“Shkolla 9 vjeçare Ahmetaq”, në Bashkinë Vorë është objekti arsimor i radhës, i rindërtuar më së miri, me kushtet më optimale për nxënësit dhe mësuesit e zonës.
Shkolla moderne, që u vizitua sot pasdite nga Kryeministri Edi Rama, ka standarde për t’u renditur përkrah shkollave të çdo qyteti të Europës. “Është një shkollë moderne me të gjitha ambientet ndihmëse. Janë 215 nxënës që do të përfitojnë. Ka 8 klasa, 3 laboratorë dhe një palestër”, – u shpreh ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, i cili shtoi ndër të tjera se “Bashkia e Vorës është një nga bashkitë kryesore që përfiton nga rindërtimi i shkollave dhe jo vetëm. Përfiton nga njësitë individuale, nga grantet, nga pallatet, nga infrastruktura.”
Kryeministri Rama vizitoi klasat dhe mjediset e tjera ndihmëse, të cilat janë shtuar dhe zgjeruar, duke mundësuar që shkolla të zhvillohet vetëm me një turn.
Shkolla gjithashtu ka përfituar edhe një hapësirë të bollshme përpara saj, pas prishjes dhe shpronësimit të objekteve të ndërtuara fare pranë shkollës, e cila mund të shfrytëzohet për orë të ndryshme mësimore dhe gjatë pushimit nga nxënësit.