Shkodra po përjeton transformimin urban me një sërë projektesh të reja që aktualisht po zbatohen në lagjet kryesore të qytetit, me vlera të spikatura historike dhe arkitekturore, mes të cilave edhe zona historike 300 vjeçare e Zdrales, programi për vitalizimin urban të së cilës, u lançua një vit më parë nga Bashkia e Shkodrës.
E degraduar për dekada të tëra nga ndërtimet pa kriter dhe mungesa infrastrukturës, Zdralja e mirënjohur edhe si zonë me aktivitet të gjerë tregtar, po rienergjizohet gradualisht drejt rilindjes së traditave më të bukura që ajo ka mbartur ndër vite.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shkodër, ku së bashku me Kryetarin e Bashkisë së qytetit Benet Beci, e nisi nga lagjja e Zdrales, inspektimin e kantiereve të reja, pasi siç shpjegoi edhe Kryetari i Bashkisë Beci, e gjithë pjesa e hapësirës publike përreth integrohet me projektin e Zdrales.
“Pasi mbaruam 70 fasada të aksit kryesor, kemi dhe 30 të tjera që po bëjmë tani. Afërsisht gjithë aksin nga hyrja e Shkodrës deri në dalje në Rus në Shkodër. Por midis të tjerave futëm dhe pjesën e Universitetit si projekt. Kemi dhe një bashkëpunim të mirë me universitetin për infrastrukturën. Vazhdon gjithë aksi deri në Rus me fasada. Kemi bërë dhe këto muralet. Gjithë aksi është bërë me ndriçim, me sistemim, me fasada. Po sistemojmë pak trotuaret momentalisht. Kjo e gjitha është ne projektin tonë për t’u sistemuar dhe gjithë pjesa e hapësirës publike përreth integrohet me projektin e Zdralës.” – tregoi Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci lidhur me projektet që ndërkohë po zhvillohen rreth zonës së Zdrales.
Projekti për rivitalizimin e Zdrales përbën një investim prej 2.5 milionë eurosh dhe tashmë ka përfunduar ndërtimi i infrastrukturës nëntokësore.
“Këtu jemi te fillimi i projektit, loti i parë i Zdrales. Është një investim prej 2.5 milionë eurosh. Kemi filluar me detaje, infrastrukturën tokësore, fasadat, është një projekt që kemi bërë kohë më parë. Dyert standardizohen me dritare, me ballonë, pjesa e fasadave, pjesa e xhamave, dyqaneve, komplet. Kemi sfidë tani për të zgjidhur me telat, infrastruktura e poshtme është bërë, duhet kaluar e gjithë infrastruktura poshtë që të mos kemi fare tela varura. Kjo ka hapësire dhe e gjitha do jetë pedonale këmbësorësh dhe kjo integrohet deri tek hyrjet e dyqaneve. Edhe dyqanet do unifikohen, të gjitha dyqanet me kornizat, me hyrjet. Mendojmë që deri nga qershori mund ta kryejmë.
Ka ecur shpejtë sidomos me këtë punën që mund të jetë e padukshme që është nëntokësore, se këtu infrastruktura nëntokësore ka qenë shumë keq. Të gjitha këto që janë bërë janë sistemuar, ujerat e zeza, ujerat e bardha.” – shpjegoi Kryetari i Bashkisë Beci.