Takimi i përjavshëm i Kryeministrit Edi Rama me qytetarë që kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre, duke iu drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes Shqipëriaqëduam.al:
Kryeministri Edi Rama: Mire se keni ardhur dhe shumë faleminderit për mundimin, atyre që sot do të jenë dëshmitarë të Platformës se Bashkëqeverisjes. Flamuri do të bëjë prezantimin e rastit të parë.
Flamuri, koordinator i Platformës së Bashkëqeverisjes: Z.Mita kishte aplikuar në vitin 2016 për legalizimin e banesës së tij në Shkozet të Durrësit. Përgjatë 12 viteve ishte interesuar shumë herë pranë legalizimit, por nuk kishte gjetur zgjidhje. Duke parë që nuk po gjente zgjidhje, ai e regjistroi ankesën në Platformën e Bashkëqeverisjes në nëntor 2018. Pas disa ndërveprimesh me zyrën e ALUIZNI-t u arrit të bëhej pajisja e Z.Mita me lejen e legalizimit.
Z.Mita: Në fillim nuk besoja që do ishte kaq efikase, duke parë mosarritjen e një rezultati në zyrat e ALUIZNI-t. Kisha aplikuar që në 2006-ën, dhe gjithnjë interesohesha kur kisha mundësi, deri kur arriti kulmin në nëntor 2018, kur më thonë që dosja ime kishte dalë në terren për t’u bërë matja nga njësia e terrenit që në prill 2018 dhe asnjë njeri nuk e kishte marrë mundimin të njoftonte me anë të një numri telefoni, i cili ishte i bashkangjitur me dosjen. Madje dosja nuk dihej se ku ishte. U interesova sëbashku me inspektorin e terrenit aty dhe në pamundësi për të gjetur dosjen, unë ju drejtova portalit Shqipëriaqëduam.al dhe brenda 24 orëve kam marrë përgjigjen se “ankesa juaj do të shqyrtohet”. Dhe diku, në më pak se një muaj, në datën 18 janar unë kam marrë lejen e legalizimit, falë kësaj Platforme dhe falë jush Z.Kryeministër.
Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë në këtë sekondë që ne flasim, me siguri ka jo pak njerëz që kanë të njëjtin hall dhe atyre u them që të bëjnë të njëjtën gjë që bëtë ju. Të drejtohen tek Platforma, sepse nëpërmjet saj, ne mund të zgjidhim hallet e tyre, por ata na ndihmojnë ne që të trajtojmë hallin tonë të madh me njerëz të padenjë, te cilët për fat të keq nuk na mungojnë në zyrat e shërbimeve, siç ishte dhe rasti i djeshëm, i denoncuar nga emisioni “Fiks Fare”, i një drejtori që meriton vetëm një përcaktim “një halabak”, për të cilin është marrë menjëherë masa e shkarkimit. Ministrja e Drejtësisë, në raportin e përjavshëm që përkon në të njëjtën ditë me këtë event bashkëqeverisës, do të komunikojë me publikun.
Enada, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Z.Shtembari i është emetuar leja e legalizimit në janar 2017. Pas marrjes se lejes, qytetari konstaton gabime në përmbajtje të lejes së legalizimit. Për këtë arsye i drejtohet Drejtorisë së ALUIZNI-t Tirana Veri për të kryer korrigjimet, të cilat konsistonin në atësinë dhe sipërfaqen faktike të objektit. Duke mos marrë zgjidhje për problemin e tij përreth dy vite, qytetari vendosi t’i drejtohet Platformës së Bashkëqeverisjes dhe në janar të këtij viti i është emetuar leja e korrigjuar.
Z.Mina Shtëmbari: Jam banor i Tiranës që nga viti 1978. Në vitin 1998 unë bleva një truall për të ndërtuar shtëpinë time për familjen time. Mora të gjitha firmat dhe vulat e infrastrukturës, siç ishte ligji i Urbanistikës në ato vite dhe ndërkohë fillova ndërtimin e shtëpisë. Nuk munda ta merrja dot lejen e ndërtimit dhe u futa në proces legalizimi në vitin 2006. Nga viti 2006 deri në 2011, pas shumë lebetitjesh dhe kërkesash më vjen një faturë për të bërë pagesën e shërbimit të infrastrukturës në bankë. Kreva veprimin. Isha në pritje se mos më jepej legalizimi që të bëja hipotekimin e shtëpisë, por ishte e pamundur. Vazhdoja përpjekjet, kontaktet, letrat. Të them të drejtën, shumë i lodhur dhe i rraskapitur nga një padrejtësi që bëhej në këtë mes. Ndërkohë, që ligji ishte shumë i qartë, por administratat e asaj kohe nuk vepruan siç duhej dhe unë nuk arrija dot të kryeja veprimet që duheshin. Në 2015-2016 arriti një moment ku nuk durohej më. Përsëri intensifikova përpjekjet e mia, duke i shkruar edhe zotit Lame, duke i paraqitur problemin, e kthente përgjigjen dhe e çonte për kompetence zyrës se ALUIZN-it. Ata i merrnin të gjitha letrat siç ishin dhe i linin në protokollet e tyre, pa kryer asnjë veprim. Me gjithë këto interesime, në fillim të vitit 2017 arrij të marr lejen e legalizimit. Kur e shikoj, ajo ishte e pasaktë, më kishin ndryshuar emrin e babait dhe pjesën e sipërfaqes. Gabimet mund te jenë dhe teknike, mund të jenë dhe njerëzore. Por gabimet verifikohen sipas dokumenteve dhe ndryshohen. Një gjë e tillë me mua nuk po ndodhte. Në vitin 2018 i shkruaj letër përsëri Artan Lames dhe ministres së drejtësisë, sepse nuk po shikoja asnjë ndryshim, asnjë lëvizje. Nga strukturat e ALUIZNI-t dhe nuk mora përgjigje. Ndërkohë kërkova një takim me drejtorin aktual të ALUIZNI-t Tirana Veri që mbulon zonën time. Dy ditë para se te vinte dita e takimit me drejtorin e ALUIZNI-t, unë marr një e-mail nga Platforma e Bashkëqeverisjes. Më jepnin të drejtën mua që të kryheshin veprimet e duhura. Vazhdoi një retorike përgjigjesh tepër të mërzitshme, e lodhshme, e padurueshme, që merrej nga ALUIZNI-t. Nuk e di, Z.Lame e di, apo nuk e di situatën sesi është atje poshtë, por kjo që po them unë është fakt. Kjo, deri dje. Sot ka ndryshuar situata. Unë arrita ta marr lejen e legalizimit dhe tani janë procedurat e tjera që do aplikoj në hipotekë. Pra, u desh platforma juaj Z.Kryeministër, e cila dha efektin e duhur. Këtë nuk e them as për sensacion apo lajm këtu në këtë sallë. Ky është fakt. U ndje efekti i Zyrës se Bashkëqeverisjes. Le të shpresojmë që problemi im të shkojë deri në fund, por nuk është kjo rrugëzgjidhja për problemet që kanë njerëzit, qytetarët e këtij vendi që t’i drejtohen gjithmonë platformës. Vetë administrata kudo ku janë, kudo ku punojnë duhet ta kryejnë detyrën e tyre konform rregullave dhe dispozitave dhe me një përkushtim që duhet.
Kryeministri Edi Rama: Ishte një rrëfim i gjatë i një kalvari të tmerrshëm. Vetëm marr leje të mos jem dakord me pjesën e fundit, pasi unë besoj që platforma është rrugëzgjidhja. Unë besoj se Platforma është ilaçi i një sëmundjeve kronike, të trashëguar, të një burokracie që është larg së qeni një burokraci e standardeve normale, por edhe burokracitë e standardeve normale kanë avazet e tyre. Prandaj, edhe në vendet më të zhvilluara ka zyra ankesash publiku. Edhe në faqen e Presidentit te Francës ka një kuti për t’u ankuar publiku, prej vitesh, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse s’ka burokraci perfekte dhe njerëzit bien viktimë e procedurave, e mungesës së koordinimit të zyrave dhe kështu me radhë.Ajo që bën Platforma, është që zyrën e ankesave ta sjell në xhep. Pra, nuk ke nevoje të marrësh rrugën dhe të shkosh për t’u ankuar. Nuk ke nevojë të shkruash letra që nuk i lexon askush, por thjeshtë atë që keni bërë ju. Tre minuta dhe problemi shkon tek personi më i lartë përgjegjës për funksionimin e atij sektori, që është ministri. Burokracia vihet në një presion të dyfishtë. Presioni nga poshtë dhe presioni nga lart dhe kështu ne ndihmohemi për të identifikuar problemet dhe ata që i krijojnë problemet. Kështu pastrojmë pak nga pak, gjirizin dhjetëra vjeçar të një administrate të keqmësuar, të patrajnuar, të paedukuar që ka filluar të përmirësohet, por që është shumë larg se qeni ajo që duam. Prandaj Platforma sot është vendimtare.
Prandaj, ajo që ju dëshmuat ka kaq shumë rendësi. Që njerëzit ta dëgjojnë me gojën tuaj, me gojën e atyre që kanë folur më parë këtu, që kjo funksionon për njeriun e zakonshëm. Për njeriun që përndryshe as nuk përfillet, siç ju e thatë vetë, keni shkuar kushedi sa herë dhe keni marrë përgjigje standarde, përgjigje të bezdisshme dhe të padurueshme dhe faktikisht keni qenë i çarmatosur. Platforma është arma që duke e përdorur zgjidhi problemet për ju.
Flavia, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes Rasti në fjalë që prezantoj, është rasti i një zonjushe nga Tirana. Ajo kishte një muaj që adresonte problematikën e saj në strukturat përgjegjëse, duke u ankuar për një tubacion, i cili ishte prishur në lagjen ku banonte. Prishja e këtij tubacioni bënte që uji të dilte në rrugë dhe përveçse të krijonte problematika në kalim, prishte edhe asfaltin e rrugës. Nga ana tjetër, banorët e zonës hasnin dhe vështirësi në furnizimin normal me ujë të pijshëm. Vendosi që, pas një muaj ankesash të vazhdueshme, rastin ta sillte pranë nesh. Menjëherë rasti iu adresua për trajtim ujësjellës-kanalizimeve Tiranë, të cilët verifikuan në vend situatën dhe morën masat për rregullimin e tubacionit.
Znj. Esmeralda Skënderi: Doja të falënderoja Kryeministrin për ftesën dhe për ideimin e tij për këtë Platformë, që pothuaj të gjithë shqiptarët gjejnë zgjidhjen e problemeve të tyre. Duke qenë se hasim probleme, të cilat institucionet vetë, që kanë për detyrë t’i zgjidhin, nuk i zgjidhin, atëherë detyrohemi të drejtohemi tek Platforma e Bashkëqeverisjes. Në rastin tim, UKT bënte punime dhe pas punimeve të tyre, ata lanë dëme të tjera. Përgjatë një muaji lagjja ku unë banoj nuk furnizohej me ujë siç duhet, gjithashtu filloi edhe prishja e asfaltit. Kështu që unë, pas ankesave, të cilat ranë në vesh të shurdhët, u drejtova tek Platforma për të gjetur zgjidhje. Pas një kohe rekord, 5 ditë, që mora përgjigje nga Platforma, problemi u zgjidh, jo vetëm i imi, por edhe i lagjes ku unë jetoj. Nuk është vetëm një fasadë, por është një platformë që vërtet zgjidh probleme.
Kryeministri Edi Rama: Realisht Platforma ka zgjidhur shumë probleme personale, apo probleme komunitetesh. Ajo që na duhet është që të rrisim besimin tek Platforma, sepse mosbesimi është ende i madh, i kuptueshëm, i natyrshëm dhe t’ju përsërisim njerëzve që nuk ka nevojë të besojnë pa provuar. Të besojnë pasi ta provojnë, pasi të klikojnë, pasi ta bëjnë me dije problemin e tyre dhe të shikojnë nga eksperienca e tyre sa të vërteta janë këto që thuhen këtu. Çka është edhe më e rëndësishme për ne është që ne na krijohen kushtet optimale për të parë jo vetëm problemet, por edhe ata që i shkaktojnë problemet dhe për të marrë masa.
Adela, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: U desh në fakt ankimimi i Z.Gazment Hoxha, banor i zonës administrative Kashar dhe ndërhyrja e Platformës, e cila vuri në lëvizje Ujësjellës-Kanalizimet, Tiranë, duke bërë të mundur eliminimin e një dëmi ekonomik, i cili do të ndodhte si pasojë e një firme kontraktruale, e cila kryente punimet në zonë. Si pasojë e ndërtimeve, kjo firmë kishte dëmtuar rrjetin e ujit të pijshëm, por kishte shkaktuar edhe përmbytjen e garazheve të pallateve përreth.
Z.Gazment Hoxha: Bëra kërkesën drejtuar tek UKT, por nuk gjeta zgjidhje. Prita se po vinte njeri të interesohej për problemin, asnjë nuk erdhi. Si përfundim vendosa t’i drejtohesha bashkëqeverisjes. Shumë shpejt morën në telefon nga UKT-ja, erdhën panë vendin aty ku ishte çarë tubi. Tubi u ça nga firma që po shtron një rrjet të ri uji në atë zonë dhe si përfundim u zgjidh. Garazhet nuk përmbyten më, çdo gjë është ok vetëm nga bashkëqeverisja. Kam bërë edhe një kërkesë tjetër, përpara 5 ditësh, për një rrugë që shkon për në Yzberisht, për tek shtëpitë tona ku jetojmë. Aty ka ndërhyrë OST që përpara 2 vitesh. Kanë hapur dy herë kanale për të shtruar kabllot e tensionit të lartë dhe janë lënë pa asfalt. Rruga ka qenë me asfalt, tani nuk ka më asfalt. Tani që ka rënë edhe shi është bërë shumë keq situata aty. Nëse na jepni zgjidhje edhe për këtë, ju falënderoj shumë. Sido që të jetë, faleminderit të gjithëve për ndihmën për ujin që u zgjidh.
Adela, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Pavarësisht se është rasti i parë, kur një studente ekselente i drejtohet Platformës shqipëriaqëduam.al, pas një ping-pongu të gjatë dy vjeçar, për të gjetur të drejtën e saj për punësim, u desh ndërhyrja e Platformës pranë Bashkisë Durrës, që zonjusha Violeta Manjani të merrte të drejtën e saj të punësimit. Lë të jetë Vjoleta Manjani, qytetarja nga Durrësi, një garanci për të gjithë studentët e ekselencës në rrugëtimin e tyre drejt punësimit.
Znj.Violeta Manjani: Përshëndetje dhe ju falënderoj shumë për të gjitha mundësitë që Kryeministri na jep ne studentëve. Shumë studentë janë në protestë. Unë jam një ndër studentët ekselente në Universitetin e Durrësit, që kam mbaruar arsimin për parashkollor, aktualisht jam në Master për menaxhim institucionesh arsimore. Jam ndier një ndër studentët më me privilegj, për shkak të programit të ekselentëve nga i cili kam përfituar shumë. Kam bërë kërkesë në Bashkinë e Durrësit për të pasur një vend pune. Aplikova dhe gjithashtu dhashë provimin e portalit “Mësues për Shqipërinë”. Dola një ndër të parat në Durrës. I gjithë rrugëtimi im ka qenë gjithmonë me idenë që unë duhet të fitoj për shkak të rezultateve të mia. Ka dy vite që unë shkoj në Bashkinë e Durrësit, ka qenë sorollatja nga DAR-i në bashki dhe asnjë nuk i merrnin kompetencat, sepse arsimi parashkollor i kaloi bashkisë. Një ditë pashë Platformën e Bashkëqeverisjes, bëra ankesën dhe sqarova të gjithë situatën time. Jam shumë e lumtur që sot jam në punë. Jam njoftuar nga Bashkia dhe nga koordinatorja në Kryeministri, që unë sot jam në punë. Falënderoj shumë kryeministrin që studentët i ka mbështetur kaq shumë, saqë nuk kuptoj se pse akoma vazhdojnë protestojnë.
Kryeministri Edi Rama: Mos vazhdo më, sepse do të të thonë je e FRESSH-it. E kujt je në fakt, e FRESSH-it?
Vjoleta Manjani: Jo.
Kryeministri Edi Rama: Sot do të të bëjnë të FRESSH-it. Mbyll profilin urgjent, sepse do të të sulmojnë me sharje. Janë disa bulls në Instagram dhe Facebook, që paguajnë për të sulmuar studentët që flasin njerëzisht. Por e vërteta është që ky është një moment shumë i bukur, sepse na është dhënë një mundësi shumë e madhe nga protesta e studentëve, që t’i frenojmë prurjet e tepsisë. Të gjitha vendet e punës të lira, të gjitha, në administratë do të vihen në dispozicion të studentëve me 9-ta dhe 10-ta. Platforma e re “Punë e mbarë”, që mund të aksesohet edhe nga shqipëriaqëduam.al, ka tashmë qindra aplikime për 800 vendet e para të punës. Ndërkohë po përgatitet grupi tjetër i vendeve të punës që do të shpallen. Kushdo që do të lirojë një vend pune nga këta që, edhe falë Platformës shporren nga administrata, do të bëjë të mundur një tjetër vend të lirë për studentët që kanë mbaruar me 9-ta dhe me 10-ta. Fillimisht është e kufizuar për studentët që kanë mbaruar vjet dhe që do të mbarojnë sivjet, por do të shtrihet edhe më tutje. Ajo që ka rëndësi është që këta kanë prioritetin themelor.
Ndërkohë që, ajo që shtron Violeta, është një çështje pak më ndryshe, në kuptimin, pak më e vështirë. Sepse, e tha pak Violeta, ka të bëjë me një lloj ngërçi që ne e kemi me pushtetin vendor, pasi në përzgjedhjen e edukatoreve, ne kërkojmë të respektohet merita sipas portalit, por jo gjithmonë bashkitë janë të vëmendshme ndaj këtij fakti. Në rastin konkret është dashur një shtysë nga Platforma, që Violeta të jetë edukatore.
Katerina, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Z.Bujar Koka ka aplikuar pranë ZVRPP Tiranë, në tetor të vitit 2018, për korrigjimin e certifikatës së pronësisë. Ishte e pamundur që Z.Koka të merrte qoftë edhe një informacion, apo një shpjegim pranë kësaj zyre dhe iu drejtua me ankesën e tij të detajuar Zyrës së Bashkëqeverisjes, duke aplikuar përmes Platformës. Z. Koka, për më pak se 6 ditë arriti të merrte informacionin e kërkuar dhe është pajisur me kopjen e certifikatës së pronësisë.
Z.Bujar Koka: Kisha një problem me certifikatën e pronësisë, me emrin e atësisë. Që në tetor duhet të merrja përgjigjen, bëra edhe një ankesë në zyrën e ADISA-s, përse po më vononin përgjigjen. Iu adresova portalit shqpëriaqëduam.al dhe menjëherë më kthyen një përgjigje me sms, se do merrej në konsideratë ankesa time. Brenda 2-3 ditësh më njoftuan që problemi im u zgjidh. Ju falënderoj për Platformën, që me të vërtetë bën një punë reale dhe jo false siç mund ta mendojë dikush.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mundimin për të ardhur deri këtu, për ta përcjellë mesazhin që Platforma është zgjidhje e shpejtë për probleme të mbartura.
Dorina, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Z.Bedri Vërjoni, banor i njësisë administrative Maminas nga bashkia Shijak, kishte një shqetësim prej 6 vitesh, që nga dhjetori i vitit 2012, për një mbifaturim në sasinë rreth 27 mijë kilovat në një muaj. Ai e ankimoi menjëherë këtë faturë, por asnjëherë nuk gjeti zgjidhje. Prej 6 vitesh, ai e kishte ankimuar në të gjitha zyrat, që nga CEZ deri tek OSHEE dhe asnjëherë nuk kishte arritur ta zgjidhte problemin e tij. Iu drejtua Platformës dhe menjëherë, nga koordinatorët u bë trajtimi i tij nëpërmjet OSHEE, që pasi bëri verifikimet në terren, administroi të gjithë dokumentacionin e arkivës, gjithashtu u pa historiku i faturimit të qytetarit dhe u arrit në konkluzionin që ky ishte një faturim i padrejtë. Tani ai faturohet sipas konsumit real në matës dhe për këtë rast ka nisur një hetim administrativ për personat përgjegjës.
Z.Bedri Vërjoni: Të falënderoj shumë për portalin që ke bërë për bashkëqeverisje me popullin. Në vitin 2012 më erdhi një mbifaturim 4.324.000. Bëra ankimimet në Tiranë dhe në Shijak tek OSHEE. Verifikuan edhe sahatin, po përsëri nuk mi hiqnin, vetëm më sillnin përsëri mbifaturimin. Përsëri u ankova dhe po kjo punë vazhdoi. Duke ju dëgjuar në TV personalisht duke folur, u binda dhe iu drejtova portalit. Brenda 5 ditëve mu kthye përgjigjja dhe u gëzova shumë, sepse ishte një shumë e madhe. Të falënderoj për këtë punë që ke bërë dhe sa më shumë qofsh në detyrë. Po përsëri do drejtohem tek portali këtu, sepse kam një problem, po përsëri përpara 6 vitesh, për hipotekën e Durrësit.
Kryeministri Edi Rama: Ti shkruaj, ne zbatojmë urdhrat. Ajo që është e rëndësishme është të bindim sa më shumë njerëz që t’i drejtohen Platformës. Të mos humbasin kohë, të mos akumulojnë energji negative nga reagimet e padenja të njerëzve në administratë, të mos kërkojnë rrugë të tjera shokësh, tarafesh, lekësh. Platforma nuk kushton asnjë lek dhe të kthen përgjigje e të jep zgjidhje, nëse zgjidhja të takon. Të çliron edhe nga halli, nëse s’të takon, sepse thotë se kjo nuk bëhet dhe shiko përpara, sepse në këtë pikë nuk të ndihmojmë dot. Por kujt i takon i jep zgjidhje.
Shumë faleminderit dhe respekte për faktin që, pasi e zgjidhët hallin, erdhët këtu, që të ndihmojmë të tjerët të gjejnë rrugën e duhur, rrugën e shpejtë dhe rrugën e drejtë për të mos u vonuar, por për ta zgjidhur hallin e tyre në kohë reale.