Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe Ministri për Çështjet e Brendshme, Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale të Zvicrës, Alain Berset nënshkruan sot në Tiranë Marrëveshjen Kuadër në fushën e mbrojtjes shoqërore mes dy vendeve.

Përmes kësaj marrëveshjeje, rreth 2,000 shtetas shqiptarë do të përfitojnë pensionin me mbushjen e moshës, duke mos humbur asnjë ditë nga periudha kontributive.

“Ndër vite shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Zvicër, kanë pasur një problematikë, atë të sigurimeve shoqërore. Janë rreth 2 mijë shqiptarë, të cilët me anë të kësaj marrëveshjeje do të përfitojnë njohjen e viteve të pensioneve. Më parë, një periudhë pagese e sigurimeve shoqërore që ishte kryer në Shqipëri, nuk njihej nëse këto persona do të fillonin punë në Zvicër”, deklaroi Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë falenderoi Qeverinë Zvicerane për bashkëpunimin, ndihmën e dhënë gjatë tërmetit të 2019-ës dhe mbështetjen financiare në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Ajo shtoi se Zvicra i ka dhuruar 410 milionë dollarë shtetit shqiptar dhe se aktualisht janë tre projekte që financohen nga Qeveria Zvicerane.

Nga ana tjetër, Ministri Alain Berset deklaroi se “marrëveshja është një hap tejet i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve tona dhe se kjo marrëveshje sjell të mira të konsiderueshme për të dyja vendet”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.