Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë për shtyp e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, Ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

 

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja:

Midis projektligjeve dhe vendimeve që u miratuan sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është dhe miratimi i vendimit për transferimin e një fondi, Komunës së Preshevës për nevojat  e funksionimit normal të maternitetit të Preshevës. Është një zotim i yni, edhe programor, për të mbështetur shqiptarët në Luginë. Është një detyrim edhe nga vendimi i përbashkët në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Republikës së Kosovës, që u zhvillua në fillim të janarit. Sot ai angazhim kthehet në realitet. Ne vazhdojmë të jemi në kontakte të afërta me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, me drejtuesit e Komunës së Preshevës, për të vijuar  brenda hapësirave, jo shumë të mëdha financiare që kemi, për të ndërtuar edhe projekte të tjera, në të mirë të kujdesit shëndetësor të shqiptarëve që jetojnë në Luginë.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani:

Po në këtë kuadër të bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë edhe unë kam kënaqësinë të njoftoj Vendimin e Këshillit të Ministrave për miratimin e Marrëveshjes së Përbashkët midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me shmangien e tatimit të dyfishtë  mbi të ardhurat dhe kapitalin, si dhe parandalimin e evazionit fiskal mes të dy vendeve. Është  një marrëveshje në dobi të biznesit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë. Për të gjithë ata biznesmenë që zhvillojnë aktivitetin e biznesit si në Kosovë dhe në Shqipëri rritet besimi, rritet siguria për shmangien e tatimit  në të dy vendet. Pra, kjo marrëveshje lejon tatim vetëm në njërin nga vendet për bizneset që zhvillojnë aktivitet në të dy vendet. Natyrisht që, edhe kjo marrëveshje vjen në kuadrin  e mbledhjes së përbashkët që qeveritë tona patën në Prizren. Në këtë mënyrë ne realizojmë hap pas hapi zotimet që kemi marrë për popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar në Shqipëri, lidhur me integrimin e ekonomisë dhe integrimin e biznesit të Shqipërisë dhe Kosovës, në dobi reciproke për të dyja palët.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri:

Sot qeveria, në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Ministrave për t’i dhënë qytetarëve shqiptarë më shumë siguri, inovacion dhe progres,  miratoi dy vendime mjaft të rëndësishme në fushën e sigurisë, që nga njëra anë zhvillojnë më tutje atë që nisëm dje, që është hapja e procesit të konkurrimit për mbi 10 mijë të rinj e të reja për Akademinë e Policisë.

Në këtë kuadër, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin sipas të cilit fëmijët  e policëve të rënë në krye të detyrës, do të hyjnë në Akademinë e Policisë pa kaluar në procedurat standard, që janë të vlefshme për aplikantët dhe konkurrentëte tjerë. Kjo, në shenjë mirënjohje ndaj punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, por njëkohësisht në shenjë të vetëdijes tonë të lartë dhe angazhimit të qeverisë për të garantuar siguri maksimale për qytetarët shqiptarë nëpërmjet formimit, kualifikimit të punonjësve të policisë në Akademinë e Policisë.

Vendimi i dytë ka të bëjë përsëri me përfundimin e një debati tërësisht të panevojshëm, aspak të shëndoshë dhe që mbi të gjitha ndikoi padrejtësisht në pasigurinë e qytetarëve.

Jeni bërë me dije, gjatë javëve të kaluara, të disa pretendimeve nga Bashkia e Tiranës lidhur me varrezat në Tiranë. Ne gjykojmë që kjo ishte një papërgjegjshmëri dhe zvarritje tërësisht e panevojshme nga pushteti vendor dhe nga Bashka Tiranë, duke shtuar pasigurinë e qytetarëve dhe njëkohësisht, në mënyrë eksponenciale, duke shtuar dozën e politizimit të çështjeve të cilat s’kanë nevojë të politizohen.

Sot, Qeveria, me propozim të Ministrit të Punëve të Brendshme, miratoi vendimin “Për shpronësimin e pronarëve të cilët preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike Sharrë, faza 4 dhe Shtish-Tufinë, Faza 3 dhe 4 Bashkia Tiranë”.

Fondi i parashikuar është 5 187 840 milionë lekë, ndërkohë që fondi për kompensimin e pronarëve që do të shpronësohen do të përballohet nga buxheti i miratuar i Bashkisë Tiranë, 2014.

Miratimi i këtij vendimi mundëson zgjidhjen njëherë e mirë të situatës për të zhbllokuar ngërçin padrejtësisht të krijuar nga Bashkia Tiranë, mundëson likuidimin e pronarëve, si dhe realizimin e investimit të kërkuar në të dy vendndodhjet. Bëhet fjalë për një sipërfaqe në total 36 000 m2, respektivisht të ndara në 10 000 m2 që shpronësohen në Sharrë dhe 26 000 m2 në Shtish-Tufinë.

Më duhet t’ju bëj me dije, siç kemi pasur rast edhe më përpara, që dosja për shpronësim në Ministrinë e Punëve të Brendshme është dorëzuar në qershor të vitit 2013, në kohën kur  Ministria e Punëve të Brendshme drejtohej nga administrata e kaluar dhe në kohën kur qeveria drejtohej nga përfaqësuesit e opozitës sot.

Dua të ndaj me ju besimin tonë, se në rast se qeveria e kaluar, Kryeministri i shkuar, administrata e kaluar do të kishte pasur vëmendjen për t’i ofruar më shumë siguri qytetarëve dhe për të zgjidhur njëherë e mirë problemet që kanë të bëjnë me komunitetin, me shumë gjasë, kjo çështje nuk do të mbërrinte deri sot. Në rast se në atë kohë nuk do të ishin marrë me SHQUP-in, po do ishin marrë me qytetarët dhe me shpronësimin e domosdoshëm për të garantuar që ky shërbim t’i ofrohej qytetarëve dhe të mos kthehej në problem, me shumë gjasë, kjo çështje nuk do mbërrinte deri sot. Për këtë arsye Ministria e Punëve të Brendshme që në ditët e para të ushtrimit të detyrës mori në shqyrtim me procedura emergjente dosjen e depozituar dhe të pluhurosur, kontaktoi menjëherë me pushtetin vendor për t’i dhënë zgjedhje të menjëhershme këtij problemi. Por u detyruam të rikthenim dosjen, pasi vendimi i Këshillit Bashkiak kishte mbërritur në dosjen e dorëzuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme i pa firmosur dhe pa numër vendimi, pa konfirmimin e Prefektit të asaj kohe dhe i gjithë dokumentacioni ishte i pafirmosur nga ana e kryetarit të Bashkisë. Në këto kushte, dokumentacioni bëhej i pamundur për t’u marrë në shqyrtim, sepse nuk ekzistonin as kriteret formale për ta marrë në shqyrtim këtë dokumentacion.

Unë e kuptoj që koha mund të ketë qenë e ngarkuar me angazhime politike ose angazhime të tjera, të papërputhshme me interesin e qytetarëve, por do të ishte e udhës që në atë kohë kjo procedurë dhe ky dokumentacion të mbërrinte në Ministrinë e Punëve të Brendshme të paktën formalisht i saktë, minimalisht me firmën e kryetarit të Bashkisë. Në këto kushte u detyruam që ta kthejmë dokumentacionin dhe t’i kërkojmë Bashkisë Tiranë të bëj plotësimet  e nevojshme dhe të marrë masat e menjëhershme për të kthyer ne legjitimitet procedurën e nisur dhe depozituar që në qershorin e vitit të kaluar, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në pikëpamjen tonë ishte e panatyrshme dhe e paarsyeshme të shpenzohej një muaj kohë që të ktheheshin përsëri dokumentet në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga Bashkia Tiranë, vetëm për firma. Në qoftë se duhej 1 muaj kohë vetëm për një firmë të kryetarit të Bashkisë për të ardhur përsëri dokumentet, kjo për ne ishte një vonesë e panevojshme karshi qytetarëve.

Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme, me procedura urgjente, miratoi të gjitha hapat që duheshin miratuar bashkërisht bashkë me Bashkinë e Tiranës dhe i paraqiti Këshillit të Ministrave, projektvendimin që u miratua sot.

Me lejoni të theksoj që zgjidhja që ofron vendimi që miratuam sot është përsëri e përkohshme. Hapësira e shpronësuar ofron zgjidhje për një hark kohor që nuk shkon më shumë sesa 2-3 vjet, respektivisht edhe për vendndodhjen Sharrë dhe Shtish-Tufinë. Kemi kërkuar vazhdimisht nga Bashkia Tiranë të mbajë parasysh angazhimin publik dhe t’i ofrojë Qeverisë zgjidhje permanente për çështjen e varrezave, duke qenë të hapur të marrim parasysh çdo zgjidhje për t’i dhënë siguri maksimale qytetarëve. Asnjë zgjidhje nuk është ofruar.

Ndaj, për këtë arsye, për të mos lejuar zvarritjen e mëtejshme të zgjidhjes definitive të kësaj çështje dhe për të garantuar sigurinë maksimale për qytetarët, shërbim cilësor ndaj qytetarëve, Qeveria dhe Kryeministri miratuan ngritjen e një Grupi Pune, që duke marrë parasysh zgjidhjet, amendimet ligjore të akteve nënligjore dhe të gjithë kuadrit që rregullon plotësisht këtë fushë, të bëjmë ndryshimet e nevojshme për të parashikuar në të ardhmen dhe për t’i dhënë zgjidhje definitive çështjes së varrezave, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Republikën e Shqipërisë.

Ne ndajmë vetëdijen që me shpronësime nuk mund të shtyhet gjatë. Ne ndajmë bindjen që çështja e varrezave në Republikën e Shqipërisë meriton një zgjidhje definitive, duke përfshirë ndryshime të atilla në ligj dhe në kuadrin ligjor, që të mos na çojnë përpara me zvarritje shpronësimesh pafund dhe të mbushim hartën e Shqipërisë me varreza pafund, por t’i japim një zgjidhje përfundimtare kësaj çështje, për t’i garantuar qytetarëve, e ritheksoj, shërbim cilësor dhe siguri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.