Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga takimi i Kryeministrit Edi Rama me banorë të Thumanës për të paraqitur projektet dhe shpjeguar proceset e Rindërtimit:

 Së pari, faleminderit për mikpritjen dhe për praninë tuaj!

Përpara së gjithash, unë dua të bëj disa falënderime, jo për formalitet, por sepse janë të domosdoshme, duke pasur parasysh që, ajo që kaluam në ato momente ishte vërtetë e tmerrshme dhe nuk do të kishte qenë e mundur të kalohej me aq dinjitet dhe me aq solidaritet sa u kalua, pa pasur, përveç solidaritetit mes jush edhe disa njerëz vërtetë të jashtëzakonshëm dhe të përkushtuar.

Këtu dua të falënderoj e ta ftoj një moment Eglantinën, e cila është profesoreshë dhe gocë Kruje dhe kur i kam thënë do shkosh deputete në Krujë, më pa sikur po e çoja në internim, sepse Kruja dhe gjithë kjo zonë kanë namin sikur këtu ka vetëm burra dhe vetëm burrat bëjnë ligjin e vetëm burrat dalin nga shtëpia.

Por, falë Eglantinës, shumë gra janë angazhuar e falë grave, ju burrat jeni në këmbë akoma atje mbrapa, sepse bëni mirë të kujtoni se po të mos ishte një grua, ju nuk do e kishit parë dritën e diellit fare. E po të mos ishte gruaja në shtëpi, ju mund të rrini në këmbë këtu e të bëni komandantin, por kur shkoni atje, po të mos jetë gruaja, jeni më keq se shtëpitë pas tërmetit.

Shumë respekt dhe fatmirësisht që Eglantina ishte këtu, një zonjë, një grua jashtëzakonisht e përkushtuar që vërtetë mund të mos i ndihet shumë zëri, siç më ndihet mua, por bën shumë më tepër edhe se sa unë edhe se sa shumë të tjerë në shërbim të njerëzve, duke i qëndruar pranë, jo vetëm duke i thënë fjalën e mirë, jo vetëm duke i hedhur dorën në krah, por dhe duke bërë gjithçka, bashkë me gjithë vullnetarët që angazhoi qoftë nga zona, qoftë nga Tirana, për t’i qëndruar pranë të gjithë familjeve që ishin në hall të madh.

Personi tjetër që dua të falënderoj nuk është nga Kruja, as nga Tirana , por është italian. Ky është Andreasi që është arkitekti. Dua ta falënderoj për një arsye shumë të thjeshtë. Ky është një arkitekt, ju e patë vetë punën që ka bërë deri tani këtu, ka bërë dhe punë të tjera shumë të mira, por përtej faktit që është një arkitekt shumë i mirë është dhe një njeri i jashtëzakonshëm sepse që në momentin e parë që i kërkuam të vinte dhe të na ndihmonte në atë urgjencë që kishim, nuk pyeti as “sa do paguhem”, as “kur do paguhem”, as “si do paguhem”, por erdhi bashkë me ne, erdhi bashkë me mua në një nga ato vizitat kur plaga ishte akoma e hapur dhe ka filluar nga puna.

Kjo nuk do të thotë që ne nuk do ta paguajmë në fund që të jemi të qartë as nuk do t’i themi që “ik tani se ne mbaruam punë”, por mbi të gjitha unë desha ta shikonim me sy këtu përballë jush, pasi është një njeri që meriton ta ketë një duartrokitje nga ju dhe një falënderim për punën vullnetare që ka bërë dhe siç e patë nga këto pak pamje, nuk e ka bërë me angari, por e ka bërë me shumë pasion dhe me shumë profesionalizëm.

Dua tani të ftoj këtu një person të tretë.

Ju e njihni një grua zonjë, që për nga mosha në certifikatë mund të jetë më e moshuar nga të gjithë burrat që jemi këtu, por për nga karakteri dhe nga profesionalizmi dhe për nga pasioni për t’iu shërbyer njerëzve, ka hyrë në zemrat e të gjithë shqiptarëve. Është ajo zonja me flokë të bardha, inxhinierja e famshme që doli dhe i hapi luftë të gjitha çadrave të medias që përhapnin panik, duke dhënë disa këshilla dhe duke thënë disa gjëra që i vlejtën të gjithë njerëzve dhe ju qetësuan në ato momente, kur dukej se do u binte bota përmbys. Ajo nuk është këtu sot, por e bija është këtu. Është profesioniste e të njëjtës fushë si mamaja, por ashtu sikundër po ndihmon për projekte, ashtu edhe këtu ka dhënë një ndihmëse të madhe, bashkë me mikun tonë Ilir Hoxholli, i cili së bashku me Elvis Naçin janë marrë me verifikimin e të gjithë familjeve dhe të gjithë personave që janë në nevojë. Të falënderoj shumë sepse është shumë e rëndësishme që ne këtë punë ta bëjmë me dinjitet deri në fund, ta bëjmë me ndershmëri deri në fund, ta bëjmë me profesionalizëm deri në fund dhe të mos lejojmë që për shkak të një mungese vëmendje, për shkak të një dembelizmi apo për shkak gabimesh që mund të bëhen – mund të ndodhi  të bëhen edhe me qëllim ndonjëherë nga njerëz që marrin rrogën nga taksat, por nuk janë respektues ndaj komunitetit, – të mos bëhet verifikimi i duhur dhe të ngeli qoftë edhe një familje e vetme jashtë listës së atyre që kanë nevojë.

Do të bëj falënderimin e fundit dhe mua më vjen shumë mirë që në këtë tragjedi të madhe që Thumanën e goditi shumë fort, se këtu ishte zemra e tragjedisë, ishte krateri i vullkanit të tragjedisë, e desh rasti që ju të kishit në krah, ne të kishim në krah një produkt bio të Thumanës, që është Turi, i cili meriton gjithë duartrokitjet, por me thënë të drejtën haram ta kishte po të mos bënte më shumë se gjithë të tjerët për ju, se ajo që keni bërë ju për Turin se ka bërë kush Pavarësisht se është këtu mes jush, e keni marrë dhe e keni ngritur me mbështetjen tuaj. Ai e ka merituar patjetër, por duhet ta meritojë çdo ditë se po nuk  e meritoi, e dini vete ju.

Nuk dua t’u mbaj shumë këtu, megjithatë, shumë respekt për një gjë se gratë i keni ulur dhe nuk i keni lënë në këmbë. Ky është një hap i madh përpara. Keni edhe hapa të tjerë për të bërë, por hap pas hapi të gjithë bashkë.

Siç ju kam thënë që ditën e parë, unë do të qëndroj bashkë me ju, me sytë dhe mendjen të përqendruar në radhë të parë për të bërë më të mirën që të gjithë ata, që në ato momente të para ishin të shokuar dhe ndiheshin të pashpresë, ta bëjnë gëzuar vitin e ri 2021, në shtëpinë e re.

Çdo krizë është dhe një mundësi . Mirë është që krizat të mos vijnë, por kur vijnë, njeriu duhet të shohë përveç të keqes, edhe çfarë duhet bërë që të dalë diçka e mirë prej kësaj. Të vjetrit kanë një fjalë, “çdo e keqe, sjell një të mirë”. Një e keqe si ajo që ndodhi, mos ardhtë më kurrë, por e mira që duhet të sjellë, është që ne, jo vetëm që do t’ju fusim nëpër shtëpi, por në shtëpi ku ju të jeni në kushte optimale, njësoj siç janë familjet që blejnë vila, sepse i kanë mundësitë. E këto realisht do të jenë shtëpi – vila në kuptimin më të plotë të fjalës. Shtëpi me hapësirë të mjaftueshme, sipas frymëve, për ata që janë një ose dy në shtëpi, një dhomë dhe një kuzhinë, 1+1, por e bollshme, për të tjerët, 2+1. Ndërsa për ata që janë më shumë, 3+1 dhe për ata të cilëve u është prishur shtëpia e kanë qenë në shtëpinë e vjetër më shumë se 1 kurorë do t’u japim aq shtëpi sa kanë kurora. Është shumë e rëndësishme që familjeve që janë më shumë se një kurorë t’i japim mundësinë të kenë shtëpinë e tyre, me fëmijët e tyre.

Po kaq e rëndësishme është pjesa e mirëkuptimit dhe e besimit që duhet të keni ju. Duhet të keni mirëkuptimin që nuk mundet dot e nuk duhet ta bëjmë gabimin që thjesht të shkojmë e t’i ndërtojmë këto shtëpi të reja aty ku kanë qenë të vjetrat, për të gjitha rastet si Thumana, kur e kemi mundësinë që t’i mbledhim pranë njëra-tjetrës, duke ju dhënë juve një pronë më shumë, pra, ju do t’i merrni këto shtëpi, – dëgjojeni me vëmendje këtë, – siç nuk i merr askush në Itali, përshembull, pas tërmetit. Kur rindërtohen shtëpitë, shteti të jep një pjesë dhuratë, një pjesë thotë e ke kredi, kredi të butë, por kredi është dhe fillo paguaje.

Ju do merrni çelësin, bashkë me hipotekën e truallit tjetër, që do të jetë truall shtet, ose do të jetë truall që do të shpronësohet për interes publik. Këtu është shumica dërrmuese shtet. Truallin e shtëpisë së vjetër do ta mbani ju, është i juaji, por ta dini se dhe ligji e ndalon, nuk ka të mbash edhe atë, të marrësh edhe këtë. Trualli i shtëpisë së vjetër do të jetë truall në dispozicion për ju, ta përdorni për bujqësi, për blegtori, për kopshtari, a për çfarë të doni ju, por jo më të rrijë shtëpia atje.

Ka nga ata, janë kryesisht burra, që thonë e dua aty ku jam se aty kam unë lopët, kam delet, pulat e me radhë. E vërtetë është që aty i ke, por, nëse qëndron tek shtëpia atje ku je, atëherë ti duhet që për një matje tensioni, apo për një vizitë shëndetësore të marrësh rrugën, për vete ose për njeriun e familjes, të shkosh deri tek qendra shëndetësore. Fëmijët për të shkuar në shkollë, do bëjnë rrugë deri tek shkolla, në shi, në borë, në të nxehtë të i madh, duan edhe njeriun për t’i shoqëruar kur janë të vegjël, pa llogaritur faktin që edhe kur do të marrësh disa shërbime në njësinë administrative, do bësh rrugë. Kurse, nëse afrohesh, të gjitha këto i ke aty, edhe shkollën, edhe kopshtin, edhe çerdhen, edhe parkun, edhe terrenet sportive dhe këto janë për fëmijët shumë të rëndësishme. Ndërkohë që terrenin që ke, fermën që ke, aty e ke, shko në mëngjes tek ferma, rri gjithë ditën, por nuk ka pse rri gjithë familja me ty atje dhe të marrë rrugën çdo ditë për punët e tjera.

Tani kjo mua më duket si përrallë, por përrallat e mia përgjithësisht dalin. Ka ndonjë përrallë që nuk ka dalë akoma, se kërkon kohën e vetë, por të jeni të sigurt që dalin. Kur thoja që Puka do bëhet qytet turistik, vetë pukjanët thonin, kur do iki ky i gjati, se boll na kanë mbyt në rrena të shkurtrit, por të vijë i gjatë që rren, nuk durohet fare, se i shkurtri mund të rrejë e pastaj fshihet. Dy metra rrena nuk ke ku i fsheh. Shkoni në Pukë dhe shiheni sot. Të njëjtën gjë thoja për Belshin, – Belshi ishte njësoj si Thuamana nga pikëpamja e degradimit, nuk kishte asnjë gjë. Pse e kujtoj Pukën dhe Belshin?

Edhe në Pukë dhe në Belsh ka një liqen. Një liqen që është ngjitur me zonën e banuar. Edhe këtu ka një liqen, por ai është komplet i shkëputur nga jeta juaj. Nuk e di, a i bini ndonjëherë nga liqeni, por di që ai liqen aty është një arsye për të besuar se edhe Thumana mund të bëhet një zonë ku jo vetëm njerëzit jetojnë shumë më mirë sesa jetonin, por të vijnë edhe të tjerët, edhe pse ju do thoni, kush do vijë për në Thumanë ditë të shtunë e të diel? Por këtu do jemi!

Por le ta fillojmë me këtë pjesë, se në fillim na intereson që të sistemohen familjet që janë këtu. Pastaj do të shikoni se si do të ndodhi që do vijnë edhe të tjerë, sepse zona që do të ndërtohet, do të ketë parametra komplet ndryshe. Po bëjmë projektin e infrastrukturës, që do të thotë, do fillojmë shumë shpejt me rrugët e brendshme, me kanalizimet, me ujësjellësin, me ndriçimin dhe pastaj do të fillojmë me ndërtimin.

Që të jemi të qartë, që mos më thoni që na rrejte, banesat individuale, pra shtëpitë, ato do ndërtohen të gjitha e do të jenë gati deri për vitin e ri. Godinat me disa kate kanë pak më shumë nevojë për durim se duan pak më shumë kohë, pasi nuk është njësoj. Megjithatë, çka do bëhet, do jetë më e bukur seç ka qenë, ju siguroj.

Kur hyn në Thumanë është sikur hyn në ndonjë xhep fals, ku ke frikë se mos humb dhe nuk del më. Ka një si kthesë që nuk merret vesh nga do kthehesh dhe të gjithë vijnë e lënë makinën aty, një rrëmujë. Ne do ta ndryshojmë komplet atë pjesë. Do të jetë tamam një qendër e një qyteze. Do të jetë qytezë që do të ketë të gjitha shërbimet. Do të ketë edhe një bibliotekë për fëmijët dhe për ata që duan të kalojnë kohën në bibliotekë. Do ketë terrene sportive dhe fusha e futbollit do ta jetë shumë më e mirë se kjo që është aty, si edhe disa fusha të tjera. Po ashtu një park lojërash për fëmijët, por edhe për të moshuarit dhe sigurisht do ketë shumë më tepër arsye për ta zhvilluar biznesin e vogël pak më shumë.

Ju keni disa biznese të vogla këtu, por janë pak, janë vetëm në shërbim të komunitetit. Çfarë ndodh në Belsh sot? Belshi ishte një tmerr, iknin të gjithë, ndërsa sot, në Belsh nuk ka më mundësi, nuk gjen dot vend për t’u ulur nëse shkon të shtunë e të diel, sepse shkojnë shumë njerëz për të kaluar të shtunën e të dielën nga Tirana, apo nga qytete të tjera. Dhe asgjë nuk ka Belshi më shumë. Është e njëjta strukturë, liqeni, një qytezë dhe fushat përreth. Këtu do të ndodhë e njëjta gjë. Në Belsh po hapin në mënyrë të vazhdueshme biznese të vogla që i shërbejnë jo më komunitetit, por edhe atyre që vijnë vizitorë. Edhe këtu keni shumë njerëz që janë në emigracion. Të jeni të sigurt që do të jetë një arsye që të fillojnë ta kthejnë pak kokën dhe kursimet e tyre të fillojnë t’i investojnë në bujtina për mikpritje, agroturizëm e me radhë. Para se të vinit këtu vizituam shtëpinë e një bukëpjekësi që më tha se e bën bukën më të mira se në Tiranë. Më të mirë se në Tiranë nuk diskutohet, se e bën bukën bio. Siç është rasti i tij, që i shërben komunitetit, kështu do të jenë dhe të tjerë vetvetiu, sepse do t’i kërkojë nevoja.

Ne e kemi bërë projektin. Vazhdojnë tani që flasim, tek zona janë ekipet e inxhinierëve ku po përfundon projekti i infrastrukturës. Javën e ardhshme do të hapet gara ndërkombëtare. Nuk do të bëhet garë me kompani shqiptare, por garë ndërkombëtare për kompani të huaja, që do të japin garanci për të gjithë cilësinë e produktit. Shtëpitë janë antisizmike përballojnë tërmet prej shumë ballësh, shumë më të rëndë se ai që ra e që mos rëntë më kurrë. Janë ekologjike. Sipas llogaritjeve të bëra për konsumin mesatar të energjisë që bëhet në këtë zonë, 150 mijë lekë kursehen vetëm për shkak të mureve dhe termoizolimit. sepse nuk janë shumë të ftohta në dimër, ndaj nuk kanë nevojë për shumë ngrohje dhe janë të freskëta në verë, çka nuk ka nevojë për t’i mbytur fëmijët me ajër të kondicionuar. Ashtu sikundër kanë edhe një element tjetër, janë shumë rezistente ndaj erës dhe ju e keni problem erën, se këtu është si drejtoria e erërave të Shqipërisë.

Banesat nuk krahasohen fare me ato që ishin. Do të jenë banesa të standardit më të mirë. Të standardit që në Tiranë, Durrës, apo qytete të tjera shiten jo për arsye sociale, por shiten për arsye komerciale. Të gjithë pa përjashtim do të marrin atë që kanë pasur, kush ka humbur shtëpinë do të marrë shtëpi, kush ka humbur hapësirën për biznes do të marrë hapësirën për biznes. Të moshuarit dhe fëmijët do të marrin shumë më tepër seç kishin, në fakt nuk kishin edhe ndonjë gjë të madhe këtu, do të kenë hapësirën e tyre, plus qendra komunitare do të jenë taman si një qendër që kanë qytetet e vogla në Itali, me të gjitha shërbimet dhe si një qendër ku njerëzit mblidhen e takohen.

Ju falenderoj shumë për durimin, pasi durimi është kryesori dhe e di që është një mall i vështirë për t’u gjetur në këtë vend, por, duke qenë se ju keni kaluar gjithë atë tmerr, besoj se mund t’i jepni pak energji dhe optimizëm vetes. Ne nuk po rrimë dhe nuk ju kemi harruar, as po i shtyjmë ditët me hajde se do ta bëjmë, por kur ta bëjmë, po kur ta bëjmë po punojmë ditë-natë, dhe po bëjmë me shpejtësi të madhe procese që kërkojnë shumë kohë. Duam t’i bëjmë shpejt, por jo shkel e shko. Nuk duam t’ju fusim në kabina, siç janë në Itali shumë njerwz edhe 10 vjet pas tërmetit, as nuk duam të bëjmë thjesht disa shtëpi parafabrikate që era e Thumanës mund t’i ngrejë në ajër në momentin e parë.

Duam të bëjmë vërtetë një model shembull, për të respektuar dhembjen e këtij komuniteti, për të respektuar edhe kujtimin e atyre që ikën, për t’i futur një shkelem gjithë kësaj situate harrese dhe varfërie që ishte para tërmetit dhe për t’i dhënë të gjithëve mundësitë të buzëqeshin lirisht se e kanë shtëpinë, por përveç shtëpisë, edhe kur dalin nga shtëpia jetojnë në një qytezë që meriton edhe emrin që ka për traditën që ka, por meriton edhe të jetë qyteza e fëmijëve që lindin këtu.

Ju falënderoj shumë! Ju siguroj se shumë shpejt do të vijmë prapë dhe herën tjetër do të vijmë për filluar punën. Në këtë punë do të bashkëpunojmë edhe me të tjerë. Ne i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë dhe vetë, por duke qenë se ka pasur qysh në krye të herës edhe dëshirë dhe interesim edhe nga të tjerë,  në radhë të parë nga Elvisi, Ilir Hoxholli, që kanë ngritur fonde për Thumanën, ata do të jenë bashkudhëtarë në këtë projekt. Projekti do të bëhet kështu, secili do të vendosë fondet që ka, ne fondet e qeverisë, ata fondet e donatorëve, por të dyja palët do të kontrollojmë njëra- tjetrën. Kështu që asnjë qindarkë që është e dedikuar për ju nuk do të iki në drejtim të paditur.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.