Fjala e Kryeministrit Rama në përurimin e projektit “Smart Classroom” në gjimnazin “Andon Zako Çajupi” në Tiranë:
“Sot është dita për të kremtuar dallëndyshen e parë që lajmëron një stinë të re për shkollën shqiptare dhe përkatësisht për arsimin parauniversitar. Është dita për të qenë së bashku dëshmitarë të çeljes së një epoke të re për shkollën dhe të një rruge transformimi rrënjësor të marrëdhënieve mes shkollës dhe familjes, mes çdo nxënësi dhe botës së dijes dhe padyshim mes mësuesve dhe nxënësve.
Ne jemi shumë krenarë që sot i hapim rrugë jetësimit të një tjetër zotimi të rëndësishëm që është se do të kapërcejmë të gjithë hendeqet dhe muret që ndajnë qendrën dhe periferinë, kur vjen puna tek edukimi; që ndajnë fëmijët e familjeve të mirëqenia, me fëmijët e familjeve të varfra; që ndajnë rrugën e të ardhmes për disa nga të disa të tjerë, padrejtësisht, për shkak të varfërisë, për shkak të pamundësive që ka shteti për të krijuar kushte dhe infrastrukturë tradicionale, të barabartë, kudo në të gjithë territorin e Shqipërisë, në një kohë të shkurtër.
Inovacioni në procesin e marrjes dhe të dhënies së mësimit, është arma jonë për ta zmbrapsur gjithë këtë prapambetje që vjen si imponim, pikërisht sepse ne nuk i kemi sot mundësitë që me mjetet tradicionale t’i përballojmë sfidat ku na vë përpara varfëria e shumë familjeve, izolimi i shumë komuniteteve, dallimi i madh mes qendrës dhe periferisë, në kuptimin mes qytetit dhe fshatit.
Me një tabletë në dorë, gjithsekush bëhet pjesë e një shoqërie e një komunitet të barabartësh, pavarësisht se është në shkollën “Andon Zako Çajupi”, në mes të Tiranës apo nëse shkolla e tij është dy orë larg dhe nuk ka as çati. Sepse kjo është rruga që praktikisht e sjell dijen dhe sjell të gjitha instrumentet për të mësuar në dorën e çdo nxënësi dhe krijon kushtet që nxënësi dhe mësuesi të komunikojnë pa praninë e njeri-tjetrit, kur kjo prani është e pamundur apo ku është nevoja për të komunikuar në funksion të përgatitjes. Kur ne thamë që do ta transformojmë sistemin tonë arsimor parauniversitar, duke bërë që brenda 4 viteve në këtë sistem të kemi një tjetër nxënës, në kuptimin e mjeteve në dispozicion për t’i hapur të gjitha rrugët e njohjes falë një tableti, shumëkush qeshi dhe jo pakkush u ngut që të bënte komente cinike dhe ironike. Mirëpo faktikisht, jo vetëm që kjo është e vetmja rrugë për ne, por kjo është rruga nëpërmjet së cilës vende më pak të zhvilluara kanë sot mundësinë të shkojnë, sot, aty ku dhe vende shumë më të zhvilluara nuk kanë shkuar apo janë duke shkuar njëkohësisht.
Dua ta falenderoj Piterin për përshëndetjen që bëri dhe për kredinë që i dha qeverisë shqiptare si shembull me këtë projekt për të gjithë rajonin. Dua ta falenderoj, sepse është fjala e dikujt që udhëheq një nga kompanitë më të mëdha globale në fushën e inovacionit dhe që ka një njohje të thellë për mënyrën se si zhvillohen marrëdhëniet mes komunitetit, individit dhe inovacionit në rajonin tonë.
Sigurisht, besoj që është fare e qartë se kjo nuk është merita jonë, kjo është thjesht kurajoja për të ëndërruar dhe për t’i shkuar pas ëndrrave pa asnjë frikë dhe për të kapërcyer pengesa që duken të pakapërcyeshme, në mënyrë që ëndrrat të bëhen realitet shumë më shpejt sesa mund të duket.
Nuk dua të zgjatem më shumë, por dua të nënvizoj se me këtë risi që prezantohet thjesht përmes këtij shembulli, në një shkollë të vetme të Shqipërisë, në shkollën “Andon Zako Çajupi”, ne do të krijomë kushtet që marrëdhënia e shkatërruar për vite të tëra, mes shkollës dhe familjes, të rindërtohet dhe prindi e mësuesi të ribëhen aleatë mes tyre dhe partnerë, për të mirën e çdo nxënësi.
Sigurisht që ju mund të mos iu vijë fort mirë, që falë këtij sistemi dhe programeve që do të përfshihen brenda këtij sistemi, mami me babin do ta marrin vesh në kohë reale, a jeni në mësim, apo s’jeni në mësim, në momentin kur mësuesja do shënojë notën në regjistrin e saj elektronik, nota do t’i dali mamit ose babit në celular.
Këto janë gjëra që, me thënë të drejtën, janë të këqijat e teknologjisë. Nuk keni çfarë të bëni. Se nuk mund t’i ketë teknologjia, të gjitha të mira. Por, pa dyshim, për ju do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme që përmes këtyre instrumenteve, por dhe përmes kësaj marrëdhënieje së re që do të krijohet mes shkollës e familjes, ju të mund të nxirrni përfitimet më të mëdha dhe të bëni një investim, shumë herë më efikas, për të ardhmen tuaj.
Kostoja që do paguani, e di që nuk është e vogël, sepse do jeni të kontrolluar si asnjëherë tjetër dhe praktikisht nuk do gënjeni dot, duke thënë që isha në mësim po zysha nuk më vuri re, se kur u bë apeli, nuk më doli emri apo, jo nuk më pyetën sot, ndërkohë që ke marrë një notë që prindërit i bën të palumtur. Por nga ana tjetër do të lindin shumë gjëra të tjera dhe shumë mundësi të tjera, që me siguri do t’ju bëjnë të ndjeheni shumë mirë.
Unë dua t’ju uroj vërtet çdo të mirë, ju që përfitoni edhe pak për meritë të shkollës “Andon Zako Çajupi”.
“Çajupi” është një shkollë me traditë të madhe në këtë qytet që bëhet përditë e më i madh, po ku këto embrione të vogla mbeten padyshim, gjithmonë, në lartësinë e një reputacioni që të tjerët do duan vite ta arrijnë.
E dua që të besoj se Ministrja e Arsimit, bashkë me skuadrën e saj, ashtu siç kanë bërë deri tani, duke, praktikisht, dhënë një shembull inspirues për të gjithë ne, për gjithë skuadrën e qeverisë, me gjithë hapat e shpejtë e të vendosur që kanë hedhur drejt transformimit, do të bëjnë të mundur që të udhëhiqet me sukses, procesi i mbushjes së gjithë këtyre sistemeve me programe dhe që këto sisteme komunikimi të flasin shqip, jo vetëm në një, dy, tre apo katër lëndë, por në të gjitha lëndët, brenda një kohe të arsyeshme, që nuk është as një vit, as dy vjet, sigurisht, është më shumë se kaq. Do të bëjnë të mundur që, pa as më të voglin dyshim, në këtë formë do të rritet në mënyrë të atillë, transparenca e vlerësimit të dijes, që padyshim do të na vlejë jashtëzakonisht shumë, për të transformuar gjithë sistemin tonë arsimor në funksion të rritjes së cilësisë edhe në universitete dhe në funksion të rritjes së cilësisë të burimeve tona njerëzore për tregun e punës.
Ashtu sikundër jam i bindur që ajo çka sot duket si një tjetër utopi, falë përfshirjes në këto sisteme, do të bëhet realitet, duke pasur shumë herë më shumë të punësuar të rinj në botën virtuale. Ne kemi shembuj në Shqipëri. Ministrja e Inovacionit i ka sjellë parasysh. Po kuptohet, si çdo gjë e sjellë parasysh, që është e re, duke ngjallur shpirtrat cinikë dhe shpirtin e kundërshtimit që ç’janë këto budallallëqe. Por, në fakt, e vërteta është që shembujt e punësimit online janë edhe në Shqipëri dhe do të shkojnë duke u shtuar dhe duke u bërë një sektor i punësimit në këtë vend, në një kohë shumë më të shpejtë sesa ç’ne mund ta mendojmë sot.
Të gjitha arsyet i keni që ta merrni me lehtësi koston që jua bëra të qartë se kush është dhe kuptohet që më shumë, këtë kosto do ta përballojnë më shumë çunat se gocat, sepse eksperienca ka treguar që gënjeshtrën pa zarar e kanë çunat më shumë qejf, se gocat s’para gënjejnë.
Edhe një herë, shumë, shumë suksese dhe kënaquni se përveç të tjerave, kjo është edhe kënaqësi. Është pak si një lojë dhe kur gjërat shumë serioze bëhen edhe pak si lojë, atëherë bëhen më mirë se kur merren aq seriozisht, sa nga serioziteti harron edhe t’i bësh.
Faleminderit!
***
“Smart Classroom” është realiteti më i ri për nxënësit e shkollave të arsimit parauniversitar në vend. Gjimnazi “Andon Zako Cajupi” në kryeqytet, u bë përfituesi i parë i këtij projekti inovativ, modern e bashkëkohor, i cili do të jetë nga sot e tutje pjesë e formimit për këta nxënës, duke mundësuar një cilësi krejt të re dhe të ndryshme në komunikimin mësues-nxënës-prindër.