Tërmeti 6.4M i datës 26 nëntor shkaktoi 51 viktima dhe mbi 900 të plagosur, duke lënë pas qytete dhe fshatra të dëmtuar rëndë, përfshi edhe dy qytetet më të mëdha të vendit, kryeqytetin Tiranë dhe Durrësin.
Të dhënat paraprake flasin për mbi 13000 ndërtesa të shkatërruara plotësisht apo pjesërisht dhe rreth 10 mijë persona të mbetur pa shtëpi.
Ndonëse nuk kemi ende një faturë të plotë financiare, me ekipet e ekspertëve në terren që përditësojnë ditë pas dite listën e objekteve të dëmtuara, parashikimet tona flasin për një dëm prej qindra milionë eurosh, e mbase edhe më shumë se një miliardë.
Përveç asistencës imediate në strehim të përkohshëm, ushqim, trajtim mjekësor dhe arsim, ka nisur hartimi i një masterplani për rindërtimin e të gjithë banesave, bizneseve, shkollave apo qendrave shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti.
Megjithatë, me kapacitetet e kufizuara ekonomike të shtetit shqiptar, kemi nevojë për më shumë kontribute, në mënyrë që procesi i rindërtimit të nisë menjëherë.
Ndaj, ndërsa vendi përballet me sfidën më të rëndë të 40 viteve të fundit, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave, është shpresëplotë dhe mirënjohëse ndaj çdo kontributi që mund të ofroni.
Për çdo informacion apo kontribut të mëtejshëm, lutem kontaktoni në info@financa.gov.al apo faqen e dedikuar e-albania.al/dhuro