Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin javor me koordinatorët e Platformës së Bashkëqeverisjes dhe njerëz të zakonshëm që vijojnë të dëshmojnë sesi duke iu drejtuar Platformës kanë marrë zgjedhje për problemet apo vonesat që hasin në zyrat ku ofrohen shërbimeve publike: 

Shumë faleminderit që keni ardhur sot, këtu!

Dua ta përsëris atë që them çdo javë, që iu jemi mirënjohës atyre që, pasi zgjidhin problemin, janë të gatshëm të vijnë për të dëshmuar rastin e tyre, duke shërbyer si zëdhënës të Platformës dhe duke sjellë shembuj konkretë për efikasitetin e bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm.

Egesta, koordinatore e Bashkëqeverisjes: Më lejoni dhe njëherë të shpreh mirënjohjen për qytetarët e pranishëm sot, në këtë takim, midis të cilëve është dhe Zoti Ymer Picalli, banues në Farkë, i cili përcolli shqetësimin e tij në Platformën e Bashkëqeverisjes, lidhur me mosnjohjen e periudhave të pasqyruara në librezën e tij të punës, dokument ky i dorëzuar në momentin e paraqitjes së kërkesës për pension. Me ardhjen e kësaj ankese, e cila u delegua për trajtim pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, kjo Drejtori vendosi të njohë shënimet e bëra në librezën e tij të punës. Rreth 8 vite periudhë sigurimi dhe kontributi u shtuan në llogaritjen e pensionit, duke bërë të mundur që masa e pensionit të pësojë rritje. Si dhe zotit Picalli i është akorduar një shumë e konsiderueshme diferencë kreditore në qendrën paguese, ku ai tërheq pensionin e tij.

Zoti Ymer Picalli: Kam 3 vjet që kam dalë në pension. Kam bërë gjithë ato kërkesa. U thoja më ktheni përgjigje e më thonin, “s’ka gjë, s’ka gjë”. Iu drejtova këtij që ka hap Edi, që për mua është burrë shteti, se unë e shoh çdo javë këtë emision dhe bëra letër. Doli, fitova. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që Platforma është një mekanizëm që ndihmon pa dallim të gjithë dhe në mënyrë të posaçme ata që janë më të dobët dhe që përndryshe do të kishin mbetur pa asnjë përkrahje dhe pa asnjë përfillje në zyrat e shtetit, ashtu si zyrat e shtetit janë mësuar t’i trajtojnë njerëzit në dekada. Ndërkohë që mjafton një ankesë në adresën www.shqiperiaqeduam.al dhe gjithsekush është i barabartë ndër të barabartët dhe trajtohet si qytetar i barabartë i Republikës. Po ashtu është me shumë rëndësi fakti që Platforma po ndihmon në mënyrë të vazhdueshme pensionistët, ata të cilët kanë probleme me llogaritë e pensionit për shkak të një trashëgimie shumë të rëndë me të gjithë bazën e të dhënave dhe edhe për shkak të mungesës së vëmendjes nga ana e punonjësve të zyrave, edhe pse, duhet thënë, ka një përmirësim që ka filluar të ndihet në shërbimin ndaj qytetarëve, pikërisht për shkak të presionit që ushtron Platforma. Ne kemi një paketë solidariteti për pensionistët, që është tanimë e konsoliduar në zërat e buxhetit si asnjëherë më parë dhe që u shkon pensionistëve në fund të vitit, duke kompensuar në një farë mënyre edhe ato boshllëqe të krijuara për shkak të mungesës së reformës së pensionit për vite të tëra. Ata që dalin në pension pas reformës që ne bëmë, kanë të tjera kushte nga ata që kanë dalë në pension përpara reformës. Pensionistët e kujtojnë të gjithë që deri përpara reformës kishte një pension tavan prej 240 mijë lekësh të vjetra, që ishte i pakapërcyeshëm. Pavarësisht viteve të punës, pavarësisht masës së sigurimeve të pensionit, maksimumi ishte 240 mijë lekë. Sot, pas reformës, tavani nuk ekziston më dhe pensioni bazohet tek sigurimet. Sot ka jo pak njerëz që dalin në pension dhe kanë pension shumë më të lartë, relativisht gjithmonë, por ama rritja e pensioneve, siç bëhej më parë, është një rrugë e pamundur për shkak të mënyrës si trajtohen pensionet pas reformës. Ajo që ne bëjmë është pikërisht paketa e solidaritetit për pensionistët, që në njëfarë mënyre bën një kompensim që më parë nuk bëhej. Nëse më parë, në fund viti jepej një gjel deti, siç thuhej, sot bëhet fjalë për një volum më të konsiderueshëm sesa thjesht simbolik.

Egesta, koordinatore e Bashkëqeverisjes: Një tjetër ankesë e trajtuar në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë është ankesa e Zotit Riza Zeraliu, ish-ushtarak, i cili drejtoi ankesën e tij në Platformë, lidhur me trajtimin jo të saktë të pensionit të pleqërisë dhe atij suplementar të ushtarakut. Ankesa u trajtua në koordinim mes Zyrës së Bashkëqeverisjes dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe brenda 5 ditëve mori zgjidhje, për shkak se, në llogaritjen e pensionit u konstatua moszbatimi i VKM të vitit 2016 për një ngushtim në diferencën e masës së pensioneve. Të dy pensionet, si pensioni i pleqërisë dhe ai suplementar u rishqyrtuan. Masa e pensionit ka pësuar rritje dhe sot, Zoti Zeraliu përfiton një pension të caktuar sipas dispozitave ligjore në fuqi dhe është ajo çka i takon atij.

Zoti Riza Zeraliu: Unë jam 80 vjeç, edhe telefonin që kam mezi e përdor, jo më ai fshatari që është atje, që mund të ketë probleme nga më shqetësueset, që nuk e di se ku bie Portali. Edhe unë nuk e dija. Pyet njërin, pyeta tjetrit. Njëri më thoshte merr nipin, mbesën. Si përfundim, rastësisht, një kolegu im më thotë që këtë mund ta zgjidhësh në qendrat e internetit. Shkova e më dha shpjegimet, do ta shkruash kërkesën, qartë e bukur, në krye të 10 ditëve do të vish të marrësh përgjigjen. Pagova diçka të vogël. Më erdhi përgjigja e saktë, e ligjshme, për të cilën kam bërë disa kërkesa. Që nga viti 2016, as më vinte përgjigja, ose më jepej përgjigja e dytë po e njëjta e asaj të parës, pa i rilexuar dokumentet e dosjes time, që i kisha të gjitha brenda ligjit. Duke pasur besim, unë iu drejtova Portalit dhe më erdhi përgjigja. Për këtë falënderoj në radhë të parë zotin Kryeministër. Shembullin tim, që të nesërmen, pasi mora përgjigjen, ia dhashë një komshiut tim që edhe ai sillej vërdallë për një problem, jo të kësaj natyre, por problem tjetër. Sot më pret mua që të shkojmë te qendra e internetit. Tekstin ia bëra unë, meqë jam pak i lapsit dhe ishalla qoftë e mbarë. Unë e mora përgjigjen, por nuk i thashë atij, se pres që edhe ai të marrë një përgjigje pozitive megjithëse ka çështje tjetër. Unë e falënderoj Kryeministrin dhe qeverinë. Vetëm se këtë çështjen e Portalit duhet ta sqarojë dhe televizioni, se nuk dimë ku të adresohemi. Unë kam shtëpinë te Xhamlliku. Mendoj që shtypi duhet t’i sqarojë më mirë njerëzit, se kanë plot halle e probleme njerëzit.

Kryeministri Edi Rama: Nuk e di pse nuk keni provuar te njësia administrative, sepse te njësia administrative është plotësisht e mundur që të bëhet aplikimi i kërkesës apo i ankesës në Platformë. Ne kemi edhe zyrat e postës që janë po ashtu në dispozicion. Ju keni shkruar në një kafe-internet, por normalisht, qoftë dhe njësia administrative, aty ku është ish komuna, ose ish njësia bashkiake në rastin e Xhallmëkut në Tiranë, qoftë në zyrat e postës, janë dy adresa që mund të zgjidhet kjo gjë. Ashtu sikundër, për ata që nuk e kanë problem këtë kapërcim të ylberit, edhe tek zyrat e deputetëve tanë ka përsëri mundësi të marrësh këtë shërbim në ato zona ku zyrat funksionojnë. Sidoqoftë, ju keni të drejtë, do ishte mirë dhe është mirë që ne të bëjmë më shumë shpjegime. Kjo që ju thoni na nxit për këtë dhe do diskutojmë bashkë me skuadrën e Platformës, që të gjejmë rrugë që ta bëjmë këtë gjë. Nga shtypi mos prisni shumë shpjegime, se ata merren me filma, me incizime. Kanë gjëra më të rëndësishme për të bërë. Kanë thashetheme, kanë shpifje, kanë muhabete. Imagjino, arrijnë deri në pikën që thonë se bixhozi po ndalohet për të tërhequr vëmendjen; krimi po luftohet për të tërhequr vëmendjen. Për të hequr mendjen nga çfarë?! Nga filmat dhe nga incizimet. Llogarite se ku kemi përfunduar me këtë shtyp. Quhet shtyp i lirë, por në fakt është shtypje e lirë e qytetarëve, d.m.th. masazh brutal në trurin e vogël. Mjerë kush ia lë trurin në dispozicion përpara ekranit këtyre.

Adela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Platforma www.shqiperiaqeduam.al, nga ankesat dominuese të problematikave individuale po shtrihet gjerësisht në problematika që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetesës në komunitete. Aktualisht, një ankesë drejtuar në Platformë nga një grup prej 30 familjesh, banore të qytetit të Tiranës. Ata ngrinin shqetësimin e mungesës së ndriçimit në lagjen ku jetonin. Me ardhjen e kësaj ankese në Platformë, Bashkia Tiranë mori të gjitha masat dhe kjo problematikë tashmë është zgjidhur.

Zoti Helidon Fasho: Falënderoj Portalin për zgjidhjen e një problemi të  rëndësishëm dhe jetik për komunitetin. Kishte kohë që e kishim atë problem, por pastaj gjetëm rrugën për t’iu drejtuar dhe ky problem mori zgjidhje të menjëhershme, brenda kohës së duhur. Problemi ishte për ndriçimin e një rruge lagjeje që ishte në errësirë, në njësinë numër 7, në ish fushën e Aviacionit. Ne duhet të themi se dhe njerëzit nuk janë të informuar, njerëzit nuk dinë ku të drejtohen.

Kryeministri Edi Rama: Edhe arsyeja pse bëjmë këtë çdo të mërkurë është pikërisht kjo, që të vazhdojmë informimin. Edhe arsyeja pse ju mundojmë edhe juve që, pasi merrni një zgjidhje, ju ftojmë të vini, është pikërisht që njerëzit të mos e dëgjojnë këtë gjë nga unë, apo nga koordinatorët, por ta dëgjojnë drejtpërdrejtë nga ata që janë njësoj si të tjerët në raport me vështirësitë për të zgjidhur probleme dhe për hir të të vërtetës, më vjen shumë mirë që është zgjidhur ky problem. Kemi vështirësi specifike me pushtetin vendor. Për fat të keq, në një sërë bashkish ka një refuzim për të marrë ankesat. Kampione është Bashkia e Shkodrës që refuzon çdo lloj bashkëpunimi. Bashkitë e tjera, po ashtu. Megjithatë, ne vazhdojmë përpiqemi edhe me bashkitë. Më vjen shumë keq në rastet kur koordinatorët detyrohen që të dorëzohen, pasi njësitë vendore në disa raste janë komplet indiferente. E konsiderojnë Platformën si instrument të palës kundërshtare, ndërkohë që ne mund ta themi me krenari që në Platformë nuk kërkojmë as fenë, as partinë, as idetë e ndryshme. Ato janë të gjitha pronësi intelektuale e secilit. Ne thjesht dhe vetëm trajtojmë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e Republikës. Qofshin të majtë, qofshin të djathtë, qofshin të rinj, qofshin të moshuar, qytetarë nga qyteti, apo qytetarë nga fshati, të pasur a të varfër, qofshin familjarë me shumë fëmijë, qofshin të vetmuar, ne i trajtojmë të gjithë njësoj në këtë Platformë, duke respektuar të drejtën e tyre themelore kushtetuese për të qenë qytetarë të barabartë në raport me shtetin e tyre. Pastaj, për fat të keq, hera-herës ngecim në pengesat artificiale që krijohen nga paragjykimet politike të një kryetari bashkie, apo të një njësie vendore këtu e të një njësie vendore atje. Katerina, të lutem për rastin e ALUIZNI-t, që s’mund të mungojë asnjëherë në ditën tonë të mërkurë, bashkë me Hipotekën.

Katerina, koordinatore e Bashkëqeverisjes:  Zoti Maliq Miraka i është drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes, si mijëra qytetarë të tjerë, pasi që nga viti 2005 nuk mund të merrte asnjë lloj informacioni lidhur me trajtimin dhe ecurinë e praktikës së tij, të dorëzuar pranë zyrës së ALUIZNI-t. Nga viti 2005 deri në vitin 2018 është përcjellë sistematikisht në sportelet respektive të drejtorive përkatëse dhe përfundimisht ka arritur nëpërmjet Platformës të informohet në lidhje me kualifikimin e objektit të tij për legalizim, me pajisjen e faturave financiare, të cilat ka shkuar i ka paguar dhe më e rëndësishmja, është pajisur me lejen e legalizimit, e cila aktualisht është përcjellë zyrtarisht për regjistrim pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.

Zoti Maliq Miraka: Banoj në lagjen “Ali Demi”. Kisha problemin e legalizimit të shtëpisë prej vitit 2005, që pata aplikuar. Kisha shkuar me qindra herë në zyrat e legalizimit. Një herë më thonin, shko nga jugu, një herë më thonin shko nga veriu. Një herë mungonte edhe dosja. Herë pas here, edhe kemi duruar, d.m.th. një zvarritje shumë e madhe. Më në fund më thotë motra, pse nuk vajte njëherë te Zyrat e Bashkëqeverisjes, në “Ali Dem”, se unë isha, – tha ajo – dhe mora zgjidhje. Vajta atje, ia qava hallin. Për 10 ditë më erdhi përgjigja. Mora faturat, vajta bëra pagesën, i dorëzova dokumentet. Zonja më tha të shkoja për një muaj. Kur shkoj, më thotë nuk është gati. Shkoj në shtator përsëri dhe në shtator e njëjta gjë. U detyrova përsëri të shkoj tek Zyrat e Bashkëqeverisjes dhe për 3 ditë më njoftuan në telefon. Vajta e mora lejen, shkova në hipotekë, kam bërë dhe pagesat dhe më kanë thënë që me datë 31 do marrësh certifikatën. Kështu që ju falënderoj juve zoti Kryeministër që na dhatë këtë ndihmë.

Kryeministri Edi Rama: Këtu jemi ne prapë më datë 31, nëse nuk e mbajnë fjalën, sepse ka dhe një aspekt tjetër puna e Platformës. Që mbasi ju mbaroni punë, ne merremi me ata që ju pengojnë dhe faktikisht, unë do ta verifikoj, por jam i bindur që për rastin tuaj, kush ju ka vonuar deri në shtator është nën hetim administrativ, ose është marrë masa për largimin nga puna. Kështu që ka akoma plot nga këta xhagajdurë që nuk marrin vesh. Megjithatë, ne bashkërisht do t’i vëmë në presion dhe hap pas hapi do ta ndajmë të njomin nga i thati. Kështu që, nëse hipoteka nuk do përgjigjet në datë 31, direkt Katerinës dhe pastaj e zgjidhim.

Flamuri, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Një nga zgjidhjet e tjera të kësaj jave kemi rastin e miratimit të një lejeje legalizimi. Qytetari kishte aplikuar për legalizim që në 2006-n, për një banese në rrugën “Don Bosko” në Tiranë dhe për 12 vjet ishte interesuar shumë herë pranë ALUIZNI-t, por nuk kishte marrë zgjidhje. Për zgjidhjen e kësaj ankese mendoi babai i qytetarit, i cili jeton në Burrel, por u paraqit në Zyrën e Bashkëqeverisjes në Burrel dhe bëri ankesë për vonesën në miratimin e lejes së legalizimit të banesës së djalit të tij në Tiranë. Brenda 10 ditësh mori njoftimin se leja është emetuar dhe në 22 tetor djali tërhoqi lejen e legalizimit.

Zoti Haziz Kuka: Unë ju falënderoj që na bëni pjesë të këtij takimi këtu në Kryeministri, për të dhënë nga një mendim edhe ne përsa i takon procesit të legalizimeve. Sa për kujtesë Zoti Kryeministër, unë jam ai personi që kam ngritur problemin në dëgjesën publike në Burrel, për faktin që mungonin mjekët gjinekologë në spital. Brenda javës e zgjidhe problemin, kështu që nuk ke falenderim vetëm nga unë, por nga populli i Matit se i ke zgjidhur një problem shumë me rëndësi. Ndërsa për çështjen në fjalë e kam ndjekur unë nga Burreli, kam shkruar në Portal dhe kam bërë kërkesën, pasi kam hasur vështirësi. Djali im në emigracion mezi bleu një shtëpi këtu në Tiranë, para 15 vitesh dhe që atëherë filluam kërkesat për legalizim. Në vitin 2006, qeveria që ishte na mori paratë, por legalizimin nuk na e dha. Nuk e kam kërkuar 7 vjet, sepse nuk ma jepnin, dihen rrethanat se pse, nuk ka nevojë t’i bëjmë komente, ndërsa për njerëzit e tij, rreth banesës time i bëri legalizimet. Unë e dija që në qeverisjen e Edi Ramës do të bëhej më shpejt. I shkruajta personalisht në Portal para 10 ditësh Kryeministrit, – biles nuk janë bërë 10 akoma, – i cili më zgjidhi problemin në mënyrën më të shpejtë të mundshme falë koordinatorit në Burrel dhe falë dhe këtyre koordinatorëve në Kryeministri. Kam marrë lajmin e mirë që më dhanë lejen e legalizimit dhe tani jam pronar i shtëpisë, fle rehat tek djemtë e mi. Për këtë ka një falenderim të veçantë Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Nëse më lejon zoti Kryeministër, dua të shpreh dhe një falënderim, sepse atje në Portal nuk na lejojnë që të bëj falënderime. Dua të falënderoj para Kryeministrit, ministren Xhaçka si koordinatore e punës së Partisë Socialiste në Qarkun e Dibrës, por dhe ministren e Shëndetësisë, të cilat në koordinim njëra me tjetrën më kanë zgjidhur një hall shëndetësor në familjen time. Prandaj zonja të tilla, bravo Kryeministër që i ke vendosur në këto poste kyçe dhe e meritojnë votën tonë, sepse e kam thënë, duke qenë dhe i sëmurë në gradën e fundit, do ngrihem t’ju jap votat.

Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë keq për gjithë zvarritjet, por kjo është arsyeja pse e kemi krijuar Platformën. Ti bëre një pyetje që është pyetje që na mundon të gjithëve dhe më torturon mua edhe natën, jo vetëm ditën, që si i bëhet për ta përshpejtuar dhe për ta çuar administratën në pikën që reagon vetvetiu, pa pasur nevojë për hosten dhe çfarë ndodh në të vërtetë kur një gjë që zgjidhet për 10 ditë, nuk është zgjidhur për 12 vjet. Kjo është arsyeja, sidoqoftë, pse ne kemi krijuar Platformën, pasi në fund të fundit, shtetet e zhvilluara nga të pazhvilluarat, ose ato në zhvillim, dallojnë tek fuqia e institucioneve dhe tek kapaciteti reagues i administratës. Të bësh shtet ka shumë elementë, por në radhë të parë duhet të bësh administratë e të bësh administratë nuk mjafton vetëm vullneti, nuk mjafton vetëm dëshira, por janë shumë komponentë të tjerë. Një nga shtysat e forta që unë besoj se do të na ndihmojë ta bëjmë administratën ashtu siç duhet, është pikërisht Platforma. Platforma është jo për ta kthyer atë komplimentin, por është në fakt, merita e atyre që na kanë dhënë ne besimin, pasi ne premtuam se do bashkëqeverisim me njerëzit dhe bashkëqeverisja me njerëzit nuk është slogan, sepse faktikisht, çfarë do të thotë në fund të fundit? Do të thotë që çdo njeri i zakonshëm të ketë të njëjtën fuqi që ka një deputet për të zgjidhur problemet e veta. Fuqinë për t’u dëgjuar në kohë reale. Madje po them dhe një gjë tjetër, që për deputetët mund të jetë më e vështirë sesa për njerëzit që i shkruajnë Platformës të kenë akses direkt dhe të menjëhershëm tek ministri apo dhe tek unë, sepse ngarkesat bëjnë të vetën, ama për kërkesat dhe ankesat në Platforme është prioriteti numër një i ditës që në mëngjes për çdo ministër dhe çdo ministër përgjigjet lidhur me ecurinë e çështjeve të Platformës. Kjo është arsyeja, pse çfarë nuk është bërë në 12 vjet, bëhet në 10 ditë. Platforma ka anën tjetër të medaljes që jep sinjale, ndez llamba të verdha dhe të kuqe, aty ku duhet ndjekur çështja. Ju e mbaruat problemin tuaj, por ne do vazhdojmë ta ndjekim, kush kanë qenë personat që e kanë penguar për 12 vjet dhe ata persona, në varësi të hetimit administrativ, marrin vërejtje me paralajmërim, marrin shkarkim, marrin dhe ndjekje penale.

Më vonë Ministrja e Drejtësisë, si çdo të mërkurë, do bëjë raportin publik të të gjitha hetimeve administrative të javës dhe të masave që janë marrë gjatë kësaj jave, ku një pjesë e masave lidhen me platformën.

Albana, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Është i ftuar sot, këtu, një qytetar që ka ardhur posaçërisht nga Peshkopia. Zoti Shefki Reçi denoncoi në Platformën e Bashkëqeverisjes se në pozicionin e psikologut pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë në Dibër ishte e punësuar një punonjëse jashtë profilit. Ndërkohë që bashkëshortja e tij, e cila është arsimuar për psikologji klinike dhe në të njëjtën kohë e pajisur me licencën e psikologut është ende e papunë. Me marrjen e ankesës, ky rast u verifikua drejtpërsëdrejti nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila mori masa të menjëhershme për ndërprerjen e punës së punonjëses, e cila ishte jashtë profili dhe në të njëjtën kohë, ky vend vakant, pra, vendi psikolog u shpall dhe është i lirë, jo vetëm për zonjën Reçi, por edhe për të gjithë kandidatët që janë të interesuar.

Zoti Shefki Reçi: Falënderoj Kryeministrin, falënderoj dhe të gjithë ata që marrin pjesë tek Portali se unë për vete si bashkëshort, si kryefamiljar gjeta zgjidhje. Pas shumë përpjekjesh që kam bërë vetë për ta punësuar nusen, më nxirrnin problematika nga më të ndryshmet. Shkruajta në Portal, për 10 ditë mora përgjigje dhe shpresoj tani që të jetë e suksesshme në punë.

Kryeministri Edi Rama: Punën ta japin, por për ta mbajtur duhet ta mbash vetë, kështu që nusja të qëndrojë drejtë dhe do ketë gjithë respektin që meriton.

Shumë faleminderit të gjithëve! Shumë faleminderit për mundimin që bëtë për të ardhur deri këtu! Është një ndihmë shumë e madhe, sepse tjetër kur flas unë dhe tjetër kur flasin koordinatorët dhe tjetër kur flisni ju.

Edhe njëherë, po e përsëris atë që u tha dhe që thuhet këtu çdo të mërkurë, nëse duhet “mik” për të përshpejtuar zgjidhjen e gjërave, apo për të zgjidhur në kohë reale një hall, miku më i madh që mund të gjesh është miku që të vjen me një “klik” tek shqiperiaqeduam.al. Me një “klik” gjen mikun më adapt, gjen ministrin që të përgjigjet dhe merret ministri apo ministrja me çështjen tënde. Nuk ka nevojë as për të gjetur kushëri, as për të futur dorën në xhep, as për të kërkuar parti, as për të pritur pafund, mjafton tek shqiepriaqeduam.al, tek telefoni i nipit apo i mbesës, tek kompjuteri i shtëpisë, tek qendra në njësinë administrative, tek zyra e postës, tek internet kafe kur ka pranë, tek zyrat e bashkëqeverisjes, që ne i kemi hapur në të gjitha bashkitë. Edhe këtu në Tiranë, tek selia e Partisë Socialiste kemi një tjetër sportel. Prandaj, nëse dikur shikonit sesi mblidheshin gjithë njerëzit aty, nuk ka më njerëz që mblidhen dhe që presin deputetët, as aty, as tek Kuvendi, sepse deputetët nuk e kanë fuqinë që ka Platforma.

Deputetët nuk e kanë fuqinë që të jep ai “klik”. Nëse i thua një deputeti në rrugë, ai do duhet ta mbajë mend, do duhet të shkojë tek ministri, do duhet ta gjejë ministrin të lirë, ndërkohë që me atë “klik”-un, 3 minuta dhe i shkon drejt e në telefon, drejt e në kompjuter ministrit e i del aty, “erdha nga Dibra, nga Delvina, nga Tirana, nga fshati, nga mali, nga Amerika”, pa ardhur fare fizikisht, deri dhe nga Australia, dhe i thua, tani më zgjidh problemin për 10 ditë, përndryshe ke ti problem me detyrën.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.