Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Intervistë e Kryeministrit Edi Rama dhënë në studion e Deutsche Welle në Berlin:

DW: Sot kemi në studio Kryeministrin shqiptar Edi Rama. Mirëserdhe në program! Faleminderit shumë që jeni këtu me ne! Ju pamë të flisnit për ndërtimin e një Shqipërie europiane. Çfarë do t’i thoni Kancelares Angela Merkel, në mënyrë që të merrni mbështetjen e saj për këtë objektiv?

Kryeministri Edi Rama: Sinqerisht nuk ka shumë për t’i thënë kancelares, sepse ajo është mjaft në dijeni të rajonit, sfidave dhe të nevojës për një perspektivë të qartë. Por do të diskutojmë për progresin që është bërë deri më tani, për faktin që Komisioni Europian na dha rekomandim të qartë, pa asnjë kushtëzim dhe për vetë nevojën për të nisur sa më shpejt të jetë e mundur negociatat e për të mos humbur kohë, pasi nuk është fundi i procesit, është fundi i një faze dhe nisja e një faze të re që është edhe më e vështirë e që do të kërkojë shumë përpjekje dhe sakrifica.

DW: Kur ju thoni “të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur”, a keni ndonjë datë në mendje?

Kryeministri Edi Rama: Sot.

DW: Sot? Jam i sigurt që këtë datë do ta diskutoni me Kancelaren. Pamë Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, dje në Tiranë dhe ai u tregua mjaft i kujdesshëm, për ta thënë lehtë, përsa i perspektivës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Pra, të binden të gjithë shtetet anëtare të BE-së. A shihni vështirësi për këtë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk është për t’u marrë e mirëqenë, sepse nga njëra anë, ne kemi marrë këtë rekomandim, siç e thashë, të qartë e pa kushte, çka nënkupton se teknikisht kemi përmbushur të gjitha detyrimet. Detyrat e shtëpisë janë bërë për këtë fazë. Kështu që tashmë është vendimmarrje bazuar në gjykimin politik e kur bëhet fjalë për gjykim politik ka gjithmonë luftë, sepse ka këndvështrime të ndryshme, interesa të ndryshme. Por ajo çka do të doja është që Shqipëria të mos bëhej peng i asnjë dinamike të brendshme politike dhe të mos përdoret nga forca politike apo individët, si një lloj “koke turku” për të avancuar axhendat, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me atë çka ne kemi bërë për detyrat e shtëpisë.

DW: A prisni ndihmë diplomatike nga Komisioni dhe Berlini për të ndihmuar që të shmangen e të tejkalohen këto pengesa?

Kryeministri Edi Rama: Ka mjaft miq e parterë të Shqipërisë në këtë proces. Së pari e mbi të gjitha besoj fort se Kancelarja, që është një kampione europiane dhe ka qenë kampione e proceseve transformuese në rajon, duke nisur të ashtuquajturin Proces të Berlinit, do të jetë në favor të çuarjes përpara të këtij procesi për ne dhe Maqedoninë, në një moment thelbësor, kur disa vende janë duke negociuar, konkretisht Serbia dhe Mali i zi dhe ne jemi gati të bashkohemi me ta në një rrugëtim që do të jetë i vështirë, që do të jetë i gjatë, por që është absolutisht thelbësor për ta ndryshuar Shqipërinë dhe rajonin më tej.

DW: A e shihni Malin e Zi si një pikë, apo çështje të mundshme diskutimesh, pra, sa i takon diskutimeve diplomatike që po zhvillohen atje dhe baza rajonale për siguri në Ballkan.

Kryeministri Edi Rama: Po, Mali i Zi është një partner i qartë i BE-së dhe i NATO-s dhe është një rast, i cili tregon se ka pjesë vulnerabël në rajon, ka aktorë të tretë që përpiqen të ndërhyjnë e të ndikojnë. Kështu që forcimi i perspektivës europiane është thelbësore për stabilitetin e rajonit dhe sigurinë e Europës vetë.

DW: Ju do të takoheni me shumë njerëz në turin tuaj në Berlin, sot, ndërkohë që edhe Komisioni Parlamentar për Çështjet Europiane është një nga destinacionet dhe kryetari ka një këshillë për Shqipërinë. Pra, më pak korrupsion, më pak krim i organizuar, një ekonomi më e hapur. Sa kohë mendoni se do t’i duhet vendit tuaj, Shqipërisë, për të ecur në këtë rrugë, drejt këtij progresi.

Kryeministri Edi Rama: Varet nga këndvështrimi, në kuptimin që, nëse do t’i shihnim këto çështje bazuar në fazën ku gjendemi, ne nuk kemi bërë vetëm progres thelbësor, por befasues. Më lini ta përmend që nëpërmjet procesit të Vetting-ut dhe Reformës së Drejtësisë, vetëm në hapat e para kemi 21 gjyqtarë e prokurorë, pesha të rënda, të cilët janë jashtë sistemit. Pra, sistemi po pastrohet. Më lini të shtoj po kështu, se në Raportin e Progresit, si edhe në paketën e zgjerimit është shprehur mjaft qartë, se ky është një model, i cili duhet përhapur në vendet e rajonit. Ka vende që po negociojnë sot dhe që duhet të ecin më tej, bazuar në këtë model.

Më lini të përmend rezultatet befasuese të çrrënjosjes së kultivimit të kanabisit vitin e kaluar, që është i njohur si i tillë nga Komisioni Europian, bazuar në patrullimet ajrore të kryera nga Guardia di Finanza italiane. Po ta shohim nga këndvështrimi i hyrjes në një fazë të re tani është më shumë se mjaftueshëm, por po ta shohim nga këndvështrimi i të bërit një anëtar, po, jam tërësisht dakord me zotërinjtë, që kemi ende shumë për të bërë. Por më duhet ta bëj të qartë, kjo nuk ka të bëjë me të bërit anëtar nesër, ka të bëjë me nisjen e një pune të madhe për të qenë gati. Po të ishim gati në të gjitha këto gjëra, atëherë pse të mos ishim anëtar. Pra, nuk ka të bëjë me anëtarësimin. Ka të bëjë me vazhdimin e përpjekjeve. E nëse do flisnim për ekonominë, e kemi nisur me zero pikë disa përqindje dhe i jemi afruar tashmë 4 përqindëshit. Kemi mjaft raporte të pavarura, të cilat pranojnë progres mjaft të rëndësishëm.

DW: Shkurtimisht do doja të të pyesja për stabilitetin rajonal. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë dhe me anëtarësimin e saj, por ka të bëjë me sigurinë, stabilitetin në Ballkan. Sa e rëndësishme është kjo?

Kryeministri Edi Rama: Për ta thënë shkurtimisht, me një fjali, është saktësisht për ato arsye që euroskeptikët, apo forcat e individët antieuropianë po predikojnë se Europa nuk ka nevojë të shohë përtej kufijve të sotëm të saj. Europa ka nevojë për Ballkanin, për sigurinë e sigurimin, së pari e mbi të gjitha, sepse një Europë më e sigurt dhe më e siguruar lidhet gjithnjë e më tepër me Ballkanin që bëhet pjesë e saj. Në të kundërt është më pak e sigurt e më pak e siguruar.

DW: – Kryeministër shqiptar, Edi Rama, faleminderit shumë që ishit me ne, sot dhe paçi fat në të gjitha takimet tuaja në Berlin!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.