Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në kuadër të programit inovativ “Sporti në Shkolla”, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me legjendën e botës së shahut Geri Kasparov, i cili ndodhet në Tiranë me ftesë të qeverisë shqiptare dhe nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë për Inovacionit dhe Administratën Publike. Në këtë takim të zhvilluar në kryeministri të ftuar ishin edhe të rinj e të reja, nxënës, sportdashës të shahut, mes të cilëve edhe ish kampionë shqiptarë të këtij sporti.

Dy ministri, ajo e inovacionit dhe e arsimit, së shpejti do të ndërmarrin nismën për përfshirjen e sportit të shahut në kurrikulat mësimore, program i cili do të hyjë fillimisht si një projekt pilot në 10 shkolla të vendit.

Kryeministri  Edi Rama theksoi përkushtimin e qeverisë për të vënë në dispozicion të këtij programi inovativ gjithë kapacitetin e mundshëm material dhe njerëzor. Kryeministri duke vlerësuar projektin pilot si një hap më shumë drejt progresit, vlerësoi se përfshirja e shahut në procesin e edukimit është investim i drejtpërdrejtë në rritjen  e kapacitetit të kapitalit njerëzor të gjeneratës tjetër. Duke shprehur kënaqësinë për kontributin e një figure të mirënjohur si Kasparov në këtë program, kryeministri theksoi se ky është një investim i domosdoshëm për dijen dhe mirëqenien.

“Ne jemi shumë të interesuar që ta zhvillojmë këtë projekt. Ne jemi shumë të përkushtuar që të vendosim në dispozicion të këtij programi të ri dhe inovativ gjithë kapacitetin tonë të mundshëm material dhe njerëzor, duke filluar me një numër modest shkollash, 10 të tilla, por me ambicien që ta zhvillojmë me shumë më tepër shpejtësi. Sepse, ne besojmë që përfshirja e shahut në procesin e edukimit është investim i drejtpërdrejt në rritjen  e kapitalit njerëzor të gjeneratës tjetër. Duke pasur dhe një mjeshtër legjendar që na mbështet dhe na inkurajon, në radhë të parë me dijet e tij në këtë projekt të rëndësishëm, ne ndihemi më të sigurt sepse tek  e fundit fare, unë dua të ndaj me ju një bindje;

Vendet  e pasura dhe ato më të pasura, nuk dallohen nga çfarë pasurie iu ka dhënë Zoti apo natyra, por nga sa dinë. Kush di më shumë ka më shumë,  e kush di më pak, ka më pak. Sot, kush investon më shumë në dije, investon më shumë në mirëqenie, nesër. Kështu që, ky është një investim në dije, është dhe një investim në mirëqenie. Prandaj dhe për ne është një investim shumë i rëndësishëm, pikërisht për të bërë të mundur atë që fëmijët që të vegjël të fillojnë të mendojnë para atij ekranit, si e tha mjeshtri, jo vetëm mbi bazë numrash, por në bazë strategjish.“

Nga ana e tij, ish kampioni i botës në shah Kasparov, duke vlerësuar këtë nismë të qeverisë shqiptare u shpreh se sporti i shahut është një instrument i përsosur në përgatitjen e brezit të ri për sfidat e arsimit modern.

“Besoj shumë fort se shahu i përket sistemit të arsimimit dhe do të ndihmojë që të përmbushen sfidat e arsimit modern të shekullit të 21. Është një instrument thuajse i përsosur për fëmijët në shkollat fillore që të gatisin mendjen e tyre për të përballuar sfidat e arsimimit modern.” u shpreh Geri Kasparov.

Të ftuar në këtë takim ishin edhe ish kampionë të sportit të shahut në vendin tonë, mes të cilëve, Fatos Muça dhe Rozana Gjergji.

Si profesionistë të sportit mendjes, ata vlerësuan zbatimin e këtij projekti shumë të çmuar për brezin e ri dhe shprehën besimin se me infrastrukturën e duhur dhe me traditën që ekziston, ky sport mund të shënojë arritje të mëdha. “Nëse shahu do të arrijë të bëhet pjesë e programit edukativ ju siguroj se do të jetë një fitore për edukimin në përgjithësi, për arsimin në përgjithësi, pasi është e vërtetuar që dikush që merret me shah është më produktiv dhe më rezultativ në mësime,“ u shpreh kampionia e shahut Rozana Gjergji

“Unë mendoj se do të bëjmë një gjë shumë të madhe me një investim shumë të vogël, duke qenë se ne kemi traditën, kemi kuadro, vetëm duhet një infrastrukturë, ndoshta me pak shpenzim, mund të arrijmë gjëra shumë të mëdha,” u shpreh kampioni i shahut Fatos Muça.

Në përfundim të këtij takimi ish kampioni botëror Geri Kasparov i shahut i dhuroi Kryeministrit Rama librin e tij me një dedikim.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.