Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Thumanë, pikërisht aty ku tragjedia e 26 nëntorit goditi më rëndë, puna po vijon me ndërtimin e bazamentit të infrastrukturës dhe mbushjen masive me gurë dhe gjeotekstil të sipërfaqes, për të garantuar qëndrueshmërinë absolute të lagjes së re mbi tokën ish-kënetore.

Pas këtij procesi shumë të rëndësishëm, së shpejti do të nisë ndërtimi i shtëpive, pallateve, shkollës së re, kopshtit e çerdhes, së bashku me një qendër komunitare shërbimesh publike e argëtimi familjar si edhe zonën sportive.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Thumanë, së bashku me ministrin e Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli tha se po vijon puna për nivelimin e terrenit, i cili ishte i papërshtatshëm për shkak të formës së tij. “Kemi avancuar me mbushjen për të bërë gati themelin e shtëpive individuale. Është gërmuar dhe është mbushur, pasi terreni këtu ka qënë në formën e luginës dhe do të vijojë të mbushet derisa të arrijë në nivelin e rrugës.”

Duke u ndalur tek projekti, drejtori Dritan Agolli shpjegoi se në pjesën ku do të ngrihen banesat kolektive puna do të vijojë menjëherë pas përfundimit të procesit të shpronësimit. Gjithashtu, ai tha se pjesët janë të lidhura në mënyrë integrale me njëra-tjetrën përmes rrugëve dhe se konsiderohen si një lagje e vetme, një qendër komunitare me postën, njësinë administrative, zona e shërbimeve, shkollën e re dhe atë ekzistuese.

“Ky është investim i buxhetit të shtetit rreth 5.5 milionë dollarë për infrastrukturën nëntokësore dhe mbitokësore, ndërsa shtëpitë individuale do të kontribuohen nga fondacioni Firdeus,” u shpreh ministri Ahmetaj.

Ndërkaq, Kryeministri Rama tha se puna e bërë deri tani për nivelimin e terrenit ka qënë një domosdoshmëri për të përftuar një tokë solide dhe të qëndrueshme mbi të cilën do të ngrihet lagjja e re. “Është interesant për ta parë gjithë ky ndryshim i strukturës së fushës dhe me të drejtë të mirëkuptuar janë të gjithë ata që thonë “akoma, akoma”, por në fakt këtu është bërë një punë shumë e madhe për gërmim dhe mbushje dhe për të bërë një nivelim të përgjithshëm, bazuar tek domosdoshmëria për një qëndrueshmëri të fortë mbi një zonë që pa këtë, gjeologjikisht do të ishte jo plotësisht solide. E pjesa tjetër, është ajo që lidhet me procedurat e shpronësimeve që kanë kohën e tyre. Pra po të marrim kohën, ajo është jo pak për ata që janë në çadër, por nga pikëpamja e procesit, nga regjistrimi i dëmeve, tek verifikemet e bëra, tek aplikimet dhe ankimimet, tek garantimi i financimeve, tek projektimet, pastaj tek prokurimet, paralelisht me shpronësimet dhe lidhjet e kontratave dhe fillimi i punës po të shohim janë bërë me një shpejtësi të pazakonshme. Po të mos kishim patur atë ndërprerjen e fortë dhe brutale të karantinës dhe të mbylljes, mbase do të ishim më përpara, megjithatë kohën po e kapim. Kështu që në vjeshtë do të jemi në kushtet kur të kemi të formësuar këtë qytezë dhe me ndihmën e Zotit do të hapim dyert e para më 26 nëntor,” u shpreh Kryeministri.

Thumana e Re do të ketë edhe një kënd të kujtesës, që do t’u përcjellë brezave mesazhin e fuqisë së solidaritetit shoqëror, për t’u ringritur më të mirë e më të fortë, pas çdo humbjeje e dhimbjeje.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.