Në ditën e tretë të zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Edi Rama pati një axhendë të ngjeshur takimesh bilaterale me Presidentin e Turqisë Abdullah Gyl, Presidentin e Bullgarisë Rosen Plevneliev, Presidentin e Kroacisë Ivo Josipoviç, Kryeministrin e Malit te Zi Milo Gjukanoviç, si edhe Drejtoreshën e Përgjithshme të PNUD Helen Clark.
Gjatë takimit me Presidentin turk Gyl, Kryeministri nënvizoi edhe njëherë partneritetin strategjik mes dy vendeve tona. Ndërkohë që kreu i shtetit turk e përgëzoi Edi Ramën për fitoren e zgjedhjeve dhe qeverinë e re. Presidenti Gyl dhe Kryeministri Rama biseduan edhe për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë. Një vëmendje të posaçme në këtë takim pati gjithashtu edhe ndihma që qeveria turke mund të japë për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vendin tonë.
Në takimet e veçanta të zhvilluara me Presidentin e Kroacisë dhe Bullgarisë, të dyja vende anëtare të BE, bisedimet u përqendruan më shumë në udhëtimin evropian të Shqipërisë, ku qoftë Presidenti Josipović, edhe presidenti Plevneliev, e siguruan Kryeministrin Rama për mbështetjen e plotë që këto dy vende do t’i japin Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE në dhjetor.
Takimi i Kryeministrit Rama me homologun e tij malazez Gjukanoviç u përqendrua në bashkëpunimin rajonal, në mënyrë të veçantë në dy fusha: studimin e mundësisë për degëzimin e rrjetit të TAP drejt Kosovës dhe Malit të Zi, si edhe krijimit të një projekti të përbashkët për ndërtimin e një autostrade që do të kalonte nga Kroacia drejt Malit të Zi e Shqipërisë, për të lidhur bregdetin Adriatik me atë Jon.
Biseda mes Kryeministrit Rama dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të PNUD, zonjës Helen Clark u përqendrua kryesisht në mundësitë e reja që marrja e statusit të vendit kandidat do të hapte për Shqipërinë, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm. Në këtë këndvështrim, Kryeministri Rama kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të PNUD për vendin tonë, sidomos në ngritjen e kapaciteteve të administratës dhe burimeve njerëzore, për të qenë plotësisht të përgatitur në raport me sfidat dhe detyrimet e reja që Shqipëria pritet të ketë shumë shpejt ndaj Bashkimit Evropian.