Fjala e Kryeministrit Edi Rama në 15 vjetorin e Forumit të përvitshëm të Investitorëve të huaj, FIAA:
Ky është një rast shumë i mirë, jo vetëm për të festuar 15 vjetorin e FIAA-s, por edhe për t’i shprehur mirënjohjen anëtarëve të saj, për prezencën prej të paktën 15 vitesh në tregun shqiptar, për përpjekjet e saj të shumta dhe për vendosmërinë e saj të qartë për të ecur përpara, pavarësisht vështirësive dhe pengesave.
Emra të njohur si Coca-Cola, Deloitte, KPMG, Fondi Shqiptaro- Amerikan, Vodafone, apo edhe emra më pak të njohur, por gjithashtu shumë të rëndësishëm për ekonominë tonë, janë pjesë e kësaj historie dhe sigurisht, edhe një model për të ngritur një sistem referimi për tregun vendas për investimet kapitale, ide të reja biznesi, kulturë të re pune dhe menaxhimi, eksperiencë dhe ekspertizë të lartë.
Ky spot që organizatorët prezantuan është një shëtitje në 15 vite histori, që na ndihmon të kuptojmë jo vetëm sa vite kanë kaluar për secilin nga themeluesit e saj, por edhe se nga ka ardhur kjo energji krijuese dhe si është shprehur ajo në ide dhe plane konkrete biznesi.
Këto kompani përfaqësojnë pjesën më të madhe të fluksit të investimeve të huaja direkte në vend, të cilët arrijnë në vlerat e disa miliardë euro dhe vazhdojnë të rriten, sepse në mesin e kompanive që së fundmi i kanë dhënë FIAA-s dhe Shqipërisë një vlerë të shtuar janë emra të tillë si Energji Ashta, Statkraft dhe Projekti TAP.
Sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit, në tre vitet e ardhshme, vetëm nga TAP, Prodhimi i Brendshëm Kombëtar do të rritet me rreth 160 milionë euro në vit. Ndërsa me fillimin e rrjedhjes së gazit, ekonomia jonë vetëm nga ky projekt do të përfitojë 1 miliardë euro të ardhura, në 20 vitet në vijim.
Për çdo ekonomi, po sidomos për një vend si Shqipëria, investimet e huaja direkte janë një pikë nevralgjike dhe valvul oksigjeni për të furnizuar rritjen ekonomike, në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjate dhe mbi të gjitha krijojnë kushtet për punësim real.
Ne po implementojmë përmes shumë vështirësive dhe përpjekjeve, një model të ri ekonomik, që reflekton pikërisht këtë qasje të re zhvillimi, duke promovuar burime të reja të rritjes si prodhimi vendas, eksportet dhe investimet e huaja direkte.
Investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të vitit 2015 kanë arritur në 258 milionë euro, me një kapërcim prej 90 milionë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
15 vjetori i FIAA-s përkon me një proces të thellë transformimi të ekonomisë shqiptare, e cila po i nënshtrohet reformave të rëndësishme strukturore dhe si çdo proces transformimi është njëkohësisht dhe një moment mundësish të mëdha.
Janë një sërë sektorësh, të cilët po i promovojmë, pasi i vlerësojmë strategjike në terma të zhvillimit ekonomik si:
Infrastruktura; këtu nënkuptojmë modernizimin e asaj ekzistuese, e cila, siç edhe ju e dini mirë, është larg standardeve europiane që ne synojmë, por mbi të gjitha realizimin e veprave dhe projekteve të mëdha në porte, aeroporte, autostrada dhe hekurudha, edhe në kuadër të mundësisë fantastike që na është dhënë me Procesin e Berlinit, ku bashkëpunimi midis vendeve të rajonit të Ballkanit dhe Bashkimit Europian ka nisur tashmë.
Energjia; Para pak ditësh përuruam nisjen e punimeve për zbatimin e projektit TAP, i cili i kombinuar dhe me IAP, si një korsi tjetër e furnizimit me gaz që kalon nga vendet e rajonit, është patjetër një hapësirë shumë dimensionale investimesh.
Zonat e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik; një nga projektet më interesante dhe inovative që kemi sot, për të cilin MZHETTS ka bashkëpunuar me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit. Shumë shpejt do të hapet tenderi ndërkombëtar për zonën e Spitallës dhe pas saj, edhe për Vlorën e Koplikun.
Është sfidë e kësaj qeverie, por edhe e investitorëve gjithashtu, që të sjellin në Shqipëri industri të reja, duke zgjeruar bazën e sektorëve në të cilët janë përqendruar kompanitë aktualisht.
Zonat ekonomike janë rasti më i mirë për ta realizuar këtë përmes gamës së gjerë të kompanive dhe industrive që do të operojnë brenda tyre dhe ne besojmë që, nisur edhe nga interesi i shprehur deri më tani nga shumë kompani për këtë proces dhe me ligjin e ri që kemi prezantuar, do të ofrojmë një nga zonat më konkurruese në rajon.
Bizneset fason mbetet një burim potencial i rritjes. Kjo industri ka pësuar një kapërcim spektakolar në një vit e gjysmë. Sot zë një peshë të rëndësishme në volumin e eksporteve të vendit, duke arritur të zëvendësojë edhe humbjen në eksportin e mineraleve dhe naftës.
Manifaktura po diversifikohet duke kaluar nga manifaktura tradicionale në tekstile dhe këpucë, drejt një sektori më të madh, i cili përfshin edhe profile të reja. Disa ditë më parë, një emër i mirënjohur në sektorin automotiv, kompania gjermane Forschner, nisi aktivitetin e saj në Shqipëri.
Përsa i përket bujqësisë, vitin e kaluar eksportet bujqësore u rritën në nivelet 20%. Në 3 muajt e parë 2015, vetëm agro-industria kishte një kapërcim 24%, ndërsa në total, eksportet bujqësore dhe blegtorale arritën 12,5%.
Ne jemi të angazhuar për të krijuar më shumë hapësira në këtë sektor, duke ftuar investitorë, të cilët nuk kanë investuar më parë që të bëhen pjesë e kësaj përpjekje të përbashkët, e cila bazohet në faktin se ajo që shihet nga eksportet është shumë inkurajuese dhe bazuar gjithashtu në faktin se Shqipëria ofron shumë avantazhe, të cilat nëse adresohen ashtu siç duhet, mund të bëhen një mundësi fantastike për investitorët.
Ne jemi të bindur se ky do të jetë viti më i mirë për turizmin, bazuar ne statistikat e operatoreve turistike për kërkesat dhe rezervimet, rezulton një rritje me 20-25% e kërkesave.
Në fakt ne duhet të përballemi edhe me anën tjetër të historisë e cila ka të bëjë me mungesën e kapaciteteve tona për të ofruar aq sa janë kërkesat. Këtë vit ne kemi shumë më tepër kërkesa sesa Shqipëria mund të ofrojë nga pikëpamja e akomodimit, të cilat janë pjesë e sfidës për të rritur këto kapacitete.
Tipologjia e turistëve po ndryshon. Gjeografia e vendeve që kanë interes për Shqipërinë po zgjerohet nga rajoni jonë, drejt Europës kontinentale dhe veriore, Gjermani, vendet skandinave, Poloni, Rusia, Kazakistani, Kuvajti. Përmirësimi i infrastrukturës në turizëm dhe rritja e kapaciteteve akomoduese, është sfidë dhe një drejtim i mirë për të orientuar investimet. Por në të njëjtën kohë, unë dua të tërheq vëmendjen për projektligjin që ne kemi kaluar për turizmin i cili është shumë inovativ dhe agresiv drejt krijimit të më shumë hapësirave për investitorët dhe praktikisht duke ulur sa më shumë barrierat te cilat kane karaterizuar më parë çdo iniciativë në këtë sektor.
Edhe nga pikëpamja ligjore, këta sektorë po mbështeten me ligje të posaçme. Jeni të njohur tashmë me ligjin e turizmit, të investimeve strategjike, të zonave ekonomike dhe atë të Partneritetit Publik Privat.
Partneriteti publik privat, duhet konsideruar si një instrument tejet efikas për gjenerimin e projekteve inovative në shumë sektorë.
Imazhi i vendit është ndoshta pjesa më kritike që ka të bëjë jo vetëm me përpjekjet e qeverisë.
Jam i bindur se prezenca juaj prej shume vitesh në Shqipëri, dhe mënyra se si do ta përdorni dëshminë tuaj është një vlerë e shtuar në këtë përpjekje, si dhe garanci për investitorët e tjerë.
Jam i vetëdijshëm se ka ende shumë për të bërë në drejtim të zvogëlimit të burokracive, të marrëdhënieve me administratën, të cilat më bëjnë mua të them se problemi për mua dhe për qeverinë nuk është në të djathë, nuk është në të majtë, nuk është se kë luftojmë ne në dukje, por është tek ajo qe nuk shihet. Ky është problemi më i madh, beteja më e vështirë dhe për këtë ne jemi të angazhuar për të punuar së bashku. Në këtë drejtim unë dua të falenderoj shoqatën për bashkëpunimin. Do te bëjmë hapa të mëtejshëm për të përmirësuar klimën ndaj biznesit në Shqipëri.
Kemi institucionalizuar komunikimin aktiv dhe bashkëpunimin me sipërmarrjen, jo vetëm nëpërmjet Këshilli Ekonomik Kombëtar, por edhe Këshillit të ri të Investimeve.
Ne do të vazhdojmë punën, nismat dhe reformat për t’ju mbështetur në çdo hap të investimit tuaj si në pikëpamjen ligjore, dhe atë të eliminimit të procedurave burokratike, asistimit përmes procedurës “fast tracking” dhe ofrimit të garancive për investimin tuaj.
Lajmi i mirë është se tani ne jemi përtej procesit legjislativ për të transformuar transformimit të AIDA në ONE STOP SHOP dhe për ta vendosur AIDA-N në dispozicion të investitorëve.
Unë mund të flas më shumë por po ndaloj në këtë pikë duke ju falenderuar për këtë ftesë dhe për organizmin e eventit.