Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Poliklinika e re e specialiteteve në Shkodër, me një gamë të zgjeruar shërbimesh mjekësore është një tjetër investim i buxhetit të shtetit për shëndetësinë, që i shtohet qytetit, i cili ka nisur transformimin përmes projekteve madhore me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

Me ambiente të transformuara, kushte  moderne dhe e pajisur me aparatura të reja diagnostikuese për rreth 200,000 banorë, investimi prej 120 milionë lekë të reja, shtrihet në një sipërfaqe 1300 m², ku ofrohen 22 specialitete nga 14 që ishin më parë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shkodër, ku së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu dhe Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës Benet Beci vizitoi mjediset e reja dhe u takua me mjekë dhe stafin drejtues të Poliklinikës.

Ministrja Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, tha se Poliklinika e re e Specialiteteve është e ndërtuar tërësisht nga e para, jo vetëm me pajisjet, por edhe me infrastrukturë tërësisht të rehabilituar.

“Kjo është Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër e ndërtuar tërësish nga e para, jo vetëm me pajisje, por edhe me infrastrukturën tërësisht të rehabilituar që tashmë zgjeron kabinetet dhe shërbimet. Ndërkohë zgjerohen kabinet e shërbimeve nga 14 shërbime që ofroheshin në këtë poliklinikë, aktualisht jemi në 22 shërbime. Pajisja DEXA është një pajisje që vlerëson densitetin e kockës dhe për gratë  është shumë e rëndësishme. Vazhdojmë me grafinë, e cila është gjithashtu një pajisje diagnostikuese që i ka munguar qytetit të Shkodrës në poliklinikë, ofrohej vetëm në spital. Kemi kabinetin e mamografisë. Ndërkohë që një nga politikat për të diagnostikuar në kohë kancerin e gjirit për gratë një fushatë që zhvillohet nw fakt gjatë muajit tetor, tashmë është bërë rutinë dhe ne kemi vendosur që të zhvillojmë diagnostikime falas me aparaturat e mamografisë pa sistem referimi në çdo qark të vendit, në çdo muaj. Në muajin janar është në Shkodër që diagnostikimi do të referohet drejtpërdrejtë pa patur ato ecejaket në sistemin e referimit. – shpjegoi Ministrja e Shëndetësisë Koçiu, lidhur me aparaturat dhe risitë që ofrohen në kabinetet e Poliklinikës.

Ndër të tjera Ministrja Koçiu tha se jo vetëm Poliklinika, por edhe spitali i Shkodrës me buxhetin e vitit 2025 do të marrë vëmendje të shtuar. “Ajo që duhet thekuar është që jo vetëm poliklinika, por edhe Spitali i Shkodrës me buxhetin e vitit 2025 do të marrë vëmendje të shtuar. Do të kemi rehabilitimin dhe rikonstruksionin, jo vetëm të Maternitetit të Shkodrës, por edhe të disa shërbimeve të tjera si: Okulistika, edhe disa shërbime të tjera, pneumologjia brenda spitalit të Shkodrës, duke e rritur dhe përmirësuar, jo vetëm kushtet e punës, po patjetër motivuar stafin edhe ofruar shërbim cilësor për qytetarin.” – u shpreh ajo.

“Ju falënderojmë shumë për investimin, për pajisjet e reja multifunksionale, të gjitha ekografitë janë të mbyllura për shërbimin ambulator. S’ka nevojë për të shkuar në spitale.” – u shpreh një prej mjekëve të stafit.

“Ishte shumë i nevojshëm rikonstruksioni dhe hapja e shumë kabineteve të tjera meqenëse stafi ynë është shtuar goxha me prurjet e reja.” – pohon një mjeke endokrinologe.

Ndërkohë në Poliklinë ka edhe shërbime që ofrohen për herë të parë, si shërbimi i fizioterapisë, shërbimi i shëndetit mendor, i toksikologjisë, etj  “Risi tjetër, është edhe zgjerimi i shërbimit me neurokirurgun e ri që është pas 30 vitesh dhe shërbimi i kirurgjisë maksilofaciale. Është shtuar gama e shërbimeve dhe është fuqizuar nga 14-22. Janë fuqizuar shërbimet e  tjera nga dy mjekë për çdo shërbim, në mënyrë që qytetarët ta marrin shërbimin korrekt dhe të mos kemi radhë.” – tregojnë ndër të tjera mjekët.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.