Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Bujqësisë Edmond Panariti morën pjesë në Forumin e Biznesit Shqipëri-Izrael, i cili u zhvillua në Tel Aviv, me iniciativën e Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Izrael, e krijuar kohët  e fundit.

Zëvendëskryeministri Peleshi tha se ky Forum do t’i japë marrëdhënieve mes dy vendeve një dimension të ri në fushën ekonomike. Peleshi bëri të ditur se takimet e zhvilluara atje ishin frytdhënëse në drejtim të përftimit të eksperiencave më të mira menaxhuese si në fushën e energjisë, turizmit, bujqësisë, etj.

Kështu, qeveria shqiptare mori garanci të plotë nga pala izraelite për t’u mbështetur nga ana teknike me ekspertizë, por edhe me skema të njohura si të suksesshme, të partneritetit publik-privat, për të adresuar problemin e ujit në Shqipëri. Në takime u diskutua edhe lidhur me projektet për ndërtimin e rrjetit të gazifikimit në Shqipëri, ku Izraeli ofron kontribut të veçantë, si nga biznesi ashtu dhe nga qeveria e këtij vendi.

Me interes të posaçëm nga pala izraelite u pritën diskutimet për  sektorin e turizmit, ku Shqipëria përmes potencialeve të panumërta që ofron, po tërheq gjithnjë e më tepër interesin jo vetëm të turistëve, por edhe të investitorëve izraelitë.

 

Lidhur me këtë vizitë, zëvendëskryeministri Peleshi, u shpreh:

“Ishte një Forum Ekonomik i iniciuar nga Dhoma e Tregtisë Shqipëri-Izrael, e cila është krijuar kohët e fundit. Ishte një Forum Ekonomik, i cili në fakt tregoi se marrëdhëniet tona me Izraelin nga marrëdhënie politike shumë të mira dhe historikisht të qëndrueshme, tani mund të kalojnë në një dimension tjetër, duke u zgjeruar edhe në fushën ekonomike.

Pjesëmarrja  e bizneseve të shumta nga sektorë  të ndryshëm të Izraelit në këtë forum tregoi që interesi ekziston nga pala izraelite. Ashtu sikundër edhe ne pretendojmë që ekonomia shqiptare sot për shkak të eksperiencës së akumuluar nga biznesi, për shkak të një modeli të ri ekonomik, i cili po instalohet nga qeveria e re me synimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, do i japë më shumë frymëmarrje investimeve vendase dhe të huaja si dhe mendojmë se do të ketë një vijimësi shumë të mirë.

U vijua me takime intensive ndërmjet bizneseve, të cilat mendojnë se do të kenë histori suksesi të ndërtuara mbi këto shkëmbime eksperiencash dhe mbi këtë komunikim të vendosur. Ndërkohë që së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti zhvilluam edhe takime të tjera në nivel qeveritar. Pas forumit, pata kënaqësinë të takoj Ministrin e Energjisë dhe Ujërave të Izraelit, zotin Silvan Shalom, me të cilin patëm një bisedë të shumë të frytshme dhe me shumë interes.

Izraeli ka një  histori suksesi dhe është një ndër shembujt më të mirë në botë, për mënyrën e menaxhimit të burimeve ujore. Izraeli ka menaxhuar mungesën e ujit dhe sot është një vend që i ka zgjidhur, madje i ka kaluar nevojat për ujë. Ndërkohë Shqipëria është modeli i kundërt, fatkeqësisht. Ne jemi vend me burime ujore nga më të pasurit në Evropë dhe nuk kemi ujë. Për këtë sfidë dhe angazhim të qeverisë shqiptare kemi marrë garanci të plotë nga pala izraelite për të na mbështetur nga ana teknike me ekspertizë, por edhe me skema të njohura si të  suksesshme të partneritetit publik privat për të adresuar problemin  e menaxhimit të burimeve ujore në Shqipëri.

Kur flasim për ujin nuk e kemi fjalën vetëm për ujin e pijshëm, i cili gjithashtu mungon dhe nuk është i mjaftueshëm për qytetet e fshatrat tona, por edhe për ujin në bujqësi, për ujin e lumenjve dhe liqeneve. Shqipëria është tërësisht e varur nga uji dhe për prodhimin e energjisë elektrike. Pothuaj 100% e prodhimit të energjisë vjen nëpërmjet HEC-ve. Pra, uji për ne është  shumë i rëndësishëm, ndërkohë që është i keqpërdorur. Ne jemi të vendosur të fillojmë me një masterplan të integruar të menaxhimit të ujërave, për të cilin kemi marrë mbështetjen e palës izraelite përmes asistencës teknike. Një grup ekspertësh pritet të vijnë shumë shpejt në Shqipëri. Ata do të ulen me një grup ekspertësh shqiptarë për të filluar punën në këtë drejtim. Sa i takon implementimit të këtij masterplani të madh të ujërave, kemi marrë në shqyrtim dhe kemi diskutuar forma të ndryshme të mbështetjes nëpërmjet marrëveshjeve ndërqeveritare, etj.

Shqipëria përmes projektit TAP, pas pak vitesh shpresojmë të ketë gazin.

Sfida jonë e së ardhmes së afërt është gazifikimi, ndërtimi i rrjetit të gazifikimit të vendit për ta çuar gazin në përdorimin familjar apo industrial. Me palën izraelite, qoftë në takimet zyrtare dhe në takimet me biznesin izraelit, kemi folur edhe për projektet tona të së ardhmes për lidhjen edhe të Kosovës me burimin e gazit në Shqipëri.

Mendoj që diskutimet do të pasohen nga histori suksesi, për shkak se kemi gjetur interes, qoftë nga biznesi izraelit, qoftë edhe nga qeveria izraelite përmes ministrave që takuam për të bashkëpunuar me ne në këtë fushë.

Po ashtu kemi prezantuar në këtë forum mundësitë e mëdha që ofron turizmi sot. Turizmi në Shqipëri për fat të keq nuk është ende një nga sektorët, ashtu siç duhet të jetë, me peshë në ekonominë shqiptare. Ne kemi edhe histori jo të suksesshme të zhvillimit apo të urbanizmit të zonave me potencial turistik, por për fat të mirë shumë zona që nuk kanë patur një infrastrukturë të zhvilluar urbane dhe rrugore janë ende të virgjëra, janë ende në dispozicion dhe një aset i rëndësishëm për të zhvilluar partneritet publiko-privat, për të zhvilluar struktura hoteliere, të cilat do të jenë të afta të akomodojnë  një numër të madh turistësh. Interesi qoftë i turistëve izraelitë, qoftë edhe nga operatorët e biznesit, nuk mungon. Ky ishte sinjali që morëm nga ky forum. Na mbetet ne të tregojmë kapacitetet dhe aftësitë e duhura në ndërtimin e bashkëpunimit që do të çojë në zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori, për ta kthyer turizmin shqiptar, përgjatë 300 apo 400 kilometrave të vijës bregdetare që ne kemi, në një turizëm jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të huajt.

Potenciali është shumë i madh dhe interesi nuk mungon”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.