonë të përditshme! Harrojeni se mua më pëlqen e më vjen për mbarë t’ju tregoj kufijtë e lëvizjes, t’ju informoj se ndaloheni nesër te lëvizni këtu, ndaloheni pasnesër të lëvizni atje, t’ju flas përditë e përditë për psenë e gjithë këtij deformimi të lirive e të të drejtave tuaja!
Përkundrazi, kjo është periudha më e vështirë e jetës sime politike dhe përballja më e jashtëzakonshme me vendimet më të vështira e më të sikletshme që duhet të marr se këtë detyrë kam.
Shumëkujt ndër ju i duket se të qeverisësh është te jetosh rehat e te pasurohesh, për fat të keq por jo, aspak, të qeverisesh është të rrish pa gjumë e siç thoshte Fransua Miterani, të jesh vetëm në maje ku fryjnë erërat nga të gjitha anët. Nuk po ju qahem, sepse e kam nder e pasion këtë pune, po aq gabim jeni disa nga ju kur flisni kështu sa ju siguroj që nëse do me thoshin ik sot nga kjo zyrë e mos u merr më kurrë me politikë, sepse po ike ti, Covidi do iki nesër, sot unë do isha duke ju dhënë lamtumirën me lumturinë më të madhe!
Unë po bëj me te mirën time dhe fal një skuadre që shajeni sa të doni, përgojojeni sa të doni, po bën më të mirën e vet, sot Shqipëria ka bërë më të mirën e mundshme në këtë luftë! Ju lutem të mos e bëjmë si lopa, tani që po hapemi, nëse ju nuk vazhdoni të jeni roje të vetes e të familjes, unë nuk do mundem t’ju mbroj dot më jetën e shëndetin si deri sot. Ju lutem, kjo nuk është lojë, ky nuk është bast, ju lutem, kjo nuk është me të dalim ku të dalim. Jo, ne kemi vetëm një rrugë nga duhet e do të dalim, rruga që na nxjerr me rezultatin më të mirë, siç e kemi deri sot, në mbrojtjen e shëndetit, të jetës e të dinjitetit të këtij populli dhe të këtij vendi. Të tjerat janë të gjitha dokrra!