Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shkolla e mesme e bashkuar “Llesh Nik Daka” në Lezhë është një tjetër shkollë që do të rihapë dyert për 535 nxënësit e saj në nëntor. Një  vit pas tërmetit që la pasoja shkatërruese në shumë objekte arsimore në vend, falë programit të rindërtimit, ato po ringrihen nga themelet më të sigurta. Programi i Rindërtimit të objekteve arsimore ka si qëllim jo vetëm strehimin e sigurt të nxënësve në objektet arsimore, por edhe ndërtimin e objekteve arsimore model.

Kryeministri Rama inspektoi ecurinë e punimeve në këtë shkolla, së bashku me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Në fund të shtatorit, tha ministri Ahmetaj, do të fillojnë puna edhe për shkollat që financohen nga Bashkimi Europian dhe organizatat ndërkombëtare. “Dje kanë dalë dhe në webin e UNDP, 22 shkollat e para që janë në procesin e prokurimit dhe në fund të shtatorit, 5 të parat fillojnë punën. Pastaj me nga një javë konsekutive fillojnë deri në 22. Janë edhe 40 shkolla të tjera që janë përcaktuar dhe po bëjnë procesin e verifikimit dhe atë që UNDP e bën zakonisht, të konsultimit me komunitetin”, – tha ministri Ahmetaj.

Edhe për shkollën “Llesh Nik Daka” pjesë e projektit janë edhe sistemimet e jashtme dhe gjelbërimi, si dhe fusha sportive, të cilat mungonin më parë.

143 shkollat që do të ringrihen në zonat e prekura nga tërmeti i nëntorit do të kenë ambiente për të gjitha funksionet e një shkolle dhe qendre komunitare, laboratorë, kënde sportive, mjedise shërbimesh, infrastrukturë moderne me e sigurt.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.