Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama mbi sigurimin e 500 mijë dozave të vaksinës Pfizer: 

 

Në prag të ndërrimit të viteve, Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer. Shopping-u im në New York ka mbaruar me sukses.

Kemi dakordësuar me akt normativ për autorizimin e kontratës sipas marrëveshjes së konfirmuar zyrtarisht nga kompania Pfizer. Sasia e dakordësuar do të paguhet menjëherë në bazë të termave dhe të procedurës tip të kompanisë Pfizer me të gjitha vendet pa përjashtim.

10 750 dozat e para të kësaj kontrate do të mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit.

30 250 doza të tjera do të vijën në shkurt e të tjerat me radhë, muaj pas muaji, në bazë të planit të vaksinimit.

Kjo është nisja më e mirë e mundshme e këtij viti vendimtar të  zmbrapsjesh përfundimtare të armikut të padukshëm, por padyshim ky nuk është fundi i përpjekjes sonë për të garantuar që asnjë dozë e vaksinës të mos mungojë deri në fund. Do të vazhdojmë të përpiqemi siç jemi përpjekur me këmbëngulje dhe papushim nga të katërt anët, deri mbrëmë vonë, që plani i vaksinimit të realizohet sipas parashikimit, pa asnjë pengim apo ngadalësim nga mungesa e dozave të nevojshme.

Ju bëj me dije po ashtu se kemi garantuar ditët fundit dhe gatishmërinë e dy vendeve partnere për një total prej 9000 dozash në gjysmën e parë të janarit. Nuk mund t’i përmend emrat, sepse sot nuk e dimë nëse dinamika e re e krijuar nga marrëveshja zyrtare me Pfizer do të ndikojë ose jo në finalizimin e këtyre operacioneve solidariteti nga ana dy qeverive mike, të cilat nuk na lanë vetëm në këto kohëra egoizmi dhe cinizmi të frikshëm për kontinentin ku jetojmë, kur ende nuk dukej drita jeshile që u ndez mbrëmë.

Njëkohësisht me dy shtete të tjera po negociojmë për një sasi tjetër vaksinash nga Pfizer dhe AstraZeneca. Besoj se shumë shpejt do të kemi qartësi për rezultatin e këtyre negociatave. Padyshim do t’ju informojmë menjëherë, nëse dhe kur të materializohen, por jam tejet falënderues ndaj tyre, edhe sepse as njëri dhe as tjetri nga këto dy vende nuk hyjnë tek më të pasurit e Europës, por kanë pasur bujarinë që t’i konsiderojnë seriozisht lutjet tona.

E kemi kapërcyer kështu në kohë rekord, besoj, për pozicionin tejet të disfavorshëm nga u nisëm, hendekun që hapi mu në mes të Europës vendimmarrja absurde, e papranueshme moralisht, e pakuptueshme politikisht dhe e pajustifikueshme edhe logjikisht e Bashkimit Europian.

Si njeri jam ndjerë i indinjuar dhe si europian jam ndjerë i turpëruar, ndërsa si Kryeministër i Shqipërisë jam ndjerë më i motivuar se kurrë për të mos lejuar që shqiptarët të ndihen të përjashtuar nga mundësia për t’u mbrojtur njëkohësisht me europianët e tjerë në këtë luftë botërore me rrezikun e vdekjes.

I hymë detit në këmbë dhe ia dolëm të cekim pak tokë pa asnjë ndihmë na BE-ja dhe ndryshe nga shembulli i keq i BE-së ndaj Ballkanit, ne nuk do t’ia kthejmë shpinën Kosovës duke e lënë në pritjen dhe në ankthin torturues të fillimit të vaksinimit. Pa diskutim që nuk ia zgjedhimi dot krejt këtë hall të madh motrave dhe vëllezërve tanë në anën tjetër të kufirit, por nuk do të ngurrojmë t’ua qajmë sinqerisht dhe konkretisht hallin që sapo kemi filluar të zgjidhim për veten. Kosovës do t’u dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit COVID të Prishtinës, në mënyrë që heronjtë e vijës së zjarrit në Kosovë ta nisin vaksinimin në të njëjtën kohë me heronjtë tan në Tiranë.

I kam kërkuar ministres së Shëndetësisë të komunikojë menjëherë me homologun në Kosovë, për të mundur të vendosim sasinë e mundshme për personelin e spitalit COVID të Prishtinës. Sado që as nuk jemi të pasur, as nuk jemi kaluar në këtë det ku vazhdojmë ecim në këmbë, ne shqiptarët nuk e kemi pasur në traditë, nuk mund ta kemi dhe nuk duhet ta kemi kurrë pjesë në mënyrën tonë të të jetuarit, as në këtë botë egoiste, kthimin e shpinës ndaj tjetrit në nevojë, apo kur na bie i njëjti hall me tjetrin.

Viti që më në fund iku me vështirësinë e vetë të jashtëzakonshme ishte mundësia e madhe për t’ia lënë politikën politikës dhe për t’u bërë bashkë, për fat të keq, edhe në tërmetin, në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Megjithatë nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur dhe uroj që edhe të tjerët ta bëjnë. Ta ndajnë politikën nga shëndeti dhe nga tërmeti dhe të kontribuojnë së paku, duke e ndalur avazin e kotë të llafeve të tepërta për këto tema kaq ekzistenciale.

Ndërkohë ne nuk do të humbim kohë me askënd që ka kohë për të humbur, sepse sigurimi i vaksinës, pa pritur që të kujtohej BE-ja, për ne ishte një sfidë marramendëse, por nuk është një sfidë e lehtë, përkundrazi, as menaxhimi i procesit të vaksinimit. Me çfarë po shohim e po dëgjojmë edhe prej vendeve më të zhvilluara, kjo është një sfidë e madhe, më vete. Mund t’ju them se jemi mirëpërgatitur që ta ngremë në kohë infrastrukturën e vaksinimit, për të cilën Ministria e shëndetësisë ka hartuar strategjinë, programin dhe planin e kalendarizuar të procesit. Po ashtu ka nisur puna prej disa javësh me projektet e qendrave të vaksinimit në Shqipëri. Qendra e parë do të jetë ajo e Tiranës në Air Albania Stadium, ku brenda pak ditësh, gjithçka do të jetë gati, me një mjedis vaksinimi me standardet më të mira tekniko-profesionale për të mirëpritur grupet përfituese sipas planit të jetësimit të fushatës së vaksinimit “Shqipëria Buzëqesh”.

Shqipëria buzëqesh do të jetë motoja e kësaj fushate shtetërore dhe njerëzore, falë të cilës do t’i kthejmë këtë vit Shqipërisë buzëqeshjen e marrë peng vitin e shkuar nga armiku i padukshëm.

Vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme, por padyshim vaksina është e këshillueshme për të gjithë, si arma vendimtare në këtë luftë të madhe, të gjatë e të stërmundimshme për familjet, shoqërinë, shtetin.

Siç e kemi thënë, bazuar dhe në praktikën e përgjithshme ndërkombëtare, vaksinimi do të nisë në fillim me bluzat e bardha, pastaj mësuesit, efektivët e policisë në terren dhe moshat madhore mbi 75 vjeç. Në vijim do të vazhdohet me grafikun e përgatitur në ulje drejt moshave më të reja.

Jam teje t i lehtësuar sot, pas këtij dakordësimi të marrëveshjes për vaksinën. më në fund kam mundur të fle pak pas mesnatës, edhe pse ishte nata kur të rriturit rrinë zakonisht zgjuar deri në mëngjes dhe jam i lumtur që munda t’ua jap sot, në ditën e parë të vitit të ri, këtë lajm të gëzueshëm të pajisjes së Shqipërisë me armatimin që do të asgjësojë armikun e padukshëm.

Qoftë ky ogur fantastik i një viti të buzëqeshur të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe prova shembullore e faktit se më të keqen e kemi hedhur pas krahëve dhe më e mira është e gjitha përpara nesh. Gëzuar!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.