Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Stefan Fyle, pas përfundimit të tryezës së dytë të “Dialogut të Nivelit të Lartë”:
Kryeministri Rama:
“Përfunduam sesionin e dytë të “Dialogut të Nivelit të Lartë”, për të cilin dua të theksoj të gjithë kënaqësinë e shprehur edhe në mbyllje të sesionit të parë, duke falënderuar në radhë të parë Komisionerin për praninë, për mbështetjen dhe për cilësinë e lartë të bashkëpunimit mes nesh dhe Komisionit, që ai ka garantuar në këtë proces; Duke falënderuar Kryetaren e Komisionit të Integrimit znj. Bregu për qasjen konstruktive dhe vullnetin e shprehur për të dhënë një kontribut të çmuar në këtë proces, me shpresën që e njëjta qasje dhe i njëjti vullnet do të mund të mishërojë në tërësi nga ana e opozitës edhe debatin tonë publik në Parlament ose jo; Sigurisht, duke falënderuar edhe ministrat. Në radhë të parë Ministren e Integrimit për koordinimin jashtëzakonisht të efektshëm të një procesi aspak të lehtë, por, sigurisht, të procesit që përcakton të ardhmen e vendit tonë, në rrugën drejt këtij kryeqëllimi, që është anëtarësimi ynë në Bashkimin Evropian dhe në përpjekjen për të fituar kohën e humbur në vite të tëra. Duke mësuar nga gabimet e të shkuarës, por edhe duke përfituar nga eksperienca e përftuar nga të gjitha palët, ne kemi përcaktuar në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin edhe ato 5 prioritet kryesore, që për ne janë edhe 5 shtysa shumë të forta në këtë fazë të procesit të integrimit.
Një europianist i përkushtuar, Altiero Spinelli, thotë se “Europa nuk është një dhuratë qiellore. Në luftën për Bashkimin Evropian duhet një përbashkim dëshire dhe vullneti për të kapur shansin që vjen, për t’i përballur disfatat kur shfaqen dhe për të vazhduar përpara me të gjithë vendosmërinë, kur ajo duhet”.
E, nëse sot jemi këtu dhe unë nuk e fsheh kënaqësinë për këtë paradite, kjo vjen pikësëpari nga jetësimi i një bashkëpunimi. I një bashkëpunimi në shumë plane, mes shumë palësh dhe nëse një nga disfatat tona në të shkuarën ka qenë mosjetësimi i një bashkëpunimi konstant në tërësi, sot sfida kryesore është bashkëpunimi politik, bashkëpunimi ndërinstitucional, bashkëpunimi me partnerët tanë ndërkombëtarë, bashkëpunimi me të gjithë aktorët shoqërorë dhe padyshim, bashkëpunimi në rajonin tonë, jo si fjalë e fundit, por si kryefjalë e qasjes së Shqipërisë Evropiane.
Pa dashur të zgjatem, dua t’i siguroj edhe qytetarët tanë, edhe partnerët tanë, se ne jemi të vendosur, se pakënaqësia që nuk e fshehëm për mos marrjen e statusit në dhjetor nuk ka ndikuar negativisht. Përkundrazi, ka ndikuar pozitivisht që ne të vazhdojmë përpara për ta konsoliduar atë rezultat impresionues për partnerët tanë, që qeveria arriti në shumë pak muaj, deri në dhjetor, dhe për të bërë të mundur që këto prioritete të vendosura të plotësohen, ashtu sikundër ne i kemi vënë bashkërisht qëllim vetes.
Me lejoni që t’ia kaloj fjalën bashkëkryetarit të këtij forumi “Dialogu të Niveli të Lartë”, duke e falënderuar dhe për mbështetjen dhe fokusimin e gjithë këtij procesi në një tryezë që sot mblodhi, si rrallë herë, që të gjitha palët dhe ndërpalët, duke ju siguruar se bashkëpunimi dhe bashkëkryesimi është gjithmonë më i sigurt sesa monologu dhe vetëkryesimi.
Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle:
Mirëdita zonja dhe zotërinj!
Falenderime të veçanta, bashkëkryetarit të “Dialogut të Nivelit të Lartë”!
Kemi ardhur në Tiranë për një herë të dytë, për seancën e dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë, për prioritetet kyçe. Kjo konfirmon edhe njëherë angazhimin dhe përkushtimin tonë për të punuar sëbashku në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke rritur shanset e Shqipërisë për sukses.
Siç e kam thënë edhe kur isha këtu në nëntor, reagimi ynë për përpjekjet tuaja të tjera, shtesë, nga ana jonë është akoma më tepër angazhim.
Po ashtu, kam theksuar se konfrontimi nuk e ndihmon integrimin e vendit në BE. Kam theksuar, po ashtu, edhe kulturën e shteteve anëtare të BE, kulturën e bashkëpunimit dhe të gjithëpërfshirjes në Parlament dhe jo vetëm në Parlament, pasi kjo do të lejojë ecjen përpara të vendit.
Pra, gjithëpërfshirja është thelbësore në këtë proces, ashtu siç jam i bindur dhe tashmë, pas kësaj seance të dytë të “Dialogut të Nivelit të Lartë”, se si qeveria, ashtu edhe opozita mbeten të angazhuar dhe të përkushtuar ndaj kësaj objektive kombëtare të Shqipërisë për integrimin evropian.
Po ashtu unë dëshiroj që t’u bëj thirrje të dyja palëve që të tregojnë frymë kompromisi dhe gjithëpërfshirjeje me qëllim të punuarit së bashku dhe në mënyrë efikase për t’i bërë ballë këtyre sfidave të Shqipërisë, për integrimin e vendit në BE.
Vjet shtetet anëtare të BE i njohën arritjet e Shqipërisë dhe i dhanë Shqipërisë një perspektivë të qartë për sa i përket progresit që është bërë drejt statusit të vendit kandidat.
Tashmë Shqipëria e ka në dorë që të ruajë dhe që të shtojë pikërisht përpjekjet për reformat dhe të përmbushë edhe një sërë sfidash në fusha që vihen në prioritetet kyçe, pra në vëmendje të veçantë, për sa i përket sundimit të ligjit apo shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, po ashtu reformës në gjyqësor, tejet të rëndësishme.
Por, brenda këtyre prioriteteve, ne kemi diskutuar edhe për ato që kanë të bëjnë me reformën në administratën publike, përmirësimin e respektit për të drejtat e njeriut, duke përfshirë këtu romët, antidiskriminimin, të drejtat për pronën.
Atëherë, çfarë kemi arritur ne që të bëjmë sot? Unë do të thosha 5 gjëra:
Së pari, kemi pasur një diskutim të mirë, të hapur dhe të sinqertë, duke rishikuar progresin e arritur në këto fusha të lartpërmendura. Po ashtu ne kemi parë se çfarë hapash ka ndërmarrë Shqipëria deri më tani që nga takimi i shkuar, si dhe planet e Shqipërisë për sa i përket përmbushjes së këtyre sfidave, si në afatin kohor afatshkurtër, po ashtu dhe në atë afatmesëm.
Së dyti, kemi diskutuar gjithashtu udhërrëfyesin e Shqipërisë për të përmbushur 5 prioritet kyçe. Ky udhërrëfyes përmbush ose shikon disa reforma ambicioze, një program ambicioz dhe unë kam besim se ky angazhim dhe përkushtim në vazhdimësi, si dhe me këmbëngulje do të ndihmojë për ta çuar më tej Shqipërinë në axhendën e saj të integrimit Evropian.
Së treti, po ashtu kemi folur shumë edhe për rëndësinë e gjithëpërfshirjen. E kur flasim për të, nuk e kemi fjalën thjesht vetëm për opozitën, por po ashtu edhe për shoqërinë civile. Kemi diskutuar madje, edhe herën e fundit për një mekanizëm konsultimi me shoqërinë civile, pra për t’u përfshirë shoqëria civile në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE.
Si pika numër katër, kemi rënë dakord për hartimin e një deklarate të përbashkët , si një deklaratë me një tekst shumë thelbësor.
Së pesti, kemi rënë dakord që do të takohemi sërish në Tiranë për takimin e tretë të “Dialogut në Nivelit të Lartë”, në muajin qershor të këtij viti.
Si konkluzion, dëshiroj të them se unë besoj fuqimisht se e ardhmja e Shqipërisë është në BE. Mbetem tepër i bindur për kapacitet e Shqipërisë për të trajtuar këto sfida që kanë të bëjnë me integrimin e vendit në BE. Komisioni Evropian dhe unë do ta ndihmojmë Shqipërinë për të ecur përpara në këtë synim të vetin.
Pyetje – Përgjigje
Para pak ditësh, ish lideri i PD-së apo ish Kryeministri Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj personit tuaj zoti Fyle, duke ju quajtur serbofil dhe se keni penguar statusin e vendit kandidat. Gjithashtu, kjo është një pyetje edhe për zotin Kryeministër, pasi ish Kryeministri Berisha ju ka akuzuar të dyve.
Komisioneri Fyle: Duket qartë që unë nuk jam një nga ata miqtë e Facebook-ut të zotit Berisha. Por ju siguroj se unë jam mik i Shqipërisë dhe mik i shqiptarëve. Kaq mund të them për sa i përket atij artikulli, i cili, për mendimin tim, ishte fals dhe i pabazuar.
Kryeministri Rama: Fakti që jam akuzuar dhe unë nuk përbën lajm, apo jo.
Zoti Füle, pas takimit të sotëm, sa afër është Shqipëria drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Cilat mund të ishin ato arsye apo rrethana që do ta penalizonin sërish në qershor Shqipërinë?
Komisioneri Fyle: Për sa i përket konkluzioneve, ato kanë qenë të qarta dhe janë nxjerrë nga shtetet anëtare në muajin dhjetor. Janë fokusuar kryesisht në përpjekje që duhet të vazhdojnë, për të treguar një historik në vazhdimësi të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka kohë, që nga dita e sotme e deri në momentin që ne do të dorëzojnë një raport për vlerësimin që do të bëhet për Shqipërinë. Megjithatë mund të them që një vlerësim paraprak unë e kam ndarë sot me pjesëmarrësit në takimin e dytë të “Dialogut të Nivelit të Lartë”;
Unë e kam vlerësuar punën që është bërë tashmë, sidomos për sa i përket atyre çështjeve që kanë të bëjnë me prioritetet kyçe dhe e shoh që ky historik, ose siç quhet në anglisht “track record”, po bëhet gjithnjë e më shumë i besueshëm. Duke vazhduar pikërisht në këtë drejtim, siç është punuar deri më tani, unë besoj se Shqipëria do të ishte në rrugën e duhur, apo kjo do të ishte mënyra më e mirë që të krijoheshin kushtet e duhura për shtetet anëtare që në qershor të vendosnin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, por vendimi do të merret në qershor. Ky vendim do të merret nga 28 shtetet anëtare, ndaj është e rëndësishme që e gjithë koha të përdoret për të ecur në këtë drejtim të mirë, pikërisht në saj të kësaj pune të mirë që është bërë.
Zoti Fyle, ju përmendët një takim tjetër në qershor, por nuk bëtë të qartë datën se kur do të bëhet takimi i radhës në Tiranë. Mund ta dimë datën e saktë të këtij takimi? Dhe pse duhet ky takim, kur në datën 24 qershor vendet anëtare do të marrin vendimin për statusin e vendit kandidat?
Sa i përket Kosovës, kemi deklarata drejtuar Komisionit Evropian, nga zonja Fajon dhe zonja Lunacek. A do t’i paraqisni Komisionit Evropian një raport për liberalizimin e vizave, para mbarimit të mandatit tuaj si Komisioner për Zgjerimin?
Komisioneri Fyle: Për sa i përket pyetjes tuaj të dytë, do të thosha se kjo ka të bëjë me axhendën tonë të ngjeshur që kemi dhe që ne do të bëjmë të pamundurën që ta ndajmë një raport të tillë me shtetet anëtare dhe me Parlamentin.
Për sa i përket pyetjes tuaj të parë, ajo që folëm ne për takimin tjetër të radhës, që do të jetë në muajin qershor, takimi i tretë i “Dialogut të Nivelit të Lartë”, mund të them që ne kemi rënë dakord se është shumë e rëndësishme që në atë takim ne do të kemi një raport, i cili do të prezantohet aty. Kemi thënë që kemi rënë dakord që do të arrihet një datë. Unë kam thënë se jam relativisht i lirë në fillim të muajit qershor. Po ashtu edhe zoti Kryeministër. Ndaj kam besim se ne do të arrimë të biem dakord për një datë perfekte për sa i përket takimit të tretë të “Dialogut të Nivelit të Lartë”.
Zoti Füle, druheni se qarqet nacionaliste do të dënojnë sërish Shqipërinë në muajin qershor?
Komisioneri Fyle: Qarqet nacionaliste?! Nuk e di për çfarë e keni fjalën? Sepse kur fola më parë, thashë që vendimin për statusin e vendit kandidat e kanë në dorë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Të njëjtat shtete anëtare që kanë vlerësuar progresin apo ecurinë që kishte bërë Shqipëria në dhjetor. Ndoshta dëshironi që ta specifikoni më tej pyetjen tuaj?
Kryeministri Rama: Kjo është pyetje për mua, nuk është pyetje për Komisionerin. Të falenderoj shumë për këtë pyetje.
Unë i qëndroj pikë për pikë asaj që kam thënë. Se sa do të ndikojnë ata në qershor, kjo mbetet për t’u parë. Ajo që është e rëndësishme është që ne, njësoj si në dhjetor, të shkojmë përballë Këshillit Evropian me detyra plotësisht të realizuara. Dhe, siç e tha Komisioneri, janë shtetet anëtare që marrin vendimin final. Ne këtu jemi prapë. Rëndësi për ne ka Evropa brenda nesh, Evropa në punësim, Evropa në shërbime, Evropa në institucione, Evropa në bashkëjetesën mes nesh. Kjo është Evropa që duam të ndërtojmë ne; Nuk është një udhëtim për të shkuar diku dhe po presim të na japin biletën. Është një udhëtim brenda nesh.
Faleminderit!
Komisioneri Fyle: Unë dëshiroj të shtoj diçka sepse është tejet e rëndësishme. Ne gjykojmë çdo partner, çdo vend aspirant apo kandidat, në bazë të meritës së tij. Megjithatë, unë mund te them se une jam tejet i kënaqur në fakt, që shoh se pavarësisht sfidave me të cilat është përballur BE, zgjerimi vazhdon të mbetet fokusi i shteteve të BE dhe i BE-së. Mund të themi këtu që kemi pasur Kroacinë që u bë shtet anëtar në mesin e vitit 2013, ashtu si çeljen e negociatave me Malin e Zi, negociatave me Serbinë. Do të thosha që të gjitha këto janë prova të qarta që në momentin që një shtet kandidat aspiron për t’u bërë shtet anëtar i BE, jep rezultatet e duhura për sa i përket detyrave të shtëpisë, atëherë edhe shtetet anëtare bëjnë pjesën e tyre për sa i përket kredibilitetit apo besueshmërisë së procesit. Do të jetë besueshmëria e përpjekjeve tuaja që do ta bëjë vendimin e shteteve anëtare të BE, në qershor, të besueshëm.
Faleminderit!