Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vjenë, Austri, ku në mëngjes mori pjesë në takimin e organizuar nga Kancelari austriak Sebastian Kurz, me pjesëmarrjen e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor dhe të Komisionerit europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn. Në përfundim të takimit, gjatë konferencës për shtyp me Kancelarin Kurz dhe Komisionerin Hahn, Kryeministri Rama u shpreh: “Më duhet të falenderoj Kancelarin që na priti këtu dhe duhet të them që për vendet e Ballkanit Perëndimor vizita në Austri duket gjithmonë si të jesh në shtëpi. Kjo është qartësisht një ditë shumë e bukur për të gjithë ne. Nuk dua të zgjatem, sepse e di që Kancelari ka gjëra më të mira për të bërë se sa të dëgjojë përsëri të gjithë fjalimet e liderave të Ballkanit Perëndimor pasi qëndroi një orë e gjysmë me të gjithë ne, por dua të them thjesht dy gjëra. E para, që jemi shumë të përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe jemi shumë mirënjohës për punën mbikqyrëse të Komisonerit Hahn dhe e dyta, që jemi duke u përballur me sfidat e bashkëpunimit dhe kuptojmë që ky është një proces ku asgjë nuk është e lehtë dhe asgjë nuk të jepet si e mirëqenë, por jam i sigurt që do të jemi në gjendje të tejkalojmë problemet dhe do t’i japim qytetarëve tanë atë që meritojnë. Për ta përfunduar, jam personalisht dhe në emër të të gjithë shqiptarëve, mirënjohës ndaj Kancelarit Kurz për qasjen e tij të qartë në lidhje me perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit dhe gjithashtu për betejën e tij të vendosur për të hapur për Kosovën procesin e liberalizimit të vizave, që shpresoj shumë do të konkretizohet të paktën pas zgjedhjeve europiane. Shumë faleminderit!”
Kancelari Sebastian Kurz: Zonja dhe zotërinj, shumë faleminderit për praninë tuaj. Austria është një partner i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne kemi një lidhje të fortë historike, ekonomike, politike, kulturore dhe njerëzore me këtë rajon, ndaj mendojmë se BE do të jetë i plotë vetëm kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtare. Për këtë arsye mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE dhe jemi fokusuar veçanërisht në këtë rajon gjatë presidencës sonë të BE. Sot kemi mundësi të përqendrohemi tek tre çështje me rëndësi, E para, rruga e rajonit drejt BE-së, e dyta, bashkëpunimi i domosdoshëm rajonal dhe e treta, zgjidhja e konflikteve bilaterale.
Komisioneri Johannes Hahn: Siç e dini, zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor është një prej përparësive kyçe të presidencës austriake dhe pikë së pari jemi shumë të lumtur që kemi zgjedhur këtë si përparësi dhe e dyta, jo vetëm që e kemi zgjedhur, por që kemi bërë hapa konkretë në këtë drejtim dhe takimi i sotëm është një provë i këtij angazhimi të fortë. Një prej tematikave të sotme ishte puna për krijimin e një zone ekonomike rajonale, si parakusht për integrimin e mëtejshëm në tregun e përbashkët europian. Për këtë është e rëndësishme të rrëzohen barrierat, qofshin formale apo informale, por edhe të prezantojmë elemente të reja. Bashkëpunimi në sektorë si energjia është një tjetër element, si dhe të tjerë. E rëndësishme është që të rritet volumi tregtar midis vendeve dhe mund të shohim që për herë të parë nga 2016 në 2017 u verifikua një rritje e lehtë që është premtuese, por duhet t’ju them që në 10 vitet e fundit volumi tregtar i vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian është dyfishuar në 46 miliardë euro e kjo tregon sa potencial ka në këtë rajon, sidomos duke mbajtur parasysh që këto vende kanë një mesatare rritje dy herë më të lartë se mesatarja e BE-së. Ajo që është e rëndësishme është që të gjenden mënyra, për të shfrytëzuar dhe mobilizuar këto potenciale e për këtë është e rëndësishme që vendet të tregohen më të shpejta për të gjetur dakordësinë midis tyre për një numër çështjesh, duke rritur më tej bashkëpunimin ndërrajonal.