“Jam posaçërisht i emocionuar, sepse Luc Barnier, emrin e të cilit mban ky çmim, ishte një mik shumë i afërt, një mik zemre, i cili ka shumë miq në Shqipëri dhe ishte dhe një mik i mirë i Ilirit dhe Agronit; dy themeluesit e këtij festivali; që sot nuk jeton më. U nda nga jeta pas një beteje shumë të gjatë dhe të vështirë me një kancer të paepur vitin e kaluar dhe menjëherë Iliri dhe Agroni menduan që të pagëzojnë një nga çmimet e festivalit me emrin e tij. Besoj që në rast se filmat thonë të vërtetën, ai është duke na parë. Me siguri, aty ku është, është shumë i lumtur për këtë.
Ishte një njeri që dha gjithçka mundi të jepte nga zemra e vet për të gjithë miqtë shqiptarë që njohu dhe që nuk mori asgjë në këmbim, përveç miqësisë, në emër të së cilës, besoj jepet ky çmim. Por nga ana tjetër, me siguri për një prej atyre që në sallën e errët të montazhit, në historinë e kinemasë franceze kanë lënë sot emrin e tyre. Me këtë rast dua që t’i falënderoj edhe Ilirin edhe Agronin, edhe pse Luc-un e kishim mik të përbashkët, por edhe t’i shpreh gjithë admirimin tim për rritjen e këtij festivali. E kemi nisur bashkë dhe sot mund të thuhen me plot kuptim fjalët që Luc-u kishte shumë qejf t’i përsëriste: “Rruga është e gjatë, zemrën peshë!”
Atëherë, këtë çmim e merr filmi “Humus” i autorit Frederic Labonde, një autor francez, “për realizmin, me ritëm të ngjeshur dhe me theks muzikal” dhe, i takon ambasadores (Christine Moro) të marrë dhe një çmim tjetër sot, në emër të autorit të munguar.
Besoj se, pavarësisht se mund të duket në pamje të parë si defekt, por është virtyt i këtij festivali që mungojnë autorët, ngatërrohen ndonjëherë edhe letrat, se i jep një sens të një familjeje artistësh edhe dashamirësish që e mbështesin këtë familje, pa shumë para, por me gjithë zemër.”
* Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë ndarjes së çmimeve të edicionit të 11 të TIFF.