Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama priti sot në një takim Presidentin e Parlamentit Europian Martin Schulz. Në përfundim të takimit, Kryeministri Rama dhe Presidenti i PE, Schulz u prononcuan për mediat e pranishme:

Kryeministri Edi Rama: Ishte kënaqësi që më në fund miku ynë i shtrenjtë dhe njëkohësisht Kryeparlamentari Europian Martin Schulz erdhi në Shqipëri, e mbajti premtimin e dhënë.

Ishte, po ashtu, një kënaqësi e veçantë që patëm mundësinë të bisedojmë lidhur me progresin e bërë në drejtim të procesit tonë të modernizimit, demokratizimit dhe integrimit të vendit tonë, në BE, si dhe me sfidat që kemi përpara, ku kryesfida e vitit është reforma në drejtësi, për të cilën siç e dini jemi angazhuar plotësisht. Të cilën, me patjetër do ta kalojmë në vjeshtë për t’i dhënë kështu një sinjal të fortë edhe BE të vullnetit tonë për ta transformuar njëherë e përgjithmonë Shqipërinë dhe për ta kthyer në një vend të gatshëm për t’u bërë pjesë e Familjes Europiane.

Presidenti i PE Martin Schulz: Faleminderit shumë, zoti Kryeministër! Ashtu siç e thatë dhe ju ishte vërtetë një kënaqësi për mua që ta mbaja premtimin e bërë dhe të vija për herë të parë këtu në Shqipëri, në Tiranë. U nisa sot në mëngjes nga Mynihu vetëm pak minuta pasi u arrit marrëveshja, në Bruksel, për Greqinë. Jam vërtetë i kënaqur dhe i lumtur që arritëm këtë marrëveshje, sepse me anë të saj ne mundëm që të shmangnim një krizë më të thellë të BE.

Në fakt, kjo ishte vërtet një gjë e mirë, sepse kriza do të kishte efekte edhe mbi Shqipërinë. Prandaj, ky është një lajm i mirë për të gjithë, është një lajm i mirë me anë të të cilit ne mund të vazhdojmë punën për të arritur një paketë tjetër për Greqinë, për ta ndihmuar vendin për të zgjidhur problemet, pra, pikërisht për të ecur përpara.

Pata një shkëmbim të hapur dhe shumë të mirë me zotin Kryeministër. Më duhet të them madje se ne ramë dakord jo për pothuajse çdo gjë, por për çdo gjë.

Dëshiroj të përmend në mënyrë të veçantë dy gjëra që për mendimin tim janë të rëndësishme. E para është për rolin skajshmërisht pozitiv që luan Shqipëria në rajon dhe në veçanti dëshiroj të falenderoj dhe të nderoj zotin Kryeministër për rolin që luan ai dhe qeveria e tij në këtë fushë. Po ashtu, dëshiroj të falenderoj zotin Kryeministër dhe Shqipërinë për mbështetjen tepër të qartë që i ka bërë Bashkimit Europian përsa i përket marrëdhënies tonë me Federatën Ruse. Këto janë marrëdhënie shumë të vështira e megjithatë, Shqipëria ka mbajtur një mbështetje tepër të qartë për Bashkimin Europian, pra, ka mbajtur të një linjë si ajo e Bashkimit Europian.

Do të doja të falenderoja zotin Kryeministër në veçanti, sepse më tregoi gjithë këtë ndërtesë të mrekullueshme, pra, me pak falë, zoti Kryeministër e tregoi se është me të vërtetë një njeri arti, një artist i cili e vlerëson shumë artin ose, meqë unë jam frëngjishtfolës “un homme de haut goût”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.