Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Sezoni turistik që pritet të nisë së shpejti parashihet të jetë shumë më i lehtësuar se ai i vitit të kaluar. Më të angazhuarit në këtë drejtim janë sipërmarrësit e këtij sektori, drejtuesit e komplekseve, resorteve dhe hoteleve të ndryshme. Një takim miqësor me disa prej tyre zhvilloi sot Kryeministri Rama, në kompleksin turistik “Fafa”, në zonën bregdetare të Golemit, Durrës, e cila falë bujarisë dhe solidaritetit të shprehur nga këta sipërmarrës, u kthye si dhe shumë të tjera në qendër të madhe strehimi për shumë qytetarë të mbetur pa shtëpi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Shumë faleminderit edhe njëherë tjetër se nuk është asnjëherë e mjaftueshme për ju që jeni këtu dhe për ata që s’janë këtu, por që janë pjesë e këtij zinxhiri që në momentet më të rënda kur ra tërmeti hapën dyert. Të gjitha këto struktura i vutë në dispozicion të fatkeqëve dhe kjo është diçka që nuk harrohet”, – u shpreh Kryeministri, duke theksuar mes të tjerash se sezoni i ri që pritet të nisë do të jetë më i mbarë, kjo falë edhe investimeve në shtimin e kapaciteteve hoteliere, por edhe fushatës masive të vaksinimit që do të lehtësojë ndjeshëm situatën.

“Ne kemi sot trefishin e kapaciteteve hoteliere dhe nuk është vetëm çështje numrash, është edhe çështje cilësie. Unë kam takuar disa prej jush së fundmi, me projekte të reja shumë ambicioze, shumë cilësore. Me vaksinimin masiv, ne jemi shumë të bindur se do ta këpusim zinxhirin e infektimeve në shumë pjesë dhe do të hapim një sezon turistik goxha të lehtësuar. Po ashtu ne kemi plan, sapo të kryhet kjo faza e parë e moshave më të prekshme nga armiku i padukshëm, të kryejmë vaksinimin e punonjësve dhe punonjëseve në fabrika me material porositësi dhe njëkohësisht vaksinimin e zinxhirit të punonjësve të hoteleve, sidomos dhe aty ku ka masë njerëzish.”

Kryeministri tha se lidhur me këtë proces janë angazhuar strukturat shtetërore. “Ministri i Turizmit po merret dhe më ka çuar informacion, me numrat , me fashat, me gjithë operatorët. Po bëjmë gati tabelën e numrave dhe sapo të kalojmë këtë fazë të parë, besoj nga maji, ne do jemi gati në qershor, kur ju keni dhe fillimin e flukseve, kjo gjë do të jetë kryer. Më vjen shumë mirë që shoh që keni kërkesa nga tour operatorët. Vitin e kaluar, ne ja dolëm sepse lamë hapur kufirin me Kosovën, në radhë të parë dhe me Maqedoninë e Veriut dhe kryesisht u dominua  nga shqiptarët sezoni, por edhe me shqiptarët e Shqipërisë që nuk ikën dot ne vende të tjera. Ju jeni kategoria që keni dalë më mirë nga të gjithë nga kjo situatë”, – u shpreh Kryeministri, duke siguruar për mbështetjen e qeverisë në zhvillimin e këtij sektori.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.