Kryeministri Edi Rama udhëtoi sot drejt Thethit, një prej zonave më përfaqësuese të potencialit dhe zhvillimit të qëndrueshëm turistik malor, ku zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me banorë, dhe sipërmarrës të zonës, mes tyre edhe aplikues të Paketës së Maleve.
Kryeministri shpjegoi qëllimin e kësaj nisme, mundësitë që ajo krijon për familjet që trashëgojnë prona në zonat malore, si dhe vizionin për një zhvillim në harmoni me natyrën, traditën dhe identitetin e këtyre territoreve. Kryeministri Rama theksoi se Paketa e Maleve synon t’u japë mundësi zhvillimi pikërisht pronarëve dhe trashëgimtarëve të këtyre trojeve, duke krijuar një model të ri ekonomik për zonat ku potenciali kryesor është turizmi.
* * *
Përshëndetje të gjithëve dhe shumë faleminderit për mikpritjen! Ka një gjë shumë të mirë në çdo takim këtu në Theth: askush nuk mund të thotë që i keni sjellë nga qyteti, nga Tirana apo nga administrata ata që marrin pjesë.
Ju jeni të gjithë këtu banorë, jeni sipërmarrës që jeni aktivë ose sipërmarrës që doni të hapni një aktivitet dhe ne jemi këtu pikërisht sepse Thethi ka qenë një nga arsyet e Paketës së Maleve dhe është një nga pasqyrat më shembullore, në mos më shembullorja, e potencialit, e aftësive për të bërë sukses dhe e problematikave që duhen adresuar.
Ajo që duhet thënë qysh në fillim është se për Paketën e Maleve ka një keqkuptim shumë të madh dhe, për këtë arsye, ne e pamë të udhës që të vijmë këtu.
Më vjen shumë mirë që Beneti, bashkë me Ervinin, kanë zgjedhur ekzaktësisht një truall që është një pronë e të parëve, por ku trashëgimtarët nuk kishin asnjë shans të bënin zhvillim për shkak të pamundësisë ligjore të zhvillimit. Ndërkohë, është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që kanë një pronë të trashëguar dhe që janë jashtë perimetrit të legjislacionit ekzistues të ligjit 7501, ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë deri në fund se për çfarë bëhet fjalë dhe të mos bien pre e gjithë marrëzive dhe ligësive që thuhen lidhur me këtë proces dhe me Paketën e Maleve.
Dhe, përpara se t’ia kaloj fjalën të tjerëve, do të më lejoni t’u referohem disa komenteve që po i lexoja rrugës duke ardhur, pasi bëra një komunikim pikërisht për ardhjen këtu dhe për Paketën e Maleve, sepse janë komente që meritojnë të adresohen edhe në praninë tuaj. Pastaj, natyrisht, edhe ata që na kanë mikpritur këtu në tokën e tyre, por edhe të tjerët, jeni të ftuar dhe të mirëpritur që të merrni fjalën.
Po merrem pak me këto komente, sepse na ndihmojnë shumë për të kuptuar situatën. Njëri koment, sepse unë thashë që Paketën e Maleve e kontestojnë dhe e keqkuptojnë ata që malet i kanë parë gjithmonë nga qyteti. Është një zonjë këtu, që nuk po i përmend me emra, se s’ka lezet, dhe mund të jenë edhe profile false, por nuk ka rëndësi. Rëndësi ka çfarë thotë: “I shohim nga qyteti, se na e ke mohuar mundësinë të rijetësojmë tokat e të parëve tanë. Madje erdhe dhe na vure edhe tritolin. Ka dy vjet që na zvarrit procedurat, sepse nuk ka asnjë dritë për këto që ti flet. Gjithashtu, është në interesin tuaj t’i zvarrisni dhe ta lini sistemin me handikap, që në fund t’ia falni oligarkëve.”
Dhe kjo e oligarkëve, e faljes dhe e sjelljes së njerëzve me lekë nga qyteti për të pushtuar malet është një imagjinatë që e dominon opinionin negativ lidhur me Paketën e Maleve.
Një tjetër thotë: “Në zonat malore, si Thethi dhe zonat e tjera, duhet të ndërtojnë vendasit që të përmirësojnë jetesën e tyre dhe jo t’u jepni leje ndërtimi biznesmenëve të preferuar. Shqipëria dhe toka e Shqipërisë u takojnë shqiptarëve.” Nejse, këtë e kemi dëgjuar shumë kohët e fundit.
Pastaj një tjetër thotë: “Oligarkët ndanë me llokma bregdetin, tani do ndani edhe malin.”
Pastaj një tjetër thotë: “Paketa e Maleve është e domosdoshme, është e kohës, por me ligjet dhe të drejtat e pronarëve të vërtetë dhe jo me uzurpuesit.”
Dhe ekzaktësisht që të mos zgjatem këtu, po e rimarr arsyetimin.
Paketa e Maleve është ekzaktësisht e kundërta e të gjitha këtyre që thuhen. Ekzaktësisht e kundërta. Paketa e Maleve nuk është as për uzurpues, as për biznesmenë që nuk kanë lidhje dhe nuk kanë marrëveshje me ju. As për oligarkë, as për asgjë tjetër, përveçse për të vënë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501, sepse ju dhe të tjerët në këto territore nuk e keni pranuar ligjin 7501. E keni ndarë tokën mes jush me kufijtë e vjetër dhe, përgjithësisht, jo gjithmonë, por përgjithësisht, nuk keni konflikte me njëri-tjetrin. Por është edhe për të adresuar aspektin tjetër që ka të bëjë me territore ku nuk ka, siç është këtu, për shembull, asnjë mundësi tjetër zhvillimi, përveç turizmit.
Kjo është Paketa e Maleve. Nuk është asgjë tjetër. Dhe këtu jemi ekzaktësisht në një tokë trashëgimtarësh. Këtu janë ftuar edhe të tjerë, në mos gabohem, të cilët mund të marrin fjalën, të prezantohen dhe të tregojnë që janë aplikantë, kanë marrë përgjigje pozitive, nga vijnë dhe pse vijnë kaq vonë në këtë moment të zhvillimit të pronës së tyre. Asgjë tjetër nga këto që thuhen nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën.
Dhe dua të them edhe një gjë tjetër, sepse është hera e parë që vij këtu pas “tritolit”, që thotë ajo zonja.
Është tërësisht e pavërtetë dhe ju jeni të gjithë dëshmitarë që unë kam ardhur këtu dhe kam thënë: “Vazhdoni ju, ndërtoni se ne do t’i legalizojmë.” Kjo është e pavërtetë, sepse nuk kam si ta them, se do të isha në shkelje të ligjit. Unë kam ardhur këtu dhe kam thënë që do të legalizojmë ekzistueset. Do të legalizojmë, duke filluar nga ndërtimet e vjetra, sepse, siç e dini ju, edhe ata që kanë trashëguar kulla në një zonë si kjo, e cila është park natyror i mbrojtur, nuk kishin letra, apo jo? Nuk ia vinte njeri kullën në hipotekë, sepse i thoshin: “Je në zonë të mbrojtur.” Dhe, duke qenë në zonë të mbrojtur, ti e mbaje kullën e katragjyshit tënd, nuk ta mohonte njeri, nuk vinte njeri të ta prishte, por ti nuk e bënit dot pronën tënde. Është kështu apo jo? Kullat.
Pastaj erdhi realiteti i krijuar nga vetë ata që ndërtuan më pas pa leje, në kushtet kur këtu s’kishte asgjë dhe kur ata nuk e braktisën vendin, por filluan heroikisht, sepse ata të parët janë edhe këtu, por pionierët e zhvillimit të Thethit kanë qenë heronj. Këtu s’kishte rrugë, këtu s’kishte as drita, asgjë. Ndërkohë, do t’ju japë ministri edhe një lajm pozitiv lidhur me çështjen e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji, por kur të marrë fjalën.
Dhe ajo që unë kam thënë dhe që i kemi qëndruar pikë për pikë është: do të legalizohen ata që ekzistojnë.
Ajo që ndodhi, dhe ju e dini shumë mirë, ishte që pas vizitës sime shpërtheu ndërtimtaria e paligjshme këtu. A thua se u mor leja që: “O burra!”, dhe me idenë që, meqë do të legalizohen, hajde po futem. U arrit të goditej zemra e Thethit, kartolina botërore e Thethit. Po të shkruash “Theth” në të gjitha gjuhët e botës në Google, pamja e parë që del është kisha me lëndinën e gjelbër. Lëndina e gjelbër u zaptua, u vunë me shpejtësi disa shtëpi druri, u rrethua, u shtrua me zhavorr dhe u kthye në një plagë mu në mes të Thethit.
Si mund t’i lejonim ne këto? Si mund ta lejonim ne që, pasi erdhëm këtu për të kremtuar gjithë heroizmin, nëse është heroizëm real ai që keni bërë ju deri përpara se ne filluam t’ju vinim në ndihmë, kur u bëtë me qeveri, se s’keni pasur qeveri? Rrugë jo, drita jo, komunikim hiç. Muaj të tërë, e dini vetë më mirë se unë, kush rrinte këtu në dimër nuk kishte shans as të dilte, as të priste njeri. Zoti dhe ju bashkë me Të, kur, larg qoftë, binte ndonjë hall i madh në shtëpi, sëmundje a ku di unë.
Dhe erdhëm për të thënë që tani ne duhet ta çojmë në një nivel tjetër zhvillimin. Duhet të rrisim cilësinë me sistem dhe me leje, me projekte cilësore. Jo “hajde ndërto”, siç po bëjmë aktualisht me të 11 aplikantët apo edhe me të tjerë që kanë ardhur, janë interesuar, po punojnë, kanë marrë arkitektë. Kjo është e gjithë historia.
Po ia kaloj tani ministrit të Pushtetit Vendor, i cili është edhe koordinatori i gjithë programit të Paketës së Maleve, për të thënë edhe ai dy fjalë. Pastaj e bëjmë me ndërveprim. Flisni ju. Mund të keni pyetje, mund të keni shqetësime, ndonjëri mund të ketë edhe ndonjë ankesë, se mund të jetë edhe ndonjë të cilit mund t’i jetë prishur ajo pa leje që e ka bërë pas vizitës sime. S’ka problem, e diskutojmë.
Dhe ju falënderoj edhe një herë shumë për mikpritjen.
* * *
– Zoti Kryeministër, faleminderit shumë për ardhjen për disatën herë në këtë vend. Ju jemi shumë mirënjohës. Gjithashtu, edhe për Paketën që po na jep mundësinë të trashëgojmë dhe të bëjmë diçka në tokën e të parëve tanë. Ju falënderojmë përzemërsisht për gjithçka dhe uroj që, herën tjetër kur të bashkohemi, të kemi një vend pak më të përshtatshëm, me hije dhe më të përshtatshëm për këtë pjesëmarrje.
Kryeministri Edi Rama: Të falënderoj shumë dhe, sinqerisht, të përgëzoj shumë edhe për projektin, sepse e pashë tani, po e shikoja, dhe është ekzaktësisht ajo çka na duhet: një projekt i lidhur me territorin, një projekt që i rrit vlerën territorit. Jo: “Hajde, ndërto gjëra që s’kanë lidhje me traditën”, por që, njëkohësisht, është një projekt edhe me modernitet.
Për shembull, pashë këtu kullën, se nuk e tregoi vetë i zoti i punës, sepse e mira e madhe e burrave të vërtetë të këtyre maleve është që, kur vjen puna me folur, flasin pak. Kur vjen puna me bërë, pastaj, gabim kush ju del përpara.
Kështu që kjo është kulla, por më pëlqeu shumë, po e shikoja, koncepti i vilave “Plis”. Pra, është marrë plisi dhe, nga plisi, janë krijuar këto shtëpizat. Vila i ka quajtur, por janë shtëpiza të bukura, që janë shumë unike. Megjithëse zhvillime normale ka shumë nëpër Europë dhe ka lloj-lloj, si këto ekzaktësisht është hera e parë që unë shoh.
Të falënderoj shumë. Ne do t’ju mbështesim tani për gjithë procesin. Po ia kaloj fjalën pak drejtoreshës së Kadastrës, për të shpjeguar pak procesin: procesin nga momenti kur njeriu shkon dhe paraqet shprehjen e interesit në bashki e deri kur pastaj vjen te kërkesa për leje.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Një detaj vetëm, përpara se të flasë drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit për lejet.
Drejtoresha e Kadastrës përmendi termin “pronar jo posedues”, që do të thotë ekzaktësisht kjo që ndodh këtu. Mariani dhe dy vëllezërit e tij, për të cilët jam shumë i lumtur që do ta lënë Italinë për t’u kthyer, për të ndërtuar bashkërisht dhe për të punuar bashkërisht këtu, janë pronarë të këtij territori me zakon, por kjo pronë sot është pronë shtetërore. Pra, janë pronarë që nuk e posedojnë pronën e tyre, në kuptimin e ligjit.
Pra, Kadastra nuk ka në këtë territor asgjë tjetër përveç pronës shtetërore. Është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo dhe kjo shpjegon pse ne kemi vendosur atë 1 euro. Sepse, në momentin kur Mariani dhe vëllezërit do të marrin lejen, do të marrin edhe pronën me 1 euro, në perimetrin e përcaktuar. Dhe, në momentin kur ndërtimi do të mbarojë, ata do të marrin hipotekën dhe prona do të bëhet e tyrja.
Ky është procesi dhe ky proces shpjegon pse historia me fantazma, me biznesmenë, me oligarkë, me alienë që do të vijnë nëpër male të marrin tokat e njerëzve që i kanë trashëguar, është histori e njerëzve ose krejt të painformuar, ose thellësisht shpirtzinj, sepse histori tjetër të tillë nuk ka.
Nuk ka zot, kur i thonë fjalës, që vjen dhe ia merr tokën Marianit këtu nga qyteti, se e sjell këtu qeveria. Kjo është fantazi e sëmurë, siç është e sëmurë edhe fantazia tjetër që ata që quhen oligarkë paskan vajtur dhe paskan pushtuar toka. Nuk kanë pushtuar ata asnjë tokë. Kanë bërë marrëveshje me pronarët ekzistues. Është komplet tjetër histori. Por nuk po i hyjmë kësaj. Po ia kaloj fjalën drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
– Mirë se keni ardhur, njëherë!
– Unë jam një ndër përfituesit e Paketës së Maleve. Ne kemi një restorant të vogël aty dhe ju ftoj ta vizitoni, si perlë natyrore e Regamit, Guri i Zi, Sheldi, pasi është një zonë e jashtëzakonshme. Për ne, Paketa e Maleve ka qenë e domosdoshme, jo vetëm për mua, por edhe për shumë banorë të tjerë që janë përfitues. Unë besoj shumë te Paketa e Maleve, sepse nuk ndodh në asnjë vend të ketë mbivendosje, pasi është një marrëveshje mes banorëve, mes komshiut, mes djalit të xhaxhait, mes njëri-tjetrit. Kështu që unë e vlerësoj jashtëzakonisht dhe jam mirënjohës për këtë mundësi që na është dhënë.
– Atëherë, përshëndetje! Unë jam një nga të dëmtuarit e korrikut të kaluar. Faleminderit për mundësinë që po na jepet tani të vazhdojmë në mënyrë të ligjshme. Ka 20 vjet që e kam vendosur, domethënë, bashkë me nusen time, e kam të huaj, të kthehem.
Kryeministri Edi Rama: Nga e ke nusen?
– Ukrainase. Jetoj në Angli prej shumë vitesh. Tani e kam vendosur, domethënë, me këtë mundësi që po na jepet, të vazhdoj përpara në mënyrë të ligjshme. Pas çdo të keqeje ka një të mirë. Domethënë, edhe unë jam plotësisht optimist të kthehem në vendin tim dhe të eci përpara, në mënyrë të ligjshme, me ndërtesa siç i përshtaten karakterit të zonës, Thethit, Shalës, Dukagjinit. Shumë faleminderit prej teje!
Kryeministri Edi Rama: Thotë një shprehje: “Koka bën, koka pëson.” Po, duke ta parë kokën ty, unë them që koka e fortë bëhet edhe më e fortë kur e pëson. Kështu që ti në rregull je. Tani do të të mbështesim me gjithë zemër që të bësh diçka fantastike.
Më vjen keq, sinqerisht. Unë kam pasur në atë periudhë, siç mund ta merrni me mend, nuk e di nga Frani, por kam pasur mesazhe plot nga ata që u turrën për të hedhur llaç e gurë këtu, që thoshin: “Ne, djersa, e kjo, ajo.”
Tani, këtu çështja është shumë e thjeshtë, miqtë e mi. Ju jeni të bekuar që keni fatin të jeni trashëgimtarë të kësaj zone, sepse është zona, është magjia e gjithë këtyre maleve, është historia e zonës që ju bën ta nisni një sipërmarrje turistike si me nisur një ndeshje 3 me 0.
Por, nga ana tjetër, duhet të jeni shumë të vetëdijshëm që, po u prish magjia e kësaj, nuk ka më mundësi që ju të keni perspektivën që do të keni duke e ruajtur këtë magji. Dhe magjinë e kësaj e prish pikërisht zhvillimi i pakontrolluar. Duket sikur: “Çfarë po bëj? Ja, po bëj një shtëpi guri. Po bëj një…” Po një këtu, një atje, një atje, një atje, në mënyrë të pakontrolluar, prishet magjia.
Unë po ju them, pa asnjë diskutim, nëse ne nuk do të kishim ndërhyrë dhe nëse nuk do ta kishim shëruar me shpejtësi atë plagën mu në mes, mu në zemër, që ju mori të gjithëve ju, por nuk jua mori vetëm juve, ia mori fytyrës së Thethit, që është fytyra e maleve të Shqipërisë në të gjitha faqet e botës, magjinë, atëherë të jeni të sigurt që do të binte numri i atyre që do të interesoheshin për Thethin.
Sa turistë keni parë? Unë i kam parë fotografitë, për vete. Po sa keni parë ju që shkojnë, ulen në atë fushë dhe rrinë aty me orë të tëra, sepse është magjike.
Pra, ju duhet të jeni veç në sipërmarrje dhe të jeni bashkë në produkt. Produkti juaj nuk është thjesht dhe vetëm kulla që do të bëjë Mariani me vëllezërit. Produkti juaj është Thethi. Ju nuk shisni kullën, ju “shisni” Thethin, të gjithë bashkë. Dhe, për këtë arsye, duhet të jeni shumë solidarë. Ju duhet të jeni si korsikanët, miqtë e mi. Nuk ndërton dot në Korsikë, nuk ka shans. Ndërkohë që, në vende të tjera të bregdetit të Francës, ndërtohet pa leje akoma sot. Ka raste edhe në Itali.
Korsikanët e dinë shumë mirë. Ata shesin Korsikën, nuk shesin thjesht hotelin e vet. Po të jetë Korsika rrëmujë, nuk vjen njeri te hoteli. Synimi me këto projekte dhe me këtë ngritje është të rriten të ardhurat. Ju keni nisur me një turizëm për bukën e gojës, keni arritur në një turizëm për mirëqenie familjare dhe duhet të shkoni në një turizëm për pasuri.
“Zvicrën e vogël” ju e keni këtu, vetëm në duart tuaja. Mundësinë që këtu të shkohet në një turizëm luksi, paralelisht me ata të tjerët, sepse do të vijnë edhe ata të tjerët, e keni këtu. Ato “Plisat”, që kthehen në vila, ose shtëpiza, janë luks, janë eksperiencë. Nuk është thjesht: “Hajde se po futem në një shtëpi, po fle”, por është eksperiencë.
Por të jesh i sigurt që, me investimin që do të bësh tani, ti do ta rikuperosh atë humbje dhe do të dalësh shumë më i fituar më pas sesa po të kishe atë që nise kuturu atje. Sepse tani do të bësh një projekt, do të jetë edhe AZHT-ja që do të ndihmojë, do të jenë edhe arkitektët që do të ndihmojnë dhe, në fund, ti do të dalësh me diçka që është vlerë. Dhe njerëzit do të vijnë, do të mendojnë: “Është e zënë këtu, është e zënë atje, të shkojmë këtu, të shkojmë atje.” Dhe, për këtë arsye, ajo ishte e vetmja gjë që mund të bëhej.
Dhe, plus kësaj, s’kishte lidhje me atë që unë thashë. I kemi qëndruar fiks fjalës dhe kemi legalizuar, nuk e di nëse ka mbetur akoma ndonjë rast, por kemi legalizuar të vjetrat, ato që ishin ekzistuese. Patjetër, atyre ua dhamë fjalën. Se çfarë t’u themi? Të vish t’i thuash: “Tani, ti e ke ndërtuar hotelin atje, Fatmir, por je në zonë të mbrojtur. Ne do ta prishim, se në zonë të mbrojtur nuk lejohet ndërtimi.”
Fatmiri thotë: “Po mirë, po kur unë isha këtu vetëm me ujkun dhe kur, edhe për të çuar të sëmurin në spital, duhet t’i lutesha Zotit, se rruga ishte e bllokuar nga bora, ku ishe ti me zonën tënde të mbrojtur?”
Kështu që zakoni dhe ligji e donin që ato të legalizoheshin. Tani nuk ka më kështu. Tani është plotësisht e mundur që gjithçka të bëhet brenda tre muajve. Çfarë janë tre muaj?
Ka një faqe tashmë dixhitale për Paketën e Maleve. Do të pasurohet edhe me këto që flasim, edhe me projektet. Aty, në faqe, do të jetë një adresë direkte për t’u interesuar te AZHT-ja, te Kadastra, te zyra e ministrit: “Për çfarë? Ku ke ngecur? Çfarë duhet bërë? Po këtë letrën? Po atë letrën? Si ta marr?” e të tjera, e të tjera. Të gjitha këto do të bëhen.
Tani unë dua të pyes nëse ka pyetje të tjera, nëse ka ndonjë tjetër “të tritolit” që do të më fusë ndonjë të sharë, se në këtë jetë që po jetojmë tani nuk rrihet pa të sharë. Mua më shajnë gjithë ditën, xhanëm. Nuk është se më ka marrë malli, por s’ka problem. Kushdo, fjalën ta marrë, edhe me një të sharë, se do na marrin në sysh pastaj. Më ke sharë, të ka ardhur deri në majë të hundës, nuk më shan dot më tani. Po mirë, në rregull qenka ide e mirë kjo. Ata që shajnë, domethënë, vjen një moment që të duan prapë.
-Unë jam Kristian Gurra, banor i Thethit, djalë i ri, i cili ia kam nisur që fëmijë, turizmit me kamping. Kurrë s’kam pasur bujtinë. Edhe vit pas viti kemi investuar, jemi munduar, siç the ti më përpara, prej zeros, kur ka qenë vështirë. Mua vitin e kaluar, në fakt, më ka zënë rreziku, si i thonë, me ndërtesën, se çdo vit kemi qenë në ndërtim e sipër, sepse ne vijmë me një familje, le të themi, të varfër. Kemi investuar, kemi punuar të tërë. Vitin e kaluar na ka zënë rreziku me shtëpinë, na është shembur krejt dhe unë kam ngecur te problemi që ne kemi marrë kredi, kemi lënë edhe shtëpinë që kemi pasur. Babai im ka punuar tërë jetën për të bërë shtëpi në Shkodër, e kam lënë peng edhe atë për të marrë kredi për të investuar këtu. Gjoba është vënë 100 milionë, kredi kam 100 e ca milionë. Të gjitha këto, siç the ti më përpara, rruga, drita, uji, çdo gjë s’ka qenë problem. Për mua s’ka qenë problem, se e kam pasur sfidë me veten deri vitin e kaluar. Që kur më është prishur shtëpia, aty ka qenë problemi më i madh i imi, s’kam ditur si t’i jap zgjidhje. Ka qenë i vetmi moment që kam menduar të them: u dorëzova, sepse nuk kam mundur t’i jap zgjidhje. Kanë qenë kredi, borxhe.
Kryeministri Edi Rama: Aktualisht çfarë ke ti tani? Çfarë bën tani?
-Aktualisht kam një bujtinë, të cilën e kam me 16 dhoma.
Kryeministri Edi Rama: E ke?
-Po, vitin e kaluar më është prishur një godinë, të cilën kam qenë duke e zhvilluar hap pas hapi. Siç po thoja, ti ke sjellë rrugën, mua më është dashur të bëj një turizëm për dimër me spa, me gjëra, me sende, jo më dhoma, sepse ne nuk kemi kapacitet për të përballuar më, se jemi biznes familjar, s’mundemi më.”
Kryeministri Edi Rama: Tani të them se ku dhe si të ndihmon ty edhe Paketa e Maleve, por edhe një program tjetër që duhet ta keni parasysh të gjithë, se unë nuk fola për të, që është hapur përpara pak ditësh, më në fund, që quhet “Dyfisho sipërmarrjen”. Së pari, nëse ti do duash të zhvillosh më tutje pronën, do bësh Paketën e Maleve, si Mariani, si tjetri, si tjetri. Duke qenë se ti ke problemin tjetër që lidhet me borxhet, domethënë që lidhet me nevojën që ti të kesh fitim të mjaftueshëm për të qenë në gjendje të lash edhe kreditë, ti do aplikosh në programin “Dyfisho sipërmarrjen”, i cili është një program që të jep kredi me interes të ulët dhe të jep 70% garanci nga shteti dhe të jep 10 vjet periudhë të lehtësuar. Duke i bashkuar këto bashkë, patjetër që do dalësh me sukses. Kështu që ne jemi në dispozicion. Unë personalisht jam në dispozicion, në rast se është nevoja, edhe për mua, dhe do ta zgjidhim dhe do të të udhëzojmë pak se si të aplikosh për programin tjetër, ndërkohë që për programin e Paketës së Maleve, siç do bëjnë të gjithë të tjerët, do bësh edhe ti.
-Shumë faleminderit, sepse duke qenë shumë të zënë me punë, s’na ka dalë as kohë për të ditur të gjitha ligjet, rregullat, gjërat.
Kryeministri Edi Rama: Dhe në rastin tënd, Fran, ti e ke bërë projektin apo akoma? Në zhvillim e sipër? Në rastin tënd ne mund të ndihmojmë që edhe projektin ta bëjmë falas. Plus kësaj, mund të shohim edhe mundësinë që të aplikosh edhe te programi tjetër i Bashkimit Europian për agroturizmat, që aty nuk është më çështje kredie, por është edhe me grant. Kështu që të gjitha këto do t’i shohim si rrugë. Pse e bëj unë këtë? Ekzaktësisht për arsye se ti ke bërë një gabim dhe ti vazhdon të punosh, vazhdon të përpiqesh. Familja jote po ashtu, kështu që mbështetjen do ta kesh maksimale. Unë jam i bindur që ti s’do ta përsërisësh më gabimin. Kështu që bëhuni bashkë dhe mos lini të tjerët të gabojnë, se ne do të ndihmojmë dhe do ta bëjmë këtë gjë realitet.
-Përshëndetje zoti Kryeministër. Mirë se ke ardhur. Unë jam Kujtim Hasani, kam 28 vjet që banoj në Londër. Jemi takuar, kam qenë i interesuar më shumë për punë sesa për të folur. Ka dy vjet që kam futur projektin. Blendi Fevziu ta ka çuar, më duket. Projektin e kam bërë ashtu si duhet, më duket e ka parë edhe Beneti.
Kryeministri Edi Rama: Po mirë, tani ti ia dhe Fevziut. E ke aplikuar projektin?
-Po, unë ia kam çuar.
Kryeministri Edi Rama: A e ke aplikuar zyrtarisht? Ku?
-Në bashki, në e-Albania. Edhe unë jam, në fakt, me Franin dhe Frani ia kishte mbushur nuses 100% mendjen. Po unë kam edhe 20% për t’ia mbushur mendjen. Gruan e kam prej Thethit. Kemi 5 fëmijë dhe 80% ia kemi mbushur mendjen.”
Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, shiko, ti e ke më të vështirë. Te çifti midis shqiptarit dhe të huajit fiton shqiptari gjithmonë. Kur janë dy shqiptarë bashkë, është puna se si bëhet. Por midis një burri shqiptar e një gruaje shqiptare dhe një burri të huaj e një gruaje të huaj, fiton gjithmonë pala shqiptare. Vendoset nga shqiptari kjo punë dhe gruaja apo burri i huaj e ndjek me qejf shqiptarin, se të jep garanci. Tani ti, që sot siç po flasim, do ta çosh direkt aplikimin te Agjencia. Do shfrytëzosh Paketën e Maleve si gjithë të tjerët, kaq. Ndërkohë, projektin do t’ia çosh direkt sot Agjencisë. Në qoftë se do që të mos na fusësh në sherr edhe me Fevziun, do ma çosh edhe mua në telefonin tim direkt. Mund të ma ketë çuar, por s’e kam parë unë. Zakonisht unë i shoh ato që më çon Fevziu, por mos ki merak, do ta zgjidhim. Nuk do presësh sa ç’ke pritur, është ideja.
(Pjesë nga bashkëbisedimi)
Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë, për dy javë rruga e Dukagjinit nis me Fondin e Zhvillimit. Është dashur kohë të bëhet projekti, patjetër që gjërat bëhen sipas mundësive. E kemi nisur punën në krye të këtij vendi kur treçerekun e komunave i kishte partia e atij. E kemi nisur me më pak se 10 miliardë euro Prodhim të Përgjithshëm të Shqipërisë. E kemi sjellë në 27 miliardë e diçka më shumë, duhet ta çojmë në 35 miliardë.
Pse duhet ta çojmë në 35 miliardë? Sepse na duhen më shumë fonde për të financuar më shumë gjëra. Si vijnë fondet? Nga vijnë fondet? Fondet vijnë nga investimet. Njerëzit duhet të investojnë dhe shteti duhet të mbledhi më shumë të ardhura. Rrit ekonominë, të rrisësh mundësitë, të rrisësh fondet. Ky është thelbi dhe të gjitha shtetet e botës, demokratike ose jo demokratike, bëjnë garë kush sjell më shumë investime të huaja.
Në Shqipëri dalin, çfarë t’i them, çfarë t’i quaj? Koka të mëdha s’janë. Çfarë t’i quaj? Dalin lloj-lloj sharlatanësh, lloj-lloj delirantësh, lloj-lloj ekstremistësh, ekstremistë sa të majtë e sa të djathtë, domethënë si me kaluar biçikleta, me e ndarë përgjysmë, dhe thonë: “Nuk duam investime të huaja, nuk duam të huaj në Shqipëri, nuk duam të shesim Shqipërinë”.
Kujt po ja shesim Shqipërinë? Kur, ku, si, kush po e blen Shqipërinë? Pse ata që janë në investimin e shumë diskutuar të Katarit që sot kanë blerë çerekun e Parisit, kanë marrë Francën me vete në Katar. Si funksionon? Pra rrugën e Dukagjinit Gjoni ma ka përmendur dhe ma ka bërë leksion kur unë kam qenë akoma në opozitë. Pastaj u bëra kryeministër. Gjoni tha tashti tha është rruga e Dukagjinit. Po jo sepse kur ke pak, do t’i ndash aty ku duhen më shumë, te gjërat më prioritare, te gjërat me të cilat fillon, por kur rrit mundësitë i vjen radha edhe rrugës së Dukagjinit. Tani me siguri ka rrugë të tjera që janë radhë më mbrapa. Do vijnë dhe ato. Kështu që, rrugën e Dukagjinit do ta fillojmë edhe do ta bëjmë bukur. Dhe patjetër projekti që tha Beneti pastaj është pjesë. Unë do t’i jap pak zotërisë atje. Jemi parë bashkë ne.
* * *
-Për Paketën e Maleve të përgëzoj e i gëzofshin kush i marrin se në Theth flitet shumë që vijnë të huaj
Kryeministri Edi Rama: Po ku do vijnë për shembull?
-Për zotin nuk kemi vend për vete
Kryeministri Edi Rama: Ja për shembull, ti je nga këtu. Tani më thuaj si e realizon një i huaj që vjen këtu dhe fillon ndërton këtu? Si mund ta bëjë?
-Unë di me të thënë një gjë në emër të shumë njerëzve si mua, që unë vij nga jashtë 30 vite, nuk besoj se ka vend të vij kush.
Kryeministri Edi Rama: Vend ka kudo për të gjithë, por kjo është një marrëzi shumë e madhe. Dhe po të them me garanci që ta dish ti, nuk ka në Shqipëri investim me leje, me leje, pa leje është histori tjetër, me leje, që nuk ka pronarët pjesë. Nuk ka. Tani çfarë do më thoni? Do më thoni Rrjollin? Po hajde shiheni dosjen e Rrjollit. Pse nuk shkojnë në gjykatë ata? Nëqoftëse Rjolli është një leje e dhënë një oligarku në tokën e të tjerëve, të tjerët që kanë tokën mund të çohen dhe ta bllokojnë menjëherë në gjykatë ose ta çojnë në prokurori. Pse nuk e çojnë në prokurori? Pse nuk e çojnë Rrjollin ata në SPAK? Ta çojnë në SPAK. Le ta çojnë dhe le të provojnë ata që ata janë pronarët dhe që ndërkohë aty shteti ja ka dhënë dikujt në tokën e tyre. Jo more zotëri, nuk është kështu. Sepse dosja e Rrjollit ka të gjithë pronarët brenda, ka të gjitha marrëveshjet e bëra brenda, ka të gjitha shitjet dhe blerjet brenda. Tani është e drejta e gjithkujt të thotë që “ore shiko se kjo është prona ime, por duhet të tregojë një copë letër ose duhet të jetë si këtu”. Ju keni ardhur të gjithë këtu. S’po dëgjoj njeri të çohet të thotë ore çfarë po thua ti, cili Marian more? Kjo është toka ime. Kështu që o është kështu me zakon, siç e keni ju këtu o është me ligj. Tjetra, Mariani që të jemi shumë të qartë Mariani do bëjë projektin. Okey. Do marri lejen. Është në të drejtën e vetë, po të dojë të thotë e di si është puna, po unë këtu do ta marr një nga hëna dhe do ta bëj bashkë me të. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund të vij, si mund të vijë?
-Unë e kam bërë aplikim për Paketën e maleve më ka kthyer një përgjigje negative. Ti nuk e përfiton për shkak se është pemtore. Nuk e di se si ka për të funksionuar, a duhet me ri aplikuar, a duhet të bëj ndonjë gjë tjetër?
Kryeministri Edi Rama: Më ke shkruajtur edhe është e vërtetë që ishte një ngërç se tani kini parasysh ndonjë gjë tjetër. Çdo ligj, çdo vendim bëhet duke i menduar të gjitha. Po jo të gjitha mund të parashikohen dhe rrugës dalin edhe gjëra që duhen përmirësuar. Kështu që po ja kaloj drejtoreshës së kadastrës, sepse mbasi ma çove ja kam çuar ministrit, ja kam çuar dhe drejtoreshë se unë i ndjek të gjitha ato që më vijnë. Pastaj sa i ndjekin ata të tjerët poshtë meje që kanë më shumë punë se unë, këtë unë nuk e garantoj dot gjithmonë. Pra, pemtorja që ishte ngërç u zgjidh, shtrati i lumit, ne na ndodh shumë shpesh që të kemi tjetër gjendje në hartë, tjetër gjendje në realitet për 1001 arsye. Realiteti ka ndryshuar, harta mund të ketë qenë problematike. Nuk ka asnjë problem. Ti aplikimin do ta ribësh dhe kryetari i bashkisë bashkë me ministrin do ta ndjekin dhe pastaj do hysh në proces si gjithë të tjerët. Tani po që lum mbi lum, ti mund të kesh dhe ndonjë det të bësh ndonjë çudi mbi lum. Po unë them mirë rri një çik anash lumit se lumi të merr me vete.
Ju falenderoj shumë të gjithëve!