Spitali i ri Qendror në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” hapi sot dyert e shërbimit për pacientët, duke nisur një epokë të re në standardin e ofrimit të shërbimeve për mjekësinë shqiptare.
Vepra më madhore e ndërtuar përgjatë tre dekadave në shëndetësi, e shtrirë në një sipërfaqe ndërtimi rreth 26 mijë m2, ofron 345 shtretër dhe 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara. Në spitalin e ri do të shërbejnë 612 mjekë, infermierë e profesionistë të shkencave mjekësore, gjithashtu koordinatorë e punonjës mbështetës.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, si dhe mjekë të Qendrës vizitoi sot mjediset e përfunduara të spitalit, ku do të trajtohen në kushtet më optimale, mesatarisht 140 mijë pacientë në vit.
Duke uruar njëkohësisht ditën e shënuar për të gjithe besimtarët bektashinj, Kryeministri Rama e vlerësoi infrastrukturën e re spitalore, si veprën më të madhe dhe komplekse të ndërtuar në këto vite.
* * *
Gëzuar festën e gjithë komunitetit bektashi! Me këtë rast, gëzuar të gjithëve një ditë me diell pushimi, që shpresoj që të gjithë ju që jeni këtu, të mos e ndjeni të cënuar për shkak të këtij moment ceremonial, të cilin për hir të së vërtetës mezi e kemi pritur sepse ky spital është vepra më e madhe dhe më komplekse që kemi ndërtuar në këto vite, por edhe përmbushja e një nevoje të madhe për të kaluar në nje epokë tjetër, në shërbimin tonë shëndetësor, duke u vënë në dispozicion mjekëve dhe infermierëve apo të gjithë punonjësve të sistemit, një spital, i cili ka jo vetëm mjediset më të përshtatshme për misionin e tyre, por edhe instrumentat e nivelit më të lartë bashkëkohor sot.
Kjo na bën vërtetë krenarë sepse ajo çka vërtetë kemi menduar dhe ajo ç’kemi besuar dhe për të cilën gjithmonë jemi përpjekur, është bindja se motivimi i mjekëve, i infermierëve dhe suksesi i shërbimit mjekësor kombëtar nuk është thjeshtë dhe vetëm çështje motivimi financiar, që patjetër është një element i rëndësishëm, por është edhe çështje kushtesh, çështje instrumentash, çështje mundësish që mjekët tanë dhe gjithë personeli, të mund të rriten profesionalisht në vazhdim dhe të mund të ekzekutojnë në praktikë të gjitha dijet dhe forcën e eksperiencës së tyre. Kështu që të gjithë atyre që do të punojnë në këtë spital, e do t’i japin kuptimin e shërbimit të përditshëm e të përnatshëm ndaj njerëzve këtij objekti të rëndësishëm, i uroj me gjithë zemër që ta gëzojnë, që të kenë sukses dhe të që ndihen çdo ditë të motivuar për të riardhur në punë.
Nuk dua të zgjatem me investimet, as me planin e mëtejshëm të Qendrës Spitalore Universitare sepse këto i preku pak ministrja dhe janë pjesë e realitetit të përditshëm të kësaj qendre të cilën ne jemi të vendosur ta kthejmë, siç po bëjmë dita-ditës, në një qendër ekselence në të gjitha kuptimet, qoftë për në mjediset e brendshme, qoftë në mjediset e jashtme, qoftë në aspektin e kushteve të punës, qoftë në aspektin e instrumentave, e kështu me radhë, por dua të qëndroj pak në përpjekje për të mos bërë një fjalë të gjatë, tek mjekët, tek infermierët, tek profesorët e nderuar që prej vitesh shërbejnë dhe më vjen shumë mirë që edhe pse vonë në raport me karrierrën e tyre të gjatë, më mirë vonë se kurrë, po vazhdojnë të shërbejnë në kushte optimale, të cilat siç e thonë edhe vetë, jo shumë vite më parë as nuk i kishin imagjinuar se mund të ishin realiteti i punës së tyre të përditshme, deri tek mjekët e rinj specialistë apo jo, në punë sot apo nesër, pasi të mbarojnë studimet.
Ne kemi vendosur që të rrisim në mënyrë shumë agresive pagën për mjekët specialistë. Ky tani është një fakt i kryer dhe paga e muajit prill do të jetë 500 dollarë, siç tha ministrja, apo 50 mijë lekë plus dhe natyrisht nuk duam të ndalemi këtu, do të rrisim pagën e mjekëve të përgjithshëm dhe të infermierëve siç e kemi premtuar me 7 % këtë vit dhe do të përgatitemi për një rritje tjetër të rëndësishme të pagës së tyre, por përsëri edhe kjo besojmë është e pamjaftueshme.
Prandaj, së shpejti do të publikojmë edhe një tjetër program të posaçëm për mjekët, për ushtarakët, për punonjësit e policisë, për të garantuar strehimin e mjekëve të rinj specialistë, natyrisht kur të paraqiten çift jo tek, që do të thotë, për të gjithë çiftet e reja të mjekëve specialistë, të punonjësve të policisë, të ushtarakëve dhe me çifte të reja kam parasysh, ata që do vijnë të freskët në martesë apo ata që ndërkohë e kanë kaluar pranverën dhe tani janë në verën e martesës së tyre, para se të vijë vjeshta, të jenë subjekte të këtij programi ku shteti, qeveria do të mbështesë kreditimin e tyre për të pasur mundësinë e marrjes së një shtëpie me kushte krejtësisht të tjera nga kushtet e tregut bankar.
Besojmë shumë që në këtë mënyrë ne do të t’i japim një tjetër motivim të rëndësishëm mjekëve të rinj, por besojmë shumë njëkohësisht që përtej motivimit, ky është një detyrim që shteti do ta marrë përsipër në kushtet kur plotësimi i nevojave me një shërbim mjekësor dhe shëndetësor të nivelit më të lartë është një objektiv që ne do ta arrijmë patjetër, por ama është edhe një sfidë gjithmonë e më e madhe si rezultat i një lëvizjeje të përgjithshme migratore të mjekëve dhe të infermierëve në të gjithë Europën, për hir të së vërtetës.
Nuk është vetëm një fenomen i Shqipërisë dhe faktikisht ata që kanë lëvizur dhe kanë shkuar përpara, kanë krijuar një reputacion shumë të mirë, gjë që bën që që nga Gjermania, por edhe nga disa vende të tjera, ata që vijnë nga Universiteti i Mjekësisë në Shqipëri, konsiderohen me një nivel të pranueshëm për t’u integruar me shpejtësi në tregun e atjeshëm të punës në shërbimin shëndetësor.
Dhe për këtë arsye, ne do të kombinojmë disa masa detyrimisht dhe patjetër që ne nuk mund ta vazhdojmë, e kam thënë disa herë dhe po e përsëris, përpara se të formësojmë edhe një politikë të caktuar për këtë, në vijim, që të financojmë studimet në mjekësi me një ndarje me studentët që është absolutisht e kuptueshme, tërësisht e pranueshme kur studentët qëndrojnë në Shqipëri. Por nuk mundet dot Shqipëria të financojë shërbimin shëndetësor gjerman. Këtë ia kam thënë edhe palës gjermane, por pala gjermane shikon interesin e vet, ndërkohë që ne nuk mund dot të cënojmë interesin tonë dhe nuk mund të pranojmë që një student në mjekësi, të paguajë 1/16 e kostos së studimit dhe të gjithë pjesën tjetër ta paguajë shteti duke mbuluar një kosto, e cila është 15 pjesë më e lartë sesa tarifa, me kontributet e taksapaguesve dhe në fund studenti të marrë diplomën e të iki në Gjermani apo kudo qoftë tjetër.
Patjetër që ne nuk mund të ndalojmë lëvizjen e lirë dhe nuk mund të mbajmë askënd me zor në Shqipëri, por ama, do të bëjmë një politikë tërësisht të diferencuar të kostos dhe të tarifës, në raport me angazhimin dhe me konkretizimin e angazhimit për të qëndruar në Shqipëri për një periudhë kohe të caktuar, jo përgjithmonë, por për një periudhë kohe të caktuar dhe kjo është gjëja më normale.
Ashtu sikundër, ne besojmë që është koha që studimet të mos mjaftojnë për të marrë diplomën e mjekësisë, por të duhet dhe praktika dhe kur them që të duhet dhe praktika domethënë që deri në fund të praktikës, që nuk është vetëm një praktikë profesionale, por edhe një praktikë njerëzore, studentët nuk do të pajisen me atë lejen që kthehet në një biletë për të ikur sepse është e pamundur ndryshe që ne të garantojmë për shqiptarët këtu, për qytetarët këtu dhe për ata që, ju e dini më mirë se unë, vijnë dhe nga jashtë për t’u kuruar këtu, një shërbim shëndetësor të standardeve europiane. Po qe se burimet tona njerëzore që zhvillohen me sakrifica të gjithanshme, edhe të prindërve natyrisht, edhe të vetë studentëve, por edhe të taksapaguesve, të mos mjaftojnë për të arritur objektivat. Për këtë, sigurisht që, ne do ta shtrijmë diskutimin edhe me rektoratin, edhe me komunitetin në mënyrë që të bëjmë politikën më të mirë dhe më të drejtë të mundshme.
E fundit që kam është që rritja e pagave është njëra anë e medaljes së transformimit të kornizës së motivimit financiar të mjekëve dhe është, si të thuash, ajo anë e medaljes që garanton nivelet bazë.
Pra, edhe paga e re me 50 mijë lekë të reja plus çdo muaj për mjekët specialistë, sot është një rritje e jashtëzakonshme dhe e pa ndodhur asnjëherë më pare, por në raport me të nesërmen është garantimi i një niveli bazë.
Ndërkohë që, me autonominë spitalore ne duam që mbi këtë nivel bazë, mjekët të mund të fitojnë më shumë në raport me kontributin më shumë ose më pak, në raport me kontributin më pak në gjithë eksperiencën e tyre të përditshme, që do të thotë që ne e dimë shumë mirë që të gjithë mjekët specialistë janë në shërbim, por jo të gjithë kryejnë të njëjtin volum pune, jo të gjithë kryejnë të njëjtin volum ndërhyrjesh, jo të gjithë kryejnë të njëjtin volum konsultash, e kështu me radhë dhe në raport me këtë, autonomia spitalore do të mundësojë që kush kontribuon më shumë dhe kush kryen një volum më të madh pune do të marrë më shumë financiarisht, gjithmonë mbi këtë nivel, nuk flas nën këtë nivel.
Ky është niveli që do të garantojë buxheti i shtetit, ndërkohë që pjesën tjetër do ta garantojë autonomia spitalore. Do jetë një moment paksa për të ardhur keq për spitalet private, por ne nuk jemi këtu për të bërë spitalet private që të ndjehen mirë medoemos. Ne jemi këtu, në radhë të parë, që të bëjmë sistemin publik që të ndjehet sa më mirë dhe do të jetë një moment për të ardhur keq për spitalet private sepse askush nuk do ketë më, as nevojë dhe as dëshirë që të shkojë të punojë në spitale private, pasi kryen pjesën e punës në spitalin publik sepse puna në spitalin publik do të jetë edhe një mundësi për të kryer punë në profesion njësoj, por për t’u shpërblyer përtej pagës.
Në këtë mënyrë do të mbarojë përfundimisht edhe historia e ryshfeteve dhe thashethemeve sepse ne e dimë shumë mirë që është absolutisht e pavërtetë dhe tërësisht e neveritshme shprehja e rëndomtë dhe e përsëritur sa herë del një mjek përpara, qoftë në formë fizike, qoftë në fotografi apo qoftë kur ne flasim për mjekët “Hë mo se këta të lënë të vdesësh po nuk futët dorën në xhep”.
E dimë shumë mirë që realiteti i sotëm i shërbimit shëndetësor është komplet ndryshe dhe që absolutisht shërbimi jepet dhe merret në kushtet maksimale për të gjithë, pa kushtëzuar në asnjë formë të tillë dhënien e shërbimit, por e dimë shumë mirë që edhe mes bluzave të bardha ka xhagajdurë dhe njerëz të padenjë, të cilët me veprimet e tyre ndotin të gjitha bluzat e bardha.
Autonomia spitalore dhe mundësia për të fituar më shumë përtej pagës, pa lëvizur nga vendi i punës në shërbimin publik, do t’i japë fund edhe kësaj historie dhe kush do dojë të marrë një shërbim më të shpejtë, kush do dojë të marrë një shërbim enkas, drejtpërdrejtë tek mjeku filan, kush do dojë të shkojë të regjistrohet për vizitë ekstra e të tjerë, nuk do ketë nevojë as të shkojë në spitalin privat e të paguajë qimet e kokës, as të paguajë nën dorë, as të kërkojë rrugë për të kapur për bluze njërin e tjetrin; do të regjistrohet dhe do të paguajë e mjeku do të marrë atë që i takon sepse do të punojë ekstra.
Kjo është historia e autonomisë që nuk është shpikje e jona, e kanë bërë të tjerë përpara nesh sepse historia e ryfsheteve dhe historitë e problemeve që ne i ndeshën dhe i ndeshim me vonesë sepse ndërkohë që të tjerët merrnin ryshfet, ne i binim sirenave për të dalë nga kapanoni Mamurras që të luftonim me anglo-amerikanët që po bombardonin Mamurrasin dhe sot ne na duhet vetëm që këto praktika më të mira dhe të konsoliduara sot t’i aplikojmë siç duhet këtu.
Kaq dhe faleminderit shumë për durimin!
Më vjen shumë mirë që jemi ende këtu dhe tanimë të gjithë ju dhe të gjithë po e shikojnë që puna e madhe, e mundimshme, e durueshme për ta transformuar këtë vend që deri para ca vitesh ju e dini më mirë sesi ishte dhe nuk kuptohej kush ishte mjeku e kush ishte pacienti, kush ishte shitësi, kush ishte blerësi, kush kishte ardhur për të vizituar gjoksin e kush kishte ardhur për të blerë sutjena.
Sot është komplet një gjë tjetër.
Faleminderit shumë edhe njëherë!
Ta gëzoni edhe durim, durim sepse më e mira është ende e gjitha përpara!