Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, me Kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico:
Kryeministri Edi Rama: Pata kënaqësinë e posaçme të mirëpres kolegun Fico. Kryeministrin e parë sllovak, që viziton Shqipërinë dhe përfaqësuesin e një vendi që për eksperiencën e këtyre viteve post totalitare përbën një shembull, prej të cilit mund të mësojë shumë Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që, kolegu Fico është padyshim një nga ata kryeministra evropianë, tek të cilët, unë gjej një shembull frymëzues për t’u ndjekur për qeverisjen e mirë, politika zhvillimore dhe nxitëse për ekonominë dhe për sipërmarrjen e lire. E, padyshim, për qasjen modernizuese, reformiste, që karakterizon lidershipin e tij.
“Gjeografia vendos kornizën, por pa asnjë dyshim janë vlerat që vendosin kufijtë e Evropës”- këto janë fjalët e komisionerit Olli Rehn që i referohen zgjerimit të BE, në vitin 2004, kur u anëtarësua edhe Sllovakia. Janë vlerat, ato që na bashkojnë edhe sonte, por që na bashkojnë edhe në një rrugë të përbashkët me Sllovakinë, që ndër vendet e anëtarësuara në BE, pas shembjes së perandorisë komuniste, mbetet një rast shembullor për ecjen e shpejtë drejt anëtarësimit dhe për suksesin modernizues në rrugën e integrimit.
Shqipëria ka pasur fatin ta ketë të përhershme dhe të palëkundshme mbështetjen e këtij vendi në rrugën e vet të integrimit. E këtij vendi, që është dhe një referencë e qartë në Evropën Qendrore për zhvillimin e qëndrueshëm, jo vetëm të ekonomisë, por të demokracisë.
Gjej rastin ta falënderoj përzemërsisht Kryeministrin Fico për këtë mbështetje të përhershme të Sllovakisë ndaj Shqipërisë, por gjej rastin ta falënderoj edhe për vëmendjen e treguar në inkurajimin e dialogut me Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja mes të cilave, është një nga ngjarjet e mëdha, në funksion të një kohe të re për rajonin tonë.
Në kuadër të kësaj qasjeje të Sllovakisë që përfshin dhe mbështetjen për integrimin e Kosovës në BE, ne shpresojmë në bashkëpunimin e mëtejshëm të Sllovakisë për njohjen e Kosovës, si një rast pavarësie që nuk ka paralel në të drejtën ndërkombëtare. Shqipëria është shumë e interesuar dhe shumë e angazhuar të intensifikojë dialogun me Sllovakinë dhe kemi rënë dakort me Kryeministrin që të ngremë një grup të përbashkët me asistencën financiare të qeverisë sllovake për të identifikuar fushat, ku eksperienca e mirënjohur e Sllovakisë, mund të vlejë për rrugën tonë të reformave dhe të modernizimit të sistemit të qeverisjes dhe të mekanizmave të qeverisjes. Nga ana tjetër, kemi rënë po ashtu dakort që të angazhohemi bashkërisht për të ndërtuar një urë komunikimi për sipërmarrjen dhe për investimet, e posaçërisht për njohjen nga biznesi sllovak i potencialeve të Shqipërisë dhe i potencialeve turistike, në mënyrë të veçantë.
Jemi të bindur se ka një potencial për tërheqjen e turistëve sllovakë edhe drejt pjesës së Adriatikut dhe të Jonit që i përket bregdetit shqiptar.
Së fundi, duke nënvizuar edhe njëherë tjetër, mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Sllovakisë tradicionalisht ndaj Shqipërisë në rrugën e integrimit, mirënjohjen për mbështetjen po ashtu shumë aktive që Sllovakia dha edhe në muajt e parë që i paraprinë dhjetorit, kur Shqipëria meritonte të merrte statusin e vendit kandidat. Përgëzimi im për të gjitha arritjet e qeverisë së kolegut Fico dhe në tërësi të Sllovakisë në të gjithë këto vite, kam kënaqësinë e veçantë që t’ia kaloj fjalën Kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico.
Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico:
I nderuar zoti Kryeministër! Kjo është vizita ime e parë në vendin tuaj. E në qoftë se kam informacione të sakta që prej krijimit të Republikës sllovake, vendi juaj nuk është vizituar nga asnjë kryeministër sllovak. Kështu që do të doja t’u falënderoja shumë për mikpritjen mjaft të ngrohtë, për mikëpritjen që më keni treguar që prej momentit të parë të takimit.
I nderuar zoti Kryeministër! Do të doja t’u siguroja se Sllovakia është një vend, i cili ka pasur një përvojë shumë të mirë me anëtarësimin në BE dhe në fakt i urojmë çdo vendi që ka të njëjtën ambicie, të arrijë në procesin e integrimit, të njëjtën shkallë përfshirjeje në strukturat evropiane, ashtu siç ka mundur të bëjë Sllovakia. Sepse, nuk jemi thjesht shtete anëtare të BE, por jemi edhe pjesëtarë të hapësirës Shengen, duke patur gjithashtu në të njëjtën kohë edhe monedhën evropiane. Qeveria e Republikës sllovake ju ofron çdo përvojë që ne kemi përfituar nga procesi i integrimit të vendit, mbi të gjitha ofron mbështetje tërësore për ambiciet evropiane të vendit tuaj që janë të ligjshme dhe të justifikuara.
Qeveria e Republikës sllovake e ka mbështetur edhe ambicien tuaj edhe në dhjetor, që ju e përmendët dhe më vjen keq që u mor ai vendim që u mor. Kjo është edhe arsyeja sepse jemi të sigurt që në qershorin që vjen, çdo gjë do të shkojë aty ku duhet të ishte në fakt, dhjetorin që kaloi.
I nderuar Kryeministër! Jam i lumtur që ramë dakord sot për një lloj formati të bashkëpunimit që do ta diskutojmë më tej dhe që ju e përmendët. Është e vërtet që Sllovakia si shtet anëtar i BE ka miratuar dhe ka kryer një sërë vendimesh reformatore, në fusha si ajo tatimore, në sistemin e pensioneve dhe do të vazhdoja me radhë me reforma të tjera që kanë të bëjnë me administratën lokale e publike. Ne jemi të gatshëm në kuadër të asistencës që i ofrojmë një sërë vendeve, përfshirë edhe vendin tuaj, për të ngritur një ekip ekspertësh, të cilët do kalojnë kohë, javë, muaj, në vendin tuaj dhe që do të ishin në dispozicionin tuaj, sepse është vërtetë diçka shumë e rëndësishme që ne të ndajmë sëbashku përvojat, sepse kemi kryer gabime, por duhet të mësojmë nga këto gabime.
Zoti Kryeministër besoj se kemi nevojë që t’i transformojmë këto marrëdhënie të mira që kemi midis dy vendeve tona, marrëdhënie të mira ekonomike. Do të jetë kënaqësia ime që të informoj sipërmarrësit dhe investuesit sllovakë, të interesuar për të investuar në turizëm, që këtu ka mundësi të shkëlqyera. Vendi juaj ka qindra kilometra plazhe të mrekullueshme dhe besoj se mund të jetë destinacion vërtet interesant për turistët sllovakë, diçka e re, duke qenë se njerëzit kërkojnë vende të reja, mundësi të reja. Kuptoj nga ana tjetër, se kushtet e ndërtesave apo të infrastrukturës mund të kenë pak problem, por ky bashkëpunim mund të sjellë sukses.
Do të isha i gëzuar zoti Kryeministër, në qoftë se do të vizitonit së shpejti Sllovakinë dhe do të isha mjaft i lumtur, në qoftë se do të shoqëroheshit nga sipërmarrësit tuaj, gjatë kësaj vizite. Kështu mund të organizojmë sëbashku një forum biznesi në Bratislavë, për të ndarë së bashku përvoja me njëri-tjetrin, për mundësi që ekzistojnë jo vetëm në Sllovaki, por edhe në Shqipëri po aq.
Kemi rënë dakord gjithashtu, me zotin Kryeministër, që të përshpejtojmë punën për të nënshkruar disa dokumente ligjore dypalëshe midis dy vendeve tona, për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe marrëveshja tjetër ka të bëjë me mbështetjen dhe mbrojtjen e investimeve. Këto janë dy kushtet themelore të një bashkëpunimi të mirë ekonomik midis dy vendeve.
Do të doja t’ju uroja ju, qeverisë suaj dhe vendit tuaj përmbushje e suksese të mëtejshme, sepse më duhet t’ju them se tre muajt e parë të qeverisjes suaj, të fillesës, ishin mjaft mbresëlënëse, përsa i përket hapave shumë të mirë që keni ndërmarrë dhe duhet të vijoni në këtë drejtim. E pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë. Faleminderit shumë edhe për shembullin tuaj të miqësisë.
Përshëndetje. Një pyetje për Kryeministrin e Sllovakisë, bëhet fjalë për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Cilat janë pritshmëritë e Sllovakisë ndaj Shqipërisë, duke ditur se qeveria ka marr përsipër një sërë reformash dhe është në rrugën e zbatimit të tyre. Sllovakia si e shikon Shqipërinë në muajin qershor, do të jemi pjesë e BE-së këtë herë?
Kryeministri Fico: Në këtë moment po diskutojmë statusin e vendit kandidat, nuk po flasim për negociata apo kushte të tjera, në të cilat Shqipëria mund të bashkohej me BE-në në të ardhmen. Megjithatë, marrja e statusit të vendit kandidat është një gjest domethënës politik, i cili ka për qëllim ta inkurajojë vendin që të kryejë reformat e duhura, në mënyrë më dinamike. Ato reforma që janë të nevojshme për t’u bërë pjesë e BE-së. Ju lutem kuptoni se interesi i çdo vendi për t’u bashkuar me BE-në na bën t’i mbajnë gishtat e kryqëzuara, sepse ka qenë për ne, një histori suksesi. Shpesh kjo shoqërohet edhe nga financime të mëdha, që ofrohen nga strukturat evropianë. Problemi është se si të mund të ndihmojmë tani.
Ne gjithashtu kemi mbështetur në dhjetor Shqipërinë, nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme dhe Zëvendëskryeministrit, që Shqipëria të merrte statusin. Do të vazhdojmë ta japim këtë mbështetje. Duhet të ndodhë. Kjo është shpresa jonë në qershor të këtij viti. Do të ofrojmë të gjithë përvojën që ne kemi përftuar para 2004-s, para sesa të anëtarësoheshim, por edhe pas 2004-s. Kemi marrë vendime mjaft kurajoze në vendin tonë dhe jam i sigurt që duhet të ndajmë përvojat. Në Sllovaki themi se asgjë nuk ka rënë nga qielli, apo një tjetër thënie është që sa më shumë gjëra të bësh, aq më shumë merr njohuri, aq më shumë informohesh. Ndoshta mund të komunikojmë më tepër, për të identifikuar atë çka është e vlefshme dhe më e mirë për Shqipërinë. Mund të ofrojmë përvojën tonë dhe atë të gabimeve që kemi bërë gjithashtu. P.sh kur negocionim hyrjen e Sllovakisë në BE, negociatorët kanë bërë gabime, p.sh, në fushën e bujqësisë në Sllovaki, që nuk mori ato kushte që ne prisnim. Disa kohë pas anëtarësimit në BE, na u desh të mbyllnim dy njësi reaktorësh bërthamorë, p.sh. këto gjëra duhet të diskutohen.
Pak më parë, homologu juaj Rama deklaroi se shpresonte që Sllovakia të njohë pavarësinë e Kosovës. Zoti Kryeministër, çfarë e ka penguar vendin tuaj deri më tani, të mos e njohë pavarësinë e Kosovës? Faleminderit.
Kryeministri Fico: Zakonisht ju përgjigjem pyetjeve drejtpërdrejt dhe nuk kam arsye që të mos e bëj një gjë të tillë. Për momentin apo për këtë kohë, le të themi, Sllovakia nuk sheh arsye përse ta ndryshojë pozitën e saj politike karshi Kosovës. Nga ana tjetër, sidoqoftë do të doja të theksoja domethënien e dialogut që aktualisht është në zhvillim mes Beogradit dhe Prishtinës dhe ne e mbështesim këtë dialog. Ne e kemi mirëpritur dhe do të ishim mjaft të lumtur, në qoftë se ky dialog do të sillte një përfundim pozitiv e konkret dhe do të respektojmë çdo marrëveshje të arritur në kuadrin e këtij dialogu. Ajo çfarë po them dhe e them në shumë forume e evenimente, për këtë çështje mjaft serioze është të përsëris, le të mbështesim dialogun mes Beogradit e Prishtinës.
Së dyti, që është mjaft e rëndësishme që ju të dini, ka një pozicion politik të qeverisë sllovake, por gjithashtu është edhe një çështje praktike e jetës së përditshme. Qeveria jonë nuk do të ndërmarrë asnjë hap që jetën e përditshme të njerëzve në Kosovë do ta bënte më të vështirë. Kemi bërë disa hapa specifikë si p.sh pasaportat. Jemi mjaft elastikë. Pra, po ndjekim zhvillimet dhe do të ishim mjaft të lumtur, në qoftë se situata do të përmbyllej me një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës.
A mund të na thoni se çfarë keni përmbushur gjatë qeverisjes suaj dhe si po arrini të luftoni krimin e organizuar, e çfarë po përgatit më tej qeveria juaj, apo masat shtesë në këtë pikë?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetje tuaj! E vërteta është se 100 ditët tona të para ishin një moment pikënisjeje shumë i rëndësishëm dhe njëkohësisht me rezultate aq të prekshme, posaçërisht në luftën kundër krimit dhe në shprehjen e vullnetit për luftën kundër korrupsionit, sa qëndrimi shumë skeptik i fillimit, në rrugën e dhjetorit, për marrjen e statusit, i shumë vendeve, që lidhej me zhgënjimet e mëparshme, në raport me qeverinë e mëparshme, u kthye në shprehjen e qartë të respektit për rezultatet e 100 ditëve.
Sigurisht, që fokusi ynë në 100 ditët e para ka qenë të rikthejmë besimin tek shtetit dhe tek strukturat e shtetit, të japim shenja të qarta të vendosmërisë për të luftuar krimin e çdo forme, nga krimi i organizuar tek krimi i jetës së përditshme, që është një fenomen shqetësues për Shqipërinë, tek korrupsionin që, padyshim, përbën një tjetër problem shqetësues. Por, nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm që lufta kundër korrupsionit nuk është çështje e 100 ditëve apo e 300 ditëve, por është çështje që ka të bëjë me modernizimin e vendit. Sepse ne besojmë që nuk janë njerëzit që e korruptojnë sistemin, por është sistemi që i korrupton njerëzit. Për këtë arsye, jemi të vendosur që të modernizojmë sistemin. Dhe, për këtë arsye, jemi edhe shumë mirënjohës edhe për gatishmërinë e qeverisë sllovake dhe të Kryeministrit e të Zëvendëskryeministrit e Ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, për të na asistuar me eksperiencën e Sllovakisë dhe me ekspertizën teknike të nevojshme, në marrjen nga Sllovakia të atyre historive të suksesit që e kanë bërë Sllovakinë një nga historitë e suksesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Zoti Kryeministër Rama, 6 muaj nuk është një kohë e gjatë në jetën e një shteti. Kjo është periudha që ju kanë dhënë shtetet anëtare të BE-së, ose disa prej tyre, që t’i tregoni se e meritoni statusin e vendit kandidat. Dhe ka kategori të tilla, si krimi i organizuar, që janë një luftë afatgjatë apo kategori të cilat ndoshta mund t’i arrini që t’i përmbushni këto 6 muaj, për të bindur Danimarkën apo Holandën?
Kryeministri Edi Rama: Që Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat, këtë nuk është se e themi ne, këtë e tha qartë Komisioni Evropian, që iu drejtua Këshillit Evropian me rekomandimin e pastër për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.
Nga ana tjetër, që statusi i vendit kandidat në dhjetor ishte thuajse në dorën tonë, edhe për sa i takon qëndrimit të vendeve anëtare, edhe kjo është fare e qartë. Dhe, që në fund vendimi u influencua nga qëndrimi i një sërë forcash, në disa nga vendet, dhe nga fakti se në vendet e Bashkimit Evropian ka zgjedhje në pranverë, edhe ky nuk është një sekret.
Kështu që, ne jemi të bindur që Shqipëria do ta meritojë edhe më shumë seç e meritonte në dhjetor statusin e vendit kandidat. Ashtu sikundër, jemi të bindur që sfida e integrimit nuk është statusi i vendit kandidat, por është hapja e negociatave për anëtarësim, është rruga e gjatë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Që për ne, nuk është një udhëtim për të shkuar diku tjetër, por është një udhëtim brenda vetes, për të gjetur të gjitha energjitë dhe gjithë vullnetin për të modernizuar dhe evropianizuar Shqipërinë, këtu. Sigurisht që lufta për modernizimin është edhe lufta që e bën të qëndrueshme përpjekjen kundër korrupsionit, kundër krimit, kundër informalitetit, e kështu me radhë.
Për marrjen e statusit të vendit kandidat, a mund të bëni ndonjë gjë tjetër, sepse kam përshtypjen që nuk është e mjaftueshme të mbështeteni te ndryshimet në disa vende pas zgjedhjeve?
Kryeministri Edi Rama: E kisha dëgjuar nga Kryeministri që media në Sllovaki është shumë energjike. Edhe është ndër për mua që të marr kaq shprehje interesi nga ana juaj.
Ju siguroj që ne do të bëjmë gjithçka na takon, hap pas hapi, në çdo fushë, për Shqipërinë Evropiane.
Kemi fituar në 23 qershorin e kaluar zgjedhjet, me 1 milionë vota, më një koalicion që quhet “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, programi ynë është një program i evropianizimit dhe i modernizimit. Jemi tërësisht të bindur se jo vetëm Shqipëria do të meritojë vendin që i takon në Bashkimi Evropian, por se me këtë proces Shqipëria do të transformohet dhe do të bëhet evropiane, ashtu sikundër e dëshiruan të gjithë ata që dolën në rrugë kundër regjimit të vjetër, me thirrjen “Duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Shumë faleminderit!