Rilindja Urbane i ka dhënë një imazh krejt të ri qytetit të Memaliajt. Falë këtij projekti të qeverisë, sheshi i qytetit, i njohur ndryshe si “qyteti i minatorit”, pas rikonstruksionit i ofrohet qytetarëve tërësisht i dedikuar për ta, i çliruar nga automjetet, me gjelbërim, stola dhe monumentet e historisë së kësaj krahine të rehabilituara nga pluhuri i harresës. Janë rehabilituar edhe 8 ndërtesat që rrethojnë sheshin përmes unifikimit të fasadave, si dhe veshja me pllaka guri. Rikualifikimi urban i gjithë hapësirës në qendër te qytetit i shërben edhe ekonomisë lokale, sidomos më tepër se 20 bizneseve që ushtrojnë aktivitetin në qendër.
***
Pas shumë e shumë vitesh pa investime, Tepelena pasurohet edhe me një qendër të re multifunksionale për komunitetin. Kjo qendër pritet të jetë një shtysë e madhe dhe një mbështetje për gjithë të rinjtë, për t’i afruar ata edhe më shumë pas sportit dhe jetës së shëndetshme. Qendra me fushën e kalcetos, palestrën e ambiente të tjera të standardeve bashkëkohore, ofron për të gjithë të të rinjtë një opsion më shumë për të kaluar kohën e lirë në mënyrë aktive.
***
Qyteti i Tepelenës dhe gjithë zonat rreth saj do të lidhen me bregdetin duke sjellë kështu lehtësi në udhëtim për banorët e këtyre zonave dhe turistët. Hapi i parë drejt këtij synimi është rruga e Kurveleshit, e cila që në vitin 1983 ishte harruar pa u vënë dorë. Rikonstruksioni i kësaj rruge do të lidhë qytetin me bregdetin, jo vetëm në aspektin turistik, por do të ndihmojë dhe fermerët e zonës, të cilët do mundet të nxjerrin më shpejt e më lehtë produktet e tyre drejt pikave të grumbullimit.
“Me daljen në det, e gjitha kjo bëhet zemër turistike. Njerëzit nga Borshi ngjiten këtu lart,” – u shpreh Kryeministri Rama i cili inspektoi këto kantiere. Sakaq, kryetari i Bashkisë së Tepelenës tha se numri i turistëve për këtë vit ka njohur një rritje të madhe. “Është mbi 10 mijë numri i turistëve të huaj që kanë shkelur në këtë trevë,” u shpreh kryebashkiaku Tërmet Peçi.