Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

 

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama:

Nuk e di kush e kishte menduar nga ju, por me siguri e kishte menduar mirë. Ju nxorët tre vajza këtu. Ne ngelëm për të mbrojtur djemtë, unë Sulua dhe Dhori. Kuptohet që jemi në disavantazh. Edhe një shpresë që mund t’ju përballonim me gjatësi humbi, se prezantuesen e kishit në lartësinë e duhur. Kështu që, tani nuk mbetet veçse fjala, në emër ose në vazhdim të tre djemve pa kapele; unë nuk e vura se nuk më bën, në fakt. E kam pasur gjithnjë problem që nga zbori.

Megjithatë, sot është një surprizë shumë e bukur për mua që më bëtë nderin me këtë ftesë, në ditën që ju diplomoheni dhe kurorëzoni një ëndërr të parë të jetës suaj, që është edhe ëndrra e të gjithë prindërve që akoma mbi kokë i keni, sipër. Pa dyshim është fillimi për ju, i një rruge me shumë ëndrra, me shumë shpresa, me shumë dëshira. Pavarësisht se, le ta themi, jetoni në një vend, ku nuk është e lehtë t’i ruash ëndrrat të paprekura dhe t’i mbash shpresat të ndezura. Unë do të doja shumë që t’ju flisja sot, për sa shumë mundësi ju ofron juve Shqipëria, nesër kur të nisni pjesën tjetër të rrugëtimit të jetës suaj, por ndoshta është më reale dhe më e ndershme të flasim për çfarë mundësish mund të krijojmë së bashku për Shqipërinë. E vërteta është që jemi në një moment, kur ju mund të bëni për vendin, më shumë se ç’vendi mund të bëjë për ju. Unë jam i bindur që edhe falë jush, nesër vendi do të jetë në gjendje të bëjë më shumë për ata që do të vijnë pas jush në këtë universitet dhe do të diplomohen nga ky fakultet.

Gjithsesi, ndihem shumë i privilegjuar edhe për faktin se sot nuk jam përpara thjesht një grupi studentësh që diplomohen, por pikërisht, përpara studentëve të ekonomisë, me të cilët lidhet një pjesë e mirë e pyetjeve që kërkojnë përgjigje, në rrugën e vështirë, por të domosdoshme të zhvillimit ekonomik të vendit. Do të ishte ndoshta shumë më mirë, po të kishim mundësinë, sot që unë t’ju thosha se situata ekonomike është shumë e mirë, se tregu është aty, gati për t’ju përqafuar dhe për t’ju akomoduar në një vend pune. Por, ne e dimë që e gjitha kjo, në fakt është pak më e ngatërruar se kaq. Dimë po ashtu që për ta bërë më të lehtë, do të duhet në fillim më shumë punë dhe më shumë mund.

Para ca kohësh më patën treguar një anekdotë të jetuar, në lidhje me punësimin në vendin fqinj.”Një biznesmen grek fliste me një biznesmen shqiptar, por të dy të shqetësuar për krizën atje, se nuk u paguanin dot rrogat punonjësve.

I pari i thotë të dytit: Situata është keq dhe u bënë disa muaj që nuk paguaj dot punonjësit që edhe nuk i largoj dot nga puna. I dyti, ky i joni i thotë: Mbase duhet ta bëjmë si në Shqipëri ku iu marrin lekë punonjësve, për t’i futur dhe për t’i mbajtur në punë.”

Tani, kjo është një anekdotë e hidhur, por lajmi i mirë është se ne do të bëjmë çmos që realiteti i marrjes në punë me lekë dhe jo sipas meritës, të ndryshojë një orë e më parë. Unë jam i bindur që shumë nga ju, nesër; dhe kur flasim nesër, për ju është nesër; në fakt, nuk do të përballeni me këtë realitet të shëmtuar, por do të keni mundësinë të merrni pjesë në konkurse, për të provuar aftësitë tuaja. Për të gjithë ata që do të duan që dijet e tyre t’i vënë në shërbim të sektorit publik, jo vetëm do të jetë e mundur që ta bëjnë këtë, por të jetë e mundur që të kenë një vend në sektorin publik, falë dijeve dhe meritës së tyre.

Megjithatë, sfida për të gjeneruar vende të reja pune, përtej tejkalimit të këtij fenomeni të shëmtuar të së shkuarës, është më e vështirë se kaq. Ekonomia e vendit tonë po kalon një ndër momentet e veta më të vështira, besoj për arsye që nuk janë po ato të shumë viteve më parë, por që njësoj si herë të tjera vite më parë, na duhet të bëjmë një kapërcim të ri. Unë besoj që edhe për këtë arsye, kjo që po ndodh këtu sot, është diçka e mirë për vendin. Kjo ditë, dita e diplomimit tuaj, është diçka shumë e mirë për vendin. Ashtu sikundër është ogur i mirë për vendin që ndër ju ka jo pak që diplomohen me rezultate të shkëlqyera, madje edhe me medalje ari dhe në radhë të parë, atyre unë dua t’u përulem me shumë respekt dhe me shumë admirim. Por, mbase pakkush më mirë sesa ju që merreni me ekonominë, e di që çdo krizë është edhe një mundësi dhe në çdo krizë ka gjithmonë edhe një rrugë tjetër, përveç rrugës së thellimit të krizës; që është rruga e kapërcimit të krizës, duke përfituar nga vetë kriza.

E pra, kjo është edhe sfida jonë dhe jam i bindur që në këtë sfidë, ju nga sot jeni një vlerë e shtuar dhe jeni një aset shumë i çmuar. Duke qenë se të marrurit me politikë përditë, përditë, përditë, nuk është një punë që të mban detyrimisht gjithmonë të freskët dhe të gatshëm për të folur në raste kaq të veçanta si ky. Unë u mundova të pyes dy-tre njerëz që i çmoj se çfarë mund të thosha sot, ndonjë gjë më shumë sesa këto fjalët e zakonshme, sepse ky është një moment i jashtëzakonshëm. Dikush më këshilloi të flas për punën e një profesori të madh të Harvardit që është edhe miku im, Ronald Heifetz që sot konsiderohet një nga mendjet më të ndritura të teorisë së ndryshimit. Heifetz i karakterizon sfidat e ndryshimit në dy lloje: sfida teknike dhe sfida që ai i quan adaptive.

Problemet që mund t’i zgjidhim përmes dijes ekzistuese të ekspertëve, ai i përcakton si sfida teknike. Ndërsa, problemet që duan një bashkërendim më të gjerë se thjesht ekspertiza teknike, ai i quan sfidat adaptive. Sfida që kanë lidhje me ndryshimin e mënyrës së të menduarit dhe funksionimit të disa gjërave, për të bërë të mundur që gjëja me të cilën përballemi të ndryshojë. E pra, kjo është një qasje shumë ndriçuese, sepse dhe vetë momenti që po kalojmë na detyron të përballemi, pikërisht, me një sfidë adaptive. Sfidë që kërkon t’i përgjigjemi disa pyetjeve thelbësore për shoqërinë, për modelin ekonomik, për llojin e sipërmarrjeve, për kulturën e punës, për çfarë presim nga shteti, për raportin mes publikes dhe privates dhe për kontributin e secilit në atë që është në fund të fundit e përbashkëta, nga ku pastaj secili kërkon të përveçmen.

Momenti ku gjendemi, në terma teknikë, është mbi të gjitha besoj unë një krizë e borxhit. Borxh që nuk u krijua sot, por që ne sot jemi shumë të vendosur që ta trajtojmë me të gjithë përgjegjësinë që na imponon e ardhmja. Nga ana tjetër ama, e menduar gjerësisht në kontekstin e ndryshimit të funksionimit të disa gjërave, në tërësi kriza e borxhit; dua ta ndaj me ju këtë ketë mendim; besoj se hyn tek sfidat adaptive. Nuk është thjeshtë një sfidë teknike, për aq sa na imponon krijimin e një raporti të ri mes të tashmes dhe të ardhmes. Sepse çdo borxh është një mënyrë sesi huazojmë nga e ardhmja për të shpenzuar në të tashmen. Dhe vështirësia rritet shumë, kur e shkuara ka marrë borxh dhe ka shpenzuar, duke i lënë të ardhmes një faturë që e tashmja e ka të vështirë ta përballojë.

Pa dyshim, ky është një moment që dikton sakrifica.

Më lejoni ta them këtu sot: Sido që ta ndërtojmë ne buxhetin e vitit tjetër, nuk do të jetë një buxhet, në kuptimin teknik të fjalës shumë bujar, por ama duhet të jetë një moment dhe një mjet, ai i buxhetit, për të filluar ndryshimin rrënjësor të modelit ekonomik dhe financiar dhe për të filluar përballjen, jo me një sfidë teknike, por pikërisht me një sfidë adaptive.

Për sa i përket modelit që na duhet, më lejoni të them vetëm dy gjëra që besoj kanë lidhje sa me ekonominë, aq edhe me arsimin. Atë që sot, në fakt, ju sjell juve këtu, arsimi dhe ekonomia. Është e padyshimtë se arsimimi i brezit të ri është politika më e mirë e zhvillimit ekonomik.

Ndaj, pavarësisht të gjitha shtrëngesave, ne duhet dhe do të bëjmë çmos që të mos i largojmë sytë nga kjo politikë e zhvillimit që i flet të ardhmes, pavarësisht se na duhet të merremi me shtrëngesat që e shkuara i imponon të tashmes. Çlirimi i plotë i potencialit të burimeve tona më të vlefshme, flas për ato njerëzore, është elementi kyç i një modeli ekonomik që garanton më pas edhe një pakt social. I një modeli ekonomik që krijon hapësira për burime të reja të zhvillimit konkurrues, për krijimin e produkteve të reja, për shfrytëzimin e tregjeve të reja. E mbi të gjitha dhe në krye të herës, për demokratizimin e ekonomisë, duke siguruar që ajo të jetë e hapur për të gjithë.

Kjo është rruga për të parë një Shqipëri të punësimit të lartë dhe me kushte normale të tregut të punës. Pa dyshim, është një sfidë adaptive e një lloji të veçantë, një sfidë shumë e fortë, por që ne duhet ta çojmë përpara së bashku, duke e menaxhuar krizën jo si një fatkeqësi që na ka rënë mbi kokë, por si një moment mundësish për të nxjerrë nga vetja më të mirën dhe për të bërë atë që veçanërisht për ju, për gjeneratën tuaj, është e domosdoshme, krijimin e mundësisë për të jetuar me dinjitet, përmes një pune të ndershme.

Ndryshimi që duhet të presim në përballje me këtë sfidë nuk është një rezultat, por është një proces. Fryt i punës së përditshme për të reformuar shtetin, shoqërinë, ekonominë, duke i bashkërenduar forcat  në mënyrë që të kalojmë nga një fazë le të themi fëminore e ekonomisë; për të mos përdorur fjalë nga ato që juve ju kanë çarë veshët; në një fazë, ku ekonomia është prodhuese, shteti është i përgjegjshëm dhe shoqëria është solidare brenda vetes, por edhe me brezat që vijnë.

Në mbyllje të fjalës time, përveçse si profesionist ekonomie, nuk dua të flas më shumë për këtë, sepse ju jeni profesionistët, kam dëshirë t’ju tregoj një tjetër anekdotë. Anekdotë e jetuar, për t’ju thënë përmes saj se sa shumë ky vend ka nevojë për ju dhe sa i rëndësishëm është ky moment në jetën tuaj. Këtë herë nuk do flas për dy biznesmenë, por për një dialog të ndodhur në Konferencës e Paqes në Paris, në vitin 1919, mes dy Kryeministrash. Poloninë e përfaqësonte një personalitet që unë e kam shumë përzemër si Kryeministër që ishte njëkohësisht edhe një pianist me një famë të jashtëzakonshme botërore dhe një intelektual i madh, Paderewski. Francën e përfaqësonte Kryeministri dhe politikani e diplomati po aq i famshëm, Georges Clemenceau.

Kur takohen, Clemenceau, që kishte një adhurim të madh për Paderewskin pianist, i thotë: Më falni, mos jeni gjë kushëriri i pianistit të famshëm?

Paderewski i kthehet dhe i thotë: Jo zotëri. Jam unë, ai vetë.

Clemenceau vazhdon: Je ai dhe je bërë Kryeministër?! Ah ç‘farë zhgënjimi!

Në fakt nuk e kishte keq, sepse për një vend është shumë më i rëndësishëm profesionisti se kryeministri. Dhe që vendi të shkojë në rrugën e duhur, nuk mjafton të ketë një kryeministër, por duhet të ketë profesionistin më të rëndësishëm se kryeministri.

Unë e di që ju prisni shumë gjëra nga shteti. Ndoshta prisni që unë të them edhe ndonjë gjë tjetër në emër të Qeverisë, por unë në fakt, do të ndalem këtu tek kjo pikë për t’ju uruar me gjithë zemër çdo të mirë, në emrin e gjithë mundit që keni bërë, por sigurisht pa harruar asnjëherë; sa më shumë të kalojnë vitet, aq më shumë do të kujtoheni për këtë gjë; në emrin e të gjithë atyre që janë atje lart dhe kanë bërë gjithçka që ju sot të jeni këtu.

E jo për hir tuajin, por për hir të atyre që janë atje lart, të prindërve tuaj; që sado ju pas diplomës të mendoni se me pavarësinë ekonomike do të fitoni edhe pavarësinë politike, ata do t’i keni me zemër të dridhur dhe do jeni gjithnjë fëmijët e tyre; t’ju them të fundit që kam për ju: Ejani ta bëjmë së bashku Shqipërinë një vend, ku të jetë më i rëndësishëm profesionisti se kryeministri.

Faleminderit!”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.