Në Selenicë të Vlorës është mbyllur sot plotësisht, procesi i legalizimit të të gjithë shtëpive të kësaj bashkie. Lejen e fundit, Kryeministri Edi Rama e dorëzoi personalisht në familjen e Llambi Petrajt, në një vizitë, ku u mikprit nga të zotët e shtëpisë, tashmë të legalizuar.
Banorët e falënderuan Kryeministrin për faktin që lejen e përfituan jo vetëm shpejt në kohë, por edhe pa sorollatje, pasi çdo procedurë u krye në shtëpinë e tyre dhe procesi u bë falas.
Kryeministri tha se ndryshimi me të kaluarën kur epiqendra e legalizimeve ishin bizneset, është shumë i madh, por ende mbetet shumë për të bërë. “Ata në 8 vjet, dhanë 21 000 leje dhe jo shtëpi, por pjesa më e madhe lokale, hotele, motele, magazina, pishina, trampolina, d.m.th. biznes, dhe shumë raste me dëme të mëdha për shtetin, pasi u legalizua mbi lulishte, mbi zona arkeologjike, në kështjella, etj. Ndryshim i jashtëzakonshëm, mirëpo prapë nuk mjafton.” u shpreh kryeministri.
Ne bisedë me ta Kryeministri sqaroi se “Kemi filluar fazën e parë të rrugës së lumit. Janë dhe tre faza të tjera. Një nga segmentet përshin Selenicën. Lidheni drejtpërdrejtë me rrugën e Levanit. Ishte një projekt skandaloz, tender skandaloz…U detyruam t’i ribëjmë projektet.”
Ndërsa foli për disa fusha tek të cilat ndryshimi është i dukshëm si energjia, arsimi, shëndetësia, etj, Kryeministri theksoi se themeli mbetet Reforma në Drejtësi, pa zbatimin e së cilës, shteti nuk mund t’i shërbejë si duhet qytetarëve.“Baza kryesore është Reforma në Drejtësi. Po nuk u bë zbatimi i Reformës në Drejtësi, nuk jemi aty ku duhet për të thënë këto janë themelet. Sepse drejtësia është themeli. Por ama do të bëhet.”