Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikimi i Kryeministrit Edi Rama në prezantimin të nismës “Shkolla Ime” nga një grup mësuesish, prindërish dhe nxënësish të shkollës “Babë Dudë Karbunara”, Berat, në Platformën e Bashkëqeverisjes, shqiperiaqeduam.al:

 

Mirë se ju gjeta!

Më vjen shumë mirë që sot, ne jemi këtu për një aktivitet që vjen si rezultat i iniciativës së lirë të njerëzve, në këtë rast, të disa mësuesve, të disa prindërve dhe nxënësve përmes Platformës së Bashkëqeverisjes. Ne kemi sigurinë që këtë nismë do ta mbështesim, do ta bëjmë të mundur përmes bashkëpunimit me grupin nismëtar realizimin e saj, që biblioteka e shkollës të transformohet ekzaktësisht ashtu sikundër e kanë dëshiruar dhe e kanë projektuar nismëtarët që i janë drejtuar Platformës. Por duke parë edhe më gjerë se kaq dhe duke parë edhe sesi është situata e përgjithshme në shkollë, një shkollë që është prekur me një projekt rindërtimi rreth 15 vjet më parë, apo ndoshta pak më shumë, lind nevoja që sëbashku të bëjmë një projekt për të bërë një ndërhyrje të përgjithshme dhe ta rindërtojmë edhe njëherë të gjithë shkollën, duke i adresuar të gjitha problemet që janë krijuar në të gjithë këto vite, që nga rindërtimi i fundit. E vërteta është që edhe fondet e mirëmbajtjes nuk është se janë të mjaftueshme gjithmonë, për të pasur një jetëgjatësi pas një ndërhyrjeje që të shkojë përtej 15 viteve dhe besoj me buxhetin që do të përgatisim për vitin e ardhshëm do ta marrim të gjithë shkollën në dorë dhe t’i bëjmë një transformim të ri, duke pasur parasysh edhe nevojat që janë shtuar për më shumë hapësira.

Besoj se rastësia në këtë rast e ndihmon këtë bashkëpunim, sepse Ervini që është dhe zëvendësministri i Arsimit, është një ish nxënës i kësaj shkolle, ka filluar rrugën e tij të dijes në oborrin e kësaj shkolle dhe do të jetë i nderuar të kujdeset vetë personalisht për ta ndjekur këtë nismë, por për të ndjekur edhe projektin e madh të transformimit të shkollës, që ne ta bëjmë realitet plotësisht deri në vitin e ardhshëm.

Me Platformën kemi në dorë një instrument të jashtëzakonshëm që nuk e kemi pasur më parë dhe që na e ka mundësuar teknologjia, falë edhe vetëdijes dhe këmbënguljes tonë lidhur me faktin që administrata është larg së qeni një administratë që iu shërben me dinjitet, me respekt dhe me cilësi qytetarëve. Ne kemi nisur prej disa kohësh, disa reforma shumë të thella në administratë për ristrukturime, për kalimin e një numri gjithnjë e më të madh shërbimesh online, në mënyrë që të mos ketë fare nevojë për të pasur kontakt me administratën. Mjafton një akses në Platformën e Shërbimeve e-Albania dhe njerëzit marrin shërbime. Sot ka një numër shumë më të madh shërbimesh se më parë, që mund të merren drejtpërdrejtë nga Platforma e Shërbimeve e-Albania.

Të gjithë këto procese do kërkojnë kohën e tyre, ndërkohë që njerëzit nuk mund të presin nesër, për të marrë si duhet shërbimin që iu takon sot me të drejtë, me ligj. Ky instrument, që është Platforma ëëë.shqiperiaqeduam.al, krijon një mundësi fantastike për çdo individ, pavarësisht se ku jeton, në Shqipëri apo jashtë saj, në qytet apo në fshat, është i pasur apo i varfër, pavarësisht se njeh apo s’njeh njeri nga ata që kanë akses në administratë, që me tre minuta të regjistrohet dhe të bëjë me dije problemin që ka.

Në momentin kur futesh në Platformë dhe regjistron ankesën apo kërkesën, ajo shkon direkt te ministri. Nëse kërkon një ndërhyrje për të zgjidhur një problem me hipotekën, apo një problem me ALUIZNI-n, për të zgjidhur problemin e mbifaturimit, në rast se ndodh, me OSHEE-në, apo një problem me Drejtorinë e Tatimeve, një problem me dokumentet e pensionit, apo me rimbursimin e një medikamenti e me radhë, të gjitha problemet që janë probleme të mëdha për atë që i ka, pavarësisht se mund të duken të vogla për të tjerët, është e panevojshme të lodhesh për të kërkuar një mik, sepse menjëherë ke mik, në kuptimin që ne i japim fjalës “futi një mik”, ministrin apo ministres e linjës.

Në fund të mbledhjes së qeverisë çdo të mërkurë, ne kemi një raportim përballë ekranit të bashkëqeverisjes dhe të gjitha kërkesat, të gjitha ankesat e bëra dalin në ekran, sepse është i gjithi një sistem i digjitalizuar. Pas ekranit të telefonit, apo ekranit të kompjuterit ku qytetarët bëjnë ankesën qëndrojnë rreth 30 veta, një grup drejtues dhe koordinues në Kryeministri dhe në çdo ministri pjesë të këtij rrjeti, që merren ditë-natë, – punojnë realisht 10-12 orë në ditë, por ka dhe një shërbim edhe natën, – për të ndjekur çdo ankesë që vjen. Ata kanë autoritetin që të veprojnë menjëherë në emër të ministrit dhe njëkohësisht kanë detyrën që të bëjnë të gjitha raportet për rezultatin e përgjigjeve dhe shpejtësinë e përgjigjeve të çdo ministri. Në mbledhjen e qeverisë, çdo ministër i ka në ekran rezultat lidhur me këtë marrëdhënie. Pra, është një mekanizëm fantastik dhe realisht, brenda 10 ditësh jepet përgjigje. Ka raste kur kërkohet pak më shumë kohë, ama brenda 10 ditësh, atij që ankohet i thuhet se ankesa juaj u mor dhe në rast se ka një vonesë objektive për shkak dokumentacioni, i kërkohet ndjesë edhe për pak kohë. Domethënë, është thjesht çështje besimi dhe thjesht çështje kulture për të mos vazhduar historinë “gjej një mik”, “fut dorën në xhep jep lekë”, “ik e eja nëpër dyer”, por për t’i vënë punonjësit e administratës në pozitën që ta dinë shumë mirë që çdokush që iu vjen përballë dhe kërkon një të drejtë mund të jetë personi që i heq nga puna, në rast se ata nuk ia japin këtë të drejtë.

Janë 130 e ca individë që sot nuk janë më në punë. Janë ose në ndekje penale, ose janë të larguar nga puna, ose janë një pjesë e tyre të paralajmëruar për t’u larguar nga puna, për shkak se, pasi jepet e drejta e vonuar, bëhet një hetim administrativ për të parë nëse kjo dosje që kishte hipoteka është vonuar sepse ka pasur një problem objektiv, apo është vonuar, sepse ata që e kanë pasur për t’i dhënë përgjigje, kanë qenë njerëz që kanë tentuar të marrin para, ose thjesht janë disa dembelë syleshë që s’janë marrë fare me atë punë. Përderisa rasti zgjidhet për 10 ditë dhe ka 3 vjet që dikush pret ta marrë, dikush duhet të marrë përgjegjësi. Ideja që gjithkush duhet të marrë përgjegjësi kur vonohen qytetarët, duhet të forcohet dhe forcohet duke bërë që sa më shumë qytetarë të marrin pjesë në këtë proces, për të mirën e tyre, për interesat e tyre. Nuk ka pse pret, nuk ka pse stresohet dhe pse rri e mallkon lart e poshtë. Nuk ka pse pajtohet me një situatë të tillë dhe kërkon 1001 rrugë pa rrugë, për të gjetur zgjidhje. Vetëm tre minuta në Platformë që duke e pasur në celular, ke të gjithë qeverinë në xhep. Realisht, çdo ministër e ke në xhep, në rast se ke një problem konkret për të zgjidhur.

Janë rreth 1000 zgjidhje mesatarisht në muaj, që kur ka filluar Platforma. Ka shkuar në 9000 totali dhe duhet të rritet, sepse ka plot njerëz që akoma ose nuk e dinë dhe prandaj ne përpiqemi që ta përsërisim, ose nuk e besojnë. Ke 3 vjet që pret, apo dhe 3 muaj që pret? Tre minuta, në Platformë. Për ata që nuk kanë kompjuter në shtëpi, ka kompjuter në çdo njësi administrative, në çdo zyrë Poste, apo edhe në çdo zyrë të Partisë Socialiste. Ka pasur raste nga Australia, nga Amerika, njerëz që me vite të tëra prisnin zgjidhje për një çështje pronësie në hipotekë, që kanë marrë zgjidhje konkrete për 10 ditë. Ne marrim shumë mesazhe mbrapsht nga njerëz që thonë “nuk e besoja”, madje dikush thotë “e bëra për t’u tallur me ju, se doja t’ju nxirrja bojën në Facebook”, por janë fakte. Në fund të fundit është gjëja më e lehtë për ta vënë në provë këtë gjë.

Një qytetar nga Berati, që kishte pasur një situatë në trafik tek Ura e Moravës, për shkak se aty ishin dëmtuar anët mbrojtëse të urës dhe ai gati kishte rrezikuar të bënte aksident, -rastin e ka Blendi Klosi në telefon, – e kishte çuar direkt mesazhin te bashkëqeverisja, kur dikush tjetër mund të thoshte “të iki, shyqyr që shpëtova për vete”. Për 3 ditë kishte marrë përgjigje, është e dokumentuar, që këtë rast do ta trajtojmë dhe Autoriteti Rrugor ka bërë menjëherë riparimin. Ka raste kur ankesat zgjidhen edhe më shpejt, sidomos kur lidhen me situatat që janë drejtpërdrejt një detyrim për të bërë ndërhyrje të tilla si Autoriteti Rrugor etj..

Edhe të rinjve që janë këtu do t’u kërkoja ndihmë që të flasin me prindërit, me gjyshërit dhe gjyshet dhe t’iu vihen në dispozicion dhe me telefonat që keni në xhep ndihmojini që problemin ta bëjnë me dije te Platforma. Ju siguroj që do të marrin zgjidhje brenda 10 ditësh në rast se ju takon. Ama, përgjigja vjen brenda 10 ditësh, edhe kur ndodh që ankesa mund të mos jetë e drejtë, në kuptimin që nuk të takon, ose kur bëhet fjalë për çështje gjyqësore që nuk janë në kompetencën dhe përgjegjësinë e qeverisë për t’i zgjidhur dhe e kemi të pamundur të ndërhyjmë, sepse gjykatat s’kanë lidhje me qeverinë.

Jam një prind i një prej nxënësve këtu, një ish punëtor i administratës tatimore, i larguar nga qeveria juaj me motivin më të dobët, nuk je i yni, se të ka futur në punë Partia Demokratike. Më vjen mirë që vajza ime është një nga nxënëset më të mira të shkollës, ka ëndrrat e saj, por mundësitë e mia ekonomike, pasi në familjen time janë të gjithë të larguar nga puna, për arsyet që ju thashë, dua të di çfarë ndihme mund të marrë nga qeveria, ose ju personalisht, sepse kam trokitur dhe i vetmi njeri që më ka dëgjuar ka qenë Blendi Klosi. Doja të dija, çfarë ndihmese, se nuk jam vetëm unë që janë në gjendjen time ekonomike.

Kryeministri Rama:  Në cilin sektor ke punuar?

Në zyrën e IT.  Motivi ka qenë i thjeshtë dhe ka qenë dhe i shkruar në celular nga ish drejtori i asaj kohe, të ka futur në punë PD. Se tani është punëtor aty, nuk është më drejtor.

Kryeministri Rama: Kjo ka ndodhur vite përpara?

Para 3 vitesh, kur unë me bindje të plotë kam votuar jo Partinë Socialiste, jo Rilindjen, por ju, se jemi edhe të një moshe.

Kryeministri Rama: E dëgjova me vëmendje. Së pari, më vjen keq, nëse është e vërteta kështu. Unë e kam thënë edhe më parë, e përsëris edhe sot, që problemi i trajtimit të pushtetit si një instrument për të uzurpuar në mënyrë partiake administratën nuk është një problem që e kanë të tjerët dhe nuk e ka Partia Socialiste. Edhe Partia Socialiste ka qenë dhe është e prekur nga ky fenomen mizerabël. Edhe sot që flasim, ka edhe nga këta që janë këtu rreth meje, që kur them se duhet t’i gjejmë punës njeriun dhe jo njeriut punën, kujtojnë se unë e bëj për televizor dhe sa iki, vazhdojnë avazin e vjetër. Nëse e vërteta është si thua ti dhe nëse ti ke provë për këtë që thua, ti do kthehesh në punë ditën e hënë, sepse ne nuk mund t’i ndajmë njerëzit në të “tanët” dhe të “atyre”. Ne nuk kemi asnjë të drejtë që të ndajmë administratën si plaçkë lufte dhe o burra, kush merr pushtetin, rrëmben edhe tepsinë. Tepsinë, ne duhet ta çojmë për skrap.

Arsyeja pse unë u them njerëzve merrni pjesë dhe angazhohuni, jo për t’u bërë anëtarë partie, por për të denoncuar, – edhe ti duhet ta kishe bërë këtë më parë e nëse do kishe shkruar tek shqiperiaqeduam.al, do kishe marrë përgjigje dhe për këtë të jesh i sigurt, – e them sepse ka rezistencë edhe brenda nesh, ka rezistencë brenda Partisë Socialiste, ka rezistencë brenda strukturave të pushtetit politik për të zbatuar këtë normë. Ka rezistencë dhe në të njëjtën kohë ka inerci të fenomeneve të nepotizmit dhe klientelizmit skandaloz, motra, vëllezër, krushq, kushërinj! Por kjo nuk është një luftë që mund ta bëj unë vetëm, nga Tirana. Kjo është një luftë që do ta bëjmë sëbashku. Kushdo që preket nga kjo sëmundje e poshtër, duhet të ngrejë zërin. Ka raste që nuk kanë të drejtë, ka raste që kanë dhe i duhet dhënë e drejtë. Prandaj, nëse është siç thua ti, se mund të mos jetë kështu si ti thua, në kuptimin që duhet verifikuar, ti do kthehesh aty ku ke qënë. Unë nuk po i hyj të të them që ty të paskan hequr kur drejtor ka qenë një i LSI-së, apo ku di unë se çfarë dhe po e përsëris që ky është një fenomen mizerabël i gjithë viteve të tranzicionit demokratik, që ne nuk mund ta shkulim nëse nuk jemi sëbashku në këtë front. Unë i them deputetit të Skraparit të mos bllokohet më Këshilli Bashkiak për çështje që kanë të bëjnë me qytetarët, deputeti i Skraparit mendon se unë e them për televizor. Shkon atje dhe vazhdon historia, bllokojnë Këshillin për ndihmën ekonomike, sepse hyjnë në luftërat e tyre politike që nuk kanë asnjë vlerë dhe asnjë lidhje me qytetarin. Po e sjell si shembull, meqë jemi në Qarkun e Beratit, se ka edhe të tjerë që bëjnë të njëjtën gjë, që i trajtojnë mundësitë për të pasur akses, si mundësi për të bërë luftëra. Se kush ja ka kërkuar këto luftëra, unë nuk e di. E në vend që të jemi shembulli i parë për çdokënd në territor, që ne nuk jemi të zgjedhur nga populli për veten, por jemi për njerëzit, ne bëjmë gabime. Është një inerci që është edhe brenda nesh. E solla si shembull, por mund të sjell shembuj të tjerë plot.

E njëjta gjë edhe me drejtuesit e partisë këtu. Nuk arrijnë dot ta kuptojnë deri në fund, që këtu ne jemi për të ndarë historinë në dysh, nga historia e çerekshekulli kacafytje dhe trajtimi i administratës si plaçkë, në një histori ku administrata është në shërbim të qytetarëve. Në fund të ditës, nëse vë drejtor, dikë që mund ta meritojë me standardet e njëanshme që ky është i joni, por ai nuk është për atë punë, atëherë, të gjithë të tjerët që mund të mos jenë anëtarë partie, por kanë votuar për këtë parti, kur shkojnë në atë drejtori dhe marrin shërbim mizerabël, çfarë duhet të mendojnë ata?

Duhet të mendojnë që tjetër thuhet në televizor dhe tjetër ndodh në realitet. Kjo hipokrizi është e pafalshme. E përsëris, për t’u luftuar kjo lloj hipokrizie, është e domosdoshme që të përfshihen të gjithë, sepse nuk bëhet kjo punë hiq një drejtor dhe vër një drejtor, nëse nuk ndryshon sistemi dhe nëse nuk bëhet presioni, qoftë nga lart, qoftë nga poshtë. Pa presion nga poshtë, kjo nuk funksionon. Shumë mirë bërë që u çove dhe e the dhe po të them prapë, ditën e hënë do  bëjmë verifikimin, nëse ke të drejtë ti, ditën e martë vendose vetë, a do shkosh apo jo, se thuhet se është ditë ters, maksimumi të mërkurën do hysh në punë. Nuk ka rëndësi fare për kë ke votuar. Kjo nuk më intereson fare.

Unë dua të ndaj një problem që ka ndodhur në familjen time. Babai im prej një viti e gjysmë ka dalë nga puna dhe ka qenë punonjës policie për 17 vjet. Ai në vitin 2017, në 30 tetor e transferuan me punë në Skrapar. Kanë luajtur me të, e kanë sjellë në Berat, e kanë çuar përsëri në Skrapar, pastaj në datë 27 janar, babain e kanë burgosur për 40 ditë, për një gjë pa lidhje, sikur babai im kishte ndihmuar punonjësit e kolaudimit në Urën Vajgurore për të kaluar një shokun e tij dhe kjo nuk lejohej, meqë ishte punonjës shteti. Pas 40 ditësh, babai ka dalë nga burgu dhe pavarësisht kësaj ka marrë pafajshmërinë, por ka dhe një gjyq. E di që nuk bëhet punë për gjyqin, por babai ka konkurruar edhe për një punë në burg, të fillonte punë si punonjës atje. Ka konkurruar në Tiranë, ka dalë i dhjeti në shkallë republike, por më vonë i është hequr emri. Pas kësaj, ai ka ngelur pa punë. Ka kërkuar punë në bashki dhe i kanë thënë nuk mund të bëjmë asgjë për ty, ndërsa përsa i përket punës në polici, përsëri ka ngelur një çështje e pezulluar.

Kryeministri Rama: Në këtë rast është pak më ndryshe puna, sepse, së pari, bëhet fjalë për Policinë e Shtetit dhe aty askush nuk ndërhyn. Policia e Shtetit ka rregulla strikte. Nëse fola për ndërhyrje, për partinë, duhet ta dini se asnjë deputet, prej vitesh nuk ka asnjë akses për të futur e për të hequr njerëz nga Policia e Shtetit. Policinë e Shtetit e kemi nxjerrë prej kohësh, përfundimisht, nga kthetrat e influencës partiake. Siç kemi nxjerrë mësuesit, të cilët e dinë shumë mirë që nuk i prek askush dot me dorë, përkundrazi, kanë vendin e tyre, dinjitetin dhe sigurinë për vendin e punës, sepse vendi i punës nuk ju bazohet se me kë parti janë, por ju bazohet tek dija dhe aftësitë e tyre. Kështu po bëjmë me infermierët.

Në këtë rast, Policia e Shtetit ka rregulla shumë strikte dhe justifikimet nuk vlejnë tek Policia e Shtetit. Nga ana tjetër nuk mundet të rekrutohet në sistemin e burgjeve dikush që akoma nuk ka përfunduar procesin gjyqësor, është objektivisht e pamundur, nëse nuk zgjidhet i gjithë procesi. Por nuk është vetëm puna në shtet zgjidhje. Në rast se babai ka një proces, proceset do marrin kohën e vet, por ndërkohë duhet kërkuar dhe duhet gjetur punë në sektorin privat. Në Berat kemi vende të lira pune dhe këtu kemi një ecuri pozitive me zyrën e punës, si në gjithë Shqipërinë. Nga marsi deri tani, nuk ka mbaruar akoma maji që të marrin rezultatin përfundimtar, ne kemi afro 10 000 të punësuar vetëm nga zyrat e punës dhe nuk janë vetëm me rrogat më të ulëta, por edhe me rrogat më të larta, në varësi të profileve dhe të kërkesave për punë. Unë do e inkurajoja babain të shkonte të punonte në sektorin privat. Zyra e Punës është në dispozicion për t’i krijuar mundësi e ndërkohë të presë përfundimin e procesit gjyqësor. Nëse procesi gjyqësor do t’i japë të drejtë, ai me vendim gjyqi mund të kthehet në Policinë e Shtetit. Nëse nuk i jep të drejtë, nuk mund të kthehet më në Policinë e Shtetit. Kjo është pak, por e sigurt. Nëse parafolësit i thashë që ai do kthehet në punë, ia thashë nisur nga fakti që është në mundësitë tona që ta bëjmë këtë gjë. Në Policinë e Shtetit, askush nuk ka shans të ndërhyjë dhe unë personalisht nuk kam ndërhyrë kurrë për asnjë lloj rasti. Unë besoj që Policia e Shtetit është e para që do të jetë totalisht e bazuar tek profesionalizmi dhe jo tek militantizmi, apo tek influencat partiake.

Unë jam një nënë e divorcuar për dhunë. Kam dy vajza të mitura dhe kam një problem me ALUIZNI-n. Drejtori aktual nuk ma merr përsipër zgjidhjen e kësaj çështjeje, pasi në legalizimet që janë bërë, në shkresat e paraqitur janë bërë edhe nga ish bashkëshorti im, i cili nuk jeton në familje, sepse jemi ndarë për dhunë.

Kryeministri Rama: Është një nga ato raste ku askush nga ne nuk e zgjidhin dot. Është çështje midis jush dhe bashkëshortit, do ta zgjidhni me gjykatë. Nuk i takon drejtorisë së ALUIZNI-t, nuk më takon mua të ndaj se kush ka të drejtë, pavarësisht se unë personalisht mendoj që gratë kanë gjithmonë të drejtë në Shqipëri, por nuk e ndajmë ne këtë punë, sepse është çështje midis jush dhe bashkëshortit.

Por në dokument, faktikisht, pronare e tokës jam unë. Ai nuk paguan asnjë detyrim për fëmijët.

Kryeministri Rama: Këtë gjë e mirëkuptoj plotësisht. Duke ju dëgjuar juve, ju keni plotësisht të drejtë, por këtë të drejtë nuk ua jap dot unë, nuk ua jep dot qeveria. Është një e drejtë që e jep vetëm gjykata.

Ne gratë e divorcuara, që nuk kemi asnjë përkrahje, duhet të vuajmë gjithë jetën nëpër gjykata dhe polici?

Kryeministri Rama: Por nuk jemi ne forca që e zgjidh këtë punë, sepse nuk kemi tagrin të bëjmë gjyqtarin. Nëse drejtori i ALUIZNI-t e bën një gjë të tillë, nesër bashkëshorti juaj mund të fitojë gjyqin dhe drejtori i ALUIZNI-t shkon në burg. Nuk mundet të të caktojë drejtori i ALUIZNI-t, a ju takon juve, apo i takon bashkëshortit. Ju që jeni në nevojë për ndihmë, duhet ta dini se ne kemi ndihmë juridike falas. Mund të merrni ndihmën juridike falas, që të bëni procesin gjyqësor dhe në rast se ju takon, ju fitoni procesin. Merrni ndihmën juridike falas, që e garanton shteti për të gjitha rastet si rasti juaj që nuk kanë mundësi të marrin avokat.  Këtë gjë mund ta bëjmë dhe patjetër që tani. Ermonela mund t’ju orientojë si të marrësh ndihmën juridike falas dhe pastaj të fitosh procesin. Nuk thashë që nuk ke të drejtë, por nuk e bëjmë dot ne. Zyra e ALUIZNI-t në Berat është një nga zyrat më të mira që kemi në Shqipëri, nga rezultatet, nga shpejtësia dhe cilësia e përgjigjeve, por në rastin konkret nuk ka çfarë bën se është e pamundur.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.