Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend për negociatat Shqipëri-BE:
“Shqipëria e ndodhur kundrejt Europës, shumë shpejt mund të hyjë në qytetëri e të përzihet me Europën”.
Këto janë fjalët që Sami Frashëri i shkruante në fund të shekullit të 19-të. Sot jemi në fillim, por jo në fillim fare të shekullit 21 dhe ajo çka Sami Frashërit i dukej si një mundësi shumë e shpejtë, në fakt ka kërkuar një shekull në mes dhe sot që flasim nuk mund të themi që është një mundësi shumë e shpejtë, ende.
E për këtë besoj është me rëndësi të përpiqemi të gjithë ta nxjerrim debatin për Europën dhe për ecurinë tonë në raport me Europën nga sherri i përditshëm dhe nga nevoja e përditshme për të prodhuar sherr, duke u përpjekur të fajësojmë njëri-tjetrin dhe faktikisht duke gënjyer veten dhe duke gënjyer shqiptarët, pasi çështja është shumë më e gjerë dhe thelbi shumë më i thellë sesa gjithë ndërveprimi mes nesh dhe gjithë akuzave të ndërsjella për kush e ka fajin pse s’po ndodh.
Dëgjova sot edhe këtu, me aq sa mu dha mundësia, që të ngrihej pyetja: “A është gati Shqipëria për të hapur negociatat?”
Besoj që pyetja është legjitime dhe meriton një debat, por kur ngrihet si pyetje retorike dhe pastaj merr atë përgjigjen e lehtë dhe përgjigja argumentohet me Holandën, apo me kushtet e Gjermanisë, apo me Francën që medemek qenkan më rigorozë sesa të gjithë vendet e tjera dhe medemek shikokan më thellë sesa Komisioni Europian që paguhet nga Franca, nga Holanda dhe nga gjithë të tjerët, për të parë ditë për ditë dhe thelle e më thellë, atëherë vetvetiu ikim nga thelbi dhe futemi në katundin tonë, duke u përpjekur t’u themi shqiptarëve secili se “unë jam ai që duhet të dëgjoni dhe të besoni dhe jo parafolësi apo parafolësja”.
Shqipëria është gati në raport me kë? Kur ngrihet pyetja “a është gati Shqipëria?”, në raport me kë? Me çfarë?
Këtu besoj fillon një diskutim konkret dhe real, jo një debat i kotë, që në vend se të synojë ta fokusojë politikën si e tërë dhe shoqërinë tek kjo sfidë, në fakt synon të kundërtën, synon të përdorë si argumente për të goditur këtu brenda, argumente që në fakt nuk kanë lidhje fare me këtu brenda.
Sot, cilido nga vendet e BE-së që është tanimë i integruar pas rënies së perandorisë komuniste do të ishte në pozicionin që të kërkonte të futej në BE, nuk do të futej dot në BE. Cilido prej tyre.
Sot, cilido nga vendet që është në BE, – aktualisht po e them, – nuk do futej dot në BE. Madje vendet që ishin në BE, përpara rënies së komunizmit, nuk do të futeshin dot në BE sot që flasim, sepse sot, BE është në një debat të brendshëm, i cili nuk ka në konsideratë ekspansionin e BE-së, por daljen nga një situatë, e cila e ka vendosur BE-në në një pozitë të vështirë në raport me fuqitë e tjera.
Sot, debati me Francës dhe Gjermanisë, apo mes atyre që e predikojnë zgjerimin hapur, pa ngrënë arra në gojë dhe atyre që predikojnë perspektivën e zgjerimit, por që nuk e duan zgjerimin, nuk lidhen fare as me argumentet e përdorura këtu për politikë të brendshme dhe as me Shqipërinë, apo Ballkanin Perëndimor.
Nëse duam të flasim dhe të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të ndihmojmë njerëzit që të kuptojnë se çfarë kuptojmë ne, të paktën në këtë çështje është shumë e rëndësishme që të mos bëjmë politikën mizerabël të ditës. Shqipëria sot është pa diskutim shumë më gati për të hapur negociatat, seç kanë qenë të gjitha vendet e tjera përpara se të hapnin negociatat. Kjo sepse procesi për të çuar drejt hapjes së negociatave është bërë shumë më i komplikuar dhe shumë më kërkues.
Sot, Shqipëria kërkon çeljen e negociatave dhe kush është pikëpyetja. Pikëpyetja është “sa” dhe “si”, Franca do ta adresojë këtë kërkesë të Shqipërisë, është shumë ë thjeshtë dhe shumë e qartë. Shqipëria sot, në raport me momentin kur mori statusin e kandidatit është ku e ku në raport me kriteret dhe në raport me kërkesat e vendosura.
Dëgjova një këtu që u tha kishim 3 kushte, u bënë 9 kushte. Çfarë domethënë kjo? Kishim 3 kushte dhe Këshilli Europian para 1 vitit tha plotësoni këto të tria që të hapim zyrtarisht negociatat. Ne këto të tria i kemi plotësuar. Tani shtohen të tjera, sipas jush. Çfarë do të thotë kjo?
Nëse shkon për një krushqi dhe të thonë kemi këto tre kushte. Ti shkon me tre kushte të plotësuara dhe të thonë na fal se kemi edhe 9 të tjera. Çfarë do të thotë kjo?! Kjo do të thotë se ata, me të cilët ti do të bësh krushqi, nuk janë gati ta bëjnë krushqinë. Mos u bëni qesharakë. Nuk janë gati ata.
Nga ana tjetër, në raport me kë është gati Shqipëria? Në raport me fqinjët?
Maqedonia e Veriut, e cila sot me plot të drejtë shikohet me një sy më pak kritik, e dini sa vite ka që pret të hapen negociatat? Sipas kritereve dhe sipas kërkesave të bëra nga vetë Bashkimi Europian do t’i kishte hapur shumë e shumë vite më parë. Por shikohet sot me këtë sy për shkak të një marrëveshje të madhe dhe të zgjidhjes së një konflikti që ka çliruar një ngërç të madh. Këtu do jemi, do të shikoni sesi për Maqedoninë Veriut, por jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Serbinë dhe Malin e Zi do të fillojë një proces kërkesash dhe ekzigjencash, që Shqipëria, sot e ka nisur e që është procesi i një reforme në drejtësi, që kërkon pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar. Nuk e ka bërë asnjeri prej tyre.
Si e shpjegoni që BE-ja i thotë Kosovës që të liberalizoj vizat me ty, ti duhet të bësh delimitimin e kufirit me Malin e Zi dhe ndërkohë hap kapituj negociatash me Serbinë që nuk e njeh fare Kosovën dhe jo më të ketë bërë delimitimin e kufirit?
Si e shpjegoni që, pasi Kosova e bën, BE-ja nuk i liberalizon vizat?
BE-ja u ka dhënë të drejtën që të hyjnë në Bashkimin Europian pa vizë, që nga vitit 2014, mbi 100 milionë njerëzve. E dini nga? Nga vende ku e ku më larg zemrës së Europës sesa Kosova. Çfarë është kjo, korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë?! Kush i ha këto! I hani ju? Në qoftë se nuk i hani, atëherë mos ia jepni shqiptarëve t’i hanë se këto janë broçkulla.
Bashkimi Europian nuk ka sot problemin e plotësimit, ose jo plotësimit të kushteve të Shqipërisë. Bashkimi Europian, sot ka një debat të brendshëm, të imponuar nga dinamika të brendshme dhe të lidhura me një periudhë të tërë krize që ka marrë të përpjetën qysh me shpërthimin e lumit të refugjatëve.
Për Shqipërinë dëgjoj këtu që Gjermania ka vënë kushte. I ka vënë për çfarë?! Kushtet, Gjermania i ka vënë për politikën e vet të brendshme dhe në funksion të politikës së vet të brendshme. Pse edhe në grupin më të madh parlamentar në Gjermani bëhet një debat deri në momentin e fundit, sikur çfarë po i japin Shqipërisë, ka vota “pro” dhe vota “kundër”, me gjithë kushtet? Për politikë të brendshme.
Nga ana tjetër, Gjermania, që ta keni shumë të qartë, ka thënë “Po” vetëm për një arsye, të cilën e ka shprehur dje, – në mos gabohem, – reporteri i Bundestagut, sepse Kancelarja ka vënë veton që nuk ka ndarje mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe do të jetë “Po” për Shqipërinë. Grupi parlamentar është akomoduar falë disa miqve të Shqipërisë, që nga Johann Ëadephul dhe të tjerë që i përkisnin grupit skeptik, të cilët e udhëhoqën procesin për të çuar tek “Po”-ja e Gjermanisë.
Nëntë kushte nuk janë 9, janë 999 dhe këtë bëni mirë ta mësoni edhe ju që nuk e dini dhe bëni mirë t’ua thoni të gjithë shqiptarëve. Sepse në procesin e integrimit duam dhe duhet të ndërtojmë Shqipërinë Europiane këtu.
Ato kushte janë të gjitha të lidhura me punë, të cilat si u thanë, si s’u thanë, do të bëhen patjetër.
Sa kohë ka që ua them të gjithë atyre që thonë, çfarë është vettingu, pushim nga puna, kur këta kanë vënë pasuri marramendëse? Ju kam thënë vettingu nuk është pushim nga puna, është pastrimi i sistemit dhe krijimi i një sistemi ku gjykatës e prokurorë janë të verifikuar si të pastër dhe pastaj, ai sistem do t’i thërrasë këta të tjerët. Do t’ju vijë radha dhe do t’i thonë, këto vilat, këto kontot e këto faturat e bixhozit në Montekarlo me çfarë i bëre? Në Komisionin e Vettingut mjafton të mos i justifikosh dot dhe del jashtë sistemit dhe Komisioni me ty mbaron punë. Tani ata janë qytetarë të lirë. Ndërkohë që ka të tjerë, si një prokuror në Durrës, i cili është sot prokuror dhe punon për organizatat kriminale dhe ju bënë shantazh nëpunësve të shtetit. Arrestojeni thonë. Mësojeni që nuk arreston Kryeministri dhe nuk arreston qeveria, por arreston drejtësia. Procesi i një drejtësie që të arreston është ky që po bëjmë.
Nuk më patët kryeministër përpara 30 vitesh, më keni në pak vite, kështu që çfarë nuk është bërë për 30 vite, mos mi kërkoni mua. Nëse do të më kishit mua që përpara 30 vitesh, do të flisnit ndryshe sot dhe do të flasim ndryshe pas disa vitesh, kur të shikoni që këto që po ju them, do të jenë fakt.
Të kthehemi tek tema e Bashkimit Europian.
Në raport me ne, – për momentin, sepse nuk e dimë se çfarë do të thotë Këshilli Europian, nuk e dimë se çfarë do të thotë Franca, – sidoqoftë le t’i referohemi këtyre dy kushteve. Ato të tjerat janë 9, janë 99, janë 999, deri kur të vij dita që ne të kemi mbyllur të gjithë kapitujt.
Këto dy kushte janë dy kushte për t’u ulur në tryezë dhe për të formalizuar procesin e negociatave, që dua ta theksoj se qysh vjet, në mënyrë informale, gjë që s’ka ndodhur më parë, nga pikëpamja teknike ka nisur në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, duke filluar procesin e Screening, por duke na thënë që ne do e bëjmë këtë me ju, po do bëjmë sikur s’po e bëjmë se pastaj na krijohen shqetësime me ata të tjerët. Krijohen shqetësime sepse fillon një kazan këtu, një kazan atje nëpër Europë dhe fillon e ngrihet temperatura e brendshme.
Ju jeni të parët që thoni se Shqipëria nuk i meriton t’i hapi negociatat, por ne duam që negociatat të hapen, sepse duam t’i heqim qafe sa më parë këta që kemi mbi krye. E thoni ju, e thonë ata që s’janë këtu.
Ndërkohë që e vërteta e thjeshtë është se kur do merrej vendimi vjet, ishin zgjedhjet europiane dhe ata e thoshin copë, por jo para kamerave, të mbarojnë njëherë zgjedhjet. Po çlidhje kanë zgjedhjet tek ju me Shqipërinë dhe me kushtet që Shqipëria ka plotësuar, apo s’ka plotësuar? Po, patjetër kanë.
A është gati Shqipëria, a nuk është të gati Shqipëria, objektivisht e thotë Komisioni Europian. Politikisht e thonë ata që janë më lart, që janë Këshilli Europian. Dhe tek politika, nga eksperienca juaja dhe e jona, gjuha rrotullohet sipas interesit. S’kam asnjë arsye dhe asnjë prirje të them që këta po na bien në qafë, sepse ata nuk e kanë për të na rënë neve në qafë. Ata e kanë problemin, në radhë të parë, me administrimin e situatës së brendshme në vendet e tyre. Pastaj me administrimin e situatës brenda Bashkimit Europian.
Qenka më ekzigjente Holanda, sesa, të themi, Finlanda? Në Finlandë janë më tolerantë ndaj korrupsionit, ndaj krim të organizuar?!
Finlanda është mbi të gjitha vendet e tjera në këto aspekte.
Pse ministri i Jashtëm Finlandez, dje, në emër të Presidencës Finlandeze, tha hapje negociatash pa kushte?
Shumë e thjeshtë. Nuk kanë probleme të brendshme të atilla që t’i detyrojë ta kthejnë shqiptarin në dele të zezë. Unë nuk di si ta shpjegoj që kapet një bandë me belgë, me holandezë e marokenë dhe aty janë edhe 2 shqiptarë dhe titulli është: “U kap banda e shqiptarëve”.
Politikë! Shumë e thjeshtë.
Ndaj mendoj se kur flasim për qeverinë, kur flasim për çfarë janë këtu punët tona të brendshme, jemi në rregull; Socialistët nga një anë, demokratët nga ana tjetër; Në parlament, nga njëra anë, rrugëve, nga ana tjetër. Por kur flasim për Shqipërinë, ju që e doni shumë Shqipërinë, kur vini tek foltorja, mos e kushtëzoni fjalën tuaj, mos e rrotulloni gjuhën tuaj, duke patur parasysh kush janë aty mbrapa, por shikoni çfarë ka përpara. Sepse këto janë të vërteta dhe të vërteta që duhen thënë. E kur i them këto, i them si europian i bindur, jo si dikush që po kundërvendoset ndaj Bashkimit Europian. Ka shumë të drejtë Presidenti i Francës. Është një nga dy vendet që kanë themeluar Europën e Bashkuar dhe kujt më shumë se atij i takon që ta shohë të ardhmen ndryshe. E ndërkohë që sheh të ardhmen ndryshe, nuk i figuron në hapat e parë zgjerimi i shpejtë.
Malit të Zi ka një vit që i kanë bllokuar hapjen e kapitujve. Një kapitull do të hapi Mali i Zi, nuk ia hapin. Pse, nuk është gati?
Nuk po shkojmë në një kishë, as në një xhami, ku e kemi rrugën shtruar dhe janë të mirëpritur të gjithë mëkatarët. Po kërkojnë të futemi në një familje ekzigjencash të mëdha, interesash të mëdha, debatesh të mëdha dhe situatash ku konverngjenca është tejet e vështirë. Nuk bëhet me shumicë votash, duhet të jenë të gjithë dakord. Mjafton të thotë njeri nuk dua dhe mbaroi. Nuk është një udhëtim i imi sot, as i kësaj qeverie, është një udhëtim i përbashkët. Nesër do t’ju vijë radha juve. Do jeni këtu prapë.
Mjaft më, 30 vjet duke minuar për të sotmen, rrugën e përbashkët të së ardhmes dhe duke gënjyer e gënjyer gjithë kohës. Shpif, shpif se diçka do të mbetet. Duke u gëzuar nga çdo lajm i keq për Shqipërinë dhe duke u bërë distributor të lajmeve të këqija për Shqipërinë, duke prodhuar skena, për t’i shpërndarë në të gjithë botën, të Shqipërisë ku po digjen institucionet. Filma, të cilët, ata që duan t’i shohin jo si filma, por si realitet dhe që duan t’i shesin jo si filma, por si realitet, i mirëpres.
Si shpjegohet që të gjithë ata që e kundërshtojnë Shqipërinë janë edhe kundërshtare të zgjerimit?
Do të thotë që Shqipërinë nuk e kanë as armike dhe as kanë ndonjë gjë me Shqipërinë, veçanërisht. Por në momentin që ju del përpara Shqipëria, e marrin dhe e përdorin si dordolec, për të trembur të tjerët për interesat e tyre politike. Kaq gjë të thjeshtë mos ta themi ne me njëri-tjetrin e mos t’ua themi njerëzve këtu? E t’u themi njerëzve që shiko se neve nuk na duan ngaqë e ka fajin ky apo ai. E kam shumë kollaj këtë. E kam jashtëzakonisht shumë kollaj të them që çfarë operacioni antikombëtar ishte ai i 6 muajve të parë të këtij viti. E kam thënë deri në 30 Qershor.
Nuk e them më. S’ka vlerë. Çfarë ngarkese dhe çfarë pengesash i krijoi ai operacion Shqipërisë dhe çfarë ushqimi u dha përditë atyre që jo nuk duan Shqipërinë, por nuk duan zgjerimin, jo nuk duan Shqipërinë, por nuk duan hapjen e Europës! E që iu erdhi nga qielli. Me fotografi, me filma, me deklarata, me sherre dhe filluan të na nxjerrin në pazarin e gjësë së gjallë. E shihni, me këta do merreni?!
Çfarë lidhje ka ajo me Shqipërinë reale? Çfarë lidhje ka ajo me kushtet, me progresin e me radhë?
Kush tha që u dashka të plotësojmë 9 kushte dhe do bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian? Jo, ne duhet të plotësojmë 999.
Meqë shumë e përdorin Serbinë si shembull, e dini sa kohë ka marrë Serbia mbas “Po”-së së negociatave? 32 muaj.
Ndërkohë që këtu duhet të plotësohet Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë dhe duhet të bëhet Reforma Zgjedhore.
Reforma Zgjedhore, dëgjoj këtë europianin këtu, që thotë se do t’i bëjmë të gjitha përnjëherë. Si do t’i bëjmë të gjitha përnjëherë, do presim që të bini dakord ju me ne që do ndryshojmë sistemin?
Doni ju të ndryshoni sistemin dhe duhet edhe ne të ndryshojmë sistemin, se përndryshe nuk u bëka kjo punë dhe ndërkohë do presë Shqipëria, do presin shqiptarët derisa të merremi vesh ne dhe derisa ju të jeni në gjendje që kur vijnë ata, të mos ikni me vrap nga komisioni, apo ata të jenë në gjendje të vijnë në komisionin pa pritur që të ikë Damian Gjiknuri.
Ta harroni ju. Ta harrojnë dhe ata. Në qoftë se jeni patriotë dhe në qoftë se vërtetë e keni të ndarë Europën nga qeveria socialiste, duhet urgjent bashkërisht të bëjmë reformën si fazë të parë. Jo të mbyllim komisionin e reformës, por të ulemi dhe t’i marrim një e nga një rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ato s’kanë nevojë as të diskutojmë ne, as të merremi vesh ne, as të dëgjoj se çfarë mendon ti dhe as të dëgjosh çfarë mendoj unë. Ato janë e zeza mbi të bardhë, merren dhe futen në ligj dhe me atë letër i thuhet Gjermanisë mike, që është avokate e çeljes së negociatave sot, ne i kemi plotësuar të gjitha.
Pastaj vazhdojmë, flasim për sistemin, flasim për votën e emigrantëve, që më mirë është të bini dakord, se ne do e bëjmë edhe pa ju. Po them “ju” për ju që jeni këtu. Ata që s’janë këtu, që thonë “hap krahun”, kjo është sikur një këmbësor që rri tek hija e fikut t’i thotë një makine “hap krahun!” Cilin krah të hapë? Ku ta hap krahun? Apo thonë ta kemi dhënë planin, zbatoje. Me çfarë dekreti hyjnor e ke marrë të drejtën që të më çosh mua planin?! Kush je, kë përfaqëson? Ata që përfaqëson i ke lënë në rrugë, bashkë me veten. Megjithatë, ata janë të mirëpritur në çdo moment. Unë e kam thënë dhe e përsëris, ju kam të gjithëve njësoj, juve këtu dhe ata atje. Madje për ata kam pak më shumë dhimbje dhe kujdes, se janë në një hall më të madh. Juve s’jeni në hall të madh. Ju keni hallin e Europës. Hallet tuaja luksoze në krahasimin me hallin e tyre.
Miqtë e mi, Reformën Zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it ta bëjmë menjëherë. Urgjent!
Ata që janë jashtë nuk e duan. Ju që jeni brenda nuk keni pse të mos ta doni. Ju thoni sistemi. Ata që janë jashtë nuk e duan sepse një nga ato gjëra që do ta bëjmë bashkë është që të mos ketë më komisione votimi politike. Juve ju intereson kjo, sepse ju, sido që të bëhet sistemi, komisionerë nuk ju vjen radha të merrni. Ndërkohë që kjo është e mirë për të gjithë. Të tjera gjëra që janë shkruar aty, të mos dalim fare tek ato. Unë e di që ju keni ide të tjera, ide të vlefshme, edhe ne kemi ca ide që mund t’i dëgjoni, nuk jeni të detyruar t’i pranoni. Edhe ata kanë ide të tyret, por nuk janë këtu.
Të bëjmë reformën zgjedhore, të presim të plotësohet Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë dhe t’u themi miqve tanë gjermanë, – siç e thashë, nuk e dimë se çfarë do të shkruhet në vendim, se mund të ketë kushte të tjera, pasi del një vend tjetër e thotë kam edhe unë një gjë tjetër, del edhe një tjetër e shton diçka tjetër, por përsa flasim – dhe atyre që u kemi borxhin më të madh në këtë proces, në kuptimin e mirë të fjalës, sepse nuk na kanë dhënë ndonjë dhuratë, nuk kanë dhënë ndonjë kredi, thjesht na kanë dhënë atë që meritojmë dhe na e kanë dhënë me mundim të madh, por na e kanë dhënë “Po” për të çelur negociatat, këto dy kushte t’ia bëjmë dhe le të përfitojmë pastaj pozitivisht nga qenia e tyre në krah me ne, sepse kushtet e tyre janë plotësuar. Nuk mund të rrimë të presim të biem të gjithë dakord për të gjitha, por në këtë pikë të biem dakord për Europën, që ju e doni shumë dhe e keni në majë të gjuhës sa herë flisni dhe e përdorni shpesh si shkop për të gjuajtur në krahun tjetër.
E fundit dhe kjo vlen thjesht si një shembull për të kuptuar diferencën mes kujt do që ta çojë përpara procesin dhe kujt bën çmos të gjejë argumente për t’i mbushur mendjen atyre që e kanë në dorë që të bllokojnë procesin. E nuk po ju them mes meje dhe atyre që janë në rrugë, por po ju them mes Kancelares gjermane dhe atyre që janë në rrugë. Ata që janë në rrugë, – këtu nuk e kam dëgjuar, ndoshta më ka shpëtuar, – mbushën dynjanë në Shqipëri dhe nëpër botë, i bënë spam email-eve të parlamentarëve gjermanë me “s’ka Gjykatë Kushtetuese”. Kancelarja ju tha, i kemi kërkuar Shqipërisë të bëjë vettingun e të pastrojë sistemin e drejtësisë; Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese, sepse pastrimi ka funksionuar. Natyrisht, mospasja e një Gjykatë Kushtetuese është një problem, por në momentin që flasim, është sukses që është pastruar sistemi dhe është pastruar ajo Gjykatë Kushtetuese e zhytur në llum, apo është dështim fakti që nuk ka Gjykatë Kushtetuese?
Kjo është shumë e thjeshtë. Ja si e argumenton dikush që nuk është shqiptar, por që e mbështet Shqipërinë dhe jo vetëm e mbështet, por e mbështet me sytë e ftohtë të argumenteve, jo me mendjen e çoroditur të luftës për pushtet.
Një shembull i mirë për t’u mbajtur mend.
Faleminderit!