Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Përshëndetje të gjithëve!

Një mirëseardhje shumë të përzemërt miqve tanë nga Kosova.

Sot jemi këtu për të thelluar procesin e bashkëpunimit tanimë të vendosur mbi shinat e partneritetit strategjik mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës. Me vetëdijen e plotë se bashkëpunimi ekonomik mes dy shteteve është në një nivel të papranueshëm për aspiratat tona të përbashkëta, për mundësitë tona të përbashkëta dhe për kontekstin e dy shteteve në rajonin tonë.

Tregjet tona janë ende shumë larg njëra-tjetrës dhe integrimi i këtyre tregjeve është sfida jonë e patjetërsueshme. Fatkeqësisht, edhe pse kanë kaluar jo pak vite, edhe pse eksperienca e sipërmarrjen në të dy anët e kufirit është mëse e mjaftueshme, jo sot, por prej kohësh, tregjet e Kosovës dhe të Shqipërisë qendrojnë të izoluara dhe vështirësisht të aksesueshme për prodhuesit dhe tregtarët e dy shteteve. Procedurat janë të tmerrshme, të gjata, të lodhshme dhe shumë dekurajuese dhe sot mund të themi me plotë gojën se mes Shqipërisë dhe Kosovës, prej shumë vitesh është ngritur një barrierë e lartë që pengon ndërveprimin dhe bashkëpunimin dhe që artificialisht i ka larguar në vend që t’i afrojë të dyja hapësirat shqiptare.

Për më tepër jemi të gjithë të vetëdijshëm se të ndara tregjet mbeten jashtëzakonisht të vogla, ndërkohë që të bashkuara fillojnë dhe marrin një përmasë shumë më relevante për aspiratat dhe për mundësitë e biznesit në të dyja anët e kufirit, sot.

E pra, unë sot kam privilegjin të hap këtë takim shumë të rëndësishëm që vjen edhe si rezultat i krijimit të Dhomës Kombëtare të Tregtisë, një nismë absolutisht e shkëlqyer, në kohën e duhur, e sipërmarrësve në të dyja anët e kufirit, që na jep mundësinë ne si qeveri, të dy qeverive që të kemi një interlokutor të vetëm dhe që përsa i takon kësaj sfide, absolutisht të përbashkët, të kemi  mundësi që të diskutojmë dhe të rakordojmë duke përfituar nga ky instrument i ri dhe besoj shumë i munguar në vite, por dhe tanimë krejtësisht i pazëvendësueshëm, siç është Dhoma e krijuar pak ditë më parë, me iniciativën e vetë sipërmarrjen në Shqipëri dhe në Kosovë.

Disa fjalë për çështjet që besoj se duhet të adresojmë, duke u fokusuar shumë fort në ambicien për të lehtësuar në mënyrë jashtëzakonisht të ndjeshme për gjithë sipërmarrjen, tregtinë dhe lëvizjen e prodhimit mes dy vendeve.

E para, është e pamundur që ne të shkojmë më tutje, pa pasur një terminal të përbashkët doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Krijimi i terminaleve të përbashkëta, por edhe i zyrave të përbashkëta doganore është një domosdoshmëri, besojmë, për të hapur pastaj, procesin e lehtësimit në të gjitha aspektet, për të cilat me siguri do të flasin këtu të dy ministrat dhe të dy drejtorët e doganave respektive, përveçse, padyshim, edhe përfaqësuesit e sipërmarrjes përmes Dhomës Kombëtare të Tregtisë.

Konkretisht, terminali i përbashkët i Morinë-Vermicës dhe zyrat doganore të përbashkëta të Morinë-Tropojës dhe të Qafë Prush-Hasit janë në rendin e ditës, për t’u adresuar konkretisht. Kemi një terminal të përbashkët me Malin e Zi. Është një nga risitë ballkanike që lehtësisht e domosdoshmërisht duhet të implementohet në kufirin që ndan hapësirën shqiptare. Afrimi nuk është vetëm logjistik, por është njehsim procedurash, është shkurtim drastik i kontrolleve, është shkurtim drastik i kohës së përpunimit dhe të kalimit dhe padyshim fare dhe këtu jemi dakord, absolutisht, me Kryeministrin e Kosovës, por dhe të dyja qeveritë, mundësi e re për të goditur shfaqet korruptive dhe të për reduktuar evazionin dhe trafiqet paligjshme.

Nga ana tjetër, një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm është tranziti Shqipëri-Kosovë. Ne si qeveri kemi siguruar fondet, për të përshtatur sistemin informatik të doganës me atë të doganës së Kosovës, në mënyrë që tranzitet e çelura në territorin doganor shqiptar të mbyllen në doganat e destinacionit kosovar, duke evituar kështu ndalesat në kufi për ribërje procedurash dhe anasjelltas. Ribërja e procedurave është një nga problemet më të mëdha që ngre në mënyrë të vazhdueshme sipërmarrja dhe që pengon në mënyrë të vazhdueshme iniciativën e lirë dhe cenon rendë aspiratën për të fuqizuar në mënyrë eksponenciale shkëmbimin mes dy vendeve.

Aktualisht, mallrat me destinacion Kosovën, që mbërrijnë në Portin e Durrësit, kontrollohen dhe mbyllin tranzitin në Morinë, përpara se të mbërrijnë në destinacionin final, Kosovën. Me tranzitin e përbashkët, mallrat nga Durrësi do ta mbyllin tranzitin në destinacionin final në Kosovë, pa pasur nevojë të kontrollohen edhe në Morinë. Që do të thotë që Durrësi bëhet një pikë e përbashkët, qysh në origjinë, për gjithë ata që hyjnë, pavarësisht se ndalojnë në Shqipëri apo ndalojnë në Kosovë. Kjo risi në fushën e shkëmbimit tregtar e shpejton në mënyrë të jashtëzakonshme lëvizjen e mallrave, e shkurton atë që është bërë makthi i sipërmarrjes, kohën e qendrimit nëpër stacione doganore, redukton koston e biznesit dhe praktikisht, le ta themi, në pikëpamjen doganore e bën kufirin Shqipëri-Kosovë një kufi virtual, praktikisht inekzistent në pikëpamje doganore.

Nga ana tjetër kemi një problem shumë serioz dhe për këtë kam ftuar këtu edhe drejtuesin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, lidhur me vonesat e tejskajshme që i shkaktohen në kufi produkteve bujqësore dhe blegtorale të Kosovës, nga agjencitë shqiptare të kontrollit fito-sanitar dhe kryesisht nga AKU-ja. Kemi marrë informacion të plotë dhe dua ta falenderoj qoftë drejtoren tonë, qoftë drejtorin e doganës në anën tjetër, për ndihmesën që na kanë dhënë dhe është skandaloze të shikosh se çfarë prodhon kjo barrierë e vendosur nga të ashtuquajturat Agjenci Shqiptare të Kontrollit Fito-Sanitar. Mallra që nisen nga Kosova, që mbërrijnë në tregjet e Serbisë për 4 orë, ndërsa në tregjet shqiptare duan të paktën dy ditë. Dhe ky është një handikap që praktikisht e ul në gjunjë shkëmbimin tonë tregtar, ul në gjunjë të gjithë sipërmarrësit që kanë aspiratën të investojnë më shumë dhe të zhvillojnë më shumë biznesin e tyre dhe ul në gjunjë çdo lloj iniciative që mund të mendohet si iniciativë e përbashkët mes sipërmarrjes të Shqipërisë dhe sipërmarrjen të Kosovës. Për shmangien e këtij handikapi, ne duhet menjëherë të ulemi dhe të punojmë për njohjen reciproke të certifikatave fito-sanitare.

Me fjalë të tjera, një certifikim kombëtar, pavarësisht nëse e ka lëshuar një agjenci në Shqipëri apo e ka lëshuar një agjenci në Kosovë. Agjencia në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të funksionojë si pjesë e të njëjtit zinxhir. Dokumentin e agjencisë në Kosovë duhet ta njohë Shqipëria njësoj si ta kishte lëshuar vetë dhe dokumentin e agjencisë në Shqipëri duhet ta njohin në Kosovë njësoj sikur ta kishte lëshuar vetë. Pra, një certifikim kombëtar unik. Për ta ilustruar, kemi këtu edhe përfaqësues nga shoqëritë e sigurimit, po jo për shkak të shoqërive të sigurimit, por si themelues të Dhomës Kombëtare të Tregtisë. Shoqëritë e Sigurimit kanë certifikata të njësuara, në të dy anët e kufirit. Kanë ecur shumë më shpejtë se sa ç’kanë ecur shtetet. Shtetet nuk i kanë. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë, të njehsojmë certifikatat dhe agjencitë shtetërore të punojnë në mënyrë të njehsuar.

Heqja tërësore e çmimeve të referencës me Kosovën është një tjetër pikë për të cilën është diskutuar, për të cilën sipërmarrja insiston dhe për të cilën ne duhet të përgjigjemi. Dhënia e përparësisë dhe procedurave të thjeshtuara në përpunimin e mallrave sensitive, duke përfshirë produktet ushqimore dhe blegtorale, që përbëjnë 80 % të eksporteve të Kosovës në Shqipëri. Produkte ushqimore dhe blegtorale që përveç të tjerave nuk mund të presin. Nuk mund të presin as kohën që do të ishte normale, jo më kohën anormale që ne u imponojmë me regjimin absurd të doganës së dyfishtë dhe me regjimin absurd të dokumenteve të dyfishta të certifikimit.

Nga ana tjetër, laboratorët doganorë duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Specializimi dhe pranimi i analizave duhet të jetë i përbashkët, s’mund të jetë dy herë dhe për më tepër të konfliktojë  një analizë me një analizë tjetër, një mënyrë këndvështrimi me një mënyrë këndvështrimi tjetër.

Një tjetër çështje që duhet ta adresojmë dhe që vjen me shumë këmbëngulje, edhe me një dozë absolutisht legjitime alarmi nga sipërmarrja, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë kur vjen puna për të kapërcyer kufirin që e kemi bërë më të vështirë sesa kufirin me Serbinë, – kemi arritur të bëjmë më të vështirë kufirin me Kosovën se kufirin me Serbinë për Kosovën, – është ajo që ka të bëjë me orët e punës në pikat doganore kufitare me Kosovën, ku krijohen radhë shumë të gjata për shkak të orarit. Ne këtu duhet të vendosim një regjim të posaçëm dhe duhet ta gjejmë rrugën e zgjidhjes me të dy doganat, në mënyrë që regjimi të garantojë që të mos krijohen radhë për shkak të orareve të reduktuara të punës.

Nuk është folur shumë, por ne e besojmë si shumë të rëndësishme, dhe dy ministrat e Financave e kanë vënë theksin në këtë pikë, që kemi hapësirë të madhe për të shfrytëzuar bashkëpunimin në funksion të luftës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal. Janë evidentuar pikat dhe zonat me risk të lartë kontrabandimi dhe në pikat ku shërbimi doganor i Kosovës nuk është i vazhdueshëm. Praktikisht, ka një dakortësi për organizimin e planeve të përbashkëta të kontrollit, të patrullimit dhe të mbikëqyrjes. Sigurisht që na duhet që të përmirësojmë edhe infrastrukturën doganore, që e kemi parasysh vetë dhe sidomos në pikën më kryesore, ku është edhe shkëmbimi më i madh, qoftë nga ana e Kosovës, qoftë nga ana e Shqipërisë, kemi terminalet më të papranueshme nga pikëpamja e cilësisë, e infrastrukturës e kështu me radhë. Jemi në rrugën e fillimit të punës për një projekt të ri dhe do të insistojmë bashkërisht që të bëjmë një projekt të përbashkët, pavarësisht se ka disa aspekte të natyrës burokratike që duhen kapërcyer, për shkak edhe se projekti financohet nga donatorë të huaj.

E fundit fare, unë ju propozoj që përveç këtyre propozimeve procedurale, – që në fakt janë nga burimi i përpunimit të informacionit, qoftë nga doganat, qoftë nga sipërmarrja, – ne të kemi krahas me Dhomën Kombëtare të Tregtisë edhe një Këshill Ekonomik Kombëtar Shqipëri Kosovë, i cili të organizojë takime periodike, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë, sipas rastit, me prezencën e gjithhershme të dy ministrave të Financave dhe të dy drejtorëve të Doganave. Sigurisht, me prezencën e gjithhershme të përfaqësuesve të Dhomës Kombëtare të Tregtisë, nga të dy anët. E padyshim, me prezencën e herëpashershme, si të shihet e arsyeshme, kur është fjala për çështje të natyrës strategjike apo për vendime me një rëndësi të veçantë, të Kryeministrit në Shqipëri apo Kryeministrit në Kosovë, sipas vendit ku zhvillohet takimi.

Besoj që ky Këshill Ekonomik Kombëtar Shqipëri Kosovë do të na japë mundësinë që, e para të jemi në kontakt të vazhdueshëm, sepse luftën me burokracinë e kemi të përbashkët. Unë refuzoj të jem përfaqësues i burokracisë, po kështu refuzon edhe Ministri i Financave, po kështu refuzon edhe Drejtorja e Përgjithshme e Doganave. Besoj që të njëjtin refuzim e ndajnë me ne edhe përfaqësuesit  palës tjetër.

Burokracinë duhet ta shpallim armik të përbashkët, në mënyrë që të gjithë ata që shërbejnë në terren të bëhen pjesë e kësaj përpjekje të përbashkët dhe të mos bëhen pengesë për bashkimin ekonomik kombëtar. Se këtu flasim për një bashkim ekonomik kombëtar dhe nuk ka nevojë të flasim më gjatë. Unë po e mbyll këtu, mjafton që të shohim dallimin që ekziston sot mes kufirit Kosovë – Serbi dhe kufirit Kosovë – Shqipëri për sa i përket shpejtësisë, cilësisë dhe lehtësisë së shkëmbimit të mallrave, për të konsideruar domosdoshmërinë e mbylljes së kësaj epoke të turpshme dhe hapjes së një epoke të re, që do ta hapim së bashku dhe që mund ta hapim vetëm me ndihmën e drejtpërdrejtë të sipërmarrjes. Sipërmarrjes që më në fund arriti të krijojë këtë instrument të përbashkët që ne duam ta përdorim maksimalisht në të mirën e sipërmarrjes dhe në të mirën e dy vendeve, dhe bëri atë që duhet të ishte bërë më parë, por c‘rëndësi ka, më mirë vonë se kurrë, sepse askush nuk e pengonte sipërmarrjen që të krijonte kombëtaren e biznesit. Për kombëtaren tjetër do të presim FIFA-n dhe UEFA-n.

Me shumë kënaqësi i jap fjalën ministrit të Financave të Kosovës mikut tonë Besim Beqja, duke e falenderuar nga zemra për praninë dhe mbi të gjitha për kontributin jashtëzakonisht efikas të Ministrisë së Financave të Kosovës në përgatitjen e këtij takimi të parë, që unë e konsideroj një gur themeli për një kapitull që hapet mes nesh dhe të cilit, jam i bindur, do t’ia shikojmë “hairin” të dyja palët, të dyja hapësirat, të dy shtetet dhe sigurisht, i njëjti popull.

 

***

 

Në kryeministri u zhvillua sot, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, një takim me pjesëmarrjen e ministrave të Financave të Shqipërisë dhe Kosovës, drejtuesit e doganave respektive, drejtues të agjencive të ndryshme qeveritare dhe përfaqësues të sipërmarrjes të të dyja vendeve.

Nga analiza e deritanishme dhe të dhënat që ofrojnë doganat në të dy anët e kufirit, procedurat doganore janë të gjata, të mbingarkuara dhe dekurajuese për bashkëpunimin tregtar Shqipëri-Kosovë dhe që vështirësojnë integrimin e tregjeve të të dy hapësirave ekonomike shqiptare. Ndaj edhe ky takim kishte si fokus evidentimin dhe implementimin e praktikave më të mira që lehtësojnë aktivitetin e sipërmarrjes, tregtinë dhe lëvizjen e prodhimit mes dy vendeve, nëpërmjet njehsimit të procedurave doganore. Kjo do sjellë shkurtimin drastik të kontrollove, të kohës së përpunimit të mallrave dhe të kostos për sipërmarrjen.

Në takim u konkludua si domosdoshmëri edhe krijimi i terminaleve të përbashkëta dhe i zyrave të përbashkëta doganore, përshtatja e sistemin informatik të doganës të Shqipërisë me atë të doganës së Kosovës, në mënyrë që tranzitet e çelura në territorin doganor shqiptar të mbyllen në doganat e destinacionit kosovar, duke evituar ndalesat në kufi për ribërje procedurash dhe anasjelltas.

Një tjetër çështje me rëndësi u vlerësua organizimi i planeve të përbashkëta të kontrollit, të patrullimit dhe të mbikëqyrjes, veçanërisht në zonat e pikat me risk të lartë kondrabandimi edhe në pikat ku shërbimi doganor i Kosovës nuk është i vazhdueshëm.

Në takim, Kryeministri Edi Rama propozoi ngritjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar Shqipëri- Kosovë, si një instrument i përbashkët koordinimi, nëpërmjet takimesh periodike në Tiranë dhe në Prishtinë. Një propozim që pason materializimin me sukses të Dhomës Kombëtare të Tregtisë, iniciativë e përbashkët e sipërmarrjes dhe e mbështetur nga kryeministrat e të dy vendeve.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.