Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me operatorë turistik dhe vrojtues plazhi në Radhimë, Vlorë:
Së pari, dua t’i shpreh gjithë respektin dhe falënderimet e mia vajzës, se një vajzë është vetëm në mos gabohem dhe djemve që janë bashkë me të, që u angazhuan në skuadrën që u ngrit për herë të parë në mënyrë të organizuar të shpëtuesve të jetëve të njerëzve dhe të atyre që i erdhën në ndihmë shumë njerëzve në këtë sezon si roje të plazheve.
Shumë faleminderit dhe shumë respekt për shumë vepra të mëdha humane që ju keni bërë dhe duke rrezikuar në ndonjë rast veten tuaj dhe duke na ndihmuar të adresojmë një problem të vjetër e të trashëguar të shumë aksidenteve të evitueshme, se nëse dikush hyn në ujë dhe i bie infarkt kjo nuk është e evitueshme, por nëse dikush ka një moment nevojë për ndihmë dhe nuk e ka ndihmën, kjo është e evitueshme.
Patjetër që lajmet e mira nuk bëjnë lajm dhe lajmet e këqija marrin dhenë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe kudo, por e rëndësishme është që ne mund të themi me plot gojën sot që kemi pasur dhe jemi në vijim të sezonit më të pastër, më të sigurt dhe me më shumë larmi. Pa diskutim edhe të sezonit me rritjen me rritjen më të madhe të numrit të turistëve krahasuar me vitet e shkuara. Faktikisht pritshmëria është që deri në fund të vitit, ne të shkojmë në thuajse 6 milionë turistë. Është një shifër e konsiderueshme, nuk është e mjaftueshme për atë që ne kemi nevojë dhe për sa ekonomia jonë ka nevojë, por është në të njëjtën kohë një shprehje kuptimplotë e progresit që kemi bërë. Natyrisht, kur them sezoni më i pastër, nuk them më i pastër, krahasuar me askënd tjetër, përveçse me veten tonë dhe është një krahasim i pamjaftueshëm që të jemi realist dhe të kuptohemi. Është krahasim me nga shumë pis në pis. Nuk është krahasim nga pastër në shumë pastër. Kemi qenë shumë pis dhe jemi pis. Kjo nuk do diskutim, por ka qenë një sezon shumë më i pastër sepse ka pasur një angazhim të madh për ta pasur më të pastër.
Nga ana tjetër, shumëkujt që thotë, po kjo, po ajo? I them këtë, që ne kemi 4 vjet që punojmë për fushën sanitare të mbetjeve të Vlorës, të të gjithë qarkut të Vlorës. 4 vjet dhe pse 4 vjet? Sepse kemi bërë aplikimin, kemi bërë gjithë procedurën e trajtimit të aplikimit nga banka gjermane që financon këto projekte, kemi marrë aprovimin, është bërë projekti, është në procedurë, pra nuk është u tha sot dhe u bë sot, nuk është një koment në Facebook. Është një proçes. Projektet e mëdha nuk nisin në momentin kur hidhet lopata e parë, nisin kur projektohen, pastaj futen në gara, pastaj kontraktohen, e kështu me radhë. Sidoqoftë, vitin e ardhshëm, shpresoj para sezonit, do të fillojë puna për ndërtimin e fushës sanitare dhe përfundimisht do kemi një përgjigje përfundimtare për çështjen e mbledhjes dhe trajtimit të mbetjeve në Vlorë, që deri më sot vazhdojnë mblidhen dhe trajtohen në mënyrë mesjetare. Ky është fakt.
Ndërkohë që, kemi përfunduar punën për fushën sanitare në Vajkal dhe problemi që kemi është të shtojmë më shumë kapacitete edhe të bashkive për të bërë pastrimin e përditshëm dhe në periudhën e sezonit, jemi të vetëdijshëm dhe të gjithë duhet ta dinë që, ne e dimë që bashkitë nuk mundet dot ta përballojnë vetëm sepse shumëfishohen, dhjetëfishohen në numër. Bashkia e Himarës ka një sasi të ardhurash nga tarifa e pastrimit që është minimale dhe nuk mundet dot të përballojë gjithë sezonin turistik që e kthen nga një bashki e vogël, në një bashki të madhe.
Së dyti, për sa i përket pastërtisë, është shumë e rëndësishme që ta ritheksojmë, problemi ynë kryesor jemi ne. Nuk janë në fund të ditës, as strukturat dhe infrastrukturat, jemi ne.
Ne, patriotët që jemi gati t’i vëmë flakën një flamuri të huaj apo jemi gati që të ngrihemi të gjithë në këmbë me një birrë në dorë e të shkojmë të mblidhemi tek sheshi “Skënderbej” kur fiton skuadra kuqezi. Ne jemi ata që hedhim mbeturinat ku të na vijë radha dhe ku të na dalë shtegu më i parë sapo mbarojmë punë me to. Është pabesia më e madhe që ne i bëjmë atdheut tonë. Është kollaj të thuash fjalë të mëdha për atdheun, por nuk qenka kaq kollaj të mos bësh pis atdheun tënd.
Duke shkuar tek siguria, dua ta them edhe këtë. Patjetër që, ne dhe të gjithë nuk mundet përveç se të shokohen dhe të shqetësohen thellë kur ndodh një masakër si ajo që ndodhi në Selenicë dhe patjetër që çdo vrasje është një lajm i keq që sjell vërtetë shqetësim, por nëse shikojmë se nga vijmë, nuk ka të krahasuar, por mbase është bërë gjithmonë e më e panevojshme që të bëjmë krahasime me çfarë ishim se të gjithë e dinë që nuk ka të krahasuar.
Sfida jonë është me ku duhet të shkojmë dhe në këtë aspekt kemi ende për të bërë, jo vetëm për pastërtinë, por dhe për sigurinë dhe ka elementë që duhen patjetër përmirësuar, që nga kontrolli në rrugë. Duhet të kalojmë në një fazë tjetër dhe ne po përgatitemi për këtë, të kontrollit të dixhitalizuar, tek gjobat që vendos policia që nuk mund të jenë më me blloqe bakalli, por të jenë të dixhitalizuara dhe deri pastaj tek kontrolli i imët në territor për të bëre edhe më shumë parandalim. Policia ka pasur një fuqi gjithmonë e më të rritur parandaluese por aktet që parandalohen nuk bëjnë lajm, nuk dalin asgjëkundi, nuk përbëjnë asnjë arsye për koment e kështu është e kështu duhet të jetë. Nuk ke çfarë i bën.
Për sa i përket larmisë së sezonit, kemi pasur faktikisht një sezon që për herë të parë ka pasur një kalendar artistik kulturor sportiv dhe mbi 500 aktivitete që kanë qenë një mundësi për turistët, për pushuesit, për të shkuar e për t’u argëtuar, për të argëtuar fëmijët e kështu me radhë. Do të bëjmë më shumë. Opera nuk kishte shkelur kurrë jashtë Tiranës dhe ne filluam ta thyejmë këtë traditë duke bërë të mundur që Opera të bëjë shfaqje, por që Opera do të vinte në bregdet, në sezon dhe do të bënte koncerte operistike nën qiell të hapur ishte një risi që solli shumë njerëz e unë kam marrë përshtypje shumë pozitive dhe nga të huaj për këtë gjë. E solla operan, por po kështu me teatrot e kukullave, po kështu me festivale të tjera dhe koncerte të natyrave të ndryshme e po kështu me gjithë pjesën e mbështetjes që i ka dhënë sezonit trashëgimia kulturore, gjithmonë e më tërheqëse. Mjafton të them që vetëm në Butrint ne kemi një rritje shumë të ndjeshme të numrit të turistëve dhe kudo është e njëjta gjë.
Tani, këto që u bënë dhe u bënë mirë janë për motivim ndërkohë që gjërat që duhet të bëhen janë shumë më tepër akoma. Ne kemi nevojë që të bëjmë shumë më tepër dhe duke qenë se jemi këtu në Vlorë, plazhi, gjithë vija bregdetare brenda qytetit duhet të kthehet në një vijë bregdetare që përdoret, jo vetëm nga pak në gusht, por nga shumë, gjatë gjithë periudhës së verës. Nuk ka qenë asnjëherë e tillë, tani është mundësia të jetë e tillë, por na duhet patjetër që të fillojmë dhe do fillojmë menjëherë investimin për t’i dhënë fund dramës dhjetëra vjeçare, që në kohën e Mezanit ka qenë ajo dramë, pavarësisht se llogaritë na i kërkojnë të gjitha ne sot, të derdhjes së ujërave të zeza dhe po ashtu edhe të një sërë ndërhyrjesh për ujësjellës dhe kanalizime në gjithë Jonin.
Kemi një projekt të rëndësishëm dhe një program që do të fillojë të zbatohet duke filluar nga vjeshta e këtij viti besoj dhe hap pas hapi do të kemi një përmirësim të ndjeshëm të situatës me furnizim me ujë ë pijshëm dhe të kanalizimeve, ndërkohë që askush nuk flet më për problemin e energjisë elektrike. Mua më kujtohet që kur ne erdhëm në qeveri vitin e parë, vitin e dytë, ishte problemi kryesor. Më kujtohet nga të gjitha mesazhet që merrja vetë personalisht. Pa energji këtu, pa energji atje. Ne ishim në Lezhë dhe energjia ka ikur vetëm 1 herë, 20 minuta në një moment furtune. Nuk ka pasur probleme madhore, sidomos në të gjitha zonat ku kemi investuar. Patjetër që ka akoma investime për të bërë dhe edhe në këtë aspekt, kemi një investim tjetër për të bërë me nënstacionin Orikumit që do të mbyllë ciklin për gjithë këtë pjesë të vijës dhe është shumë i rëndësishëm.
Do të vazhdojmë dhe së shpejti do fillojë vazhdimi i Lungomares në këtë kaosin këtu nga pika ku mbaron Lungomare, deri tek tuneli që është një situatë absurde. Do të vazhdojë projekti aty dhe po bëhemi gati për vazhdimin e projektit nga tuneli, deri në Orikum, duke transformuar gjithë vijën e Radhimës, zonën e Radhimës në një vijë për këmbësorët, duke krijuar një mini by-pass, një rrugë tjetër të re në një segment rreth 7 kilometra në mos gabohem në mënyrë që rruga ekzistuese të kthehet në një rrugë këmbësorësh dhe të jetë si Lungomare, ndërsa rruga automobilistë e qarkullimit intensiv të jetë pak më tutje.
Do të vazhdojmë paralelisht me Orikum-Llogara që do të jetë rruga që do të lidhet me by-pass-in e ri të Vlorës. Do të lidhim pjesën lart të Kuçit me pjesën poshtë e do të jetë në Himarë një lidhje e re që do të bëjë të mundur që të mund të shkohet deri në Nivicë e mund të vihet nga Nivica në një kohë shumë të shkurtër, duke dhënë akses të gjitha prodhimeve bujqësore dhe blegtorale për pjesën poshtë. Ashtu sikundër, do të vazhdojmë me segmentet e tjera të rrugës së lumit të Vlorës dhe aty përsëri çështja është se është një rrugë me një financim të huaj dhe ka procedura pak më të komplikuara, por tanimë garat janë mbyllur për të dy segmentet e tjera e presim të fillojmë punën.
Nuk po e them përsëri aeroportin, jemi në proces negociatash, ndryshe nga çfarë u propagandua nuk ishte një pazar i mbyllur, por është një negociatë e vështirë sepse ne duam të marrim maksimumin për interesin publik dhe të shtetit, sidoqoftë, jemi besimplotë që do ta mbyllim negociatën e do të fillojmë edhe punën për të ndërtuar aeroportin e Vlorës e pastaj aty do të fillojë një sfidë tjetër për Vlorën sepse ndryshimi i flukseve, do të jetë shumë i madh dhe nevojat do të jenë të jashtëzakonshme për shërbimet, për të rritur cilësinë e shërbimeve. Të jemi realistë, në këtë pikë kemi shumë për të bërë. Në 20 e kusur vite kemi bërë shumë investime të gabuara, kemi bërë shumë shtëpi, vila e dhoma që i kemi shitur dhe hotele të mirëfillta dhe vila të mirëfillta turistike, jo vila individuale, kemi shumë pak.
Kjo është sfida që na duhet të përballojmë dhe do ta përballojmë besoj me sukses.
Patjetër që e kam shumë të qartë që ndërkohë që ne flasim aty vazhdojnë komente po by-pasi i Fierit, që na është bërë tamam si by-pasi i fytit, sinqerisht, përditë në fyt nga sikleti sepse realisht është një legjendë katastrofike paaftësie, papërgjegjshmërie dhe korrupsioni. Na është dashur ta prishim komplet kontratën e të bëjmë gjithçka nga e para me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe tani procesi ka përfunduar dhe shpresojmë shumë që brenda disa javëve të na vijë përgjigja përfundimtare e bankës, të lidhet kontrata dhe sezonin e ardhshëm ta gjejë rrugën e by-passit të hapur për të qenë e kalueshme, nëse jo e përfunduar tërësisht, por të jetë e lirshme dhe e kalueshme. Kështu që kompletohet gjithë lidhja me Vlorën. Ndërkohë që, pastaj pak më tutje vjen dhe projekti tjetër i rrugës Kashar – Rrogozhinë që e pret komplet në diagonal rrugën drejt Fierit dhe Vlorës dhe që e bën Tiranë – Vlorë për rreth 55 minuta.
Këto janë pak a shumë gjërat që mund të them dhe më vjen shumë mirë për një gjë që sidoqoftë, vlonjatet nuk po nxjerrin zë për bulevardin e ri ku është bllokuar trafiku, ku është ngushtuar rruga. Nuk po dëgjoj më një zë që të thotë, “pse me rrugë të ngushta”, “pse na është bllokuar”, se e morën mësimin që me lungomaren u mësuan që, mos fol përpara se në fund pastaj me Edi Ramën nuk të del fjala.
Kështu që, bulevardi i ri do jetë një vlerë tjetër e shtuar. Në sezonin e ardhshëm do ta kemi besoj të përfunduar dhe do jetë realisht një tjetër vepër si lungomarja për të cilën kemi marrë dhe marrim vazhdimisht shumë mesazhe inkurajuese dhe pozitive, por tani ajo i përket të shkuarës, populli nuk thotë “si ishe” por thotë “si je” dhe nuk jemi mjaftueshëm mirë për të mos qenë kritik me veten tonë.
Shumë faleminderit të gjithëve për të gjitha kontributet tuaja!