Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

Vetëm një referendum do të ishte sot i sinqertë, po të propozohej nga PD, referendumi për të ndërprerë procesin e integrimit në BE dhe për të përzënë Ambasadën Amerikane nga Shqipëria. Por sigurisht që kjo është diçka që zemra mund t’jua dojë, por gjunjët nuk jua mbajnë. Ndërkohë që kazani më i madh i mbeturinave të korrupsionit, krimit dhe të mafies është sistemi i drejtësisë dhe sot ne jemi këtu, një ditë pasi PD i ka shpallur luftë reformës në drejtësi dhe ka marrë haptazi anën e kazanit.

Dje, pasi erdhi këtu në 21 korrik dhe votoi me pahir reformën kushtetuese, duke shpallur madje dhe fitoren si ai prifti që kërcente nga belaja, PD ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të rrëzuar themelin e reformës, Vetting-un që do të pastrojë kazanin e sistemit të drejtësisë nga plehrat.

Sot axhenda e këtij Kuvendi është vazhdimi me vendosmëri i rrugës për të çuar përpara reformën, do apo nuk do PD, i pëlqen apo nuk i pëlqen PD, voton apo nuk voton PD.

Dihet botërisht që fati i reformës, por edhe fati i procesit historik për hapjen e negociatave me BE lidhet edhe me 7 ligje prioritare. Njërin ligj, më kryesorin, atë të vetting-ut e çuan dje në Gjykatën Kushtetuese, në aleancë të hapur me korrupsionin, me krimin dhe me mafian që mban peng sistemin e drejtësisë.

Ligjet e tjera që reflektojnë drejtpërsëdrejti paketën e ndryshimeve kushtetuese dhe hapin rrugën për fillimin e zbatimit të normave të reja kushtetuese, moment që ky popull e pret prej 26 vjetësh, i ka ndarë si një menu ku thonë, këtë mund ta hamë, këtë nuk duam ta prekim me dorë.

Paketën që krijon kuadrin ligjor për nisjen dhe realizimin e procesit për krijimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektoratin e Lartë të drejtësisë, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, refuzojnë ta votojnë. Kanë ndarë në një anë, si gjithmonë, që kur ka filluar ky proces, në rrugën e hileve dhe të mungesës spektakolare të sinqeritetit me publikun, vetëm këtë të fundit, pra strukturën e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe bëjnë sikur nuk e dinë, ashtu sikundër kujtojnë se njerëzit nuk e kuptojnë që kjo strukturë pa institucionet e tjera as nuk mund të ngrihet, jo më të funksionojë.

Duan që të votojnë këtë strukturë për t’u hedhur hi syve njerëzve se medemek këta janë gati ta luftojnë vetveten, pasi lufta kundër korrupsionit e kësaj strukture sigurisht që një pjesë të mirë të punës së saj do të ketë bëmat dhe zullumet e qeverive, ku dihet kush janë kampionët, ndërkohë që kanë vetëm një plan, të cilin e çojnë përpara me këmbënguljen stoike të qenies që tmerrohet nga fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi, ta pengojnë reformën me çdo kusht, deri edhe duke sulmuar publikisht ambasadorin e SHBA në emër të sovranitetit, për të cilin bën gjithë atë propagandë para 21 korrikut dhe pastaj erdhën  këtu me bisht ndër shalë dhe ngritën kartonët jeshilë.

Kjo paketë i hap rrugë procesit të reformimit të drejtësisë përmes së pari, rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve dhe gjithë atyre që shërbejnë në këtë sistem.

Këtë pikë që është pika themelore pa të cilën çdo gjë tjetër kthehet në një farsë, këta e kanë atakuar haptazi, drejtpërdrejtë pa pikën e turpit, duke e çuar në Gjykatën Kushtetuese dhe sigurisht pa e fshehur shpresën që tronditja psikologjike që 21 korriku ka krijuar brenda sistemit, mund të krijojë në Gjykatën Kushtetuese një rreth të bashkuar me ta për të rrëzuar, jo thjeshtë një ligj themelor, por për të rrëzuar një aspiratë 25 vjeçare, për të mos thënë shekullore të shqiptarëve, se shekullore është, për të pasur më në fund të drejtën dhe mundësinë të jetojnë në një shtet, ku drejtësia jep drejtësi.

Së dyti, i hap rrugën ngritjes së institucioneve përgjegjëse që do të shërbejnë për të materializuar frymën e normave kushtetuese, në funksion të pavarësisë të vetërregullimit të sistemit dhe të garancive të brendshme që normat kushtetuese orientojnë në funksionimin e këtij sistemi.

Së treti, duan t’i mbyllin rrugën krijimit të mekanizmave që sigurojnë llogaridhënie, efektshmëri, transparencë dhe mbi të gjitha akses të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Në emër të frikës së tyre nga ajo që mendojnë – dhe nuk kanë faj që e mendojnë, – se i pret me zbatimin e reformës, duan t’ua mohojnë qytetarëve shqiptarë aksesin në drejtësi, si të barabartë përpara ligjit dhe si me të drejta të barabarta me gjithë të tjerët, në raport me drejtësinë.

Kjo paketë i hap rrugë krijimit të instrumenteve që shërbejnë për ta luftuar korrupsionin edhe në frontin ku korrupsioni ka gjetur mbështetjen më të madhe, në sistemin e drejtësisë, duke shpërbërë frymën e kazanit korporatist në sistem dhe duke e kthyer sistemin në një organizëm aktiv në rolin që luan, në raport me pushtetet e tjera qeverisëse. Kjo e gjitha shpjegon se sa e kotë, sa hipokrite dhe se sa djallëzore është vota për SPAK, sepse SPAK-u nuk ka asnjë shans të ngrihet, jo më të funksionojë, nëse të gjithë mekanizmat nuk ngrihen së bashku dhe nuk funksionojë së bashku.

Këta duan një SPAK me prokurorë si ai që i merrte qytetarit 18 mijë euro nga paratë e qytetarit. Qytetari nuk kishte shkuar në prokurori për të marrë një pronë të pretenduar që nuk e kishte, për të cilën prokurori po i kërkonte  pjesën e vet, siç ndodh rëndom për fat të keq, por thjesht dhe vetëm për të marrë paratë e tij, të pastra dhe të grabitura.

Këtë SPAK duan këta, me këta e duan SPAK-un, sepse, nëse nuk bëhet Vetting-u, nëse nuk ngrihen këto mekanizma, ata lloj prokurorësh mund t’i kapë vetëm Fiksi me Stop-in, por nuk iu hyn gjemb në këmbë nga sistemi dhe nuk iu hyn gjemb në këmbë, sa herë marrin përsipër të torturojnë barbarisht, të dhunojnë brutalisht, të grabisin harbutërisht qytetarët e këtij vendi.

Ky është SPAK-u që duan këta. Është një proces, të cilin e kanë zhvilluar part–time që nga dita e parë. E kanë braktisur në fillim, kanë hyrë pastaj dhe më pas vetëm kanë hyrë e kanë dalë, ndërkohë që tjerët kanë punuar çdo ditë, me orë të zgjatura dhe net të tëra për t’i dhënë parlamentit mundësinë që të miratojë, jo një paketë ligjesh, por vënien në vend të një të drejte historike të popullit shqiptar.

Janë bërë për këtë paketë,  tryeza konsultimi në Tiranë dhe në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Janë bërë për këtë paketë bashkëbisedime të hapura me gjyqtarë, me prokurorë, me avokatë, me pedagogë të fushës. Është ngritur për këtë paketë, një rrjet konsultimi publik me 1800 adresa elektronike aktive të njerëzve që kanë dhe dinë çfarë të thonë për këtë punë dhe këta nuk kanë qenë prezent në asnjë prej tyre.

Këta janë prezent vetëm me e-mailet që shkëmbejnë me ambasadorët, për t’i përdorur e-mailet në emër të sovranitetit dhe për t’i treguar shqiptarëve se partnerët tanë synojnë të sundojnë në Shqipëri. Këta, tamam këta që kur ishin aty lart, e bënë Shqipërinë lesh dhe li.

Sot, këta që na e kthyen Venecian në një prezencë aq intensive, sa gati-gati njerëzve iu dukej sikur iu ishin mbushur shtëpitë me ujë, nuk duan t’ia dinë fare që kjo paketë reflekton literalisht çdo sugjerim të Komisionit të Venecias dhe për çudinë e madhe këta që flasin në emër të konsensusit dhe që për konsensusin u zhytën në ujërat e Venecias, nuk e morën ligjin e Vetting-ut ta sillnin këtu dhe të thoshin t’i kërkojmë një opinion komisionit të Venecias, por e çuan drejtpërdrejtë aty, ku shpresojnë të gjejnë kasaphanën që iu duhet, thertoren që iu duhet, për të bërë as më shumë dhe as më pak, por për t’i prerë kokën reformës dhe për ta kthyer reformën si ato pulat pa kokë që rrotullohen rreth vetes disa çaste dhe pastaj shtrihen për tokë, gati për t’u ngrënë nga ithtarët e Ballit Kombëtar se kështu janë këta.

Kjo paketë merr në konsideratë të gjitha sugjerimet e misionit amerikan të drejtësisë në Shqipëri, të misionit europian të drejtësisë në Shqipëri dhe është  adaptim i modeleve dhe përvojave më të mira ndërkombëtare nga vendet europiane.

Në gjashtë projektligjet që duhet votuar, dy projektligje kanë të bëjnë me drejtësinë penale: ligji për institucionin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe projektligji për organizimin e funksionimin e prokurorisë. Dy projektligje kanë të bëjnë me organizimin e gjyqësorit dhe Gjykatën Kushtetuese dhe dy projektligje kanë të bëjnë me organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë dhe statusin e gjyqtarit dhe prokurorit të Republikës së Shqipërisë.

Ne jemi në një fazë tjetër përsa i përket mundësive tona financiare, nuk jemi në fazën ku e nisëm me 720 milionë dollarë borxhe, me kërcënimin që në fund të 2013-s të mos mund të paguanim më rrogat dhe pensionet dhe me shpatën e Demokleut të falimentimit mbi kokë, për shkak të kolapsit energjetik dhe financiar.

Sot, ne jemi në gjendje jo të plotësojmë çdo nevojë të njerëzve dhe sektorëve, larg nga kjo, por jemi në gjendje që të vëmë në dispozicion 18 miliardë lekë [të vjetra] për të stimuluar këtë sistem dhe në radhë të parë për t’i paguar shumë më mirë prokurorët dhe gjykatësit që do ta kalojnë me sukses skanerin që këta duan me çdo kusht ta çmontojnë, vetting-un. Por këta nuk duan t’ia dinë fare për këtë, këta kanë vetëm një fiksim, si të mos bëhet e mundur që Shqipëria të ketë drejtësi, sepse drejtësia që sistemi i ri do të fillojë të mishërojë, ka të bëjë në radhë të parë me këta.

Kanë nxjerrë një pretendim. Duan që qeverisja e gjyqësorit, pra, ajo pjesë e qeverisjes së gjyqësorit, që nuk vjen drejtpërdrejtë nga gjyqësori, nga gjykatësit dhe prokurorët në dy këshillat, për të cilat me konsensus votuam dhe votuan edhe këta, do të ketë një proces shumë të vështirë, por konsensual në përcaktimin  e njerëzve, – duan që ata të tjerët që vijnë nga avokatia, që vijnë nga bota akademike e lidhur me drejtësinë dhe që vijnë nga shoqëria cilivile t’i zgjedhin këta. E duan të na përfshijnë dhe ne në një zgjedhje mizerabël, që është as më shumë dhe as më pak, por në vend se të respektojmë frymën e Kushtetutës dhe të kemi përfaqësues të pavarur të këtyre tre grupeve të rëndësishme, ne të kemi në fakt avokatë me tesera partie dhe jo vetëm me tesera, por me përkushtim partiak të shprehur ndër vite, të kemi pedagogë militantë partie dhe atë shoqërinë civile që tani ju ka hyrë në zemër, – për fatkeqësinë e shoqërisë civile në fakt, se një shoqëri civile që e sheh veten në zemrën e Partisë Demokratike duhet t’i bëjë pyetjen vetes “Çfarë po ndodh me mua?!” – t’i vënë këta.

Ngrenë një pretendim që e kam dëgjuar dhe nga kryetari i tyre në detyrë, jo nga lideri, që, nëse ne pranojmë këtë skemë, pranojmë që qeveria me Fatmir Xhafën do kapin Dhomën e Avokatëve, do kapin fakultetet, do kapi Shoqërinë Civile, dhe faktikisht, këtu do na vijnë 5 njerëz që do jenë të kapur. Ne e dëgjuam këtë shqetësim ku paranoja bën të vetën, – ju keni të drejtë që të ushqeni paranojën, të cilën e ushqeni në bashkëpunim intensiv midis mendjes dhe lepurushit që ju është bërë sa një mal në bark nga frika e drejtësisë, – atëherë, duke iu referuar Kushtetutës, duke iu referuar Komisionit të Venecias, e zeza mbi të bardhë, ne ndërtuam një proces për këtë projektligj që është një përgjigje adekuate e shqetësimit dhe po ashtu, një zgjidhje, edhe më e mirë, në fakt, sesa zgjidhja paraprake.

Kush është zgjidhja më e mirë sesa zgjidhja paraprake dhe përgjigja e shqetësimit, nëse shqetësimi do të ishte real dhe nuk do të ishte pjesë e maskës, – sepse jeni bërë si ato maskat e karnavaleve të Venecias.  Sigurisht që merr një konotacion negativ kur bën karnavalin pa qënë pjesë e aktivitetit dhe ndërton një aktivitet karnavalesh në parlament. Doni apo nuk doni ju, ju pëlqen apo nuk ju pëlqen ju, reforma do të bëhet. Kush nga ju e ka lepurin të ushqyer nga arsyet që i dini vetëm ju, do të paraqitet para drejtësisë. Mos u shqetësoni dhe mos ushqeni lepurin e njeri-tjetrit. Mbani secili lepurin e vet.

Kemi dhënë mundësinë që jo më Bordi i Dhomës së Avokatisë, jo më një grup i vogël pedagogësh, por që të gjithë avokatët në Republikën e Shqipërisë të votojnë, se parlamenti, e para, nuk mundet dot të bëhet zyrë aplikimi për qindra njerëz.

Janë 10 mijë avokatë në Shqipëri e mund të jenë disa qindra që mund të sjellin propozime në parlament. E dyta, është një tallje shumë e madhe me Kushtetutën, me frymën e reformës dhe me popullin, përveçse dhe me vetë ata që do paraqiten, që të hapësh një proces maskaradë, ku faktikisht zgjedhin partitë dhe ku partitë bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë, do zgjedhin dy avokatët më të dëshiruar. Do iu thonë aplikoni se do jeni ju dhe gjithë të tjerët do i japin jetë karnavalit që kërkojnë këta.

Ndërkohë që ne themi, ne përcaktojmë numrin e kandidatëve që do të jenë baza përzgjedhëse për partitë. Por këta kandidatë, dakord, të mos filtrohen nga Bordi i Dhomës së Avokatisë, apo një grup dekanësh e rektorësh. Ne jemi shumë dakord me ju dhe zgjidhja që kemi dhënë në bashkëpunim të plotë me misionet ndërkombëtare dhe duke reflektuar në frymë dhe në germë çfarë thotë Komisioni i Venecias për këto organe, ta bëjnë me votë.

Ju doni të bëni një referendum për plehrat dhe nuk doni të lini avokatët të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në organet drejtuese të gjyqësorit.

Është e qartë pse doni të parën dhe nuk doni të dytën. Të parën e dini që nuk bëhet, se po të bëhej, e bënit. Nuk keni pse të na thoni neve, hajde ta bëjmë bashkë. Ne, importin e plehrave e kemi ndaluar me ligj, që ju nuk e kishit. Ju kujtuat, si gjithmonë gabimisht në këto 3 vite, që në shkretëtirën e ideve, kapaciteteve dhe të sorollatjes së Partisë Demokratike, ju doli përpara papritur një flamur që ju mund ta merrni dhe mund të çani përpara drejt një revolucioni të ri. Në fakt nuk është flamur, është kazan.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.