Familja Mnela në Lezhë, e ka ngritur biznesin e saj të therjes dhe tregtimit të mishit 21 vite më parë. Sot, falë mbështetjes të përfituar nga qeveria që prej 2013, është shndërruar në modelin e suksesit me standardet më të larta të prodhimit, ruajtjes dhe shitjes së mishit.
Përmes financimit të AZHBR, biznesi i tyre është zgjeruar, duke rritur punësimin dhe shtuar bashkëpunimin me fermerët e zonës.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Lezhë, ku vizitoi thertoren moderne, e cila përveçse ofron produkte të freskëta dhe të sigurta, shërben edhe si mjedis mësimor për studentët e veterinarisë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilët zhvillojnë aty praktikat.
Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural Frida Krifca tha se përmes investimit të AZHBR në vite, sipërmarrësit kanë arritur të ngrenë një linjë bashkohore therje të standardeve më të larta. “Biznesi i familjes Mnela është financuar nga AZHBR. Është financim, i cili gjithësej ka shkuar në 900 mijë euro. AZHBR ka financuar diku tek 320 mijë euro për vite të ndryshme, për pjesën e ndërtimit dhe pjesën e linjës së therjes. Ka 23 punonjës të punësuar, 6 pika shitje në të gjithë Shqipërinë, si dhe tre magazina në Tiranë, Elbasan dhe Kuçovë. Kanë gati linjën e therjes së gjedhit dhe të therjes së derrave. Ka dy stalla. Një stallë për rritjen e derrit vetë dhe një stallë për pritjen e importit të derrave nga jashtë në mënyrë që të theren dhe të përpunohen. Duan të aplikojnë për thirrjn e radhës që ne parashikojmë ta hapim nga shtatori, tetori. Brenda programit IPARD ne kemi mbështetur tre thertore të reja në të gjithë Shqipërinë dhe kemi aplikim për 11 të tjera.”- u shpreh Krifca.
Sipërmarësi Fatjon Mnela tregoi se falë mbështetjes së përfituar, biznesi dikur modest është zgjeruar gradualisht, duke shtuar prodhimin dhe rritur njëkohësisht punësimin. “Në vitin 2014, pas ndihmës së AZHBR arritëm që nga 7 punonjës të kemi një kapacitet prej 18 punonjësish, ndërsa aktualisht numërojmë 23. Kemi patur një volum rreth 20-30 copë në ditë, sot kemi një volum prej 36 krerë ora për derrat, 60-70 për të imtat dhe 20 për të trashat. Shpresojmë që në shtator të kemi përsëri një mbështetje për të përmirësuar linjën e gjedhit dhe të viçit që të kemi një rritje edhe më të lartë të prodhimit dhe shtojmë fuqinë punëtore.”
Sipërmarrësi u shpreh se ky biznes ka favorizuar edhe fermerët e zonës, me të cilët bashkëpunimi është i ngushtë, duke pranuar furnizimin prej tyre ose duke ofruar për ta, shërbimin e therjes së bagëtive sipas të gjitha normave të kërkuara.
Teksa vizituan mjediset, të cilat respektonin më së miri rregullat për sigurinë ushqimore, kryeministri u shpreh se shtimi i bizneseve me standarte të tilla, do të inkurajojë edhe eksportin. “Disa vende si Rumania, Bullgaria apo dhe Kroacia mund të them që kanë patur një problem shumë të madh me BE për të marrë të drejtën e eksportit, jo për shkak se nuk kishte thertore të tilla, por për shkak se kishte therje rrugëve dhe kjo është arsyeja pse ne e kemi ngushtuar, por jo sa duhet akoma therjen jashtë standardeve. Ka qenë një skandal. Ka ende therje në mënyrë ilegale, por është tkurrur shumë, dhe kjo do të sjelli që të rritet numri i thertoreve, të rritet volumi i punës, punësimi formal dhe siguria ushqimore.”- përfundoi Kryeministri.
Newsroom
Thertore Mnela, mbështetje ndër vite dhe një histori suksesi