Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në mbrëmjen gala të mbylljes së Samitit të Diasporës:

Lordi Broughton, i njohur më mirë si bashkudhëtar i Bajronit dhe që shënimet e tij mbi Shqipërinë në fillim të shekullit XIX i ka lënë thjesht si John Cam Hobhouse, tregon se veç një shqiptar mund të ndryshojë pa përfitim itinerarin e tij gjatë një rrugëtimi të gjatë vetëm e vetëm për t’u takuar me një shqiptar tjetër dikur bashkëfshatar, sapo e merr vesh që rrugës ndodhet një i tillë.

Ja, sonte të gjithë ju jeni ilustrimi më kuptimplotë i këtij shënimi domethënës të Lordit Broughton, sepse ndërmorët një rrugëtim të gjatë për të takuar ca bashkëfshatarë këtu e  asnjëherë s’mund të jenë mjaft falënderimet për ardhjen tuaj këtë herë në Shqipëri.

Shumë faleminderit, me shumë mirënjohje të gjithëve ju!

Para pak kohësh Presidenti Obama i rezervoi një pritje mjaft solemne një djaloshi 6-vjeçar, amerikano-shqiptar, Alexit, i cili pat kërkuar nëpërmjet një letre monumentale për nga thjeshtësia të lejonte strehimin në Shtetet e Bashkuara, në shtëpinë e prindërve të tij të një bashkëmoshatari sirian, viktimë e konfliktit të armatosur.

“Silleni tek ne atë fëmijë zoti President! Do ta presim me lule, flamuj dhe tullumbace! Do t’i sigurojmë atij një familje! Do ta kemi si vëlla!”

E pra, përveç të mos qenurit tradicionalisht cinik dhe dyshues, kur vjen fjala për të huajin, atë që kanuni i shqiptarëve e kthen në mit përmes fjalës “mik”, – gjë që Alexi i mitur aq bukur ia vuri në pah njeriut më të fuqishëm të botës, – ne shqiptarët e kemi shfaqur gjithnjë kudo ku jemi gjendur e kurdo e kemi pasur të mundur dëshirën për të qenë pjesë e diçkaje më të madhe se vetja, për t’i përkitur një projekti më të madh sesa çfarë na është ofruar.

Është po kaq e vërtete që jemi më shpesh se shumë të tjerë cinikë dhe dyshues kur vjen fjala për njëri-tjetrin, për llojin tonë, të ushqyer nëpër kohëra nga varfëria dhe izolimi në zona e komunitete të ndara thellë mes vedi në histori, apo prej izolimit ekstrem të thuajse gjysmë shekulli totalitarizëm komunist dhe të ndarë ndonjëherë dhe brutalisht prej plagëve dhe dasive të së shkuarës qoftë së jashtmi, qoftë së brendshmi që vazhdojnë të përcjellin dhimbje përmes ballafaqimeve tona.

Megjithatë, nga e shkuara e largët na vjen po ashtu një metaforë shumë kuptimplotë e cila është po ashtu pjesë e traditës familjare dhe fisnore të hershme të mbarë shqiptarisë.

Kur dhoma e zjarrit e shtëpisë rrezikon të shembet, të gjithë përveshin mëngët dhe i futen punës, sepse të gjithë janë vëllezër.

E gjithë kjo është shumë e bukur dhe e zhveshur nga çdo cinizëm alla shqiptarçe mes vedi është dhe shumë e vërtetë, sa ç’jeni të vërtetë ju të gjithë që jeni këtu, sa ç’janë të vërtetë dhe të gjithë ata që na ndjekin prej mediave dhe rrjeteve sociale, apo që dhe pse nuk na ndjekin dot janë prapëseprapë po kaq të vërtetë, sa ç’është e vërtetë vetë Shqipëria, atdheu ynë i përbashkët.

Aq sa jemi gegë e toskë, jemi çamë, por dhe lalë dhe malësorë, edhe kosovarë dhe mirditorë dhe prapëseprapë jemi një, sepse jemi shqiptarë.

 

Aq sa jemi myslimanë, bektashinj, katolikë apo ortodoksë dhe të tjerë akoma përfshirë dhe mosbesues të vendosur të asnjë tempulli, prapëseprapë po aq bëhemi një ndër festat apo fatkeqësitë e njëri-tjetrit sepse jemi shqiptarë.

Aq sa kemi qiellin mbi Shqipëri e mbi Kosovë e kemi dhe mbi Europë, Amerikë e deri tutje në Argjentinë në Australi, e prapëseprapë diellin e ndjejmë më pranë e retë na peshojnë më shumë, aty ku toka mban thellë rrënjët tona dhe na bën një, shqiptarë, këtu në Shqipëri.

Ka një fjalë të ligë shqiptari që thotë: “Vëllai, vëlla, por paraja në mes, ama!” Por askush nuk mund ta mohojë sidoqoftë se është institucioni i vëllamisë bazuar mbi kredon e amshuar të Naimit, ajo që quajmë “besa jonë e shenjtëruar”, që na ka mbajtur gjallë dhe na ka dhënë shpresë, që ka mbajtur ndezur flakën edhe kur kishte mbi ne vetëm reshje hiri.

Shqiptarët janë vëllam pikërisht sepse brenda një gjaku, janë të një qytetërimi, janë të një gjuhe, janë të një sofre.

Për ata që e kanë harruar apo që nuk e dinë, vëllamia ishte një pakt për jetë a vdekje, që i kthente në familjarë për njëri-tjetrin anëtarë të familjeve të ndryshme, mundësisht me besime të ndryshme fetare.

Është një gjenealogji sipas besës, jo një gjenealogji sipas biologjisë.

Ky pakt i hershem tek ne është me të gjitha ecejaket e kohëve dhe të regjimeve e vetmja kushtetutë që asnjëherë shqiptarët nuk e kanë tjetërsuar, që na ndërlidh dhe na ndërthur në një komb të vetëm që ndërtoi në historinë tonë Republikën e Shqipërisë dhe në bashkëkohësinë tonë Republikën e Kosovës, Republikën fjalë për fjalë nga latinishtja, të mirën tonë të përbashkët, emëruesin që na përbashkon.

Më vjen ndërmend këtu spontaniteti poetik i një kleriku të madh mysliman dhe patrioti të shquar, Hafiz Ali Korça, teksa e përkufizonte këtë të mirë të përbashkët në kontekstin e pavarësisë me gjuhën simbolike të mistikës islame:

“Atdheu është kutia/feja është xhevahiri/rron në kuti brenda dhe ruhet floriri.

Për të mbrojtur nderin na duhet kutia/po s’pate Atdheun shkon feja dhe inxhia.”

Ky Samit u organizua dhe u zhvillua duke mbajtur parasysh pikërisht kutinë, gjithçka që mund të cilësohet si pjesë integrale e kësaj të mire të përbashkët, e një republike njerëzish që pavarësisht gjeografisë janë bashkë, jo thjesht shpirtërisht, por janë bashkë konkretisht, në një hapësirë të re ku qeveritë e dy shteteve shqiptare të rajonit dhe diaspora komunikojnë dhe veprojnë si partnerë të pandarë.

Ky është dhe qëllimi parësor i këtij Samiti. Ndonëse gëzohem realisht që është dhe ndjesia që duket se ngadhënjeu dhe mes jush, nuk mund të mos ndjej keqardhje për një moment për disa që u shfaqën menjëherë si punëprishës e ç’nuk thanë për organizimin e këtij Samiti. Por keqardhjen dua ta shpreh përmes Faik bej Konicës së madh, i cili rreth 110 vjet më parë tingëllon shumë aktual. Shpesh herë për dreq tingëllon shumë aktual ai “dreq”.

“Ca kaptij e ca alkolik, ca kafshë, armiq të amshuar të çdo përparimi të cilët e marrin kufirin e mendjes së tyre për kufirin e botës, nuk e kanë pëlqyer kurrë asnjë qëllim tonin. Vërtet është më e lehtë të pijë raki njeriu të pështyjë të shara, se të përpiqet të kuptojë. Po këtu kuptimi s’është fare i vështire. A nuk ka punë më të kulluar dhe më të kuptueshme sesa kjo?!”

Në fakt unë besoj që kësaj pyetje sot ky Samit i përgjigjet: Punë më të kulluar dhe punë më të kuptueshme nuk ka!

Sa të zotë do të jemi ne, që nga ky Samit të çojmë përpara një punë të madhe,  kjo është e gjitha për t’u parë, por padyshim që ky është një kuvendim i qëllimit të mirë, i qëllimit të lartë, i qëllimit të thjeshtë, pa asnjë prapaskenë dhe pa asnjë paragjykim.

“Shqiponja e Artë” që u ndanë sot, për herë të parë, qëllimisht nuk iu kushtua yjeve shqiptare të artit, të kulturës apo të shkencës, që bashkë me duartrokitjet, vlerësimet, respektin botëror e kanë marrë të gjithë këto vite edhe shprehjen e vazhdueshme të mirënjohjes tonë. Shqiponjat e këtij edicioni të parë të Samitit të Diasporës janë simboli i mirënjohjes për grupe dhe individë më pak të njohur dhe shumë pak të vlerësuar publikisht, të cilat janë, në këndvështrimin tim, mishërimi i divizës së presidentit Kenedi: “Mos pyet çfarë bën atdheu yt për ty, por çfarë bën t’i për atdheun tënd.”

E shumë faleminderit të gjithë laureatëve të sotëm të “Shqiponjës së Artë”, për gjithçka kanë bërë për Shqipërinë dhe për shqiptarët. E po ashtu faleminderit nga zemra gjithë të tjerëve që pas asnjë pikë dyshimi e meritojnë këtë nderim e këtë respekt, qoftë dhe vetëm për faktin që nga 40 shtete të botës erdhën deri këtu për këtë Samit. Sepse e artë është vepra e të gjithkujt këtu, në të mirë të tokës së shqiponjave dhe e pafundme është mirënjohja e Shqipërisë për të gjithë ata që në emigracion i ngrenë lart vlerat e flamurit tonë kombëtar, apo nga  emigracioni kanë ndihmuar mbijetesën e Shqipërisë në gjithë këto vite të vështira të kalimit nga diktatura komuniste në një demokraci europiane.

E të mos harrojmë se flamuri ynë nuk është një kostum i prerë me masë për Shqipërinë e sotme dhe një objekt që lypset veç për vetëtemenara, për ceremoniale, për konferenca apo për fotografi, siç e kujton Noli tek rrëfen një takim tijin, në fakt takimin e parë me Konicën, ky flamur është një pëlhurë që pas 440 vitesh robëri u end nga fillimi në diasporë, pasi ishte Konica në Bruksel, në fund të shekullit XIX, i cili i rikthehu flamurit jetën, i rikthehu famën dhe popullaritetin.

Në vitin 2003 iu paraqit lexuesit italian dhe shqiptar një përmbledhje konferencash, me një titull pak të gjatë, prej të cilit unë kam shkëputur vetëm fillimin, “Kultura si burim”, për të cilin bashkëpunoi hulumtuesi dhe gazetari i vyer këtu, një nga laureatët e “Shqiponjës së Artë”, Mario Bruneti. E ndjej veten shumë të nderuar dhe e them përulësisht që një personalitet i tillë, kontribuues i pazëvendësueshëm në trajtimin e diasporës italo-shqiptare dhe sonte, laureat i edicionit të parë të “Shqiponjës së Artë” është mes nesh.

Përmbledhja në fjalë është një qasje tejet interesante mbi rolin e diasporave, aftësitë e tyre edukuese, në sensin më pedagogjik të fjalës, duke shërbyer jo vetëm si kujdestare të një tradite, por si ura të një evolucioni organik dhe të  bashkërenduar të mënyrave të jetesës, perceptimit të njërit-tjetrit dhe të raportit ndaj popujve të tjerë, mes bashkësisë kombëtare që jeton në vendin amë dhe  asaj që jeton jashtë kufijve.

Dhe unë si dëshmitar i këtij Samiti,  duke i ndjekur të gjitha përmbledhjet nga panelet, e kam vënë re se me sa shumë forcë është ngritur kudo nga ju këto ditë, çështja e organizimit të  mësimdhënies në vise ku diaspora jeton dhe zhvillon jetën e saj komunitare. E afërmendsh, në një familje që do të ruajë gjuhën e të parëve, nuk ka patjetër nevojë për abetare dhe shkolla apo institucione të sofistikuara. Kërkesën për këto mjete që përçojnë dijen, ne e shohim pikësëpari si një nevojë urgjente që të ecim dorë për dore me vendin amë, për të qene të asociuar, për të qenë të ndërlidhur dhe të orientuar hap pas hapi me hapin e Shqipërisë. Gjuha nuk është vetëm një instrument dallues i një komuniteti. Ajo përçon një mënyrë të jetuar dhe një vizion të caktuar të gjërave e në botën e globalizuar dhe me shumë sfida, lypset që shqiptarët kudo që janë, të kuptohen njësoj me njëri-tjetrin e të flasin me zërin e qartë të identitetit të tyre.

U ndjeva vërtet mirë kur e dëgjova që disa prej jush bënë një lidhje shumë kuptimplotë mes përmirësimit domethënës të kuadrit mësimor dhe universitar në Shqipëri, me rritjen e cilësisë së mjeteve shkollore që Shqipëria duhet të përpunojë, për t’ia ofruar bashkatdhetarëve tanë dhe fëmijëve të tyre. E kjo na bën të kuptojmë sesa rëndësi kyçe, çfarë impakti të menjëhershëm kanë reformat dhe ndryshimet në Shqipëri në jetën e diasporës, në përditshmërinë e saj. Dhe për ne përparësi e padiskutueshme mbetet dhe do të vazhdojë të jetë, që të unifikojmë cilësisht instrumentet pedagogjikë dhe didaktikë mes institucioneve arsimore në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës dhe në rrjetin arsimor në diasporë, i cili duhet me patjetër të jetë, aty ku është e mundur, i vazhdueshëm, i qëndrueshëm dhe i besueshëm për nga aspekti cilësor.

Kjo me siguri do t’ia lehtësojë jetën Aurelës, laureates që e simbolizon diasporën jo vetëm si një e mirë e përbashkët, por si një “republikë germash” për të cilat shumë njerëz dhanë jetën. Germa që bënë rrugë të gjatë për të mishëruar kulturën dhe atdhedashurinë pa ekskluzivitet dhe që është mëkati më i madh që ne t’i lëmë të digjen nga harresa, ndërkohë që ato i shpëtuan dhe djegieve nga urrejtja, një herë e një kohë. Një hap i madh në këtë drejtim, besoj, ka qenë njehsimi i librave shkollorë në Shqipëri dhe në Kosovë, shtrirja e të njëjtës metodologji, konform standardeve europiane në bashkësitë shqiptare në vendet fqinje.

Suksesi i kësaj nisme dhe i këtij projekti për shqiptarët në rajon është çelës edhe për suksesin e nismës së arsimit të unifikuar dhe në diasporë. Dhe besoj që kështu mund të sigurojmë bazën mbi të cilën do të lëvrohet jo e hallakatur apo e shpërqendruar, por e koordinuar dhe e aksesueshme për të gjithë, kultura e trashëgimia jonë, gjuha e veçoritë që na bëjnë të jemi një, sepse jemi shqiptarë. Unë kam qenë dhe jam thellësisht dakord me çka miku ynë i shtrenjtë, Mark Gjonaj, ngriti dhe këtu në këtë Samit, me ngulmin e tij karakteristik, krijimi i përfaqësive diplomatike  të përbashkëta Shqipëri – Kosovë, me mjedise e buxhete që të mund të strehojnë dhe mbulojnë hapësira kulturore shqiptare në botë, është një qëllim madhor, i cili, së pari, aty ku diaspora historike ka lënë gjurmë të pashlyera duhet të jetë prioritet. Ka një rezistencë të mirëkuptueshme nga struktura jonë shtetërore për këtë ide, të cilën unë në fakt jam përpjekur ta nxis vazhdimisht që ditën e parë, sepse halli është të mos mërziten ca fqinjë e ca miq, po të shohin ambasada dhe konsullata shqiptare me dy flamurët e dy republikave tona në të njëjtin ballkon.

Por ne nuk duhet të ngurrojmë. Fqinjët dhe miqtë e kanë bërë zakon në kohëra të tjera që të mërziten, kur ne shqiptarët kërkojmë as më shumë e as më pak, por të drejtat tona dhe bëjmë gjënë e duhur në respekt të dinjitetit tonë. Kurrë duke fyer, apo aq më keq, kërkuar të shkelim dinjitetin e të tjerëve. Prandaj jemi ne  që duhet t’i ndihmojmë fqinjët dhe miqtë ta harrojnë atë zakon dhe ta mësojnë një herë e mirë se kur Shqipëria mikut i thotë mik, kurrë nuk ia ka me hile dhe as tekanjoze me të nuk është, por ama hilet dhe tekat nuk i pranon më, sepse përndryshe, miqësia nuk është e vërtetë dhe fqinjësia nuk është e mirë.

Një tjetër prurje që ne besojmë do ta përforcojë konektivitetin apo rrjetëzimin kulturor dhe arsimor do të jetë padyshim  shtrirja e përgjithshme e rrjeteve dixhitale në funksion të këtij qëllimi. Një “klik”, një bashkësi për çdo ide dhe në çdo sektor nuk duhet të shikohet si slogan dhe nuk duhet të mbetet slogan. Sepse është e mundur dhe mjafton që ne të përparojmë me zgjuarsi dhe vendosmëri në  shfrytëzimin e një instrumenti të ri, fantastik, të përafrimit në kohë dhe hapësirë të njerëzve, internetit, për të lidhur të gjithë gjymtyrët e bashkësisë shqiptare në një hapësirë virtuale të një Republike të së mirës së përbashkët, ku jemi një, sepse jemi shqiptarë. Dhe në këtë “republikë dixhitale” të shqiptarëve nuk do të gjenden vetëm abetare dhe libra shkolle, arkiva dhe biblioteka të dixhitalizuara, por dhe shërbime publike parësore, forume debati për reformat dhe hapësira ndërveprimi për projektet tona të të gjitha llojeve për shqiptarët dhe Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Sot, një “klik” dhe SHKO formon një togfjalësh të shkurtër që është në fakt, Shërbimi Konsullor Online. Së shpejti, ai do të përfundojë si proces i dixhitalizimit të 36 shërbimeve konsullore, nga të cilat 23 shërbime, çdo shqiptar kudo në botë do t’i marrë direkt me postë në shtëpi, pasi thjesht i ka kërkuar me një klikim dhe 13 shërbime, për të cilat secili apo secila prej jush do të duhen të paraqiten në konsullatë apo ambasadë, do të jepen vetëm me një vajtje. Dhe që sot, qytetarët shqiptarë mund të aplikojnë online për të marrë 6 shërbimet e para konsullore. Ky projekt që po them do të jetë plotësisht funksional në fillim të vitit 2017.

Kjo është një reformë që do të lehtësojë qindra mijëra njerëz, por është paraprirë nga reforma për ndryshimin e tarifave për shërbimet konsullore, e para që nga viti 1988, duke ulur tarifa për disa shërbime bazë dhe duke rritur numrin e shërbimeve që ofrohet për qytetarët jashtë Shqipërisë. Në vitin 2014, Ministria e Punëve të Jashtme ofroi shërbime për rreth 100 mijë qytetarë. Në vitin 2015 u dyfishua numri i atyre që morën shërbime në 200 mijë dhe më të njëjtin personel, pa i rënduar taksapaguesve. Vetëm Konsullata e Selanikut me tre konsuj dhe Konsullata e Milanos me tre konsuj arritën që brenda një viti të ofrojnë më shumë pasaporta sesa njësia numër 5 e kryeqytetit që ka trefish numrin e punonjësve dhe të gjitha këto pa i rënduar asnjë qindarkë buxhetit të shtetit.

Por shërbimet konsullore online do të bëjnë një kapërcim revolucionar të paimagjinueshëm dhe janë një shembull sesi ne mund të bëjmë gjera të paimagjinueshme deri më sot, nëse do të kemi vullnetin që ta ndërtojmë sëbashku, me mijëra rrjete të mbivendosura “republikën tonë dixhitale”. Por aq sa kjo është një arritje e madhe në raport me ku ishim, është dhe një tregues sesa mbrapa kemi qenë në raport me ku duhet të ishim dhe sesa shumë akoma kemi për të bërë, që të mbërrijmë tek Shqipëria që meritojnë të gjithë fëmijët tanë, fëmijët shqiptarë, pavarësisht se jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, apo në diasporë.

Sidoqoftë kur mbahet parasysh ky fakt, kuptohet lehtë sesa të ardhme premtuese kanë shërbimet publike të dixhitalizuara, që do të ofrojnë akses të thjeshtëzuar dhe falas në çdo sektor jetik të vendit, përfshirë edhe gjithë proceset administrative, konkurset në administratë, regjistrimin e investimeve dhe të sipërmarrjes private, verifikimin e statusit dhe të drejtave ligjore të punonjësve.

Shpresoj se çfarë thashë ta gëzojë Gazmend Toskën, i cili i bën nder shkollës frënge të të drejtave sociale, që promovon punëtorin po as sa kapitalin dhe shpresoj që Shqiponjën e Artë që ai mori sot, ta ketë si një kujtim edhe nga dita kur ngriti këtu zërin, për të thënë më vonë që zëri im u dëgjua.

Si përfundim, ju erdhët këtu sot, në fakt për të shijuar një spektakël që zgjati shumë dhe aq më pak, jo për të dëgjuar, siç e thotë zëri i Nolit tek ai dokumentari, “një kryeministër që i bie fyellit” dhe unë gati-gati po të vazhdoja, do të mbaja një fjalë si një program qeverie, ashtu sikundër miku im, Shpëtim Idrizi, gati-gati paraqiti program partie këtu.

Prandaj ju kërkoj shumë ndjesë, nëse rrethanat e sollën që kjo ndërhyrje të bëhej pak e pakëndshme në fund, sepse ndoshta pak më serioze dhe e rëndë seç e kërkon ky vend ku jemi këtu, por mu lutën dhe stërlutën njerëzit e ekipit organizator që nuk mund të ikësh sot pa thënë disa gjëra që reflektojnë ato që u thanë, sepse e gjitha frika jonë është që mbasi ju të ikni, mos të keni ndjesinë që vajtëm, u pamë, u çmallëm, po pastaj? Dhe ajo që është sfida jonë e përbashkët është që kjo iniciativë të ketë një vazhdimësi dhe që në samitin e dytë të mos shkojmë duke përsëritur ato që thamë në të parin, por duke thënë çfarë thamë, çfarë vendosëm, çfarë bëmë pas samitit të parë dhe çfarë do të vazhdojmë të bëjmë, duke vendosur në samitin e dytë.

Për fat të mirë jeni shumë që t’ju falënderoj secilin në veçanti dhe për fat të keq prapë jeni shumë, sepse disa i përmenda me emër dhe nga eksperienca e kongreseve dhe e konferencave e kam që kur lavdëron disa i ngelet hatri gjithë të tjerëve, kur falënderon disa, gjithë të tjerët thonë po me mua ç’pati. Kështu që shpresoj se nuk do ta merrni për keq faktin që nuk ju falënderoj dot të gjithëve një për një dhe për t’ju falënderuar në mënyrë të veçantë kam zgjedhur një formulë falënderimi, që gjendet në një doracak që ka për autor një personalitet të madh të diasporës shqiptare në Amerikë, Kostë Çekrezin, titulluar “Udhërrëfyes për komunikim”, botuar në Boston në vitin 1917 dhe në Tiranë në vitin 1927. E ja sesi Kostë Çekrezi sugjeron që unë t’ju drejtohem në fund të fjalës sime që mbyll dhe Samitin: “Do t’i mbaj mend kurdoherë si çaste shumë të lumtura të jetës sime, ato ditët e bukura që kalova në mesin tuaj. Ishin dritë plot lumturi, gaz dhe dëfrim të sinqertë. Tani që mori fund, ndjej një boshllëk në zemrën time”.

Por sidoqoftë më ngushëllon fakti që ky nuk është fundi me sukses i një nisme të dobishme, por uroj me gjithë zemër që të jetë fillimi i një suksesi pafund, në harkun kohor të jetëve tona për Shqipërinë një dhe të pandarë. Ashtu si kundër e thoshte Naum Veqilharxhi në qarkoren e tij të famshme të 1846-s, 170 vjet më parë: “Është koha të hedhim poshtë të gjitha paragjykimet e vjetra, është koha të mbledhim veten dhe të gjykojmë më me pjekuri dhe më me burrëri, të ndërrojmë taktikë, le të shkojmë përpara me ballëhapur, me guxim, me durim dhe me këmbëngulje”.

Shumë faleminderit! Dua të jeni të bindur se ne nuk do t’i mbyllim sytë, asnjë natë, të qetë, pa garantuar regjistrimin e të gjithë shqiptarëve kudo ku janë dhe mundësuar votën e tyre kudo ku ata jetojnë, për të qënë bashkë vendimmarrës të procesit demokratik në Shqipëri.

Rroftë Shqipëria!

Rroftë Kosova!

Rrofshin shqiptarët kudo ku jetojnë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.