Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

U nxita nga parafolësi z. Kryetar për të marrë fjalën me keqardhjen e thellë se ata që duhet të ishin këtu tani dhe duhet të thoshin fjalën e tyre për atë shtresë sociale së cilës ia kanë marrë votën 20 vjet rresht, duke bërë sikur e përfaqësojnë, i morën këtij Kuvendi, më shumë se një orë, për të mos thënë asgjë lidhur me problemet dhe sfidat reale, qoftë në raport me të përndjekurit, qoftë në raport me pronarët, qoftë në raport me gjithë spektrin e shoqërisë sonë, pasi u larguan nga qeveria, duke na lënë një vend të rrënuar në çdo sektor dhe në çdo aspekt.

E është fantastike të dëgjosh këtu parafolësin, të cilin së paku e përgëzoj për faktin që nuk u largua me të tjerët, por bëri sikur mbrojti interesin e atyre që, edhe ai ka bërë sikur i ka përfaqësuar për 20 vjet me radhë, të flasë për çfarë po i bën kjo qeveri pronarëve dhe të përndjekurve. Fantastike!

Ndërkohë që, ishin në qeveri 8 vjet dhe e vetmja gjë që dëgjova këtu, konkrete si ankesë, është që përse u largua nënkryetari i Komisionit të Kthimit të Pronave. E dini kush është personi në fjalë? Ai që si nënkryetar i Komisionit të Kthimit të Pronave, doli pronar i parkut të Butrintit dhe i ishujve përreth. Ne e dimë që e kemi prejardhjen nga ilirët, e dimë që ka një mundësi ta kemi dhe më thellë nga pellazgët, por i vetmi që pretendon se provon që rrjedh drejtpërsëdrejti nga një familje ilire, rrjedhimisht dhe pellazgë, është nënkryetari i Komisionit të Kthimit të Pronave, pronari, pretendues aktual i Parkut të Butrintit. I vetmi pronar në botë i një Amfiteatri të trashëguar nga antikiteti. I vetmi në botë që mund të provojë se rrjedh nga antikiteti, nënkryetari i Komisionit të Kthimit të Pronave, krah për krah me kryetarin e Partisë Republikane që ka dhe sloganin, “pronë, familje, shtet.. “e ku di unë.

E kuptoni se çfarë ka mbajtur Shqipëria në qafë 8 vjet rresht?! Njerëz të cilët e kanë përdorur shtetin për absurditete. A e kupton se për çfarë fole këtu? U mundove të mbrosh tezën se “sivëllai” yt, bashkëluftëtar në përpjekjen për pronarët, është pasardhës i një familje antike. I vetmi pronar. Përfytyroni tani të dali pronari i Koloseut të Romës.

Nga ana tjetër, dua që ta dëgjoni mirë dhe e përgëzoj përsëri që po qëndron aty. Është kjo, nga njëra anë, koherencë në raport me farsën që po përfaqëson pronarët, është edhe kurajë për të vazhduar të përpiqesh sikur i përfaqëson. 25 dosje kishit lënë për shqyrtim, në mënyrë korruptive, vitin e shkuar, kur ne erdhëm në qeveri. 7000 dosje të pashqyrtuara në 20 vjet dhe vetëm në muajt nëntor, dhjetor, ne kompensuam tërësisht në bazë të fondit që kishit përcaktuar ju, pronarët, duke dyfishuar numrin e parashikuar prej jush. Prej jush që ua keni marrë votën vit pas viti. E për çfarë ua keni marrë votën?! Që t’ju merrni dhe pronën, – si ç’ua ka marrë pronat në të gjithë Shqipërinë, në 8 vjet qeveri dhe pushteti, ku kanë dalë pronarë në det, kanë dalë pronarë në bregdet; kanë dalë pronarë të kalasë; kanë dalë pronarë teatrosh antik; kanë dalë pronarë kishash e xhamish, njerëz të cilët, provojnë se rrjedhin nga andej, kur kanë zbritur nga tjetërkund, në Tiranë dhe kanë marrë pushtetin.

Nga ana tjetër, një fakt tjetër ,fakt rrëqethës që duhet tu bëjë ju që të kërkoni ndjesë publike që jeni tallur 8 vjet rresht me pronarët; fakti i prekshëm dhe i dukshëm i gjendjes,ku ishte arkivi i dosjeve të atyre, që për 20 vjet i keni zvarritur në gjyqe; 20 vjet i keni zvarritur në procedura; 20 vjet i keni zvarritur në labirintet  e korrupsionit tuaj. Dosjet në tokë. Shqipëria juaj dixhitale nuk kishte lidhje me pronarët, nuk kishte lidhje me pronat. (Unë jam i ekzaltuar, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse duhet të ishe i ekzaltuar ti. Por ti je mësuar ta marrësh fjalën vazhdimisht për pronarët dhe të bësh sikur i mbron. Normalisht unë mund ta marrë shumë më qetë se nuk i kam thënë pronarëve në 20 vjet që do ti kthej pronat 100 %. Mund ta marr shumë më qetë se nuk kam ndonjë koleg këtu që rrjedh nga antikiteti dhe nuk kam asnjë mik, pronar të Teatrit të Butrintit. Këto janë faktet. Gjendja  e Komisionit të Kthimit të pronave, e arkivit të pronave, gjendja e inventarit të pronave është akuza më  e fortë që ju behet ju, si pushteti i djeshëm i atyre, që duhet të kishin marrë pronat me kohë  e me vakt.

Në mënyrën më spektakolare vini këtu  e flisni për statusin, flisni për Strasburgun, flisni për Evropën, a thua se të gjitha na i latë gati. Ndërkohë që është falë ministrit të drejtësisë, falë zv/ministrit të drejtësisë dhe falë grupit që ngritëm ne, që Strasburgu na dha mundësinë që ta shtyjmë dhe një vit, me përgëzime për planin që më në fund erdhi nga Shqipëria pas 20 vjetësh se çfarë do të bëhet me pronat.

Pas 20 vjetësh ata në Strasburg na thanë, – më në fund Shqipëria e paska një plan. Paralajmërimi na ka ardhur në tavolinë, i trashëguar nga qeveria juaj, paralajmërimi se në qoftë se Shqipëria nuk do të vijë më në fund, me një plan për pronat, atëherë çdo çështje që do të shkojë në Strasburg, në mënyrë automatike do të jetë humbje për shtetin shqiptar. Këtë i bëtë ju shtetit shqiptar. E keni degjeneruar shtetin shqiptar në sytë  e çdo kancelerie e çdo institucioni evropian dhe vini këtu e flisni për Evropën. Unë po të flas me fakte. Deshe fakte, po të them fakte.

Nga ana tjetër po vij tek të përndjekurit. Nuk e di ku ishe zotrote, kur digjej i gjallë një i përndjekur politik. S’të kam parë as të shkosh ta takosh as atë dhe të tjerët, kur kërkonin vetëm të dëgjoheshin. Nuk të kam parë as të shkosh ta qash më pas. Por e kam kuptuar më vonë se këtë as ti dhe – nuk e kam fare personale që të kuptohemi, – se është gjynah në fakt që për muzikën e keqe të fyellit t’i biesh vrimës së fundit të kavallit, por meqë je këtu në sallë, – as ti dhe as këta që këtu vijnë çdo të enjte dhe mundohen të marrin peng parlamentin me marrëzira, kishin një arsye pse. Sepse që nga viti 2009, keni nxjerrë 24 vendime qeverie për 12760 dosje të miratuara për të përndjekurit. E dini se çfarë keni bërë? Ju keni bërë atë që  asnjë qeveri demokratike nuk mund ta bëjë kurrë. Aq më pak ta bëjë një qeveri, që thotë se rrjedh nga vullneti i asaj shtrese. I keni rindarë të përndjekurit politikë, në klasa brenda klasës së tyre, duke bërë që një pjese i jepni këstin e parë, i jepni këstin e dytë, i jepni dhe benefite të tjera, kurse një pjesë tjetër të mos i jepni asgjë. Zero! E kjo pjesa tjetër e dini sa është? 2027 dosje të verifikuara prej jush, të pranuara nga ai verifikim që duhet të merrnin paratë e dëmshpërblimit, ndër të cilat edhe dosja e atij që u dogj. Ju nuk i keni parasysh, për arsyen më të thjeshtë në botë, se; forca juaj, koalicioni juaj, pushteti juaj, lidershipi juaj nuk kanë lidhje fare me vuajtjet  e regjimit komunist. Zero! Zero! Zero!

Ju jeni shëmbëlltyra më karikaturale e regjimit komunist. Ju jeni mbeturinat më të shëmtuara të regjimit komunist. Ju jeni ajo çka provon se ç’i ka bërë regjimi komunist këtij vendi, duke lënë pas, më shumë se 20 vjet këtë lloj mbeturine që këtu vjen dhe kalbëzon procesin demokratik në Shqipëri që prej 20 vjetësh. Se po të mos ishte kështu, të paktën ju do të kishit qenë të ndershëm me këta. Ato para që kishit dedikuar, të paktën do t’ua kishit dhënë të gjithëve njësoj. Se të gjithë njësoj e vuajtën burgun dhe torturat e atij regjimi, kur ju të tjerët i keni marrë atij regjimi çfarë keni dashur. Me në krye atë që ju merr juve për hunde edhe sot e gjithë ditën. Ne sot po bëjmë, pikërisht, këtë; po vendosim drejtësinë që ju ua mohuat këtyre njerëzve dhe po japim ekzaktësisht paratë për të gjithë ata që nuk kanë prekur kurrë një kokërr leku, edhe pse nga verifikimi juaj kanë dalë që kanë qenë të përndjekur politikë, jo nga verifikimi ynë, do të marrin të gjitha paratë. Me që doni shifrat, po ju jap edhe një shifër tjetër. E gjitha kjo aleancë, “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” dhe kjo qeveri nuk ka lindur nga asnjë spekulim, nga asnjë manipulim, as me të përndjekurit, as me pronarët, por e ka marrë që në krye të herës, zotimin se do t’i japë fund farsës, qoftë me njërën palë, qoftë me palën tjetër. Ua kemi thënë atyre shprehimisht se “nuk  e themi sepse duam votat tuaja, por për ne kjo është çështje e sensit të barazisë përpara drejtësisë. Ne sot jemi krenarë se në 6 muaj u kemi dhënë më në fund shqiptarëve, një qeveri që udhëhiqet nga sensi i të drejtës. Kjo është gjëja më e madhe që kanë fituar shqiptarët në këto 6 muaj, sensin e të drejtës. 8 vjet në pushtet ju, e dini kur e keni pasur buxhetin vjetor për të përndjekurit më të madh se tonin?! Vetëm një herë, vetëm në vitin zgjedhor 2013. E dini pse? Sepse u vendosët nën presionin tonë të vazhdueshëm si opozitë për t’u ardhur në ndihmë atyre që digjeshin. E nga frika se do të kumbisnit disa vota nga ata që i keni verbuar, me propagandë idiote, antikomuniste, shtuat fondin. Ndërkohë që ne në raport me ju, ne sot, jemi përpara tyre, çdo ditë krenarë, për dy arsye;

E para, sepse i kemi dedikuar, pavarësisht krizës ekonomike dhe financiare ku na e latë vendin, – fondin më të madh për dëmshpërblimin e të përndjekurve, në të gjithë historinë  e qeverisjes demokratike të këtij vendi.

E dyta, sepse ne nuk ju kemi marrë kurrë votën atyre, duke ju thënë “ne jemi ata që ju përfaqësojmë”.

Janë dy arsye shumë të forta. Unë e mora fjalën këtu për t’i nënvizuar këto arsye, jo sepse përsëri shpresoj që ndonjëri nga ata, sot do të mendojë ndryshe nga dje dhe nesër do të na japë votën ne. Por, sepse dua t’ua përcjell këtë mesazh të gjithë shqiptarëve: Ka dy palë këtu në këtë Kuvend; njëra palë është ajo që vjen këtu çdo të enjte apo kurdo që ka seancë për të debatuar dhe për të vendosur për Shqipërinë; një palë tjetër është ajo që vjen këtu në çdo seancë për të prishur çdo lloj mundësie për debat për Shqipërinë dhe për të penguar çdo vendimmarrje  në të mirë të Shqipërisë.

Ky është dallimi mes nesh dhe jush!

***

Replika e Kryeministrit Edi Rama ndaj Kryetarit të PR Fatmir Mediu:

Ajnshtajni është shumë i madh për t’u futur mes jush dhe meje, por unë di një shprehje tjetër për atë që e ndan budallallëkun nga mençuria, që thotë “distanca mes ne të dyve”.

Përsa i përket temës, e para, është fantastike që ju të gjithë bashkë merrni fjalën këtu e pretendoni etikë. Pretendoni etikë dhe ankoheni se ju fyejmë. Unë ju sfidoj që të gjeni një fyerje në fjalët e mia, qoftë ndaj jush, qoftë ndaj opozitës në tërësi, apo të gjeni një fyerje në gjithë fjalët tona, gjatë gjithë këtij ballafaqimi qysh se kur ku parlament ka filluar punën me një shumicë të re dhe me një opozitë të re. Jeni fantastikë! Jeni fantastikë se, qysh kur jeni ulur në opozitë, vazhdoni të flisni sikur keni rënë nga qielli dhe sikur gjithë këto probleme me të cilat ne përballemi çdo ditë, si pasojë e trashëgimisë tuaj rrënuese për Shqipërinë dhe për çdo sektor e shtresë janë krijuar këto gjashtë muaj.

Po vij përsëri tek pronarët dhe tek të përndjekurit, sepse është një temë që më tërheq jashtëzakonisht shumë. Është një temë që kush ka sy për të parë, kush ka veshë për të dëgjuar e kush ka mend për të logjikuar mund ta shohë shumë qartë, gjithë hipokrizinë mbi të cilën është ngritur qoftë Partia Republikane apo qoftë edhe i gjithë pushteti i djeshëm i Partisë Demokratike.

Hipokrizia e madhe e përfaqësimit të atyre që vuajtën nën regjimin komunist. Aq hipokrizi e madhe, saqë, kur ju flisni për drafte ligjore që paskeni bërë, unë nuk e di se me çfarë argumenti do të mbroni paktin që keni prodhuar bashkërisht me palën tjetër, se një palë jeni dhe nuk është fyerje kur ju them se ju jeni vrima e fundit e kavallit dhe është gjynah që të merresh me ju, por juve ju kemi këtu tani, se këta të tjerët ikën.

Tetë ligje, të gjithë në konflikt me njëri-tjetrin. Tetë ligje që, kur shkojmë ne në Strasburg për të fituar kohën humbur, njëzet vjet kohë e humbur dhe për t’i dhënë garanci Strasburgut se ne kemi një plan për pronën, na nxjerrin ato ligjet tuaja dhe na thonë çdo bëni me këtë xhungël administrative, kur një ligj ta jep, ligji tjetër ta merr, ligji i tretë ta fshin, ligji i katërt ta kthen, ligji i pestë ta njeh, ligji i gjashtë ta mohon, ligji i shtatë ta kompenson dhe ligji i tetë ta nxjerr aty ku t’i se pret dhe bën pronar njerëz që kanë vetëm një meritë, lidhjet e gjakut me pushtetin tuaj, lidhjet e klanit me pushtetit tuaj, lidhjet e tribusë me pushtetin tuaj dhe sigurisht, edhe lidhjet e detyruara nga pushteti juaj të korrupsionit. Jeni bërë anekdota e këtij vendi. Jeni bërë barcaleta e këtij populli, për gjithë ato kthime e kompensime që i keni bërë në vite, duke marrë haraç për çdo pronë që keni kthyer. Dhe mbi të gjitha jeni gazi më i madh i kësaj bote, me falsifikimet që keni bërë me pronat, për tetë vjet rresht.

Përfytyroni që mbas njëzet vjetësh dhe tetë nga këto njëzet vjet ishin tetë vitet e fundit, kur folët për Shqipërinë në moshën e internetit, tani kjo Qeveri, kjo Aleancë, që është ashtu siç thua ti, kurrë nuk u ka thënë pronarëve votoni për ne, se ne do t’ua kthejmë 100% pronat, siç u keni thënë ju njëzet vjet rresht, kurrë nuk u ka thënë të përndjekurve votoni për ne, se ne kemi vuajtur më shumë se ju, e pra, kjo Qeveri ka filluar inventarin. E kuptoni! E keni lënë pa inventar.

E keni kthyer Shqipërinë dy herë si pronë. 28 mijë km2 ka Shqipëria, ju keni njohur 50 mijë km2. E kuptoni se çfarë keni bërë ju apo jo!? Keni njohur prona sa në të gjithë Ballkanin. Keni futur në konflikte të pafundme shqiptarët. Vrasjet për arsye të pronës në vite, se keni qejf të flisni për vrasjet ju,  vrasjet për konflikte pronësie e dini sa janë zotëri, që ke qenë tetë vjet në pushtet, apo jo?  Thuajeni shifrën! Sa janë? Sa konflikte pronësie kanë përfunduar në vrasje, për shkak të leshelisë që keni bërë ju? Që keni bërë ju në fillim të viteve ’90-të, që keni bërë ju më pas. Mijëra e mijëra! Mbi tetë mijë vrasje, shqiptarë me shqiptarë, për çështje pronësie.

E keni gojë ju, vini e flisni këtu e i tregoni kësaj qeverie, që në gjashtë muaj ka bërë më shumë se ju në tetë vjet. Ka vendosur në themel të marrëdhënies së shtetit me pronarët dhe me të përndjekurit sensin e të drejtës dhe po bën atë që, pavarësisht krizës ku e latë ju vendin, pavarësisht lakut të borxheve që ia lidhët në qafë Shqipërisë dhe që ne po i zgjidhim muaj pas muaji, ka akorduar buxhetin më të madh, në njëzet vjet, për të përndjekurit. Ndërkohë që ju vetëm në një vit keni dhënë buxhet më të madh, në 2013,  për vota, kur filluat të dridheshit nga frika se ato greva dhe ato vetëflijime do t’ju humbnin ato vota. Turp i madh!

Unë e përsëris dhe ne do ta përsërisim këtë, jo tre, po tridhjetë, treqind, tremijë herë, që ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët. Ta dëgjojnë ata që kanë jo tre herë,  por kanë 25 vjet që të dëgjojnë ty dhe dëgjojnë atë plakun tënd, që ju thoni ‘vetëm ne u kthejmë pronën, vetëm ne ju dëmshpërblejmë’. E, bëni edhe sikur keni vuajtur! Po ç’keni vuajtur ju në kohën e komunizmit, o lumëmadh! Por ç’ke vuajtur ti në kohën e komunizmit! Ju jeni vuajtja e madhe e të gjithë atyre që juve ju kanë dhënë votën; E të gjithë atyre që ju kanë besuar se do ju jepnit pronat; E gjithë atyre që kanë kujtuar se do u dëmshpërblenit vuajtjet; E gjithë atyre që keni arritur t’i gënjeni me sukses. Dhe e di si i keni gënjyer? I keni gënjyer përmes mësimeve të asaj partisë, që pretendoni që e rrëzuat ju dhe përmes atij instrumenti propagande, që jam i bindur se ju e zotëroni shumë më mirë, sepse jeni ju sot, e vetmja dëshmi e gjallë që në Shqipëri ka pasur regjim komunist, jo ne. Jeni ju sot, e vetmja shëmbëlltyrë e gjallë e politikës së trajtimit të kundërshtarit si armik, e politikës gënje e gënje e gënje, derisa ta bësh fakt; E politikës  së transformimit të burimeve mediatike në burime balte e shpifjesh për kundërshtarësh; E politikës përça e përça e përça, dasi, dasi, dasi. Këta jeni ju!

E megjithatë, përsëri po e them për të katërtën e të fundit herë;. Ne jemi shumë krenarë sot. Është një mundësi fantastike për ty dhe Partinë Republikane, që të rrish këtu ta votosh këtë ligj dhe të ftoj të vish në inaugurimin godinës së të përndjekurve politikë, që njëzet vjet i latë në po atë lagështirë nga dolën, nga burgjet e Enverit. Ja këta jeni ju!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.