Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në një vizitë në Itali, vizitoi Panairin Ndërkombëtar të librit në Torino, ku Shqipëria prezantohet me stendën e saj.

Kryeministri Rama u ndal gjatë në stendën dedikuar letërsisë shqipe, ku janë ekspozuar botime të autorëve shqiptarë të përkthyer në gjuhën italiane, si dhe një numër titujsh në shqip. Kryeministri e vlerësoi këtë Panair dhe praninë e Shqipërisë në të si një mundësi e rëndësishme për të thelluar njohjen dhe zgjeruar kontaktet mes dy kulturave.

“Është kënaqësi e veçantë që para kësaj stende mund më në fund të gjesh guidën e vetme në italisht të Tiranës dhe Shqipërisë, një punë e përbashkët e një shqiptari dhe një italiani. Një kënaqësi të dëgjosh edhe fjalët e presidenti të Panairit dhe të të tjerëve, për  këtë nevojë për të vazhduar për të punuar sëbashku dhe për të zgjeruar bashkëpunim mes nesh në mënyrë që letërsia dhe kultura shqiptare të njihet edhe më shumë e të jetë edhe më shumë e arritshme në Itali dhe anasjelltas,” – u shpreh Kryeministri.

Panairi Ndërkombëtar i Librit në Torino është eventi kulturor më i madh në Itali dhe ndër më të njohurit në Europë dhe Shqipëria prezantohet me stendën e saj.

Kryeministri Edi Rama gjatw panairit zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Torinos, Piero Fassino. Pas takimit me Fassino, njëherësh edhe një nga politikanët e lartë të Partisë Demokratike Italiane, Kryeministri Rama u drejtoi një thirrje publike shqiptarëve në Itali të bëhen pjesë e të kontribuojnë në procesin europian të zgjedhjeve për Parlamentin Europian:  “Jo vetëm Shqipëria ka nevojë për Europën, por edhe Europa sot ka nevojë për shqiptarët e Italisë. Shqiptarët e Italisë duhet vërtet të mos e lënë t’u ikë kjo mundësi që kanë për të votuar në zgjedhjet evropiane. Dhe, pa asnjë dyshim, të votoni për Partinë Demokratike Italiane që është e vetmja forcë e madhe, e re, e këtij vendi që ka nevojë për energjinë dhe kurajën e Matteo Renzi-t”.

Kryeministri ka theksuar se Europa e bashkuar është projekti i jashtëzakonshëm, projekti më i rëndësishëm që bëri bashkë burra e gra dhe e çuan përpara. “Duhet ta kapim këtë mundësi për të kontribuuar si shqiptarë në këtë proces, edhe duke marrë pjesë në zgjedhjet europiane këtu në Itali.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.