Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin në Lalëz, mbi projektin “Smile Albania”:

 

Shumë faleminderit për mikpritjen dhe përgëzime rezistencën, pavarësisht temperaturës dhe pavarësisht se keni disa javë që rezistoni në temperatura të larta për të bërë një punë që besoj është fillimi i një programi që vit pas viti do bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm dhe i pandashëm nga sezoni turistik.

Ishte një provë e parë, ka pasur falë jush, vajzave dhe djemve të angazhuar goxha efekte pozitive, por ka edhe mjaftueshëm mësime për ne, se si ta organizojmë edhe më mirë, me edhe më shumë shtrirje, edhe më shumë impakt programin “Smile Albania”. E në këtë aspekt, unë sinqerisht do t’ju ftoja dhe do t’ju lutesha që në bashkëpunim me ministrin, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit të organizohet një mbledhje e mendimeve tuaja sepse në fund të fundit, ju keni qenë në terren ju keni parë, ju keni dëgjuar, ju keni konstatuar, qoftë sa efikas ka qenë programi, sa janë përmbushur pritshmëritë që keni pasur në momentin e parë, por ajo që është më e rëndësishme, çfarë ju propozoni se duhet bërë më mirë vitin e ardhshëm dhe si mund të bëhet më mirë vitin e ardhshëm.

Këto takime që ne kemi vendosur të bëjmë tani në fund të gushtit, nuk janë takime përmbyllëse të sezonit turistik, por janë takime për të prekur gjithë grupet, faktorët, aktorët e një ekonomie që është ekonomia e turizmit që është dhe një shtyllë gjithmonë e më e rëndësishme e ekonomisë sonë kombëtar.

Kemi pasur një sezon në shumë aspekte pozitiv, në shumë aspekte të suksesshëm, në raport me objektivat tona.

Ka qenë sezoni pa diskutim më i pastër turistik edhe falë kontributit tuaj,  edhe falë angazhimit të jashtëzakonshëm të ministrit të turizmit, të strukturës së ministrisë, falë dhe një bashkëpunimi më cilësor me pushtetin vendor, falë dhe një fushate të gjatë sensibilizuese, ka qenë sezoni me më pak plehra, por kjo nuk do të thotë aspak se ne kemi zgjidhur një problem të madh të trashëguar që në radhë të parë është një problem kulturor dhe një problem mendësie tek vetë ne. Tek ne, patriotët shqiptarë që jemi gati të përmbysim Facebook-un me sharje kur vjen puna për kundërshtarët e ekipit kombëtar apo me lot gëzimi kur vjen puna për shenjën e shqiponjës dhe nuk jemi ende gati që të mos hedhim plehrat kudo ku na vjen për mbarë, të mos e bëjmë pis atdheun tonë, shtëpinë tonë.

Shqipëria nuk është një vend i ndotur. Një vend i ndotur është një vend i ndotur nga industria, një vend i ndotur nga pasojat e rënda të zhvillimeve industriale.

Shqipëria është një vend që është pis për shkak se ne jemi të padrejtë dhe të pabesë me të, në radhë të parë. Nuk janë turistët e huaj që janë gjithmonë e më të shumtë në numër që hedhin plehrat kudo ku ju del nevoja, jemi ne. Sidoqoftë, në këtë aspekt ka pasur progres ky sezon dhe unë ju falënderoj për kontributin që ju keni dhënë.

Ne duhet ta forcojmë këtë komponent të “Smile Albania” që ka të bëjë me grupet që janë në të gjitha plazhet për të sensibilizuar, për të dhënë shembullin e për t’i vënë në pozitë ata, të cilët janë mësuar që të hedhin ato lëkurat e shalqirit nën shezlong dhe ti mbulojnë me rërë.

Së dyti, ka qenë sezoni turistik më i sigurt. Ne ishim dje në Lezhë me operatorët turistik me të cilët kemi pasur disa biseda që vjeshtën e kaluar kur po përgatisnim sezonin turistik dhe dy probleme kryesore që ata kanë ngritur vjeshtën e kaluar, sot thonë me plot gojën që janë zgjidhur. Problemi i vjedhjeve nëpër hotele ka qenë një fenomen dhe nuk ka pasur në këtë verë asnjë rast shqetësues sepse ka qenë një organizim i shkëlqyer midis policisë së shtetit dhe operatorëve.

Po ashtu edhe problemi i energjisë elektrike. Në gjithë zonën e Shëngjinit, energjia elektrike ka ikur vetëm për 20 minuta një herë të vetme, si rezultat i investimeve që janë bërë dhe që janë bërë, jo vetëm aty, por dhe në gjithë bregdetin. Kjo nuk do të thotë që akoma s’kemi probleme, por kjo do të thotë që kemi pasur një sezon ku një organizim komplet ndryshe i qeverisë, i ministrive përkatëse, i strukturave të shtetit dhe një përpjekje për të rritur bashkëpunimin me pushtetin vendor ka dhënë rezultate pozitive.

Kemi pasur sezonin më të sigurt turistik nga pikëpamja e krimeve. Përjashto atë hatanë, masakrën e Vlorës dhe shifrat janë shumë domethënëse në këtë aspekt, siç kemi pasur sezonin më të sigurt turistik nga pikëpamja e detit.

Edhe në këtë aspekt shifrat janë shumë domethënëse.

Deri vitin e shkuar, numëroheshin shumë aksidente tragjike. Këtë vit numri i tyre është ulur dhe po të kemi parasysh se bëhet fjalë për miliona njerëz, atëherë sigurisht që nuk jemi aspak të vetëkënaqur, deri sa shifrat të jenë fare minimale, por ka një progres shumë pozitiv. Nuk ka pasur më probleme me mjetet e ujit, që deri vjet ishin një katastrofë, që futeshin midis pushuesve, midis notuesve, fëmijëve e kërcënonin jetën e tyre. Kemi pasur të vrarë nga mjetet e ujit. Këtë vit kanë qenë të disiplinuara në kufijtë e tyre.

Ka qenë viti me disiplinën më shembullore, ligjore, nga pikëpamja e zhurmave. Ka pasur tek tuk eksese, por në mënyrën më absolute, oraret e mbylljes së muzikës me zë të lartë janë respektuar në zonat e pushimit.

Ka qen viti me shërbimin më të mirë shëndetësor të urgjencës shëndetësore në të gjithë bregun. Shifrat flasin për këtë dhe gjithë sistemi i përforcimit të shërbimit me pikat e urgjencës shëndetësore që u ngritën për sezonin ka funksionuar mjaft mirë dhe ka qenë viti me larminë më të madhe, pasi ka pasur rreth 500 aktivitete artistike, kulturore, sportive. Opera e vendit ka qenë në të gjithë pikat kryesore turistike dhe kanë dhënë shfaqje për të mos përmendur këtu të tjera e të tjera.

Pra, jemi në një moment, kur turizmin po e shohim gjithmonë e më shumë të na japë mbrapsht atë që duam prej tij, por ku kemi një potencial të jashtëzakonshëm për të rritur ekonomikisht vendin, për të rritur punësimin, për të rritur vlerësimin, pra rrogat, pagat për ata që janë të punësuar në turizëm dhe atyre që thonë çmimet janë të larta, ju them që së pari, është interesant sepse turistët e huaj vijnë në Shqipëri dhe thonë: Shqipëria është shumë e bukur, pushimet janë të lira dhe mikpritja është e jashtëzakonshme. Ndërkohë që shqiptarët që komentojnë thonë, Shqipëria është e shëmtuar, pushimet janë shumë të shtrenjta dhe të gjithë ata që shërbejnë janë për t’u vrarë. Tani, ose turistët e huaj janë nën efektin e drogës që i kemi dhënë ne si qeveri dhe nuk dinë as ku kanë ardhur dhe as çfarë flasin ose pastaj ka një problem me vetë këta që komentojnë. Për sa i përket çmimeve, çmimet i vendos tregu, nuk i vendos qeveria dhe nuk ka çmime të larta që e lënë restorantin bosh apo e lënë hotelin bosh, sepse falimenton. Përderisa ka klientë, konsumatorë e kështu me radhë, atëherë do të thotë që ka një balancë dhe nuk diskutohet që pushimet në Shqipëri janë ende shumë të lira. Nga ana tjetër, ka dhe një argument që besoj është shumë i rëndësishëm për t’u pasur në konsideratë, që numri i shqiptarëve që kanë zgjedhur të pushojnë jashtë shtetit është rritur, në mënyrë të konsiderueshme. Kjo çfarë tregon? Kjo tregon një rritje të fuqisë së konsumit, që të marrin avionin e të shkojnë diku tjetër, jo se është më lirë, se kudo qoftë ku të shkosh nuk është absolutisht më lirë, të paktën në Mesdhe, por janë dy komponentë që flasin shumë.

Këto nuk janë për të thënë që shikoni se sa të lumtur duhet të jemi, këto janë për të thënë që shikoni se sa shumë mundësi kemi dhe se sa shumë potencial për të shfrytëzuar kemi për të bërë gjënë e duhur në funksion të ekonomisë, në funksion të punësimit, në funksion të imazhit të Shqipërisë.

Deri vjet kemi pasur në jo pak raste artikuj nga gazetarë apo nga vetë ata që kanë pushur në Shqipëri që shkruajnë në gazetat e huaja gjëra vërtet shqetësuese e sekëlldisëse, jo pis, këtu, jo aty. Ndërkohë që gjatë këtij viti, falë edhe përgatitjeve që janë bërë, por falë edhe imazhit që është përmirësuar, ju e keni parë, të gjithë e kanë parë që në të gjitha revistat dhe gazetat e mëdha, ku flitet për turizëm, Shqipëria nuk ka munguar dhe në shumë nga ato faqe që janë pikë referimi është shënuar si një destinacion për të mos u humbur. Si shpjegohet kjo? Çfarë janë këta që bëjnë këto vlerësime? Të droguar nga qeveria edhe këta? Apo të blerë, i kemi blerë të gjithë gazetat dhe revistat e rëndësishme që promovojnë vende turistike që të flasin për ne. Jo, janë një seri zhvillimesh pozitive dhe kthehem përsëri edhe tek puna juaj, është edhe ajo që bëtë ju, si pjesë e të tërës sepse vinin njerëzit nëpër 9 pika hyrëse në mos gabohem kufitare dhe gjenin vajza e djem që i prisnin me buzëqeshje, i jepnin informacionet e para, i orientonin, pra ishte një surprizë e bukur, në rastin më të thjesht. Sigurisht që është një ndryshim i madh midis fytyrës së secilit prej jush që buzëqesh dhe portretit të një rojeje me barkun sikur ka brenda tre koka të miat, që të sheh me inat që pse ke ardhur në Shqipëri dhe nuk të lëshon, po nuk të mori astarin e xhepit. Ky është një ndryshim i madh edhe në porte, edhe në aeroport, edhe në pikat kufitare tokësore.

Ne po bëjmë disa përpjekje që janë drejt finalizimit. Duam të vendosim një pikë të përbashkët kontrolli me Greqinë për të lehtësuar shumë hyrjet dhe daljet. Duam të vendosim një pikë të përbashkët kontrolli me Kosovën për të lehtësuar shumë hyrjet dhe daljet në mënyrë që të mos ketë dy palë policë, dy palë kontrolle, e kështu me radhë dhe këto besoj se do të jenë vlerë e shtuar në sezonin e ardhshëm.

Ashtu sikundër në përfundim të sezonit, në fund të shtatorit, ne do të fillojmë menjëherë punën për sezonin tjetër dhe do të  paraqesim brenda këtij viti dhe planin e sezonit tjetër.

Unë ju falënderoj edhe një herë dhe e fillova me rezistencën, po e mbaroj me rezistencën. Përveç njërit atje që duhet ta çoni menjëherë në ujë sepse e zuri gjumi, të gjithë të tjerët jeni në super formë, pavarësisht diellin dhe pavarësisht se ju desh të më dëgjoni dhe mua që më dëgjoni edhe po të hapni frigoriferin.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.