Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj, pas përfundimit të mbledhjes së 5-të të përbashkët mes dy qeverive:
Kryeministri Ramush Haradinaj: Faleminderit shumë!
Përshëndetje media të nderuara!
Kam kënaqësinë të prezantoj para jush sot, sëbashku me Kryeministrin Rama, pas përmbylljes të punës së mbledhjes së 5-të të dy qeverive, një mbledhje e suksesshme, një takim i suksesshëm. Kemi arritur dakordësinë për 9 marrëveshje dhe protokolle të përbashkëta, njëkohësisht kemi edhe objektiva para nesh. Ajo që do të veçoja sot është dhe një studim analitik për shqiptarët në vitin 2025, që mendoj që është dhe kjo një perspektivë për atë që si do të rrugëtojmë nga këtu e tutje. Duke mos dashur të përsëris të gjithë ato që kanë ndodhur në takimin e qeverisë, mund t’ju them se jemi në rrugë të mirë, Kosovë – Shqipëri, për unifikim të një tregu ekonomik, por jo vetëm kaq dhe rrugëtimi ynë më tutje ka qartësi më të madhe nga takimi i sotëm.
Falenderoj Kryeministrin Rama, kabinetin qeveritar, Këshillin e Ministrave të Shqipërisë dhe shpreh një falënderim të posaçëm gjithashtu për kolegët e mi të kabinetit qeverisës dhe për gjithë stafin tjetër, që kanë përgatitur një mbledhje të suksesshme. Ju faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit!
Ishte një mbledhje me një rëndësi të veçantë në një moment të veçantë për arsyet që dihen. Më vjen shumë mirë të nënvizoj se në vazhdën e mbledhjeve mes dy qeverive, kjo është mbledhja me produktin më konkret, pasi proceset e nisura në mbledhjet e mëparshme janë në një fazë materializimi dhe dua t’i përmend, së pari, procesi i nisur për heqjen e barrierave tarifore dhe jo tarifore është konkretizuar.
Brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm nuk do ketë më asnjë lloj barriere tarifore, ose jo tarifore mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Përshembull, një nga elementët, 42 certifikata dhe dokumente vetëm në fushën e shkëmbimeve tregtare, që lidhen me gjënë e gjallë, apo me produktet e tjera bujqësore, do të hiqen e kështu do të hiqen edhe të tjera.
Ashtu sikundër do të bëhet njohja e ndërsjellë e patentave, apo ashtu sikundër do të bëhet e mundur që në pikat e kontrollit kufitar të vlejë vetëm dokumenti i njërës palë. Pra, kush vjen nga Kosova në Shqipëri, mjafton dokumentet e Kosovës për të hyrë normalisht e për të vazhduar veprimtarinë ekonomike tregtare në Shqipëri dhe anasjelltas.
Ky është një hap i madh, është një hap shembullor dhe ne ja ofrojmë këtë shembull të gjithë rajonit. Kjo është gjëja që duhet bërë me gjithë rajonin dhe kush e sheh bashkëpunimin Shqipëri – Kosovë me sytë e të shkuarës është i ftuar ta shikojë me sytë e të ardhmes.
E ardhmja kërkon që të mos ketë barriera tarifore dhe jo tarifore dhe këtu sjell në vëmendje atë moment që ka krijuar shumë debat, që lidhet me tarifën 100% të vendosur nga qeveria e Kosovës, e cila, e përsëris, nuk është një veprim ekonomik, por është një reagim i qartë politik dhe një ftesë për Serbinë për të zbritur me këmbë në tokë dhe për të kuptuar se rruga e të ardhmes nuk mund të ndërtohet me thika pas shpine ndaj shqiptarëve dhe me procese reaksioni negativ, sa herë që Kosova shfaqet për të marrë një certifikatë hyrjeje në një institucion ndërkombëtar. Më e fundit, përpjekja e bërë për ta penguar Kosovën të hyjë në Interpol është një përpjekje e radhës, e pajustifikueshme, pasi në fund të fundit është hyrja në një organizim global për të luftuar krimin.
Së dyti, doganat. Ne do të shkojmë drejt bashkimit doganor. E kemi thënë me kohë, sot hedhim hapin e parë. Që nga 1 janari, Kosova do të ketë pikën e vet të tranzitit në Durrës dhe pastaj brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm do të materializohen hapa të tjerë drejt bashkimit doganor.
Përmenda Interpolin, mund të kisha përmendur UNESCO-n, po vij tek roaming-u.
Serbia shkon në të kundërt të asaj që është rruga e të ardhmes, duke përjashtuar praktikisht Kosovën nga marrëveshja e roaming-ut e duke na vënë ne në detyrimin që ta bëjmë bashkë, Shqipëria dhe Kosova, pa roaming brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Po ashtu e përmendi Kryeministri Haradinaj, pikën kufitare të Morinës, një pikë kufitare ku krijohen radha të gjata që pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, do kthehet në një pikë fluide kontrolli të përbashkët, sipas standardeve europiane. Të dyja policitë dhe të dyja doganat do të operojnë në një pikë, bashkërisht dhe do të krijohet mundësia e lëvizjes së lirë, ashtu sikundër do dëshironim ta shikonim një orë e më parë lëvizen e lirë të shqiptarëve të Kosovës në Bashkimin Europian. Është e papranueshme dhe e pajustifikueshme që shqiptarët e Kosovës vazhdojnë mbahen peng i dinamikave të brendshme dhe i zgjedhjeve në vendet e Bashkimit Europian. Presin të mbarojnë një herë zgjedhjet këtu, të vazhdojnë zgjedhjet atje, të mbarojnë zgjedhjet atje, po jo se kemi edhe zgjedhjet europiane, ndërkohë që na kanë ardhur këtu, na kanë ardhur në Tiranë dhe na kanë rrokanisur kokën, “kaloni demarkacionin me Malin e zi dhe pastaj do ju heqim vizat”.
Ndërkohë që Serbia, jo vetëm që nuk ka viza, por është në kapitullin e negocimit, pa e njohur fare Kosovën. Kosova duhet të bënte demarkacionin, një shtesë kati pa leje, si të thuash, në kuptimin figurativ.
Kosova e bëri atë dhe tani nuk kuptohet mirë, ose më saktë, kuptohet po nuk thuhet, që prisni një herë se kemi ca halle ne këtu, se na mërziten ekstremistët këtu e na mërziten ekstremistët atje. Kjo është e papranueshme. Sigurisht, ne jemi të vegjël për të pasur forcën t’i ndryshojmë këto gjëra në konfiguracionet e shteteve më të mëdha, që kanë edhe gurin, edhe arrën në dorë, por ne sidoqoftë jemi gjallë, nuk kemi vdekur akoma. E në këtë aspekt, ne do të vazhdojmë të çojmë përpara proceset e shqiptarëve për shqiptarët.
Dokumenti analitik që do të financohet nga të dy qeveritë për Ministritë e Jashtme, që do të bashkëpunojnë si një grup i vetëm, me konsulencën më të specializuar ndërkombëtare, është një dokument që synon të krijojë vizionin strategjik të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, 2025, 2030, 2035, 2050.
Demografia, potencialet e zhvillimit ekonomik, sistemet politike e kështu me radhë. Ne do të ecim të vendosur në rrugën e bashkimit të shqiptarëve. E duam këtë bashkim nën ombrellën e Bashkimit Europian dhe e duam një orë e më parë. Askush nuk ka për të na penguar e askush nuk ka për të na detyruar që të pranojmë në vazhdimësi të gëlltisim njëri pas tjetrit, akte dhe veprime që i bien ndesh gjithë filozofisë sonë të bashkëpunimit.
Unë përfitoj nga rasti të theksoj, Shqipëria është e vendosur të ndërtojë një partneritet strategjik me Serbinë, por Serbia nuk mund të ketë një fytyrë për Shqipërinë, një fytyrë për Kosovën. Kjo për ne është e papranueshme. Është e papranueshme që, ndërkohë që Serbia pengon çdo lloj malli të hyjë nga Kosova në Serbi, vazhdon pretendon që të hyjë në Kosovë me dokumente Kosovo – Metohie. Metohien ta mbajnë për vete. Kjo është Republika e Kosovës dhe kjo është diçka që nuk lëvizet, nuk negociohet e nuk diskutohet më.
Ne duam që të shkojmë në rrugën e të ardhmes të gjithë sëbashku, shqiptarë dhe serbë, serbë dhe shqiptarë. Por ama, nga ana tjetër, nëse Kosova e ka kapërcyer të shkuarën, nëse Kosova ka ndërtuar këtu në këtë vend, shembullin më të shkëlqyer të respektit për minoritetin dhe nëse serbët në Kosovë gëzojnë liri, të drejta dhe kujdes që nuk ka minoritet që e gëzon në të gjithë rajonin, lëre më pastaj shqiptarët në Serbi, kjo nuk mund të jetë diçka që të merret si e dhënë qyl.
Ashtu sikundër, kjo nuk mund të jetë një arsye që Serbia të bëjë viktimën para Kosovës. Serbia nuk është viktimë. Kosova është viktimë dhe është koha që gjërat të shikohen drejt në sy dhe gjërat të marrin fund, ashtu siç dëshirojmë për vete, edhe për fqinjët serbë, edhe për të gjithë rajonin dhe të mos na tregojnë shumë përralla dhe miqtë tanë europianë, të mos na kërkojnë më shumë sesa na mbajnë gjunjët, ndërkohë që Serbinë vazhdojnë e përkëdhelin në një formë që është e papranueshme.
Serbia duhet të jetë reciproke në të gjitha hapat e në të gjithë planin për bashkëpunim dhe për ndërveprim. Tarifa 100% është irracionale në kushte racionaliteti, por në kushte të një sjellje anormale të Serbisë ndaj Kosovës është e vetmja përgjigje normale për Serbinë. Ne e mbështesim 100% dhe ne do vazhdojmë të jemi 100% në krah të Kosovës, në krah të qeverisë së Kosovës, përtej të gjitha të tjerave.
E thashë në fjalimin tim dhe këtu e mbyll, që kam dëgjuar dje rrëfimin e Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale të Kosovës, i cili ishte në Beograd, për të shprehur të gjithë vullnetin e mirë për të qenë bashkëpunues, në kuadër të një iniciative të përbashkët dhe e mbajnë deri në dy të natës, me presione, në anglisht jo në serbisht, presione të përbashkëta të partnerëve në Beograd dhe në Bruksel, që ai të heqë fjalën Republika e Kosovës në fjalimin e tij.
Kjo është përtej çdo mundësie për ta imagjinuar. Nëse ne e pranojmë dhe nuk i themi serbëve, mos thoni Kosovo – Metohie kur jemi bashkë, si mundet serbët të imponojnë se çfarë themi ne kur jemi bashkë. Nëse nuk jemi dakord, kemi rënë dakord të mos jemi dakord. Për ne, Kosova është e pavarur dhe është e padiskutueshme. Nëse ata duan ta diskutojnë, të vazhdojnë ta diskutojnë sa të duan, por Shqipëria dhe Kosova do të ecin dorë për dore, krah për krah, si shqiponja dy krenare.
Shumë faleminderit!
Kam një pyetje për Kryeministrin Rama. Ju besoj jeni njohur dhe në vijimësi në lidhje me debatin që është këtu në Kosovë sa i përket korrigjimit të kufijve me Serbinë. Cili është qëndrimi i Shqipërisë për këtë çështje?
Kryeministri Edi Rama: Qëndrimi im është ai që kam shprehur që në fillim. Kjo është një çështje, e cila duhet trajtuar me një vizion të qartë strategjik dhe na takon të gjithëve që të ulemi dhe të diskutojmë e të shikojmë të ardhmen në mënyrë të qartë dhe strategjike. Sot është e qartë që jemi në një fazë ku duhet ndarë shapi nga sheqeri. Nuk mund të vazhdohet me historinë e një dialogu që ecën, ecën, ecën me fotografi e me takime, por nuk gjen zbatim në realitetin konkret të bashkëjetesës në të njëjtën tokë mes shqiptarëve dhe serbëve, në tokën e rajonit tonë. Pra, për mua asgjë nuk duhet përjashtuar. Gjithçka duhet parë me sytë e të ardhmes dhe me një qëllim të vetëm. Shqiptarët nuk mund të jenë më të ndarë. Shqiptarët duhet të bashkohen. Duhet të bashkohen në kontekstin e zhvillimeve të Bashkimit Europian. Duhet të bashkohen si një komb me dy shtete që dëshirojnë të jetojnë pa asnjë kufi me njëri-tjetrin.
Zoti Rama, a mund të na tregosh për qëndrimin zyrtar që ka qeveria juaj për idenë e … u përgjigje në pyetjen e koleges, por më konkret të jesh, sepse shumëkush në Kosovë thotë se ju paskësh marrëveshje me Vuçiçin, diçka të fshehtë për ndarjen territoriale të Kosovës?
Një pyetje për ju, Zoti Haradinaj. A mund të na tregosh, a jeni penduar që ke votuar demarkacionin, kur dëgjon edhe Kryeministrin shqiptar duke thënë se po del që është një gabim i madh kjo?
Kryeministri Edi Rama: Ku e dëgjove këtë? Apo në kazan?
Cilën?
Kryeministri Edi Rama: Prit se jam unë këtu. Kur të shkosh te kazani, mund t’i thuash këto, por me mua këtu… Ku e dëgjove që thashë është një gabim i madh? Unë s’thashë është gabim i madh.
E përmende disa herë. Demarkacioni…
Kryeministri Edi Rama: Nuk thashë është gabim i madh. Shko në kazan dhe fol çfarë të duash, por këtu, kur jam unë këtu përballë, ti flet nga kazani.
Po kështu u interpretua, nëse e përmendët disa herë, atëherë del që është gabim.
Kryeministri Edi Rama: Unë jam këtu. Jam gjallë akoma. Këtu jam. Po deshe hajde më prek, ta kuptosh, jam gjallë.
Dhe një pyetje tjetër. A jeni sqaruar me ministrin Ahmetaj për deklarimin e tij që nuk ka qenë në favor të Kosovës dhe më pas doli se ai u pendua dhe e shujti atë postimin që e ka pas?
Kryeministri Edi Rama: Ministri Ahmetaj nuk është penduar dhe nuk ka për çfarë të pendohet. Ministri Ahmetaj ka folur në parim dhe ka thënë, në parim tarifat janë të pashëndetshme për ekonominë. Patjetër, për ekonominë, në një kontekst bashkëpunimi, tarifat janë të pashëndetshme. Por, nga ana tjetër, ajo që thashë dhe e përsëris, është se këtu nuk jemi në kushtet e një vendimi me natyrë ekonomike. Nuk është një luftë tregtare që ka hapur Kosova me Serbinë. Dhe këtë ta dëgjojnë mirë edhe serbët, ta dëgjojnë mirë edhe miqtë e partnerët tanë europianë. Nuk është në kuadrin e një lufte tregtare. Është reagim politik ndaj një shteti fqinj që tjetër thotë e tjetër bën, ndaj një shteti fqinj që hiqet si viktimë në raport me Kosovën dhe që gjatë të gjithë kohës i ngul thika pas shpine Kosovës. Është reagimi më normal në një situatë marrëdhëniesh anormale. Nuk është reagim i natyrës ekonomike, është reagim i natyrës politike. Nuk mundet dot të vazhdojë Kosova të pranojë që mallrat e Kosovës të jenë të palejuara për të hyrë në Serbi dhe mallrat e Serbisë të hyjnë në Kosovë me shpjegimin që jeni në kushtet e tregtisë së lirë.
Tregti e lirë, si?
Tregti e lirë nga njëra anë vetëm, që, kur është puna për të sjellë mallra serbe në Kosovë, hyhet si në tregti të lirë, kur është puna për të çuar mallrat e Kosovës në Serbi jemi në gjendje lufte?!
Kjo është ajo që plotëson kuadrin.
Pra, ju e keni zakon që thoni fjalën e fundit të parën. Kurse, për sa na takon, ne i themi fjalët me radhë. Ministri i Financave dhe i Ekonomisë së Shqipërisë ka thënë diçka krejt normale, tarifat nuk janë shëndetshme në një situatë shkëmbimesh tregtare mes dy vendeve që jetojnë në normalitet. Mirëpo këtu s’jemi në këto kushte. Këtu jemi në kushtet kur akoma ata dhe imagjinoni për një moment që të niset një kamion nga Kosova me “Republika e Kosovës” dhe të hyjë në kufi atje, kurse këtu vazhdojnë të hyjnë “Kosovo – Metohia”, “Kosovo – Metohia”. Çfarë janë këto “Kosovo – Metohia”? Metohia është në fjalimet dhe në Beograd. Nuk është këtu. Ky është thelbi, prandaj ministri nuk ka pse të pendohet, ndërkohë që duhet të pendoheni ju për të gjithë sulmet e padrejta që i keni bërë ministrit për diçka krejt normale që ka thënë.
Përsa i përket asaj të demarkacionit, po ta sqaroj dhe njëherë, Kosova ka bërë gjënë e duhur që ka vendosur vijën e kufirit me një vend partner, me një vend mik dhe me një fqinj me rëndësi strategjike, që është Mali i Zi. Por ajo që thashë unë, dyfytyrësia e Bashkimit Europian; Nga njëra anë, Serbia akoma s’njeh Kosovën dhe vazhdon hap kapitujt; Nga ana tjetër, Kosovës i thuhet, bëj demarkacionin që të të japim lirinë e lëvizjes. Në një kontinent, siç është kontinenti europian, i vetmi popull që nuk lëviz dot i lirë është populli që ishte nën diktaturë dhe lëvizte i lirë me pasaporta jugosllave, ndërkohë që është sot, një popull që jeton në shtetin e tij të pavarur dhe nuk i lejohet lëvizja e lirë. Si shpjegohet kjo?
Dhe i kërkohet demarkacioni. Bëhet demarkacioni, tani na del një gjë tjetër. Pastaj do dalë një gjë tjetër. Sot, Kosova është peng i dinamikave të politikave të brendshme në vendet e tjera. Kjo është diçka e papranueshme për ne. Kjo është gjëja që thashë unë, i dashur! Më kuptove tani më qartë, apo ke nevojë akoma për shpjegime?
Përsa i përket çështjes së korrigjimit, unë një gjë kam për të thënë, Hashim Thaçi është Presidenti i Kosovës dhe Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kush ngre dorën ndaj Hashim Thaçit, duke e quajtur tradhtar, është një gomar. Këtë di të them unë. Të tjerat pastaj janë çështje që i takojnë një debati të brendshëm. Janë çështje që i takojnë ndërtimit të një vizioni strategjik për të ardhmen e Kosovës. Këtu nuk është çështja çfarë mendon njeri, çfarë mendon tjetri. Këtu është çështja që ne të gjejmë rrugën e duhur, strategjike, që shqiptarët të jenë bashkë, jo bashkë me fjalime, por bashkë në realitet, që shqiptarët të bashkohen, që ajo shqiponja dykrenare të jetë një dhe Shqipëria dhe Kosova të jenë një në çdo drejtim dhe në çdo aspekt.
Kryeministri Ramush Haradinaj: Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi është një arritje e përbashkët Kosovë – Mal i Zi, duke pas parasysh edhe gatishmërinë e Malit të Zi për dakordim për korrigjim në dy drejtime, në atë të Çakorrit dhe atë të Kullës. Unë kam besim që do të respektohet ky obligim i ndërsjellë dhe duke ditur faktin që Mali i Zi, jo vetëm që është fqinj, por është dhe një partner shumë i besueshëm i Kosovës, për të cilin ne kemi respekt e po ashtu e ndjejmë nevojën që me Malin e Zi të krijojmë lidhje infrastrukturore. Lidhjet e tjera i kemi, politike, të sigurisë, por infrastrukturoret na mungojnë. Kemi nevojë për dy rrugë që të çojnë në Plavë, kjo që kalon përmes Grykës së Rugovës, një tjetër po ashtu, edhe për një tunel që na lidh me Rozhajën, që nuk është shumë i kushtueshëm e për të cilin jemi duke punuar. Pra, nëse marrim çdo vend tjetër fqinj, Serbinë, Maqedoninë, Shqipërinë mos ta quaj vend fqinj, ne kemi lidhje shumë të mira infrastrukturore. Përshembull, kemi kryer ato rrugët tona në drejtim tani të Maqedonisë, në drejtim të Serbisë, por kemi lidhje të dobëta infrastrukturore me Malin e Zi. E shfrytëzojmë Rrugën e Kombit deri në Shkodër, por përsëri është kohë e gjatë dhe do të punojmë që ta kemi.
Është diskutuar shumë dhe shfrytëzoj rastin, për taksën e rrugës, 5 euro, që e paguajmë ne. E di që është folur shumë, por unë e kam një shqetësim më të madh dhe i kam kërkuar Kryeministrit Rama mundësinë që të përmbyllet, pra, të kryhet rruga. Më kujtohet kur e ka nisur atëherë Zoti Nano, i shpërthente ato gurët me ushtri, edhe Kryeministri Majko, pastaj Kryeministri Berisha e ka sjellë në gjendjen ku është sot, por nuk është kryer rruga. I takon Kryeministrit Rama ta përmbyllë Rrugën e Kombit. S’bën me e lënë ashtu, pa kufi. Është një kërkesë legjitime e qytetarëve të Kosovës. Ne jemi në gjendje të paguajmë aq sa duhet të paguajmë, por e kërkojmë po ashtu rrugën që të jetë e përfunduar, sepse është në kohë dhe kostoja rritet jo vetëm nga ato që paguajmë, por kosto rritet kur nuk është e përfunduar rruga.
Tani, sa i takon ndarjeve, e kam një darkë shumë domethënëse në këtë hotel, në 1999, qershor. Më ka thirrur gjenerali Del Vechio, i italianëve. Unë kam qenë në UÇK. Hera e parë që kam hyrë në Pejë me ftesë të tij. Kur kam ardhur këtu, ai kishte çarçafë të bardhë, – e kam thënë shpesh, – ne ishim me ato rroba që kishim qëndruar me muaj tërë dhe kemi dalë në ballkon dhe e kam parë Pejën shkrumb e hi. Vetëm era shkrumb vinte. E kuptoni këtë? Edhe plot dhimbje. Por nuk ka ndodhur ndarja. Kush mendon që merr tokë nga Kosova e ka gabim, a ishte i Kosovës, a ishte i Shqipërisë, a i kujtdo qoftë, asnjë metër e Kosovës nuk merret më. A ishte Ramushi, a ishte Edi, a ishte Hahim Thaçi, a kushdo tjetër, gabon rëndë. Kjo është tokë e shqiptarëve, e lame me gjak. 17 Shkurti nuk preket më. Duhet ta dijë gjithkush këtë. Këtë po e them për faktin se ne s’mund të hapim të gjithë vendimet tona. Ne vendimin e kemi marrë më 17 Shkurt. Nuk na ka shtyrë askush me zor. E kemi marrë me vullnet të lirë. Është pëlqyer. Është përkrahur. Na ka njohur Shqipëria në këtë kufi e në këto parametra. Na ka njohur Amerika. Pse ne me hap më veten? Pse duhet ta vëmë më në pikëpyetje veten? Kur është gati Serbia të na njohë, mirë se vjen, sado që dëshiron. Po të vazhdojë të mos na njohë, ne nuk mërzitemi. Nuk jemi mërzitur kur kemi filluar përpjekjen për liri. Nuk mërzitemi as sot. Nuk presim nga të tjerët. Kosova është e popullit të vet, është e kombit tonë, bashkë dhe është e aleatëve, por nuk presim, ne do t’i kryejmë punët tona, infrastrukturën e sigurisë, veprime të tjera të nevojshme do t’i ndërmarrim. Me këtë nuk themi se kjo që deklaroj unë i dedikohet një individi, cilitdo qoftë, ose kujtdo një force politike, por është gabim të mendohet në zgjidhje territoriale mes Kosovës e Serbisë. Nëse kufijtë nuk i pëlqejnë dikujt në Ballkan, më së shumti kanë të drejtë shqiptarët mos t’i pëlqejnë. Por atëherë po flasim për të gjithë kufijtë e shqiptarëve. Nuk mund të flasim vetëm për një pjesë që duhet me iu heq Kosovës e kamufluar në emër të korrigjimit, apo demarkimit. Kjo nuk bëhet. S’ka për të ndodhur sa të ketë shqiptarë në Kosovë.
Kryeministri Edi Rama: Duhet të shtoj këtu atë që tha Kryeministri. Është shumë e rëndësishme për ne ta mbarojmë Rrugën e Kombit. Është një rrugë e papërfunduar. Është një rrugë me rreziqe. Është një rrugë që pa kontributin e të gjithëve nuk mund dot të përfundojë. Mundësitë financiare janë ato që janë dhe ne do bëjmë çmos dhe ky është edhe objektivi. Kemi diskutuar edhe dje që të përfundojmë Rrugën e Kombit. Por një gjë kam për të gjithë ata që në Kosovë ankohen për tarifën. Patriotizmi në luftë është të jesh gati të japësh dhe jetën. Patriotizmi në paqe është të mos diskutosh kontributet nga xhepi për qëllimet dhe të mirën e përbashkët. Besoj që në këtë aspekt, çdokush që vjen në Shqipëri për turizëm është i gatshëm që të kontribuojë që ajo rrugë, që është arteria kryesore që lidh të gjithë shqiptarët, të përfundojë një orë e më parë dhe të mirëmbahet ashtu siç duhet. Është një zonë malore. Është një zonë ku ka probleme të përvitshme me dëborën, në një aks ku, siç e thashë, ka plot pjesë të rrezikshme, janë mbi 30 vatra rreziku. E në këtë aspekt, edhe njëherë e përsëris, në kohë lufte të jesh patriot, do të thotë të jesh gati të japësh dhe jetën. Në kohë paqeje, patriotizëm është të paguash taksat e të paguash kontributet. Është e lehtë të thuash “Shqipëri, Shqipëri”. Është e lehtë të bërtasësh kur bën gol kombëtarja. Është edhe më e lehtë të djegësh flamurin e komshiut, por patriotizmi është kur paguan detyrimet secili, ashtu siç i takon. Objektivi është të përfundojmë rrugën.
Kryeministri Ramush Haradinaj: Vërtetë vendimet e sotme të përbashkëta janë vendime që çojnë në zero barriera, si tarifore, si jotarifore edhe për mallrat, edhe për njerëzit. Kjo ka qenë një kërkesë e madhe, e shumëkërkuar. Njëkohësisht, studimi që u fol, nuk është një projekt pa rëndësinë e vet. Rëndësia e këtij studimi do të jetë shumë e madhe, pra, e këtij dokumenti analitik. Ne do të mund më në fund të dëshmojmë për vetveten, për dinamikën tona, siç i ceku Kryeministri Rama, edhe të zhvillimit demografik, ekonomik, sistemeve tona politike. Pra, mënyrën e funksionimit të ndërsjellë dhe të integrimit të ndërsjellë nën ombrellën europiane. Duke qenë kështu, falënderoj Kryeministrin Rama dhe veçanërisht qeverinë dhe të gjithë kolegët e kabinetit qeveritar, Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, atë të Kosovës dhe të gjithë që kanë punuar që sot të korrim këto rezultate.