Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Gerhard Schröder, Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë nga viti 1998-2005, i cili njihet për rolin e tij nxitës të integrimit europian, mbajti sot në COD një prezantim “Mbi sfidat ekonomike, të emigracionit dhe të integrimit brenda projektit europian”. Në panel me zotin Schröder ishte edhe Kryeministri Edi Rama, të cilët përballë audiencës, diplomatë, politikanë, ligjvënës, përfaqësues të medias, shoqërisë civile, profesorë e studentë, trajtuan situatën e sotme të Bashkimit Europian, procesin e zgjerimit, Shqipërinë dhe rajonin.

Ish kancelari Schröder e vlerësoi Shqipërinë një vend kyç në Ballkanin Perëndimor. “Kjo ishte kështu që në mandatin tim qeverisës dhe për mua është kënaqësi të mund të them se kjo është gjithashtu një linjë orientuese e politikës aktuale të qeverisë federale. Gjatë vizitës së saj vitin e shkuarës, kancelarja Merkel ka bërë të qartë që Gjermania do të vazhdojë të mbështesë vendin në rrugën e tij drejt BE. Dhe në nivel europian hapat e Shqipërisë gjejnë një vlerësim të konsiderueshëm.”

Zoti  Schröder, i cili në mënyrë të guximshme arriti të ndërmerrte një program të ri reformash, që u quajt “Agenda 2010”, me të cilën bëri të mundur përshtatjen e sistemeve sociale të vendit me erën e re, theksoi se rruga drejt Europës nuk është e lehtë, kërkon reforma të thella, por kursi i reformave është gjithmonë i vështirë. Por edhe vetë Europa është përballë sfidash që kërkojnë ndërmarrjen e një programi të ri reformash, që ai i quajti një “Axhendë e re 2010”.

Nëse ju duhet të ndërmerrni reforma të vështira, sipas zoti Schröder, ju do të keni para një periudhe kohore boshe. Që do të thotë se ju duhet t’i ndërmerrni tani vendimet, por rezultatet pozitive keni për t’i parë 3-5 vite më vonë. Por si politikanë duhet ta kaloni këtë fazë dhe duhet të kuptoni çdo të thotë lidership politik, çka nuk do të thotë të hiqni dorë.

“Për të gjithë ata që duan të bëjnë reforma është diçka që nuk duhet ta harrojmë dhe mendoj se është diçka që e majta nuk duhet ta harrojë që, ose ne duhet ta modernizojmë vetë veten dhe ashtu siç ju thatë me këtë nënkuptoni ekonominë e tregut, ose të tjerët do të na modernizojnë, me të cilat ju nënkuptoni forcat e pakontrolluara të tregut, që do t’i lënë thjesht mënjanë elementët socialë” – u shpreh Kryeministri Rama.

Europa, nënvizoi zoti Schröder, është sot përpara sfidash të rëndësishme dhe këto sfida mund të përballen sëbashku. Nëse Europa kërkon të ekzistojë në mënyrë të suksesshme në një sistemin ekonomik të globalizuar dhe multipolare, atëherë ajo duhet të rritet ekonomikisht e politikisht si një e tërë. Këto janë sfida që ne duhet t’i përballim vetëm nëse veprojmë në mënyrë të përbashkët.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.