Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama në aktivitetin me rastin e 7 Marsit:

Përshëndetje të gjithëve.

Sot është një ditë e shënuar për mësuesit, për nxënësit dhe për të gjithë prindërit, sepse është dita e mësuesve, dita e arsimit, dita e shkollës.

Sot, ne e pamë të udhës këtë që këtë Ditë ta kremtojmë duke lançuar dy iniciativa. Njëra është iniciativa jonë si anëtarë të kabinetit qeveritar, për të marrë në patronazh nga një shkollë. Mua më ngarkuan dy. Dhe përmes këtij patronazhi, një punë të posaçme me nxënësit, me mësuesit, me drejtuesit e shkollave dhe me prindërit, në funksion të zgjerimit të një horizonti që sot për sot është ende shumë i mbyllur në sytë e trupave të mësuesve dhe nxënësve nëpër shkolla. E kam fjalën për horizontin e ideve, horizontin e dëshirave, të ambicieve dhe aspiratave të nxënësve dhe të mësuesve, për të shkuar përtej orës së mësimit, për të shkuar përtej marrëdhënies së ngushtë që i lidh bashkë nxënësit me mësuesit dhe për të krijuar hapësira qytetarie dhe komunitarizmi në mjedisin e edukimit. Sepse, në fund të fundit, shkolla, sipas nesh, nuk është vetëm vendi ku merren dije, por është edhe hapësira ku formohen qytetarët. Një nxënës i mirë nuk është domosdoshmërisht një qytetar i mirë, sepse një qytetar i mirë është më shumë sesa një nxënës i mirë apo sesa një njeri i mirë, është një njeri i angazhuar për më shumë sesa detyrat e veta personale, është një njeri i angazhuar për fatet e shkollës dhe për fatet e komunitetit ku jeton.

Në funksion të këtij angazhimi, ne duam t’i japim një mbështetje shumë të fortë komuniteteve përmes shkollës si qendër komunitare, për t’u angazhuar me projekte jashtëshkollore, të natyrave të ndryshme. Kjo sigurisht do të jetë pjesë e dialogut dhe e punës së përbashkët mes nesh, anëtarëve të kabinetit  qeveritar dhe drejtuesve të shkollave, trupave mësimore dhe trupave të nxënësve, për të diskutuar sëbashku dhe për të identifikuar projektet që stimulojnë bashkëjetesën në komunitet si një bashkëjetesë aktive, projekte që stimulojnë talentet e nxënësve, projekte që stimulojnë jetën kulturore, projekte që stimulojnë jetën sociale, projekte që stimulojnë aktivizimin qytetar të nxënësve dhe mësuesve si pjesë e komuniteteve, ku përmes idesh dhe përmes krijimit të grupeve të interesuara brenda shkollave mund të bëhet shumë më tepër për mjedisin në komunitet, mund të bëhet shumë më tepër për familjet në nevojë, mund të bëhet shumë më tepër për të moshuarit, mund të bëhet shumë më tepër edhe për vetë rininë.

Nga ana tjetër, ne jemi të gjithë të vetëdijshëm se sot jemi në kushtet kur na duhet të gjithëve sëbashku, qeverisë në radhë të parë, të bëjmë një sforco të jashtëzakonshme për të krijuar një rrugë rritjeje të qëndrueshme të punësimit. Por në këtë rrugë në kërkim të një pune, për fat të keq, pjesa dërrmuese, për të mos thënë të gjithë, të rinjtë në mënyrë të veçantë, por edhe të tjerët, e kërkojnë mundësinë e tyre tek shteti, e kërkojnë mundësinë e tyre përmes trokitjeve në dyert e shtetit dhe rrallëkush e shikon këtë mundësi përmes  vetes, përmes ideve të veta dhe përmes forcës që çdo individ ka që t’i krijojë vetes mundësinë e një pune, por jo vetëm të një pune për vete, por edhe të një pune për të tjerët.

Ky projekt do të na ndihmojnë që të komunikojmë dhe të nxisim tek nxënësit edhe ambicien apo talentin për të qenë sipërmarrës. Ne jetojmë në një vend ku figura e sipërmarrësit është njollosur në vite aq shumë, sa për njerëzit, të ashtuquajturit biznesmenë, pra, sipërmarrësit shihen si njerëz të dyshimtë, shihen si pjesëtarë të një bote plot hije dhe plot gjëra, të cilat duken jo vetëm të papastra, por edhe të rrezikshme. Në fakt, kjo është tërësisht e pavërtetë dhe ky është një mit për t’u shembur dhe për t’u zëvendësuar me figurën e sipërmarrësit si një figurë kyçe e shoqërisë sonë, për t’u zëvendësuar me figurën e sipërmarrësit si një model për t’u ndjekur, ashtu siç shumë të rinj natyrshëm kanë modelin e tyre në art, në muzikë, në sport, për mirë apo për keq, në politikë, duhet të kenë modelet e tyre edhe në sipërmarrje. Sepse janë pafund mundësitë e njeriut dhe janë të pafundme edhe talentet dhe dhuntitë në këtë vend, por ajo që duhet të bëjmë sëbashku është të luftojmë për ta thyer kornizën  shumë të ngushtë, brenda së cilës zhvillohet gjithë përpjekja e gjeneratës më të re, për të parë të ardhmen e vet.

Nga ana tjetër, besoj se është po kaq e rëndësishme që ne të investohemi sot për të luftuar me një mangësi të madhe, të trashëguar në vite, që ne e ndjejmë edhe në punën tonë. Ne e ndjejmë në punën e qeverisë, ne e ndjejmë në punën e institucioneve, ne e ndjejmë dhe do ta ndjejmë përditë e më shumë, në përpjekjen për t’u bërë anëtar të BE dhe kjo mungesë është boshllëku i madh që ka në shoqërinë tonë lidhur me projektimin. Me projektimin e ëndrrave, me projektimin e ambicieve, me projektimin e shpresave dhe me projektimin e nevojave. Çfarë dua të them me këtë? Dua të them që në hapësirën e mundësive që ofron shoqëria demokratike, shoqëria e hapur, janë të pafundme rrugët që përmes një projekti të mund të sigurosh jo vetëm vazhdimin dhe jetësimin e një ideje nga brenda teje në rrugën e mishërimit të saj në jetë, por mund të sigurosh financime dhe të mund të financosh veten dhe të punësosh edhe të tjerët. Mirëpo, për ta bërë këtë, duhet të mësosh në radhë të parë si bëhet një projekt dhe duhet të mësosh si ky projekt bëhet i besueshëm dhe i financueshëm nga të tjerët. George Sorosi është një nga mbështetësit e mëdhenj të ideve dhe ka një shprehje shumë të rëndësishme për gjithë angazhimet e tij: “Për kë më kërkon bukë nuk kam para, për kë ka një ide kam para.”  Dhe përmes financimit të ideve mund të ushqejmë shumë më tepër njerëz sesa përmes lëmoshës.

Së fundi për këtë pjesë, është e domosdoshme që ne të fusim qysh në shkollë dhe pastaj në universitet, kulturën e projektit, kulturën e të punuarit përmes projekteve, bindjen se janë projektet ato që bëjnë diferencën. Unë e kam thënë dhe ia them në mënyrë të vazhdueshme kolegëve të mi në kabinetin qeveritar shprehjen e Walt Disney. Walt Disney thoshte se “Dallimi midis ëndrrës dhe projektit është afati”. Çka do të thotë që të gjithën kemi ëndrra dhe nuk ka ëndërr të parealizueshme, përsa kohë ne jemi të aftë ta shikojmë me sy hapur, por për ta realizuar na duhet gjithmonë një projekt. Dallimi midis ëndrrës dhe projektit është sepse projekti ka një afat. Çka do të thotë se ka një rrugë përmes së cilës duhet të kalojmë që të bëjmë ëndrrën realitet.

Ideja e marrjes në patronazh nga anëtarët e kabinetit qeveritar të një numri shkollash shkon në këtë drejtim, për të krijuar përmes këtij numri shkollash bazën e një kulture të re të projektit, të projektit individual dhe të projektit në grup. Ambicia jonë është që këto shkolla, pasi të kemi marrë rezultatet që presim nga kjo fazë e parë, të bëhen mësues të shkollave të tjera, për të treguar sesi mund të bëhet e mundur që në vend që të themi vazhdimisht duam të bëjmë këtë, por s’kemi lekë, duam të bëjmë atë, po s’ka lekë, apo sa mirë të bënim këtë, por sikur të kishim lekë, të fillojmë të mendojmë ndryshe, ja sesi duam ta bëjmë këtë gjë dhe ja pse i duam këto lekë. E të jeni të sigurt që në Shqipëri dhe në BE ka shumë më tepër para, se çka projekte për t’i absorbuar ato para. Po të shikoni treguesit e financimeve të BE dhe rezultatet në thithjen e parave që janë aty, në dispozicion të vendeve për projekte, atëherë, menjëherë do të kuptoni se problem nuk janë paratë, problemi janë projektet.

Problemi janë projektet, sepse rrugët janë ëndrrat. Ëndrra ka kudo ku ka njerëz që gdhihen në mëngjes dhe që marrin frymë, por jo kudo ka projekte që i bën ëndrrat realitet. Nëse shohim klasifikimin e vendeve në thithjen e projekteve në BE, kuptojmë menjëherë se kjo është e lidhur drejtpërdrejtë me dijen, jo me ëndrrat. Është e lidhur drejtpërdrejtë me aftësinë për t’i kthyer ëndrrat në projekte dhe për të ndërtuar projekte të besueshme dhe të suksesshme. Jo rastësisht, vendet më të zhvilluara të BE marrin më shumë para dhe arrijnë të thithin pothuajse të gjithë shumën e parave që kanë në dispozicion. Por asnjë nga vendet e BE nuk i thith dot 100 përqind të parave që kanë në dispozicion, sepse sidoqoftë, edhe në vendet më të zhvilluara të BE, kapaciteti për të thithur të gjitha paratë në dispozicion dhe për t’i kthyer ëndrrat, ambiciet dhe aspiratat në realitet, nuk është 100 përqind. Nëse ne nisemi nga ideja se kush ka më shumë nevojë, padyshim, vendet më pak të zhvilluara të BE kanë më shumë nevojë, padyshim, vendet me ekonominë më të dobët në BE kanë më shumë nevoja. Pyetjes se pse këto vende marrin më pak para nga BE, më pak para nga ato që kanë në dispozicion, duhet t’i japim vetëm një përgjigje: Sepse dinë më pak.

Për të kaluar tek Shqipëria, në kuadrin e vendeve të rajonit tonë që nuk janë ende vend i BE, nëse bëjmë një analizë të fondeve që janë vënë në dispozicion të Shqipërisë në vite dhe të fondeve që ka arritur të thithë Shqipëria, unë jam i bindur se do të ndjehemi të gjithë shumë keq, siç ndjehem unë dhe siç ndjehemi ne që i bëjmë këto analiza. E nëse ju do t’i shikonit, të dashur mësues e të dashur nxënës, rezultatet, do të ndjeheshit të befasuar. Por nuk ka asnjë befasim. Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse për të marrë paratë dhe për të bërë paratë duhet dije, nuk duhet pasuri.

Kështu besoj që, modestish, ne me këtë iniciativë shkojmë në rrugën e duhur dhe hedhim bazat për të transformuar mjedisin e shkollës nga një mjedis ku jepen dije dhe merren dije, sipas lëndëve dhe ku nxënësit vlerësohen sipas asaj që dinë, në një mjedis ku përgatiten qytetarët e së nesërmes, qoftë për nga vetëdija qytetare, qoftë për nga aftësitë për t’u bërë të gatshëm të përballojnë një botë që nuk bëhet gjithmonë e më e lehtë, bëhet gjithmonë e më e vështirë. Duke pasur vetëdijen e plotë se nuk ka ëndërr që njeriu e sheh me sy hapur dhe që është e parealizueshme përderisa arrin ta shikojë, por për ta realizuar duhet me patjetër, aftësia dhe vullneti për të ndjekur rrugën e përcaktuar nga një projekt.

Bashkëngjitur me këtë iniciativë, sot ne jemi gati të lançojmë një iniciativë tjetër. Një iniciativë të një grupi kampionësh, kampionësh të sportit, të cilët janë prova e gjallë e gjithë kësaj që thashë më përpara. Njerëz që arritën të bëjnë sukses dhe arritën të ngrenë peshë zemrat e gjithë këtij populli, në një kohë shumë të vështirë. Në një kohë kur numri i palestrave në Shqipëri ishte shumë herë më i vogël se ç’është sot, në një kohë kur kushtet për të luajtur basketboll në Shqipëri ishin shumë herë më të këqija se ç’janë sot. Nuk po themi se sot janë të mira, por po themi se ishin shumë herë më të këqija. Në kushtet kur dijet lidhur me sportin, lidhur me përgatitjen fizike, teknike, psikologjike ishin shumë më të pakta se ç’janë sot. Por ky grup njerëzish, që në fakt nuk është një grup i mbledhur rastësisht, është një grup ku njerëzit i lidh me njëri-tjetrin historia e tyre e suksesit, është vënë në dispozicion të projektit të shkollës si qendër komunitare.

Secili prej këtyre kampionëve nga Gaz Çaçi tek Ilir Trebicka e me radhë, për të mos i përmendur të gjithë, pa harruar, nuk diskutohet, Mine Shkurti që është kampioni i kampionëve, por kjo asnjëherë nuk do të jetë një e vërtetë zyrtare në historinë e basketbollit, kanë marrë përsipër të marrin në patronazh palestrat e shkollave dhe t’i vihen në dispozicion të prindërve dhe fëmijëve që duan të mësojnë basketbollin. Të mësojnë basketbollin jo për t’u bërë domosdoshmërisht të gjithë si Gaz Çaçi apo Ilir Trebicka, se kjo nuk është e mundur, por për të pasur mundësinë e jashtëzakonshme të konsumimit të orëve të lira në një aktivitet që është përtej rezultatit të ndeshjes dhe që e bën njeriun të aftë të jetë shumë më i vetëdijshëm për rëndësinë e shoqërisë, për rëndësinë e të punuarit në skuadër dhe për rëndësinë e të qenit pjesë e një skuadre, brenda së cilës kultivohet solidariteti, brenda së cilës kultivohet ndjenja e përkatësisë ndaj skuadrës në emër të një qëllimi të përbashkët dhe brenda së cilës kultivohet ajo që është në fund të fundit, vetëdija e një qytetari dhe që është përmes qytetarit, vetëdija edhe e të marrit me politikë. E të marrit me politikë, njerëzve u ka ardhur si nevojë, atëherë kur kuptuan se vetëm nuk zgjidhin dot probleme të sigurisë së jetës së tyre dhe probleme të zhvillimit normal të mjedisit ku bashkëjetonin. Kështu, nga egërsia e njeriut që ha njeriun u kalua tek shoqëritë njëra pas tjetrës dhe erdhën sot tek shoqëria demokratike që është në fund të fundit, rezultat i gjithë këtij zinxhiri vlerash që kultivohen përmes vetëdijes së përkatësisë në një shoqëri.

Duke e mbyllur aty ku e preku drejtorja e gjimnazit të Shkodrës, unë vetë do të kem nderin e madh që të jem në dispozicion të dy gjimnazeve. Dy gjimnaze që janë vërtet dy shembuj të shkëlqyer përsa i përket rezultateve, dy gjimnaze që janë ndër më të shquarit në Shqipëri, edhe bazuar në rezultatet e Maturës Shtetërore, “28 nëntori” i Shkodrës dhe “Ali Demi” i Vlorës. Dy gjimnaze që kanë një histori të ndritur, por edhe dy gjimnaze që kanë edhe një sfidë sot, që të shkojnë përtej rezultateve, notave dhe plotësimit me sukses të detyrave të shtëpisë, duke u bërë shembuj të plotësimit me sukses të detyrave ndaj shoqërisë.

Jam i bindur që do të kemi shumë gjëra të reja në këtë rrugë dhe jam i bindur që do të kemi mundësinë që pas një periudhe jo të gjatë, këto gjimnaze, ashtu si edhe gjimnaze të tjera që janë përzgjedhur nga të gjithë ministrat, do të kthehen në pika referimi për të tjera gjimnaze dhe nga patronazhi i çdo anëtari të kabinetit për secilin gjimnaz do të kalojmë në patronazhin e secilit nga këto gjimnaze për një gjimnaz tjetër. Kështu në një zinxhir komunikimi dhe transmetimi të historive të suksesit do të mund t’i themi vetes se vumë bazën e fortë të shkollës qendër komunitare, ku nuk përgatiten vetëm nxënësit e mirë, por ku edukohen qytetarët e mirë, për të cilët ky vend ka dëshpërimisht nevojë. Pa pasur qytetarët e mirë, Shqipëria anëtare e Bashkimit Europian është një ëndërr që mund të mbetet një iluzion.

Faleminderit.

***

Në kremtim të Ditës së Mësuesit, Qeveria lancoi dy nisma të reja për fuqizimin e shkollës si qendër komunitare. Kryeministri Edi Rama bashkë me anëtarët e kabinetit qeveritar u takuan me drejtues dhe mësues nga shkolla të ndryshme të vendit. Nisma e parë angazhon çdo anëtar të qeverisë të marrë në patronazh një shkollë. Nisma e dytë vjen si një bashkëpunim me një grup figurash të spikatura të basketbollit shqiptar, të cilët  janë angazhuar të marrin në patronazh palestrat e shkollave dhe t’u vihen në dispozicion prindërve dhe fëmijëve që duan të mësojnë basketbollin.

Këto iniciativa synojnë t’i japin mbështetje transformimit të shkollës si qendër komunitare. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se ky projekt përbën tashmë një sukses dhe në ecurinë e tij i ka tejkaluar parashikimet. Në fillimet e tij u pilotuan 30 shkolla, por me kontributin e komunitetit, të biznesit dhe të partnerëve të Ministrisë së Arsimit, projekti është shtrirë në 180 shkolla në Shqipëri. “Është një risi për shkollën shqiptare, sepse besojmë ndajmë të njëjtën ide, sa më parë ne ta kthejmë shkollën të hapur për komunitetin, sa më parë ne të investojmë që shkolla të jetë djepi ku edukohen qytetarët e Shqipërisë europiane, aq më shpejt shoqëria jonë do të jetë europiane.”

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, duke dhënë mbështetjen e plotë për t’u bërë pjesë e këtij projekti, u shpreh se fokusi i këtij patronazhi është pjesa komunitare. “Ne do të merremi më tepër me pjesën komunitare, për t’i dhënë gjithkujt një hapësirë të re, një horizont të ri përmes projekteve që do të lindin nga ky bashkëpunim. Ka shumë talente mes nxënësve që nuk mund të spikasin dot në orët e kufizuara të mësimit, por u duhet një hapësirë tjetër ku këto talente të mund të spikasin.”

Në fund, Kryeministri dhe ministrat tërhoqën simbolikisht, çelësin e shkollës për të cilën do të kujdesen. Kryeministri Edi Rama do ketë në patronazh shkollën e mesme të përgjithshme “28 nëntori” në Shkodër dhe shkollën e mesme të përgjithshme “Ali Demi” në Vlorë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.