Bashkëbisedim i kryeministrit Edi Rama me rastin e prezantimin të projektit “Oficerët e Sigurisë në Shkolla”, zhvilluar në shkollën e mesme të përgjithshme “Qemal Stafa” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mësuesve, prindërve dhe të nxënësve të shkollave të mesme, të kryeqytetit.
Përshëndetje të gjithëve!
Sot jemi këtu për të lajmëruar një tjetër program për shkollat, që lidhet me sigurinë dhe që bazohet në bashkëpunimin mes Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Brendshme për të krijuar një figurë të re në jetën e përditshme të shkollës, që është oficeri i sigurisë, apo oficerja, se do jenë djem, do jenë dhe vajza, do jenë burra, do jenë dhe gra, që do vendosen fillimisht në 15 shkolla, si pjesë e parë e zbatimit të programit, për të parë në të përditshmen, duke filluar nga muaji mars, funksionimin, ndërveprimin dhe sigurisht edhe për të nxjerrë të gjitha mësimet e nevojshme, në funksion të shtrirjes së këtij programi në të gjithë rrjetin e gjimnazeve.
Pse ne mendojmë se është shumë e rëndësishme në këtë fazë, që shkollës t’i bashkëngjitet kjo figurë e re e oficerit apo oficeres së sigurisë?
Sepse jemi të vetëdijshëm që mes mësuesve, prindërve, nxënësve dhe Policisë së Shtetit për të gjitha ato raste shqetësuese, të vogla, apo të mëdha që shfaqen në jetën e shkollës, ka një hendek, ka një boshllëk.
Natyrisht, nga ana tjetër, është normale që, nëse mësuesit, apo drejtoria e shkollës, administrata ndesh me vështirësi të caktuara që lidhen me fenomene të dhunës, të shitjes apo konsumimit të lëndëve narkotike, të mungesës së disiplinës në tërësi, – është e pamundur që këto shqetësime të mund të adresohen duke përfshirë drejtpërdrejtë Policinë.
Për këto arsye do krijohet figura e oficerit të sigurisë që nuk është një polic, që nuk vjen në komunitetin e shkollës për të ushtruar kontrolle, që nuk ka asnjë detyrë për të marrë masa, por që i bashkëngjitet trupës mësimore dhe trupës së prindërve si një figurë kujdestari për mbarëvajtjen e bashkëjetesës jashtë klasës dhe në oborrin e shkollës, si dhe në marrëdhëniet mes klasës, oborrit dhe pjesës jashtë. Që do të thotë që është një urë e drejtpërdrejtë komunikimi, qoftë mes nxënësve, qoftë mes mësuesve dhe nxënësve, qoftë mes mësuesve, nxënësve dhe prindërve. Njëkohësisht është një urë e drejtpërdrejtë komunikimi me Policinë për të gjitha ato raste kur shfaqet nevoja e përfshirjes së Policisë për një arsye, apo për një arsye tjetër.
Kjo nuk është një eksperiencë mirëfilli shqiptare dhe nuk është një eksperiment që ne e kemi shpikur. Është një eksperiencë e njohur në vende të tjera, shumë e suksesshme, shumë e mirëpritur nga mësuesit, shumë e mirëpritur nga prindërit dhe nga nxënësit.
Është një eksperiencë që e ka rritur ndjeshëm sigurinë në shkollë, ka rritur ndjeshëm komunikimin dhe ndërveprimin për të adresuar pikërisht ato shfaqje shqetësuese për të cilat fola më lart. Për të krijuar një bazë shumë të qartë të dhënash indikative, lidhur me problematikat dhe për t’i trajtuar ato në kohë reale me individë realë drejtpërdrejtë.
Mënyra sesi programi është i organizuar do të na çojë drejt pasjes sipas volumit të shkollave, të një, dy apo tre oficerësh të sigurisë, të cilët do të shoqërojnë të gjithë procesin e bashkëjetesës në shkollë, që nga fillimi i mësimit, deri në mbylljen e dritave në fund të ditës dhe do të garantojë që ministria, por jo vetëm Ministria e Arsimit, por dhe Ministria e Brendshme të kenë shumë më tepër informacion, lidhur me të gjitha kërcënimet e jashtme ndaj shkollës, me ngacmimet, me mundësinë apo ofrimin e shitjes dhe blerjes së lëndëve narkotike dhe me të gjitha shfaqet e padenja, brenda për brenda shkollës, në procesin mësimor, për të cilat mësueset mund të kenë nevojë të menjëhershme për të patur në krah dikë, në raport me adresimin e një sjelljeje kërcënuese për klasën apo për vetë mësuesin.
Janë fenomene që nuk janë shqiptare, janë fenomene me të cilat shkollat hasen në të gjithë botën dhe krijimi i kësaj figure, jam i bindur që do të jetë një vlerë e shtuar në këtë proces.
Oficerët e sigurisë do të jenë të gjithë persona të shkolluar që do të kenë kaluar Akademinë e Sigurisë, persona të trajnuar posaçërisht për këtë detyrë, e cila siç e nënvizoi zëvendësministrja e brendshme, nuk është një detyrë policie, por është një detyrë shumë më e lidhur me bashkëpunimin brenda përbrenda komunitetit dhe do të jenë miqtë e nxënësve, miqtë e mësuesve, miqtë e prindërve. Pra, në një farë mënyrë do të kompensojnë një lloj boshllëku që mësuesit, nuk e mbushin dot, që prindërit nuk e mbushin dot, që vetë nxënësit nuk e mbushin dot, që është ajo zona e ndërmjetme e veprimit e të gjithë këtyre të tjerëve. Ne kemi shumë besim që edhe këtu, pra në sistemin tonë arsimor do të marrin rezultatet që të tjerët kanë marrë nga kjo eksperiencë.
Kemi shumë besim që do të rritet ndjeshëm aftësia për të marrë informacion, e administratës së shkollës, e mësuesve dhe e prindërve dhe do të rritet ndjeshëm edhe mundësia mes vetë nxënësve për të parandaluar apo për të zgjidhur konflikte të natyrave të ndryshme, falë kësaj figure të ndërmjetme që do ti shtohet komunitetit të shkollës.
Këtu bashkë me ne është edhe drejtori i Akademisë së Sigurisë, një punonjës policie me një histori shumë të gjatë, me një karrierë shumë të gjatë, një profesor i nderuar të cilat do t’ia kaloja fjalën për të bërë ndonjë plotësim të këtyre që thamë ne dhe për të nënvizuar pikërisht këtë, që figura e oficerit të sigurisë është një figurë që qëndron në territorin midis përgjegjësive të Ministrisë së Arsimit dhe përgjegjësisë së Ministrisë së Brendshme; përgjegjësive të Ministrisë së Arsimit për të krijuar kushtet më të mira për të për të gjithë procesin e mësimit dhe të procesit pas mësimit, në shkollë dhe përgjegjësinë e Ministrisë së Brendshme për të garantuar që siguria të jetë një komponente e padiskutueshme e këtij procesi.
-Përshëndetje! Jam mësuese, jap lëndën e informatikës. Projekti “Shkolla të sigurta. Oficerët e sigurisë në shkolla”, është një nisëm e shumëpritur nga të gjithë. Nuk ka prindër që fëmijën e vet nuk do të donte ta kishte në një shkollë të sigurt. Pyetja ime është, oficerët e sigurisë në shkolla do të përcjellin disa vlera, integritetin, diskrecionin dhe profesionalizmin. Vlera të panegociueshme. Profesionalizmin si vlerë, si do ta ndjejmë? Do të jetë profesionalizëm pedagogjik, fizik, psikosocial, pra sa peshë do të ketë? Dhe pyetja e dytë, “duke e konsideruar oficerin e sigurisë si mik, si bashkëpunëtor ai do të arrijë të njohë historikun dhe prejardhjen nga vjen nxënësi”, – thotë broshura. Jam shumë dakord. Si do të realizohet? Çfarë hallkash e përbëjnë këtë aspekt?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për leximin shumë të vëmendshëm të broshurës. Sigurisht që ky është një proces. Së pari, ajo që duhet të garantojmë ne është përzgjedhja e duhur e këtyre individëve, të cilët preferueshmërisht do të vijnë nga Akademia e Sigurisë, por procesi nuk është i mbyllur për të tjerët, që mund të jenë individë që kanë studiuar psikologji, që kanë studiuar pedagogji apo punë sociale, por në të gjitha këto raste do të jetë kusht kalimi nga Akademia e Sigurisë për trajnimet specifike. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për të vendosur një figurë thjesht pedagogjike apo thjesht për anën psikologjike apo thjesht për roje. Këtu bëhet fjalë për të vendosur figurë që ka pikërisht kapacitetin dhe formimin e duhur dhe trajnimet e duhura, për të ndërtuar gjithë këtë bazë të dhënash, në bashkëpunim të ngushtë me mësuesit, me drejtorinë e shkollës e me prindërit.
Është një bazë të dhënash që ndërtohet hap pas hapi, jo e gjitha menjëherë. Është një bazë të dhënash që ndërtohet në lidhje me zhvillimet e jetës së përditshme në shkollë. Shkolla ka kategori të ndryshme nxënësish; ka nxënës të shkëlqyer, ka nxënës të zakonshëm, ka nxënës problematikë, e kështu, një punë specifike profesionale e bërë nga ky rrjet oficerësh sigurie, do t’i japi mundësinë komunitetit të mësuesve, të prindërve e nxënësve që të kenë një lexim shumë të qartë të gjithë potencialit të risqeve që mund të shfaqen në forma, po themi beninje në klasë, mund të shfaqen në forma malinje, në raportin e nxënësve me mjedisin jashtë shkollës. Ne kemi studiuar disa eksperienca, janë të njëjta por dhe të ndryshme, por një gjë është e sigurt, që të gjitha eksperiencat, sado të ndryshme të jenë kanë sjellë një rritje shumë të ndjeshme të sigurisë në shkollë. Kanë sjellë një rritje shumë të ndjeshme të kapacitetit monitorues të shkollës e të prindërve mbi nxënësit, kapacitet që është i pamundur të sigurohet thjesht nga administrata e shkollës apo nga mësuesit, sepse pavarësisht se mësuesit janë shtylla themelore e gjithë procesit të edukimit dhe jo vetëm të dhënies së mësimit, e kanë të pamundur për shkak të punës që bëjnë, që të ndjekin specifikisht këtë aspekt. E kanë të pamundur që të monitorojnë ndërveprimet. Ka mijëra ndërveprime që ndodhin gjatë një dite në shkollë. Ka ndërveprime midis nxënësve, ka ndërveprime midis nxënësve e mësuesve, ka ndërveprime midis nxënësve dhe mjedisit të jashtëm, që siç e dini ju më mirë se unë, është shfaqur me kërcënimet e veta. E duke pasur një figurë të tillë, garantohet monitorimi i këtyre ndërveprimeve, garantohet pastaj vendosja në fokus e zonave të caktuara të veprimtarisë së gjithë njerëzve që e përbëjnë komunitetin e shkollës, garantohet ndjekja me përparësi e elementëve që kanë nevojë për asistencë kanë nevojë për përkujdesje, kanë nevojë për punë të dedikuar dhe garantohet pasja në kohë reale e prindërve në kontakt për këtë aspekt.
Nga ana tjetër, gjithë ky proces garanton edhe një lidhje shumë më të ngushtë mes shkollës në këtë aspekt, drejtorive arsimore dhe Policisë së Shtetit kur vjen fjala tek probleme që kanë nevojë të adresohen drejtpërdrejtë nga Policia e Shtetit. Ne kemi hasur në gjithë këto vite shfaqje të ndryshme kërcënimesh apo rreziqesh, ashtu sikundër kemi parë gjatë gjithë kësaj periudhe që qeverisim, se sa shumë interesim ka nga ana e prindërve, por dhe nga ana e mësueseve për të rritur disiplinën, në kuptimin jo formal, por në kuptimin e kapacitetit monitorues dhe të gjithë e përmbledhin këtë fjalë tek shteti, dhe me të drejtë! Pikërisht për ta bërë këtë, ne kemi gjetur të udhës që të integrojmë në këtë rrugëtim, të fusim në këtë sistem tonin, figurën e oficerëve të sigurisë, të cilët, ashtu sikundër e tha zëvendës ministrja, do kenë një program shumë preciz të ndërveprimeve të tyre me trupën pedagogjike, me prindërit, me drejtorinë, e po ashtu do të jenë në rrjetin e tyre që do të ketë drejtimin dhe monitorimin nga strukturat më lartë, qoftë të Ministrisë së Brendshme, qoftë të Ministrisë së Arsimit.
-Përshëndetje! Unë sot kam ardhur si përfaqësuese e akademisë së sigurisë, ndoshta ndryshe nga pjesëmarrësit e tjerë kam më shumë njohuri mbi rastet që kanë ndodhur me fëmijët me probleme në shkollë. Unë falënderoj nismëtarët që e kanë marrë këtë nisëm, por si çdo nisëm, do ketë ato ankesat e para, megjithatë, them se është e vonuar madje, duhet të ishte marrë më përpara. Unë kam një kërkesë, duke qenë se Policia e Shtetit i jep më shumë përparësi parandalimit, unë kam kërkesën që kjo nismë të përfshijë dhe shkollat 9-vjeçare. Nisma duhet t’i përfshijë sepse fëmijët kanë problematika nga më të ndryshmet, si dhe vetë gjëja më elementare që është bulizmi.
Kryeministri Edi Rama: Unë e thashë pak në fillim, por ndoshta nuk e kam theksuar si duhet që programi është krijuar për të mbuluar të gjitha shkollat, si program. Por ajo që ne gjithmonë bëjmë dhe që është besoj më e arsyeshmja të bëhet është një fazë e parë pilotimi, për të testuar në terrenin konkret gjithë ato që janë imagjinuar, që janë përgatitur, që janë shkruar, se nga letra tek realiteti, ka shumë gjëra që nuk parashikohen dot, nuk planifikohen detaj për detaj. Kështu, faza e parë do të jetë një fazë pilotimi ku do të shikojmë në realitet se çfarë duhet pasur parasysh gjatë shtrirjes së mëtejshme të këtij rrjeti në gjithë shkollat. Nuk diskutohet që në fund, duhet të përfshihen edhe shkollat 9-vjecare, por ideja fillestare është që të fillojë me gjimnazet, të fillojë me komunitetet me volumin më të madh të nxënësve edhe për një shkak tjetër, sepse në analizat e bëra është parë edhe territori. Pra, janë parë kërcënimet si potencial, në territore të ndryshme.
Patjetër që është e vonuar, shumë gjëra të vonuara kanë qenë dhe janë, por tani, mua mamaja më lindi në kohë, problemi është që sipas kohës përcaktohen edhe shumëçka ndodhin. Që do të thotë që rëndësi ka t’i bëjmë gjërat, por edhe ti bëjmë mirë, sepse nuk duam të nxitohemi, duke hedhur hapa që nuk jemi në gjendje pastaj t’i çojmë deri në fund. Edhe pse, për sa na takon të paktën, kjo nuk mund të bëhej më përpara. Po ju kujtoj një gjë. Ju mund ta dini, të tjerët mund të mos e dinë, nuk kanë arsye të dinë. Policia e Shtetit, përpara katër vitesh ishte me statistika, policia më e vjetër në moshë në rajon, lëre Europën dhe policia më e pashkolluar në rajon. Kur them e pashkolluar, flasim për sa janë me shkollë të lartë, sa me shkolle të mesme, sa me 8 vjeçare në variantin e vjetër, e sa pa shkollë fare. Më e pashkolluara!
Akademia e Sigurisë ishte e mbyllur, nuk ekzistonte. Bëheshin ca kurse sa për të kaluar rradhën dhe ne, rihapëm Akademinë për të filluar një proces ripërtëritje të bazuar tek domosdoshmëria që të ulim moshën e të rrisim shkollimin. Sot, jemi prapë larg nga ku duhet të jemi për të pasur standardet e nevojshme, qoftë nga pikëpamja e shkollimit, qoftë nga pikëpamja e moshës, por kjo kërkon cikle kohe sepse duhet çdo vit akademik një numër i caktuar studentësh që të dalin, e kështu me radhë.
Kjo nismë që bazohet tek Akademia e Sigurisë, që bazohet tek ata që mbarojnë Akademinë e Sigurisë kryesisht, por dhe tek trajnimet në Akademinë e Sigurisë të të tjerëve, psikologë apo që kanë mbaruar punë sociale, nuk mundet dot të bëhej më parë, objektivisht, e përsëri do të kërkojë më shumë se sa një vit që të shtrihet në të gjithë shkollat.
Qëllimi ynë është që brenda 3 vitesh ne ta kemi shtrirë programin, në të gjithë shkollat, në tre vjet dhe të marrim maksimumin e impaktit sepse mundësia që ky program jep është e jashtëzakonshme. Por ama, ajo që tha zysha, është prapë thelbi. Duhet patjetër që të kemi përzgjedhje cilësore të garantuar, duhet patjetër që të kemi profesionalizëm të garantuar dhe duhet patjetër që të sigurojmë që kjo të ndodhë në të gjitha shkollat. Po t’i hymë me shifra, bëjeni pak llogarinë, sa shkolla kemi, sa oficerë sigurie duhen e sa kemi mundësi ne sot që të marrim nga terreni individë që i plotësojnë këto kritere. Është shumë e vështirë. Kështu që do të na mësojë dhe eksperienca e parë, por unë jam shumë besimplotë që në këto shkolla ku do pilotohet, brenda tre muajve ne do të kemi një ndryshim të rëndësishëm psikologjik në radhë të parë, në komunitet dhe një impakt shumë pozitiv tek të gjithë, tek mësuesit, tek nxënësit, tek prindërit.
Nëse ka dikush diçka që e sheh si shqetësim apo e sheh si problem apo e sheh si rrezik në këtë program, do ishte shumë mirë që ta merrte mikrofonin që dhe ne të dëgjojmë.
-Përshëndetje! Unë jam presidentja e shkollës “Andon Zako Çajupi” Ky projekt më duket një ide shumë e mirë. Nuk e di nëse shkolla ime është e përfshirë në këtë plan, pasi kemi edhe problemin që kemi kaluar mësimin pasdite, për shkak të rikonstruksionit.
Kryeministri Edi Rama: Po, është e përfshirë në këtë projekt.
-Përshëndetje! Jam nxënëse e gjimnazit “Eqerem Cabej”. Ideja më duket shumë mirë sepse do të jetë një siguri akoma më e madhe për të gjithë shkollat dhe mendoj se është diçka akoma më e mirë se vitet e kaluara.
-Përshëndetje! Projekti është një ide shumë e mirë që ne si nxënës të mos themi “erdhi polici” dhe kjo të shkaktojë alarm, por të ketë një afrim më të madh të prindërve, nxënësve dhe strukturave të qeverisë.
-Përshëndetje! Unë jam mësuese në gjimnazin “Abdulla Keta”. Për mendimin tim personal është më e drejtë që në shkolla të ketë më shumë psikologë se sa oficerë sigurie. Sa më shumë psikologë të kishte, gjatë gjithë kohës, do të ishte edhe më shëndetshëm. Ndoshta nuk do të ishte më e nevojshme për të patur një oficer sigurie.
Kryeministri Edi Rama: Ke shumë të drejtë, por nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Pra oficeri i sigurisë, e thamë pak që edhe ata që kanë mbaruar psikologji do të jenë të përzgjedhshëm. Ndërkohë që, ata që po trajnohen aktualisht dhe që do të trajnohen për këtë punë, do të marrin diçka që lidhet me punën e psikologut, por në të gjitha rastet nuk e zëvendësojnë dot njëri-tjetrin dhe nuk e përjashtojnë dot njëri-tjetrin. Po të lexosh me vëmendje këtë përshkrim të thjeshtë që është bërë në broshurë është tjetër punë nga puna e psikologut e marrë si tërësisht më vete. Ndërkohë që shërbimi i psikologut patjetër që duhet forcuar. Është për të qenë, por patjetër duhet plotësuar. Pra janë komplementare, nuk janë përjashtuese. Sepse psikologu sigurisht që ka një rol të veçantë në punën me nxënësit, por nuk mundet dot të mbulojë detyrën e monitorimit të risqeve dhe të parandalimit apo të trajtimit të kërcënimeve të jashtme. Është e pamundur. Ashtu si nuk mundet dot të marrë pjesë dhe të ndërhyjë kur ka ndërveprime problematike midis nxënësve apo nxënësve dhe mësuesve dhe kështu me radhë. Kështu që janë të dyja komplementare.